Kancelari gjerman Friedrich Merz mbërriti në Shtëpinë e Bardhë të enjten pasdite për t’u takuar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Gjatë takimit në Zyrën Ovale, i pyetur për luftën në Ukrainë, presidenti amerikan i tha kancelarit gjerman se “ajo nuk do të kishte shpërthyer kurrë nëse ai do të kishte qenë president në atë kohë”.
“Asnjë shans, zero”, theksoi ai, duke shtuar se numri i të vdekurve është “shumë më i lartë” sesa është raportuar.
Merz, nga ana e tij, e siguroi Trumpin se “të gjithë po kërkojmë masa për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme”.
Duke marrë rastin e përvjetorit të zbarkimit në Normandi, Merz deklaroi: “Ky ishte çlirimi i vendit tim nga diktatura naziste. Jua kemi borxh”, ndërsa shtoi se “Amerika është përsëri në një pozicion shumë të fortë për t’i dhënë fund kësaj lufte (në Ukrainë)”.
I pyetur nëse do të vendosen sanksione ndaj Rusisë, Donald Trump u përgjigj:
“Kur të shoh se nuk do të bëjmë një marrëveshje, kur kjo gjë nuk ndalet… do të jemi shumë të ashpër. Mund të jetë për të dy vendet. Duhen dy persona për të kërcyer tango.”
Trump tha më pas se pati një bisedë dy-orëshe me Presidentin rus Vladimir Putin , ndërsa komentoi se lufta në Ukrainë është “si dy fëmijë që zihen në park” – dhe Merz u pajtua, duke thënë se të dy po kërkojnë mënyra për të mbështetur Ukrainën.
“Ndonjëherë është më mirë t’i lëmë të luftojnë për një kohë”, shtoi Trump.