Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës, UGSHPD, me statusin e vëzhguesit të KQZ si organizatë media për zgjedhjet politike të 11 majit 2025, informon se deri më sot 10 maj 2025, janë mbi 2000 zarfe me probleme të mbërritura nga votuesit shqiptarë në diasporë.
Këto zarfe kanë mbërritur të grisura, të lagura, me probleme leximi të barkodit, pa zarfin B i cili sipas rregullit duhet të përmbante brenda zarfin A, vetëm zarfi A, vetëm skedë votimi pa zarf A e B, apo dhe zarfe që nuk janë të emigrantëve shqiptarë por të nisura diku tjetër.
Këto zarfe, pamjet dhe fotografitë e të cilave UGSHPD i sjell eskluzivisht, janë pozicionuar në një zonë të rrethuar me shirtin e verdhë.
Zarfet me probleme janë futur në zarfe gri e për secilin prej tyre është mbajtur një proces verbal nga operatorët e KQZ.
Zarfet janë të ndara në kutitë sipas 12 qarqeve teritoriale, etiketa mbi të cilat mban siglën B me emërtimin “Kuti e Posaçme”.
Ndërsa kutitë me zrafet e rregullta kanë siglën A dhe rrethin përkatës.
UGSHPD ka mësuar se numërimi i votave në kutitë e posacme me zarfet me probleme e vendimi përkatës për secilin prej tyre, do të kryhet në momentin e fundit pasi të mbarojë numërimi i kutive të rregullta.
Me shumë gjasa deri në mbylljen e mbërritjes së thasëve të fundit me zarfe nga Diaspora, numri i atyre me probleme, duke ndjekur dhe trendin dokumentues të këtyre ditëve, pritet të shkojë rreth 3000 zarfe.