“Sot nuk kam ndërmend të hyj në politikë… por nuk përjashtoj asgjë për të ardhmen”, deklaroi pak orë më parë për mediat Pier Silvio Berlusconi.
Pas më shumë se dy vitesh heshtje politike pas vdekjes së Silvio Berlusconit, emri i familjes së njohur italiane rikthehet sërish në qendër të vëmendjes. Këtë herë, jo nga ekrani i televizionit, por nga zëri i Pier Silvio Berlusconit, djali i “Cavaliere”-s, i cili në një intervistë të fundit ka hapur derën – edhe pse vetëm pak – drejt një përfshirjeje të mundshme në politikën kombëtare.
Nga një skenë televizive, në një mesazh kombëtar. “Në të ardhmen, pse jo?” – kjo është fjalia që ka mjaftuar për të ndezur debate, analiza dhe lëvizje brenda Forza Italia, partisë që Silvio Berlusconi themeloi në vitin 1994 dhe që sot kërkon identitetin e saj pa liderin historik.
Pier Silvio flet si një menaxher modern, me gjuhë të qartë dhe vizion pragmatik: më pak taksa, paga më të larta, zhvillim, siguri. Janë këto fjalët kyce që ai përdori – jo në një fushatë elektorale, por në prezantimin e palinsesteve televizive e që kapërcyen kufijtë e ekranit.
Ai kërkoi rinovim të Forza Italia-s: “Duhet të hyjnë njerëz të rinj, ide të reja, duhet të punohet ndryshe”. Një mesazh i drejtpërdrejtë, që nuk kundërshton Antonio Tajanin, por i kërkon partisë të dalë nga hijet e nostalgjisë. Sepse trashëgimia e Berlusconit nuk mund të mbijetojë vetëm me emrin, por me guximin për t’u transformuar.
Për çështjen e shtetësisë për fëmijët që ndjekin shkollë në Itali (Ius Scholae), Pier Silvio mbajti një pozicion të moderuar: dakord në parim, por “nuk është përparësi”. Një qëndrim që kundërshton atë të Tajanit dhe që përforcon imazhin e tij si një lider i moderuar, që i kupton shqetësimet reale të shoqërisë italiane.
Reagimet nuk munguan. Tajani u shpreh “në sintoni të plotë”, ndërsa brenda partisë shumë zëra shohin Pier Silvion si një mundësi për të ringjallur Forza Italia-n, pa e shkatërruar atë. Madje edhe jashtë partisë, në kampin liberal apo tek Lëvizja 5 Yjet, pritet me interes çdo hap i tij i mëtejshëm.
Për momentin, nuk ka kandidaturë. Nuk ka një fushatë. Ka vetëm një mesazh që tingëllon si një paralajmërim: Berlusconi nuk është më, por Berlusconizmi nuk ka vdekur. Dhe ndoshta, në versionin Pier Silvio, po përgatitet për një formë të re – më teknike, më e moderuar, më e heshtur. Por jo më pak e rrezikshme për kundërshtarët./ Alba Kepi/