Ishte 12 Prill i vitit 1985. Një ditë më parë, domethënë me 11 Prill, Radio Tirana kishte filluar që herët të transmetonte muzikë funebre, gjë që vetëm rreth orës 9.00 të paradites bëri të përhapej rrufe lajmi se ‘zemra e udhëheqësit, e Enver Hoxhës, pushoi së rrahuri’. Asnjeri nga aparatçinjtë nuk tha direkt ‘Enveri vdiq’, por sa më larg, në mënyrë disi poetike, disi si për të mos e thënë se ai s’ishte më.
Shqipëria kishte shpallur zinë. Në rrugë shihje njerëz të përlotur. Ata që u gëzuan u fshehën, per të mos u dukur të tillë në sytë e turmës së dëshpëruar. Televizioni filloi të transmetonte ngjarjen. Njerëzit e shquar të Shqipërisë filluan të jepnin intervista. Seicili mundohej të gjente fjalët më të zgjedhura e delikate, për ta ngritur figurën e udhëheqësit, që nuk ekzistonte më.
-Ai ishte një flamur e ky flamur do të valëvitej gjithmonë – tha njeri nga të nderuarit profesorë.
-Ai ishte trim …….luftoi me vdekjen por …… vdiq – tha, ndërmjet të tjerëve, mjeku i familjes. Si më i privilegjuari ndër mjekët e tjerë, duhej dhe ai patjetër të lartësonte Enverin, që arriti të përballonte sëmundjen, ndonëse s’e përballoi dot.
Dhanë intervista edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të cilët menduan se me të vërtetë vdekja e Enverit ishte humbje e ata flisnin e qanin me shpirt.
Në datën 13 Prill në Tiranë vërshuan njerëzit për të bërë homazhe rreth kufomës së vendosur në Sallën e Kuvendit Popullor. Në rradhë ishin me qindra mijra njerëz, të grumbulluar prapa Pallatit të Kulturës dhe aty niste vargu i rregullt përmes Bulevardit të Dëshmorëve.
Rreth ores 10 filloi një shi i lehte.
-Qan edhe koha për Enverin – thanë disa. Në mbrëmje televizioni filmoi dhe kalin e Skënderbeut me “lot” në sy nga shiu, gjë që bëri mjaft përshtypje
Ecnim ngadalë, Turma në autokolonë fliste me zë të ulët. Po afroheshim drejt godinës së Kuvendit. Shiu ishte shtuar dhe, kush ishte treguar më i kujdesshëm kishte marrë çadrën.
-Nuk lejohet të hyhet me çadra brenda – u dëgjua një zë.
-Si do bëjmë? – pyetën të tjerët.
Zgjidhja u gjet pa vonesë. Gjithnjë ka persona, që s’e humbin toruan as në moment hidhërimi e as në moment gëzimi. Kështu njeri nga grupi do të grumbullonte çadrat në hyrje e do të priste në dalje me çadra në dorë, dhe pastaj do të futej vetë për të bërë homazhe. Kështu ndodhi dhe me ne. Njeri nga grumbulli që do të futej mblodhi çadrat dhe ne u futem brenda. Në sallën e madhe ishte i shtrirë Enveri. Të gjithë qanin me zë. Kufoma dukej pak ndryshe nga Enveri që kishim parë në televizor. Më pas mësova se njeri nga problemet e grupit të ngarkuar me funeralin kishte qenë grimi. Duhej patjetër që grimi të bëhej nga njeri me zemër të fortë. Kush mori përsipër këtë i mjaftonte pasja e kurajos, pa u vënë re fort cilësia profesionale.
Homazhi qe i shkurtër e shpejt e ndjemë që kishim dalë jashtë. Vëmëndja ishte për çadrat e lëna në hyrje, por çadrat nuk po shiheshin dhe direkt u pyet polici.
-I kanë çuar tek ‘Kolonat’ – u përgjigj polici, që ishte në shërbim. Dhe vërtetë ishin në këndin e Muzeut e të bibliotekës.
