VOAL- Në përmbyllje të fushatës, kandidati i pavarur për kryetar bashkie të Beratit, Pavlo Shkarpa, iu ka dërguar këtë mesazh beratasve:
Të dashur qytetarë të Beratit,
Banorë të të gjitha fshatrave përreth,
Miq, bashkëqytetarë, vëllezër e motra,
Sot, në mbyllje të këtij rrugëtimi, dua t’ju falënderoj nga zemra secilin prej jush , për fjalët e mira, për mbështetjen, për kritikat, dhe për çdo bisedë të ndershme që kemi pasur gjatë këtyre javëve.
Ky udhëtim nuk ka qenë thjesht një fushatë, ka qenë një dëshmi e dashurisë që kam për qytetin tim, për Beratin tonë të bukur.
U nisa në këtë rrugë si kandidat i pavarur, pa interesa të ngushta politike, por me një qëllim të vetëm:
të jem zëri i qytetarëve dhe të tregoj se politika mund të bëhet me zemër, me ndershmëri dhe me dashuri për vendin.
Gjatë kësaj fushate kam zgjedhur të flas hapur për plagët e Beratit, për problemet që na shqetësojnë çdo ditë, për neglizhencën dhe padrejtësitë që kemi përjetuar.
Por kam zgjedhur gjithashtu të falënderoj dhe të vlerësoj çdo njeri që ka kontribuar për qytetin tonë, sepse vetëm duke njohur të mirën mund të ndërtojmë më shumë prej saj.
Unë besoj se Berati meriton më shumë. Meriton institucione që punojnë për njerëzit. Meriton të rinj që nuk largohen. Meriton lagje të pastra, mundësi për çdo familje, dhe fshatra me rrugë, drita e shpresë.
Ky qytet është shtëpia jonë e përbashkët, dhe ai nuk mund të rritet nëse nuk kujdesemi të gjithë për të.
Më 9 nëntor, ju keni në dorë të vendosni nëse Berati do të ecë përpara me ndershmëri dhe përkushtim. Nëse më jepni besimin tuaj, ju premtoj se çdo premtim që kam dhënë, do ta mbaj.
Do të punoj me shpirt, me përkushtim dhe me transparencë, për çdo lagje, për çdo fshat, për çdo njeri dhe për çdo shqetësim.
Unë nuk premtoj mrekulli.
Premtoj punë, përkushtim dhe ndershmëri.
Sepse vetëm kështu ndërtohet besimi. Vetëm kështu ndryshon Berati.
Të dashur beratas,
Ky qytet është i yni. Dhe unë zotohem të punoj për secilin prej jush për një Berat më të mirë, më të drejtë, më të gjallë dhe më të bashkuar.
Ju faleminderit për gjithçka!
Me mirënjohje,
Pali