VATRA, dikur simbol i idealizmit kombëtar dhe frymëzimit për shqiptarët e diasporës, po rikthehet pas në kohë, por jo për të rilindur lavdinë e saj historike. Jo, në vend të kësaj, po ndërton një “perandori” moderne të fantazmave – me kryetarë të vetëshpallur, nënkryetarë të emëruar nga vetja, dhe degë që ekzistojnë vetëm në letra ose në imagjinatën e atyre që i krijojnë.
Kjo “perandori” përfshin gjithashtu departamente pa fund, këshilltarë “strategjikë” dhe një shërbim të brendshëm inteligjence, që në fakt duket më shumë si një komedi spiunazhi. Nën drejtimin e këtij aparati qesharak, VATRA ka humbur misionin e saj fisnik dhe është kthyer në një kopsht botanik konfliktesh dhe gjyqesh.
Një “perandori” ku vendimet merren për të mbajtur pushtetin e disa individëve të caktuar, ku dekoratat shkëmbehen si monedhë për të kënaqur egot personale, dhe ku ata që guxojnë të kërkojnë transparencë – si Z. Agustin Mirakaj, Znj. Nazo Veliu, Z. Mark Mernacaj, dhe Z. Valentin Lumaj – përballen me gjyqe dhe kërcënime.
VATRA, që dikur bashkonte shqiptarët për liri dhe të drejta, sot përçan dhe ndjek ata që guxojnë të thonë të vërtetën. Me këtë ritëm, “perandoria” e saj nuk do të jetë simbol i forcës, por një shembull i shkëlqyer i asaj se si të shkatërrosh një trashëgimi historike në emër të interesave personale.