HYQMET ZANE/ Ishte fillim shtatori i vitit 1988 kur në shtëpinë tonë erdhi një mik nga Errebara e Maqellarës. Rrethanat e jetës e kishin bërë që ai të dinte gjermanisht si edhe im atë dhe kjo bëri që të shkëmbenin bisedën në këtë gjuhë.
Ai kishte ardhur edhe herë të tjera në shtëpinë tonë për shkak të një krushqie, por kjo e fundit ishte me shumë domethënie. Isha mësues dhe kur u ktheva nga shkolla, e gjej babain të mërzitur. Fola me nënën dhe më tha që kush kishte ardhur dhe im atë ishte mbyllur në vetvete. Përshëndetem si zakonisht me babain dhe, pasi më pyeti se si kalova, e pyeta edhe unë se përse ishte i mërzitur. Pas këmbënguljes sime, më tregoi se miku i shtëpisë i kishte thënë se në Kukës kishin varur një mësues në mes të qytetit se kishte shkruar poezi dhe kishte folur.
Duke qenë mësues, im atë që ishte edhe i sëmurë, më thotë “erdhi vjehrri i Athinasë dhe ndër të tjera më tha se në Kukës kishin dënuar me varje një mësues”. “Ja shih atje në shkollë ki kujdes me nxënësit dhe kolegët, mos bëj shumë muhabete, ha dhe hesht, bab, se këta (komunistët) të vrasin” nuk kemi tagrin të vuajmë më, se ty të kemi”. Dhe pas disa shkëmbimeve të bisedave i them se – po do të kem kujdes, rri pa merak bab. Dhe ashtu i mërzitur për lajmin e kobshëm, tha si me vete “më mirë të kisha thjerë këmbën, ka vajta u futa këtu në këtë vend”. Fakti që im atë erdhi nga internimi në Gjermani dhe një i afërt në Janinë i kishte thënë që të mos futej në Shqipëri, por të rrinte në Greqi apo të shkonte tek nëna e tij në Stamboll, ai preferoi të vinte të merrte vesh shtëpia se ishte gjallë. Por rrethanat e jetës e detyruan në fundin e jetës së tij se më 4 nëntor 1988 ndërroi jetë.
PËRTEJ NGJARJES
Pas 34 vjetësh në një takim me familjarët e Havzi Nelës në përvjetorin e ekzekutimit, që u organizua më 10 gusht 2022, isha i ftuar dhe pata rastin ta tregoja këtë ngjarje dhe të shprehja opinionet e mia në lidhje me një ngjarje në fundin e viteve të diktaturës. Që nga pushkatimi i Lef Nosit dhe Patër Anton Arapit më 20 shkurt 1946 dhe kërcënimi dhe ikja në arrati e shkrimtarit Bilal Xhaferi, më pas me pushkatimin e poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka më 17 korrik 1977, u pa si në dritën e qiellit se regjimi nuk e donte të vërtetën e mendjeve të zgjuara. Ekzekutimi dhe varja e poetit dhe mësuesit Havzi Nela, ishte kapaku kriminal i një sistemi gjakatar që vret njerëzit e mendjes.
Askush nuk ka kërkuar falje më e pakëta për këto krime si edhe shumë e shumë të tjera dhe qeverisjet e njëpasnjëshme nuk kanë mundur të shfajësojnë nga akuzat staliniste këto viktima të pabesisë së një regjimi kriminal. Më keq akoma – Lef Nosin dhe Patër Anton Arapin si dhe Ibrahim Bej Biçakçiun i cilësuan kolaboracionistë kur nuk ishin të tillë, në një kohë që kolanboracionisti më i madh ishte Enver Hoxha me shokët e tij që u bënë bashkëpunëtorë me antishqiptarët serbët dhe grekët dhe me porosi të tyre vranë vëllezërit e tyre shqiptarë ku intelektualët ishin të parët në ekzekutime. Dhe më keq akoma që fajësia e bijve të tillë shqiptarë e bij shqiptarësh vazhdon të mbetet si një mbështetje për regjimet që e radhitën kombin tek armiqtë e tyre.
Të thuash sot dhe të vazhdosh të mbrosh tezën se “Babai im ishte në rrugën e duhur të historisë” pasi kanë firmosur dhe vetë bijtë e tyre vazhdojnë në rrugën e tyre në bashkëpunim me armiqtë e kombit, kjo është tradhti dhe çdo e keqe në këtë vend nuk na vjen nga armiqtë tanë, por nga brenda vetes sonë. Historiografia botërore na sjell në kujtesë modelet e gabuara të njërit apo tjetrit vend që përsëriten në kohë dhe hapësirë për fatin e keq të popujve që i vuajnë pasojat.
