Po ndalem në një fragment letrar me titull “Vdekja në perspektivë”, një tekst që e kam gjetur duke rëmuar në profilin e zotit Xhabir Tabaku , pa lejen e tij.
Ky tekst letrar I hedhur në facebook më bëri ta lë mënjanë librin e tij të fundit “Letra nga çmendina“ dhe të mendoja mbi vdekjen jo vetëm si një akt biologjik, por si një proces kulturor, gjuhësor dhe poetik.
Në qendër të këtij fragmenti është një burrë dhe një grua:
…ai ecën drejt gropës që e quan varrin e tij, ndërsa ajo qan, lutet, shkul fije bari dhe nuk e pranon ndarjen….
Kjo skenë, në dukje intime, është një model i qartë i asaj që antropologët kanë quajtur Rit kalimi.
Me “rit kalimi”Arnold van Gennep (1909), një ndër themeluesit e antropologjisë së riteve, e ka propozuar konceptin “rites de passage” (rite kalimi).Me këtë, ai nënkupton ceremonitë, praktikat dhe ritualet që shoqërojnë momentet më të rëndësishme të jetës së individit dhe që shënojnë kalimin nga një gjendje sociale në tjetrën.
Ai i ndan këto rite në tre faza kryesore:
- Ndarja (separation)– individi ndahet nga gjendja ose roli i mëparshëm (p.sh., fëmija ndahet nga bota e fëmijërisë).
- Kufiri / Liminali (liminality)– periudha e ndërmjetme, ku individi nuk i përket plotësisht as gjendjes së vjetër, as së resë (p.sh., periudha e adoleshencës, periudha e zisë).
- Riintegrimi (incorporation)– futja e individit në gjendjen e re, pranimi i tij në rolin ose statusin e ri (p.sh., hyrja në martesë, pranimi në një komunitet të ri, “pajtimi” i të vdekurit me botën tjetër).
Shembuj të riteve të kalimit
Lindja – pagëzimi, emërtimi i fëmijës.
Pubertet / rritje – ritualet e adoleshencës, shërbimi ushtarak.
Martesa – ceremoni martesore që shënon kalimin nga beqaria në status të ri.
Vdekja – funeralet, ritet e varrimit, periudhat e zisë.
Pra, “rit kalimi” është një udhëtim simbolik dhe social, që ndihmon si individin, ashtu edhe komunitetin, të kuptojë dhe të përballojë ndryshimet e mëdha të jetës. Arnold van Gennep, në veprën e tij të vitit 1909, na mëson se vdekja nuk është thjesht ndarje, por një kalim nga një botë në tjetrën. Ai ndan këtë proces në tri faza: ndarjen, liminalitetin dhe riintegrimin. Në fragmentin tonë, ndarja mishërohet në momentin kur burri buzëqesh dhe e pranon fatin e tij; liminaliteti shfaqet te gruaja, e cila mbetet pezull mes pranimit dhe dhimbjes; ndërsa riintegrimi do të ndodhë më vonë, përmes kujtesës dhe riteve që shoqëria do të kryejë.
Victor Turner, një nga interpretuesit më të rëndësishëm të riteve, e përkufizon liminalitetin si gjendjen e ndërmjetme, plot pasiguri, por edhe plot kuptime. Pikërisht këtë ndjesi na e jep gruaja, që shkul barin me duar e me dhëmbë – një gjest që nuk ka logjikë praktike, por është shprehje e shpërbërjes së brendshme.
Nga ana tjetër, buzëqeshja e burrit është e çuditshme. Ajo na kujton atë që Philippe Ariès ka përshkruar si “vdekja e butë”: një moment kur njeriu, para fundit, përjeton një lehtësi të çuditshme, një qetësi që tejkalon frikën. Në fragment kjo paraqitet përmes fjalëve: “lehtësia e atypëratyshme e atij që do vdesë së shpejti asht si parajsë për pak çaste.”
Antropologjia e gjuhës: Gropa dhe vorri
Gjuha në këtë fragment nuk është neutrale. Burri thotë:
“quhet gropë kur s’ka kufomë në tè. kur të rehatohem unë brënda, gropa bëhet vorr.”
Ky fragment nuk është vetëm antropologji, është edhe poezi e gjuhës. Autori ndalet te dallimi mes fjalës “gropë” dhe fjalës “vorr”. Për burrin, kuptimi ndryshon: është gropë kur është bosh, bëhet varr vetëm kur ai të pushojë aty. Ky detaj gjuhësor është thellësisht simbolik. Ky dallim ilustron forcën performative të gjuhës (Austin, 1962). Termi “gropë” emërton hapësirë fizike, ndërsa “vorri” e ngarkon me kuptim kulturor dhe sakral. Për Clifford Geertz (1973), kjo është dëshmi se simbolet gjuhësore krijojnë botën kulturore ku jeton njeriu. Në prozë, ndryshimi i një fjale shënon kalimin nga thjesht një hapësirë natyrore në një hapësirë mortore.Pra kemi një “rrjet kuptimesh”: gjuha është pjesë e ritualit, mënyra për ta emërtuar dhe për ta bërë të vërtetë një proces kalimi.
