Arkitektura pa rregulla: Tirana si Laboratori i Autokracisë Estetike të Edi Ramës
Tirana nuk po ndërtohet më — ajo po shpiket, model pas modeli, kullë pas kulle, në funksion të një vizioni personal që ngjan më shumë me një instalacion arti sesa me një projekt urban demokratik, shkruan Lucia Tozzi studiuese e politikave urbane dhe gazetare e lirë.
Syri.net ka sjellë të plotë analizën e saj, e cila është një skaner i detajshëm i përçundimit arkitekturor të një qyteti, madje edhe të një vendi të tërë nga një njeri i vetëm.
LEXO ANALIZËN E PLOTË: Luigji XVI i Mel Brooks dhe Tirana e Edi Ramës: Një paralelizëm përçmues i pushtetit dhe urbanizmit
Në krye të këtij transformimi qëndron Edi Rama, artisti i kthyer në autokrat estetik, i cili ka kthyer qytetin në një eksperiment vizual ku ligjet e urbanistikës, konsultimi qytetar dhe trashëgimia urbane zëvendësohen nga ndjesitë plastike të një njeriu të vetëm, thotë autorja.
Me “Ushtrinë e tij të Arkitektëve” dhe retorikën e artit progresiv, Rama ngre një realitet të ri vertikal, ku Tirana merr pamjen e një Dubai europian, por me shpirtin e një republike të sunduar nga imazhi.
Ndërkohë që publikut i shiten rrokaqiej si zhvillim dhe modernitet, në sfond humbet demokracia urbane dhe identiteti i qytetit. A është kjo një vepër arti apo një projekt i pushtetit me ngjyrime autokratike?
Në fund të fundit, më shumë se një njeri i teatrit, Rama është një artist dhe preferon t’i shprehë ndjenjat në mënyrë plastike. Tirana (dhe gjithë Shqipëria) është kanavaca e tij, dhe aty, në transformimin e saj të dhunshëm, mund të lexohen manitë e tij të madhështisë. “Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se gjithë pjesa tjetër e Evropës” ka deklaruar me krenari në hapjen e Festivalit të tij, në qendër të një salle të mbuluar me qilima, i rrethuar nga skuadra e tij e arkitektëve.
Në pak më shumë se dy dekada ai ka arritur të pastrojë një sasi të tillë rregullash urbanistike saqë ka vënë në zbatim të paktën 139 kulla të larta mesatarisht 26 kate (disa deri në 100) vetëm në Tiranë – një qytet me 536 mijë banorë, më pak i populluar se Gjenova.
“Është një gjeni, ka arritur ta shndërrojë Tiranën në një Dubai evropian” më thotë me entuziazëm pronari im i shtëpisë, krenar për pamjen nga horizonti i ri i kullave të Tiranës. Por Edi Rama është i vetëdijshëm se konsensusi i brendshëm i fituar falë ndërtesave luksoze tingëllon keq, shumë keq në ambientet e “coolness” ndërkombëtare. Dubai nuk është demokratik dhe nuk është i gjelbër, është i papranueshëm si model progresi për një vend që po hyn në Evropë në “grupin e të mirëve”. Dhe atëherë ai ka thirrur “Ushtrinë e tij të Arkitektëve” [sic] për të diktuar gjuhën e re.
Alejandro Aravena, i njohur për tërheqjen e tij seksuale jo më pak se për projektet e tij të strehimit social në Kili – dhe, jo më pak, për fitimin e çmimit Pritzker, çmimit ndërkombëtar më të lakmuar nga arkitektët – lavdëron “dijen e rrugës” shqiptare, aftësinë për të ndërtuar nga poshtë, për të prodhuar qytete informale si në të gjitha vendet jo-perëndimore, “jashtë qendrës së perandorisë”. Ndërsa propozon përmbysjen e paradigmës formaliste dhe rregullatore të urbanizimit evropian, Aravena është në prag të ndërtimit të rrokaqiellit të tij të parë në qendër të qytetit, Tirana Society Towers, një gjë modeste prej 100 katesh.