Kujtohet se në vitet e fundit lideri komunist u V. I. Lenin u zhyt në sëmundje të rënda të cilat e bënë të harrojë veten dhe gjithçka tjetër. Në librat e shenjtë thuhet se Zoti e toleron jo besimtarin dhe gjynahqarin dëmi i të cilit kufizohet vetëm tek vetja e tij, por nuk e toleron zullumqarin i cili merr në qafë njerëzinë. Kështu Lenini me sjelljet dhe bëmat e tij thoshte se “Do i zhys njerëzit në varfëri ekstreme që t’i bëj të harrojnë Zotin!”. Në vendin tonë kështu ndodhi dhe në fundin e diktaturës hardallosja e regjimit çonte njeriun e letrave dhe mësuesin në varje pse ishte intelektual.
JETA DHE KALVARI I HAVZI NELËS
Lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. Mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa jetojnë në varfëri ekstreme, megjithatë, shfaqte kundërshtitë e tij të para ndaj padrejtësive të regjimit komunist. Më pas ai filloi studimet në ILP ”Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, por u përjashtua si element destruktiv për bindjet e tij. Pas shumë vështirësish, gjeti një punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat i vogël në rrethin e Matit. U dëbua edhe nga ky fshat për shkak të aktivitetit të dyshimtë se u lexonte nxënësve poemat e tij. Më pas arriti ta përfundojë ILP e Shkodrës me korrespondencë. Punoi si mësues në fshatra të ndryshme të tilla si Kruma, Lojma, dhe Shishtaveci deri në vitin 1967, kur ai u transferua në Topojan, vendi ku filluan ngjarjet më dramatike të poetit dhe familjes së tij.
Havzi Nela kontrollohej vazhdimisht, u mor në paraburgim shumë herë, dhe kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe se ku ai mund të jetonte. Pasi u lexoi nxënësve të tij poemën “Shko dallëndyshe” shkruar nga Filip Shiroka, Havzi Nela, me gruan e tij, Lavdie, rrezikuan jetët e tyre duke marrë rrugën për të kaluar kufirin në Kosovë më 26 prill, 1967. Ndërsa kalonte vijën kufitare, ai shkroi në një copë letre, “Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun …” dhe e vendosi në degën e një peme lajthie që ta gjenin rojet e kufirit.
Një fat më tragjik do ta ndjekë atë në Kosovë. Ushtarët jugosllavë i vunë në prangat Havzi Nelës dhe së bashku me gruan e tij i burgosën në burgun e Prizrenit.
Më 6 maj, 1967, jugosllavët i kthyen Havziun dhe Lavdien në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të atdhetarëve shqiptarë nga Kosova që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB.
Më 22 maj, 1967, poeti u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. Gruaja e tij u dënua me dhjetë vjet burg. Poeti kurrë nuk u pajtua me diktaturën dhe marionetat e tij në burgje. Më 8 gusht, 1975, atij iu shtuan edhe tetë vjet në burg, sepse konsiderohej një armik i zjarrtë i Partisë dhe popullit. Më 19 dhjetor, 1986, ai u lejua të dalë nga burgu, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor, 1987, ai u arrestua dhe u i internua në fshatin Arrën. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga gjyqtarët komunistë Fehmi Abdiu, Vili Robo dhe Fatmira Laskaj e hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës kundër dënimit burrit të saj me vdekje. Gjykata vendosi që Havzi Nela të dënohej me varje. Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin Havzi Nelës.
Më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit duke u ekspozuar gjatë gjithë ditës më 10 gusht, 1988, në mesnatë terroristët komunistë e morën trupin e tij dhe e futën atë vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtyllë druri. Ai ishte i privuar nga mundësia për t’u shtrirë si të gjithë të vdekurit. Ai qëndroi në këmbët e tij për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993. Pas përpjekjeve të shumta u bë e mundur që të gjendej vendi i varrosjes, i mbuluar me gurë dhe shkurre pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg nga Kukësi. Me dekretin presidencial të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Havzi Nelës i është dhënë titulli “Dëshmor i Demokracisë”.
Në përkujtimin e 75-vjetorit të lindjes së Havzi Nelës shkrimtari i shquar Ismail Kadare shkruante : ”Poeti Havzi Nela është një këmbanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”.
