Më alarmuesi nga ajo që po ndodh në Kosovë, si reagim ndaj kërcënimit që vjen nga Zajednica, është dhunimi i demokracisë. Nga të dy palët që përplasen lidhur me Zajednicën. Pra dhunimi i demokracisë edhe si hedhje bombash tymuese në sallën e Kuvendit, por edhe si arrestim i opozitës, i Albin Kurtit dhe opozitarëve të tjerë. Dhe të përpiqesh ta zgjidhësh një krizë politike duke dhunuar e rrënuar demokracinë, është për shtetin e brishtë të Kosovës e barabartë me vetëvrasje. Edhe për çështjen kombëtare.
***
Veçori e zhvillimeve të sotme është lidhja e interesave kombëtare të shqiptarëve me projektin e demokracisë. Pra ato nuk mund të realizohen duke braktisur atë projekt. Eshtë krejtësisht e kundërta! Ka ardhur koha që të pranohet si një aksiomë që fati i Kosovës, i Republikës së Shqipërisë por edhe i gjithë shqiptarëve në rajon është, i lidhur me ecurinë e demokracisë liberale. Përse? Përgjigja është e thjeshtë: Sepse aleati i tyre kryesor, madje i vetëm, është Perëndimi, Europa dhe SHBA. Dhe që të jesh me to, duhet të jesh me demokracinë liberale, të dish ta zhvillosh dhe fuqizosh atë. Largimi nga demokracia do të qe largim nga aleatët e fuqishëm dhe më të sigurt të shqiptarëve. Jo se nuk do kenë asnjë fat tjetër. Sigurisht që do të kenë një fat. Por do ta kenë të zi.
***
“Zajednica”, si një shoqatë e komunave me shumicë serbe, duket që larg një projekt shumë i dyshimtë. Pse nuk qenka e mjaft një shoqatë e të gjithë komunave, pavarësisht se kush është në shumicë apo pakicë? E meta e madhe e “Zajednicës” është se në vend që të promovojë frymën e bashkëjetesës paqësore mes etnive, shqiptarëve dhe serbëve, skicon një ndarje. Në thelb, “Zajednica”, projekton një mur mes etnive. Eshtë një përpjekje për homogjenizim mbi baza etnike, jo multietnike. Rruga më e gabuar kjo në një shtet demokratiko-liberal, që duhet të synojë një bashkësi qytetarësh pavarësisht kombësisë dhe që me të drejtë, dyshohet se mund të çojë në të ardhmen deri në çarje të rrezikshme për tërësinë territoriale të republikës.
“Zajednica” është gjymtim e demokracisë liberale sepse vlerëson si të rëndësishme vetëm njërën anë të saj demokracinë pra, të qenit në shumicë, duke neglizhuar liberalizmin, që është mbrojtje e lirive dhe të drejtave të njerëzve duke kufizuar edhe pushtetin e shumicave. Nëse pranon se serbët mund të ndihen të sigurt në të drejtat e tyre në Kosovë vetëm po të organizohen si shumica etnike, ke pranuar dështimin e liberalizmit. Prandaj “Zajednica” është një projekti i gjymtë. Dhe për këtë eksperiment të rrezikshëm që po ndërmerret në Kosovë, përgjegjësi mbajnë edhe ndërkombëtarët.
***
Por këto që thamë, nuk përligjin asnjë aksion që shkon përkundër themeleve të sistemit të demokracisë në Kosovë që janë, njëherazi edhe themelet e shtetit. Sepse Republika e Kosovës është projektuar si demokraci-liberale. Dhe nuk duhet harruar se dobësia kronike e shqiptarëve përballë fqinjëve të tyre ka qenë, në shekuj, mungesa e shtetit. Ndaj ata nuk mund t’i bëjnë ballë planeve të fqinjëve, që nuk është se janë tërësisht të imunizuar nga gjakimet nacionaliste, duke rrënuar shtetet e tyre, në këtë rast, demokracinë. Një gjë e tillë do të thoshte të thelloje disavantazhin kronik që shqiptarët kanë patur në shekuj.
