Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) zhvilloi një bashkëbisedim me Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, znj. Ina Zhupa, duke vendosur në qendër të diskutimit sfidat, problematikat dhe perspektivën e diasporës shqiptare në raport me institucionet shtetërore.
Gazetarët e UGSHPD ngritën një sërë çështjesh thelbësore që lidhen me përfaqësimin politik, transparencën në menaxhimin e fondeve, si dhe rolin real të diasporës në proceset vendimmarrëse në Shqipëri.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte struktura institucionale e trajtimit të diasporës. U ngrit pyetja nëse është e mjaftueshme që kjo çështje të mbulohet brenda një komisioni që përfshin edhe kulturën dhe turizmin, duke pasur parasysh peshën demografike dhe ekonomike që diaspora shqiptare përfaqëson. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për një qasje më të dedikuar dhe politika më të fokusuara.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua transparencës në shpërndarjen e fondeve për projekte që lidhen me diasporën. Gazetarët ngritën shqetësime mbi mungesën e llogaridhënies dhe kontrollit publik, duke përmendur raste konkrete ku financime ndërkombëtare kanë mbështetur iniciativa që më pas kanë vijuar aktivitetin pa transparencë mbi drejtimin, autorësinë dhe përfituesit realë. Këto shqetësime u shoqëruan me kritika për perceptimin e politizimit të fondeve dhe mungesën e një mekanizmi të qartë monitorimi.
Në të njëjtën linjë, u diskutua edhe mbi organizimin e aktiviteteve kulturore në diasporë, ku sipas gazetarëve evidentohet një prirje për përzgjedhje partiake e jo gjithëpërfshirëse të përfaqësuesve, duke lënë jashtë një pjesë të gjerë të komunitetit profesional dhe krijues.
Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu dedikua rolit të diasporës ne proceset zgjedhore. U rikthye në vëmendje deklarata e mëparshme e znj. Zhupa mbi ndikimin kyç të diasporës në rotacionin politik, duke u kërkuar një reflektim pas zgjedhjeve të fundit, ku ky ndikim rezultoi i kufizuar. Në këtë kontekst, u diskutua mbi nevojën për përmirësimin e mekanizmave të votimit, rritjen e aksesit dhe garantimin e një procesi më efektiv për përfshirjen e diasporës.
Gjithashtu, u ngrit çështja e mungesës së një strategjie të qartë dhe të matshme për diasporën, si dhe nevoja për t’u bazuar në modele të vendeve europiane per përfaqësim më të drejtë dhe funksional të saj në institucionet vendimmarrëse. U theksua rëndësia e realizimit të një censusi gjithëpërfshirës të diasporës, që përfshin edhe shtetasit me dy shtetësi, si një bazë e domosdoshme për politika efektive.
UGSHPD ritheksoi misionin e tij për të promovuar gazetarinë profesionale, etikën mediatike dhe informimin e pavarur, si dhe rolin e gazetarëve si një urë lidhëse mes diasporës dhe institucioneve shqiptare. Angazhimi i unionit si vëzhgues në zgjedhjet e majit 2025 dhe kontributi në pasqyrimin e problematikave të demokracisë dhe medias u vlerësuan si pjesë e rëndësishme e këtij misioni.
Në përfundim, UGSHPD shprehu vlerësimin për gatishmërinë e znj. Ina Zhupa për dialog dhe përballje me shqetësimet e ngritura, duke theksuar se komunikimi i drejtpërdrejtë dhe llogaridhënia janë elementë kyç për përmirësimin e politikave ndaj diasporës dhe forcimin e rolit të saj në jetën publike shqiptare.
UGSHPD është një organizatë e pavarur që synon të bashkojë gazetarët profesionistë të diasporës dhe të forcojë standardet e gazetarisë së lirë dhe të përgjegjshme. Përmes aktivitetit të saj, unioni kontribuon në rritjen e transparencës publike dhe në mbrojtjen e interesit qytetar, duke shërbyer si një urë lidhëse mes diasporës dhe zhvillimeve në Shqipëri.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)