Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së sotme, Braho ka deklaruar se sfida më e madhe e SPAK është të maturohet dhe të kalojë në pikën e pakthyeshme mbrapa.
TIRANË- Klodian Braho është zgjedhur kryetari i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Braho ka marrë 7 vota nga anëtarët e KLP-së në mbledhjen e sotme.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së sotme, Braho ka deklaruar se sfida më e madhe e SPAK është të maturohet dhe të kalojë në pikën e pakthyeshme mbrapa. Ai u shpreh se SPAK duhet të jetë institucioni që t’i imponojë njerëzve standard.
Kush është Klodian Braho?
Klodian Braho, i cili u emërua prokuror në vitin 2007, është pjesë e SPAK që prej krijimit të tij dhe aktualisht drejton Seksionin Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar në hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe çështjeve me ndjeshmëri të madhe publike.
Braho është prokurori që udhëhoqi hetimin e inceneratorit të Elbasanit, një dosje voluminoze dhe komplekse, nga e cila lëshoi urdhër-arreste për persona të njohur si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, ndërsa hetimi për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj u trajtua në një procedim të veçuar.
Ai ka çuar përpara edhe dosjen “5D”, duke dërguar për gjykim disa ish-drejtues të Bashkisë së Tiranës. Një tjetër hetim i rëndësishëm i tij është ai i “Toyota Auris”, ku u zbulua një skemë e gjerë kriminale që përfshinte edhe individë të sistemit të drejtësisë. Dosja është e fragmentuar në disa degë, të cilat vijojnë të hetohen ende./Dosja.al