***
Kriza politike rreth “Zajednicës” nxori në sipërfaqe pikërisht dobësinë e shtetit, të sistemit të demokracisë në Kosovë. Reagimi i dhunshëm i “Vetëvendosjes” dhe opozitës në Kuvend, duke prishur seancat deri edhe me bomba tymuese, është edhe provë e dështimit të sistemit. Ajo tregon se opozita nuk ka kujt t’i drejtohet, se nuk i ka mbetur tjetër, përveç dhunës, për të obstruktuar një vendim të shumicës që i duket i padrejtë. Sepse vështirë që ajo do ta ndërmerrte një hap të tillë nëse do kish besim te institucionet e tjera të Kosovës që janë krijuar për të kontrolluar dhe balancuar vendimet e marra nga shumica. Për shembull, nëse do kish besim te vendimarrja e Gjykatës Kushtetuese lidhur me “Zajednicën”. Krejtësisht jashtë sistemit të demokracisë liberale është edhe arrestimi i Kurtit dhe opozitarëve të tjerë. Kriza aktuale është krizë e papjekurisë së institucioneve dhe e mungesës së besimit në to.
***
E megjithatë, dhuna në Kuvend është e papranueshme. Demokracia, edhe në stadin latent që ndodhet në Kosovë, ofron mjete të larmishme për zgjidhje e konflikteve të tilla. Mjafton t’i mbështesësh shpresat tek ajo. Dhe të dish të tërheqësh mbështetjen e masave për atë që mendon se është një kauzë e drejtë. Gabimi i “Vetëvendosjes” është se nuk e sheh demokracinë si mjetin e vetëm për arritjen e qëllimeve të saj. Një tjetër e metë e “Vetëvendosjes” është se nuk i sheh perëndimorët si të vetmit aleatë të sigurt të çështjes së shqiptare në rajon. Dyshime të tilla, pas atij investimi aq madhor të Perëndimit për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës flet, më shumë se për amnezi, për paragjykime (Evropa, ajo kurva e motit?!) sot të papërligjura. Por nuk duhet humbur besimi te Perëndimi edhe kur, si në rastin e Zajednicës, aleatët mund të gabojnë. Nuk është e para herë që ndërkombëtarët gabojnë për çështje të caktuara në vendet që ata mbështesin. E kanë bërë një gjë të tillë edhe në Tiranë. Me ndryshimet e Kushtetutës në 2008, për shembull. E megjithatë, ata janë të vetmit aleatë besnikë të idesë së një shteti me liri dhe demokraci. Si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë. Duhet punuar me ta. Se edhe serbët, me ç’duket, punojnë. Dhe jo pak.
***
Tjetër punë nëse ideja e lirisë dhe demokracisë nuk është më aq tërheqëse, për sytë e një pjese të elitave politike shqiptare, sa ç’qe në fillim të viteve ‘90. Apo nëse një pjesë e tyre kanë nisur të besojnë se Perëndimi po bie apo se Europa e Bashkuar po shpërbëhet. Por kur është puna për liri e demokraci, nuk mund të presësh mbështetje as nga Putini dhe as nga Erdogani. Aq më pak nga ISIL. Nuk mund të presësh mbështetje as për çështjen kombëtare. Dhe është e pasaktë të pohosh se vetëm po të bëhen bashkë në një shtet, vetëm atëherë SHBA do ketë interes t’i mbështesë shqiptarët. Një aritmetikë naive. Po të qe kështu SHBA do kishin qenë aspak të interesuar për Kosovën kur kjo ishte pjesë e Serbisë. Për SHBA nuk pati rëndësi sa milion qenë shqiptarët në Kosovë por fakti i dhunimit të lirive dhe të drejtave të tyre nga regjimi i Milosheviçit. Prandaj ndërhynë. Ky raport i Perëndimit ndaj vlerave universale, pavarësisht luhatjeve episodike, nuk ka ndryshuar edhe sot. Ndërkaq, një bashkim i dy shteteve shqiptare, si vetëvendosje, jashtë kuadrit të integrimit me Europën, do të sillte divorc me aleatët perëndimorë dhe SHBA. Jo se ata nuk e duan bashkimin e shqiptarëve por si një precedent, si një shkëndijë e rrezikshme për ndezjen e një reaksioni zinxhir rivendikimesh nacionaliste në Ballkan që mund të bënte të shpërthente gjithë Europa dhe bota mbarë.
***
Në themel të pavarësisë së Kosovës është aleanca me Perëndimin. Ndërkaq, në themel të aleancës me Perëndimin, është dedikimi ndaj demokracisë liberale. Nëse vetëvendos që, në emër të kombit, kundër “Zajednicës”, të heqësh dorë nga demokracia, ke hequr dorë nga Perëndimi. Por çdo të sillte kjo? Shqiptarët do mbeteshin përsëri në vetminë e tyre anarkike. Do qe barazi me një vetëvrasje. Edhe për kombin.
Komentet