Pasi Byroja Kombëtare e Hetimit, bëri kontrollin në banesën e Agasit, njoftoi drejtorinë e Doganave për verën e gjetur, për shkak se ishte e kontrabanduar dhe pa pullë fiskale.
TIRANË- Dosja.al, ka mundur të sigurojë detaje nga vera e sekuestruar në vinotekën e biznesmenit Ergys Agasi disa ditë më parë. Burime të sigurta bëjnë me dije se Drejtoria e Doganave ka marrë vetëm 14 shishe verë nga i gjithë koleksioni që Agasi kishte.
Pasi Byroja Kombëtare e Hetimit, bëri kontrollin në banesën e Agasit, njoftoi drejtorinë e Doganave për verën e gjetur, për shkak se ishte e kontrabanduar dhe pa pullë fiskale. Dogana ka shkuar atë mbrëmje në banesën e Agasit dhe ka mbajtur procesverbalin se sa shishe vere ndodheshin në banesë.
Por atë mbrëmje pas agjentëve të Doganës, në banesën e Agasit ka hyrë dhe kushëriri i Ergys Agasit, Eno Agasi dhe e ka larguar verën nga aty. Në momentin që agjentët e Drejtorisë së Doganave, bashkë me anti-kontrabandën shkuan në mëngjes për të sekuestruar verën, gjetën vetëm 14 shishe verë.
Burime të Dosja.al bëjnë me dije se gjithsej nga vera e futur në mënyrë kontrabandë në vendin tonë, dëmi ndaj buxhetit të shtetit është mbi 1 miliardë lekë. Këtu përfshihen taksa doganore, akciza si dhe TVSH-ja.
Dosja.al raportoi disa ditë më parë verën e gjetur nga BKH-ja në banesën e Agasit. Vera e shtrenjtë qe kushton mijëra euro ishte pa pullë fiskale dhe e futur kontrabandë në vendin tonë. Por Agasi arriti që ta largojë atë nga banesa e vetë nëpërmjet kushëririt, Eno Agasi, i cili është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës.