TAKIMI I PARE
Ku t’i gjeja fjalët? Dhe hëna kish ethe.
Zemra ngrinte dallgët sa për shtatë dete.
Sytë ishin ndezur,një zjarr i paparë,
Buzën ma përzhite,m’i shtove një plagë.
Eh,të tilla plagë, m’i mbaj plot një jetë,
Kaq thashë atë ditë, tek ike si retë.
31.01.2018
Pritje dhe pritje
Shtigjeve të shkëmbta ku shkon vetëm era,
Më ke lënë në pritje mallin e zhuritur.
Hënës gjithë vajin mbi male ia derdha,
Gjithë yjet qiellit ia pata shkopsitur.
Mendoje pak qiellin pa yj e pa hënë,
Lëngimtar i plakur pas kësaj murtaje,
Mos më ler të thahem,boll pra me ke lënë,
Varur nëpër ngricë si rrip pastërmaje.
Eja,silli vesën qerpikut të kripur,
Të blerojë syri,të mjaltojë mjaltë,
Livadhin e shenjtë zemra ka vesitur,
Në Kashtën e Kumtrit t’i kullosim kuajtë
31.01.2017.
ROMANTIKE
Një vetullzë hëne, krejt e argjenduar,
Me një yll pas vetes. Kush është çmenduruar?
Shtegtojnë të fshihen për t’u dashuruar.
Malet ngrejnë kryet,u pikon në zemër
Kur një re thinjoshe flet e shikon vëngër,
Zbresin meteorët,qiejve hapin këngët.
31.01.2014