VOAL- Pas disa javësh beteja në frontin jugor, Ukraina njoftoi të hënën ripushtimin e fshatit Robotyne, përgjatë aksit që në planet e kundërofensivës së nisur në fillim të qershorit duhet t’i çonte ushtarët e Kievit drejt Tokmak, Melitopol dhe më pas portin e Berdyansk, për të thyer në dysh zonën e kontrolluar nga trupat ruse në jug të vendit dhe lidhjen tokësore me Krimenë e aneksuar në vitin 2014. Objektivat, veçanërisht ato të fundit, janë ende larg.
“Një pushtim domethënës, por nuk e di se sa vendimtar mund të jetë”, tha për RSI Radio analisti ushtarak Vincenzo Camporini, sipas të cilit rusët kanë vendosur të gjitha mjetet në dispozicion për mbrojtjen e linjave të tyre. Camporini thotë se është optimist për mundësinë e suksesit të operacionit, i cili në dy muaj deri tani ka dhënë rezultate modeste përballë kostove të larta njerëzore dhe materiale. Një optimizëm i ndarë nga Presidenti Volodymyr Zelensky, i cili paralajmëron një shtator “produktiv” dhe nga Instituti për Studimin e Luftës – një qendër analize properëndimore – që vë në pikëpyetje aftësinë e Kremlinit për të mobilizuar burime të mjaftueshme për të mbrojtur linjat e njëpasnjëshme të mbrojtjes.
Javët e fundit, ushtria e Moskës ka përqendruar forcat e saj në Ukrainën verilindore, ku ka rifituar iniciativën dhe ngadalë ka fituar terren në drejtim të Kupiansk.