Ndërkohë shiu kishte pushuar, por çadrat përsëri nuk lejoheshin brenda dhe gjendej gjithnjë dikush që t’i mblidhte e t’i grumbullonte tek ‘Kolonat’. Pas homazheve, pas dëshpërimit, në dalje njerëzit freskoheshin e menjëherë kërkonin çadrat. Kishte nga ata që s’e bënin vehten, dilnin dhe ecnin normalisht drejt grupit me çadra, tashmë të pa identifikuara. Por kishte dhe nga ata që sapo shfaqeshin në derën e daljes, vraponin drejt grumbullit me çadra.
Këtu filloi loja. Kush qe i shkathët e la çadrën e vjetër e mori një të re. Njëri bile kur a afrua në grumbullin me çadra e nuk e gjeti të tijën, s’u ngut, por priti furnizimin tjetër dhe pa e zgjatur zgjodhi çadrën më të mire e menjëherë u fut në turmë për t’u fshehur se mos vinte i zoti i çadres. Ai në fakt s’kishte faj se edhe atij ja kishin marrë çadrën. E kish patur të re, bile nga ato të importit, të cilat filluan të fluturonin, nuk arrinin të vinin tek grumbulli.
Ne qëndruam për të parë spektakël.
-Shihni atë burrin e shkurtër – tha Dona, e ka nisur vrapin që brenda, për të gjetur çadrën. Dhe ne pamë një burrë të shkurtër, të veshur me kostum e pardisy, që përveç trupit, kishte edhe duart mjaft të shkurtra, tëcilat I binin mjaft në sy.
Ai arriti shpejt tek grumbulli i çadrave dhe rrufe filloi të kërkonte për çadrën e tij. Kërkoi e kërkoi, por nuk e gjeti. Dikush i tha se më tutje ishte edhe një grumbull tjetër me çadra e ai nuk përtoi për të kontrolluar dhe atje. Ne vazhdonim të shihnim komedinë, ndonëse dikush u shpreh se kjo ishte disi e turpshme pas tragjedisë. Por dhe atij që foli s’i bënë këmbët të largohej. Kishte kaluar rreth një ore kur Dona tha përsëri:
-Ej shihni, ai burri i shkurtër po vjen vërdallë dhe s’e ka gjetur akoma çadrën. Nuk mundëm të mbanim gazin, kur pamë atë të mjerë që sillej më kot rrotull, sepse nuk ishte i zoti as të gjente çadrën e tij e as të merrte ndonjë të ngjashme, siç bënë të tjerët.
Po kalonte orari zyrtar i punës e nxitova të kthehesha në shtëpi. Para meje, i dëshpëruar, i lëshuar, i dërmuar, po ecte ai, dhe në dorë i kish mbetur një çadër e vjetër, fare e zbardhur. Kostumi gri, pardisyja gri, çadra e fytyra gri. Kjo masë me ngjyrë gri kishte preferuar më mirë një çadër të vjetër, se sa të mbetej fare pa të.
Në darkë televizioni jepte kronikën e homazheve, por nga kronika askush s’mund të mendonte se ç’kishte ndodhur me çadrat.
Gazetarët, telekronistët, shkrimtarët, poetët ishin të preokupuar të paraqitnin ngjarjen sa më të dhimbshme, ndonëse ata mendonin ato çaste se pas disa ditësh do të dekoroheshin për punën e shkëlqyer në transmetimet e ceremonisë funebre.
Këtë nuk e dinte as grupi i mjekëve qe do te dergohej jashtë shtetit ‘për t’u qetësuar’ nga ‘tronditja e vdekjes’ dhe nga ‘lodhja e tyre’, ndonëse e pa suksesshme. Për ta, në fakt, ishte një shans vdekja e Enverit, sepse i dha dekorime e pushime.
Natyrisht kush mbeti pa çadër nuk e kishte menduar se do t’i kushtonte funeral i Enverit në vlerën e një çadre të humbur, në atë pranverë të vitit 1985.
E shkruar parame shume se një çerek shekulli, ekzaktësisht para 35 vjetësh nga Partha Kelmendi, dmth nga unë, se në atë kohë ky emër u përdor si pseudonim.
Komentet