Më 9 gusht 1988, familarët e Havzi Nelës kërkonin faljen e jetës dhe anulimin e vendimit për ekzekutim me varje të të afërmit të tij, por Presidiumi i Kuvendit Popullor, pjesë e së cilit ishte edhe Kristaq Rama, nuk e pranoi. Më 2 mars 2012, familjarët dhe shtresa e të përndjekurve politikë kërkuan pendesën e djalit të atij që firmosi dënimin me vdekje të Havzi Nelës, por Edvin Kristaq Rama nuk pranon. Dekreti që dënoi me varje në litar poetin Havzi Nela në ditët kur diktatura po jepte shpirt, mban firmën e Kristaq Ramës, babait të kryetarit të PS, Edi Rama dhe kryeministër i Shqipërisë.
DOKUMENTI
Dokumenti i Ministrisë së Brendshme, që mban firmën e ish-ministrit komunist, Hekuran Isai, është i datës 9 gusht 1988 dhe i drejtohet Degës së Brendshme të Kukësit, së cilës i kërkohet dënimi me vdekje i poetit. Ministria njofton degën e zonës se, Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk i fali jetën të dënuarit. Vendimi ka dhe emrat e firmëtarëve të Presidiumit, mes tyre edhe Kristaq Rama. Emrat e aparatit të Presidiumit Popullor nisin me ish-presidentin Ramiz Alia, Rita Markon, Xhafer Spahiun, Emine Gurin, Sihat Tozajn, Eleni Selenicën, Faik Çinajn dhe vijon më tej me emrat e Kristaq Ramës, Lumturi Rexhës, Petrit Gaçes, Rrahman Hankun, Simon Ballabanin, Sotir Koçollarin, Stefan Qirjakon dhe Terezina Marubin. Të gjithë këta persona kërkuan ekzekutimin me varje të poetit Havzi Nela.
KALVARI I VUAJTJEVE TË POETIT
Për të vëzhguar tablonë e mundimeve të Havzi Nelës, në rast se e heqim kapakun për të parë ferrnajën, me lehtësi mund të vërejmë se fijet e saj janë futur në trupin e tij si gjilpëra tejpërtej:
22 maj 1967 – dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij me 10 vjet të lirisë.
8 gusht 1975 – ridënohet me 8 vjet heqje lirie.
19 dhjetor 1986 – lirohet nga burgu.
12 tetor 1987 – internohet në Arrën.
15 qershor – arrestimi në katundin Brekijë.
15 qershor, ora 12 e mesditës – nis procesi hetimor.
24 qershor 1988 – dënimi i katërt, ose dënimi fatal.
25 qershor – bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
16 korrik – Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës.
2 gusht – Presidumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës.
10 gusht 1988, ora 2 mbas mesnate – ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobusëve.
10 gusht, ora 11 e paradites – trupi hiqet nga vendi i ekzekutimit.
11 gusht, ora l pas mesnate – trupi futet në gropë.
Tek fletorja numër 1, kur ka shkruar poemën “Konferenca e Helsinkit”, dhe “Tirani ynë”, në faqen 21 ka lënë edhe këtë shënim : ”Kjo poemë që unë e ruaj akoma në mendje, mendoj se asht ma e mira nga këto që kam krijue në burg dhe që i ve vulën periudhës trevjeçare në Shqipni. Ka brendi epikë dhe satirë, por ma tepër përmban gjendjen e mjerueme të popullit shqiptar dhe terrorin e egër që ushtrohet mbi të dhe demaskimin e hapun që i bahet sistemit politik të kohës nëpërmjet demaskimit që u bahet udhëheqësve të sotëm shqiptarë; të atyne që vdiqën dhe atyne që janë gjallë. Shtylla qëndrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha. I lutem atij që do të mund t’ia dorëzoj dhe që nuk di se kujt mund t’ia dorëzoj, të m’i ruejë me shumë kujdes dhe asnjëherë të mos i mbajë pranë vetes”.
Qafë-Bar, më 5 shkurt 1983
EPILOG
Kur im atë më tregoi për këtë ngjarje, në një moment më thotë në konfidencë nga mërzitja e madhe dhe meraku që kishte për mua si djali i tij mësues “Veç në një regjim fashist apo nazist mund të ndodhin të tilla ngjarje. Të lutem, bej kujdes, “ha dhe hesht bab”. Në atë kohë po e respektova fjalën e babait, por me ndryshimin e sistemit, nuk mund të heshtja.