Antropologjia e hapësirës: Vendi i varrit
Burri zgjedh varrin në kufirin e livadhit me shkurret:
“aty ku mbaronte livadhi dhe fillonin shkurret.”
Ky është një vend liminal,[sipas antropologut Victor Turner ] një faze ku individi përjeton një gjendje të lire nga normat sociale.I ndjeri ndahet nga indentiteti I mëparshëm, por deri sa të futet në varr nuk e ka fituar ende identitetin e ri.Pra ende është në kufi mes të njohurës dhe të panjohurës. Robert Hertz (1960) argumenton se varret shpesh vendosen në hapësira kufitare për të shënuar ndarjen mes botës së të gjallëve dhe të vdekurve.
Në fragment shkurret e panjohura (shkoza, shqopa, mrina) i japin vendit një dimension të mistershëm, duke e shndërruar varrin në pjesë të peizazhit kulturor dhe jo thjesht një hapësirë natyrore.Vendi i varrit nuk është në mes të livadhit, por në qoshe, aty ku mbaron gjelbërimi dhe fillojnë shkurret. Ky vend kufitar është tipikisht “liminal”, një hapësirë ndërmjet jetës dhe vdekjes. Ky dallim ilustron forcën performative të gjuhës (Austin, 1962). Termi “gropë” emërton hapësirë fizike, ndërsa “vorri” e ngarkon me kuptim kulturor dhe sakral. Për Clifford Geertz (1973), kjo është dëshmi se simbolet gjuhësore krijojnë botën kulturore ku jeton njeriu. Në prozë, ndryshimi i një fjale shënon kalimin nga një hapësirë thjesht natyrore në një hapësirë mortore.
Antropologjia gjinore, dimension gjinor.
Në fragment autori ka ndërtuar rolet duke I ndarë këto role në grua dhe burrë.Një rol për këtë luan konteksti shoqëror, si dhe kultura e vendit.Shoqëri të ndryshme formësojnë , interpretojnë dhe ndryshojnë rolet gjinore në mënyra të ndryshme.Nga ana tjetër edhe rolet gjinore ndikojnë mbi kulturat, mbi konstruktet sociale .
Në fragmentin që po shqyrtojmë….gruaja është e lidhur me vajtimin dhe me të gjallët, burri me pranimin dhe heshtjen. Kjo ndarje rolesh është e njohur në shumë kultura: femra si bartëse e zisë dhe kujtesës, mashkulli si përfaqësues i qetësisë dhe i pajtimit me fatin.
Dhe megjithatë, ajo që e bën këtë tekst të mbetet i paharrueshëm është përmasa e tij poetike.
Antropologjia e emocioneve
Ntropologjia e emocioneve studion, shqyrton mënyrën se si emocionet ndikojnë dhe janë të lidhura me kulturat,shoqëritë dhe strukturat sociale.Dhe anasjelltas .Kulturat , shoqëria, strukturat sociale formësojnë, ndërtojnë , vendosin në kallëpe emocionet .Në fragmentin tonë fjala “buzëqeshje” përsëritet shpesh, duke krijuar kontrast mes lumturisë së çuditshme të burrit dhe hidhërimit të gruas. Këtu ndihet ajo që Georges Bataille e quante “përvojë kufitare”: momenti kur njeriu përjeton njëkohësisht ekstazë dhe tmerr.Në popujt e Ballkanit përgjatë ceremonië së vdekjes për gratë është e lejueshme të qajnë, të shprehin emocionet e tyre,kurse për burrat nuk është e lejueshme vajtimi.Në disa kultura të tjera rituali i vdekjes është një moment paqeje,është moment I shpirtit të liruar.
Ky fragment na mëson se letërsia nuk është vetëm një pasqyrë e jetës, por edhe një dritare drejt strukturave universale të përvojës njerëzore. Vdekja, e parë si rit kalimi, nuk është vetëm fundi i një jete, por një proces ku ndërthuren gjuha, kultura, marrëdhëniet dhe hapësira.
Në fund, pyetja që mbetet është kjo: nëse burri shkon drejt “vdekja e eklipsuar”gropës duke buzëqeshur, ndërsa gruaja qan e përpëlitet mbi bar, cili prej tyre e mishëron më thellë kuptimin e vdekjes?
Antropologjia e emocioneve: Buzëqeshja e vdekjes
Burri afrohet drejt gropës duke buzëqeshur:
“kënaqësia e vetme që të jep vdekja paraprakisht.”
