Trashëgimtarët e Titos dhe përfaqësuesit e tyre juridikë shpresojnë se gjithë kjo do të dihet më 1 dhjetor kur në Beograd do të mbahet një proces gjyqësor lidhur me këtë.
Trashëgimtarët e Titos ndër të tjera po kërkojnë edhe shpatën e Stalinit, Dekoratën e Suvorovitit, si dhe rreth 30 dekorata të tjera, piktura artistike nga shtëpia e Brozëve, orët, si dhe çiftet (pushkët e gjuetisë) të Titos, të cilat gjithsej kanë qenë 167 sosh.
Në njërën nga ekspozitat e fundit janë numëruar vetëm 67 copë armë, kryesisht unike, punuar enkas për Titon.
“Ende po mblidhet dokumentacioni se çfarë është masë trashëguese”, thotë Violeta Koçiq Mitaçek për gazetën e Beogradit “Blic”, përfaqësuese e djalit të Titos, Misha dhe i mbesës Zlatica, e cila pret që gjyqi të marrë masën e përkohshme për ndalimin e pasjes së gjësendeve të trashëgimisë së Titos.
Ajo ka shtuar, njofton “Blic”, që të mos flitet vetëm për depozitimin “555 NBS”, të njohur si “Sefi i Titos” por edhe për gjëra të tjera të tundshme.
“Nuk kemi informatë ku gjenden ato gjëra”, ka thënë ajo, përcjellin mediat.
Avokati i Joshka Brozit, Goran Petronijeviç, është i bindur se obstruksionin po e bëjnë përfaqësuesit e burokracisë nga periudha e vdekjes së Titos.
“Shumë gjëra nga ajo trashëgimi kanë humbur. Mendoj se ato i kanë vjedhur ata që kanë pasur kontakt me to, e ata janë përfaqësuesit e kreut ushtarak, politik policor”, thotë Petronijeviç.
Në listën e trashëgimtarëve të Titos janë djali Misha, nipat Joshka, Edvard, Zlatica e Svetlana, si dhe motrat e Jovanka Brozit, Nada e Zora.
Josip Broz Tito ka qenë kryetar i ish–Jugosllavisë.
Komentet