Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, deklaroi në fjalimin e tij të parë publik që nga përfundimi i armëpushimit me Izraelin se Shtetet e Bashkuara “nuk arritën asnjë sukses” nga sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane. Khamenei theksoi se goditjet nuk arritën të ndalojnë programin bërthamor të vendit, ndërsa përshkroi kundërpërgjigjen ndaj një baze amerikane në Katar si “një goditje të rëndë” ndaj SHBA-së.
Ndërkohë, Uashingtoni e ka kundërshtuar këtë vlerësim: Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se informacionet e inteligjencës nga SHBA-ja dhe Izraeli tregojnë se misioni shkaktoi dëme të mëdha në kapacitetet bërthamore iraniane, duke i kthyer ato “mbrapa me vite”. Hegseth përshkroi operacionin si “sukses historik”, duke shtuar se “infrastrukturat e pasurimit të uraniumit janë bërë të papërdorshme”. Të njëjtën qëndrim mbajti edhe Presidenti Trump, i cili e quajti operacionin një goditje “shkatërruese totale” ndaj tre objekteve bërthamore.
Nga ana tjetër, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka ngritur dyshime se Irani mund të ketë zhvendosur uraniumin e pasuruar përpara sulmeve. Ndërsa tensioni në rajon mbetet i lartë, Irani ka miratuar së fundmi një ligj për të ndërprerë bashkëpunimin me IAEA-n, duke pezulluar aksesin e inspektorëve në objektet bërthamore.sn