Uji, që po vlonte përmbrenda gadi t’shpërthente,
Tu’ pa nji të dehun që vedin s’kontrollonte
Ndërkohë që shishen nga dora s’e lëshonte,
Mbi Venën e Rakinë me avull nisi t’shfrente.
“Jena t’nji familjes, por si mâ i madh që jam,
Duhet t’ju them se po e teproni aq sa s’ka lezet,
Se dame Njeriut po i bani në mend e në shndet
E kyt fakt t’jua vé në dukje për detyrim e kam.
-Pa shih kush po flet?! -ia pritën të dy me nji gojë.
-Vërtet edhe ato pak që ka mund t’i humbë Njeriu
Kur pijen me ne i ndodh që ta teprojë.
Por na trego pak, qysh se e mban mend historia,
Damet me përmbytje, orteqe e shtërngata shiu
Ia ka bâ e ia ban Uji, apo Vena e Rakija?