Kjo pasqyron atë që Philippe Ariès (1974) e quan – një perceptim ku vdekja është çlirim dhe lehtësim. Kujtimi i fjalëve të të birit se njeriu përjeton çaste lumturie para vdekjes është një formë e besimit popullor për tranzicionin e shpirtit. Përtej dhimbjes, ky është dimensioni kulturor i pranimit të fatit.
Në këtë mënyrë, letërsia nuk është vetëm art, por edhe dokument kulturor që pasqyron mënyrën se si njerëzit i japin kuptim të pashmangshmes.
Referencat
- Ariès, P. (1974). Western Attitudes toward Death: From the Middle Ages to the Present. Baltimore: Johns Hopkins University Press.
- Austin, J. L. (1962). How to Do Things with Words. Oxford: Clarendon Press.
- Geertz, C. (1973). The Interpretation of Cultures. New York: Basic Books.
- Hertz, R. (1960). Death and the Right Hand. Glencoe: Free Press. (Orig. 1907).
- Rosaldo, M. Z. (1984). Toward an Anthropology of Self and Feeling. In R. A. Shweder & R. A. LeVine (Eds.), Culture Theory: Essays on Mind, Self, and Emotion(pp. 137-157). Cambridge: Cambridge University Press.
- Turner, V. (1969). The Ritual Process: Structure and Anti-Structure. Chicago: Aldine Publishing.
- Van Gennep, A. (1909/1960). The Rites of Passage. Chicago: University of Chicago Press.
[fragment] Nga Xhabir Tabaku
Vdekja në perspektivë
fusha e blertë e gjatë dukej së largu si djerrinë. në të vërtetë djerrinë kishte qenë përherë. një grumbull dheu dukej që nga larg. “asht vorri im”, tha burri. “jo”, foli gruaja. “po”, i mëshau ai. -vorri im asht.
asaj i rodhën lotë përfaqe. ai buzëqeshte dhe i përkëdhelte asaj kryet. ngadalë mori rrugën drejt grumbullit të dheut në qosh’ të djerrinës. edhe ai, përveç asaj çuditej me buzëqeshjen e tij tek i afrohej gropës. “mos shko shpejt! “-thirri gruaja me zâ të mekur. -mos hyr në vorr! mos më lër kështu si asgjë! ai buzëqeshte dhe thoshte me vete se gruaja përherë bënte gabime gjuhësore kur fliste. “duhet thënë gropë”, thirri ai me dhëmbët tek i ndrinin prej asaj dite marsi me diell. -quhet gropë kur s’ka kufomë në tè. kur të rehatohem unë brënda, gropa bëhet vorr.
imagjinonte tek ushtonte telkina kur konopët zbrisnin poshte arkmortin me trupin e tij të ftohtë. kjo i jepte kënaqesinë e vetme që të jep vdekja paraprakisht. mandej mendonte se vendi ku jehon telkina e përcillen xhenazet me kallaballëk ishte larg. kjo e trishtonte thellë, ndonëse nuk ishte trishtimi i vetëm që të jep vdekja paraprakisht. filloi të vizhkullonte si mërmërimë një kangë e cila i kujtonte t’anë sa herë e dëgjonte. s’e kuptonte pse i pëlqente ta kishte vorrin në qosh të djerrinës, aty ku mbaronte livadhi dhe fillonin shkurret. ishin shkurre të një lloji që s’i njihte. sikur të ishin shkoza, a edhe shqopa a mrina! -iu duk se mendoi me vete. sa ma shumë i afrohej gropës aq më shumë ndjente se aty përkiste që para lindjes. domethënë po fliste me fatin e shkruar në njëren anë dhe kthente kryet ngadalë e i buzëqeshte gruas kah ana tjetër. të dy mendonin veçmas sa i hidhur qè fati i tyre. ajo qante ashtu e ulur mbi lëndinë, shkulte pamendje fije bari dhe i këpuste pastaj me dhëmbë, kurse ai s’e kuptonte pse shkonte duke buzëqeshur drejt së panjohurës së botës tjetër. s’kishte frikë, e kjo e çudiste. iu kujtua fjala e të birit që i pat thënë njeherë se njeriu para se t’i dalë shpirti kalon çaste lumturie mbasi krejt helmet në gjak e zemër vdesin para tij. lehtësia e atypëratyshme e atij që do vdesë sëshpejti asht si parajsë për pak çaste- edhe për ata që i pret ferri i përhershëm.
Teuta Sadiku Ka mbaruar Fakultetin e Filologjisë dega Gjuhë -Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës.Ajo ka botuar dy vëllime me poezi dhe një vëllim me tregime.Shkruan artikuj, poezi e tregime në gjuhën shqip e greqisht në shumë gazeta e revista artistike brenda e jashtë vendit.