Kallnor, 2025
1.
Demonizimi
Një lum sehiresh vërshonte rruzullimit. Nuk e ndalonin dot as festat e jetës, e as pikëllimi i mortit.
Dhe kryetema ngjante përbetuese si rrallëherë.
Kishte kandiduar republikani Donald Trump e, gjasshëm, do të fitonte, së dyti herë.
Tani mullokratët e Persisë, Kimkuqi i Koresë a Putini i Rusisë, zunë të zbrisnin shkallët e kullës së demoniakëve.
Vendi i tyre, krejt afër, do t’i rezervohej Presidentit të ri matanë Atllantikut.
Në perceptimin e tyre ky ishte Luciferi, rrënuesi i paqes, prishësi i idilës dhe irnosja e lumnisë. Kudo, në Kinë dhe Europë, në botën e re dhe në botën e vjetër.
Unë do të merrja mundin të kuptoja të tjerët, por assesi Europën, në perëndimin a lindjen e saj.
Tash tre vjet jeton në ankth: lufta në pragun e saj, rënja ekonomike, plasaritjet e tejdukshme, anomalitë e lindjes komunitare, shpërthenin hidhshëm syprinë.
Porse ato s’duhej e nuk mund t’i venin Trumpit si mëkate për altar.
2.
Thirrja e të mundurëve
Vitet kohëprerëse 90-të. Ballkani gjakosej nga ideja e Rajhut të madh serbian.
I gjendur ngushtë dhe pa fuqi e shpresë, Kancelari gjerman, Kohl, mori udhën e largët për Washington.
Dhe atje, pasi kish takuar të zotin e Shtëpisë së bardhë, Clinton, do të thoshte: Amerikë, ti vend i madh, ndihmo Europën se po mbytemi dhe, të vetmuar, s’ia dalim dot mbanë.
Tani është mot tjetër. Rendi i vjetër i Pasmurit lëkundet si një degë e tharë në stuhitë e motit . Dhe kolosët aziatikë të posadalë në Arenë, kreshpërohen rëndshëm.
Mirëpo, Marko Rubio konfirmonte sërish nevojshmërinë strategjike të Nato-s për sigurinë kolektive perëndimore. Veçse bëri dhe një vërejtje krejt të vogël: europianët (procenti për Naton, tarifat, AI…) duhet të çlirojnë dorën…
Nuk mbahet kala e saj padrejtësisht, vetëm nga tatimorët amerikanë. Ndaj, s’mund t’mos evokoja sërish Robert Kagan-in virtuoz (“Fuqia dhe pafuqia…”) tek pohonte: është djegur qyshkur saga e vjetër kur, ndërsa zotërinjtë europianë pinin wisky me zonja në sallon, tek porta i ruante sherifi amerikan.
3.
Kulturat strategjike
Amerika dhe Europa nuk janë armiq, përkundrazi, kanë armiq të përbashkët.
Kagan (sërish ky) refuzonte teorinë skofjare të europianëve kur flisnin për një diferencë të thellë mes kulturash strategjike në dy brigjet e Atllantikut: në Amerikë, kultura e armës dhe në Europë, kultura e paqes!
E vërtetë kjo?
Aspak!
Esenca e dallesës qëndron në një faktor tjetër e të vetëm: Poli i Fuqisë!
Ku ishte Amerika në logun e madh kur, njëherë moti, Pentarkia e Europës sundonte botën?
Askund! Brenda oborrit të saj!
Athua, vallë, pse Jefferson-i dhe para e pasrendës të tij, ishin aq të kadiftë e skofjarë? Apo nuk i njihnin luftërat dhe, ndaj, si urtonte me ironi Mark Twain, nga kjo arsye akoma nuk zotëronin gjeografinë?
Jo, jo!
Ata nuk ishin fare të tillë, paqësorë të racës dhe të mbyllur në izolacionizëm natyral.
Ishte një përcaktues rrethanor që i mbante të ngurruar: mungesa e Fuqisë për t’u përballur me mbretëritë e Europës.
E pastaj?
Pastaj ngadalë, pas luftës së parë e të dytë botërore, qendra e Fuqisë zhvendosej nga kontinenti i vjetër, në Washington.
Europa tkurrej në pafuqinë e vet. Dhe këtë ftyrë të re ligështie, të ndrymë në kujtesën a sedrën e lavdisë, e shpjegonte teorikisht: është përfalje në këmbët e kulturës strategjike të paqes.
Por është një trill. Ajo, ashtu si kushdo, do të donte sërish të perandoronte botën. Synimpushtimi i saj nga kushdo, është, ndërkaq, një fantazi e sëmurë dhe, si shprehej Lao Tze (Tao te King), përjetësisht e pamundur!
Madje dhe paqja brenda vetë Europës ruhet nga frika kombeve prej njëri-tjetrit dhe e të gjithave bashkë nga kreatyrat e reja e të frikshme gjeopolitike të botës që kërcënojnë gjithandej.
Për të rimarrë Fuqinë e humbur, Europa duhet të introspektojë thellë në kronikën e shpirtit të vet kontrastor: vezulli në kopshtijet e lulëzuara të dijes dhe terr në doktrinat e krimit mbi jetën njerëzore.
Anise Sartëri thoshte se të tjerët janë ferr, ajo duhet ndjekur një dritë tjetër. Atë dritën që shihte Otto von Habsburg kur, aherë një deputet rishtar në orët e para, akoma ëndërrtare, të Parlamentit të Europës, pohonte: ja, në pluhnajën e luftës së dytë, po ngrejmë themelet e Perandorisë së re romake!
Por, si një premisë jetike e saj, a mund t’i shuajnë europianët shtetet nacionale? Apo do të mjaftohen, si tani, duke deleguar në selinë komunitare vetëm disa atribute të pakta klasike të tyre?
Sigurisht, jo më tepër se kaq. Madje lëvizjet centrifugale, eurodalëse, shpeshtohen duke bërë që të fanitet në horizont një pllakë përkujtimore e saj.
Ndaj, si thotë Kënga e Vajrës tek Urtitë tibetjane, “veten nga vetja duke çliruar”, Europa mund të rimësojë gjuhën supreme të Fuqisë. Gjithnjë në gjurmë të vegimit romak të Ottos për Votrën dhe shkëlqimin e sërishëm historik!
E pra Amerika (as kjo e Trumpit të dytë), që do t’a çlironte tri herë nga vetëasgjësimi apokaliptik, s’ka pse të mbajë kurorën e fajit për pafuqinë e armëve apo brishtësinë politike të saj.
4.
Reflektimi i turbullt
Një agjente dhe intelektuale e shquar, Gertrude Bell, vitet 20 të shekullit të ikur, kundronte feksjen ende të largët, të përlindjes së shteteve të pavarura arabe mbi hirin e kolonive të hershme britanike.
Mirësia e fisme e saj bëri që, kur do të vdiste, 1926, të varrosej e admiruar nga populli i Irakut në Bagdad.
Por, ndërsa ndërronin lirshëm disa fjalë në ditët e fundme të saj, vartësi i afrohet dhe i frymëzuar nga ajo vetë, i thotë në besim: Hirësi e lartë, tmerrohem për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë…
Më mbeti gjatë në mendje ky reflektim i vetmuar, kjo ndërgjegje e vonë apo, mbase, drojë nga hakmarrja kauzale e historisë…
Kushedi, mbase kjo psherëtimë që shoqëronte mendimin e tij, do të ndihej lehtë dhe nga nëpunës të vegjël kolonialistësh të tjerë.
Porse di një vend në Europë, Serbi i thonë, ku ndjesi e tillë nuk shfaqet kurrë: as në intimën private, e as në filozofinë shtetërore.
Pjesë e kodit mendar, ajo shtegton vitesh që nga dyndja e tyre fatzezë në truallin e huaj ilirik!
R.