VOAL

VOAL

TIRANA – KJO GROPË THITHËSE DEMOGRAFIKE – Nga ARTAN FUGA

May 24, 2015

Komentet

“Po na i vrasin djemtë”- Lutja e dy nënave më 1977 te Nexhmije Hoxha për Vilsonin e Gencin! Ngjarja në Bllok dhe pushkatimi i tyre

NGA BEDRI BLLOSHMI

PJESA E DYTË

Qëndrova pranë derës për disa minuta kur papritur u duk, lart, një ndriçim që vinte nga Qafa e Thanës. Hëna po nxirrte kokën. M’u shoqërua kjo dalje e saj me Gencin e shkretë, nga poezia e tij ‘o hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar. Mos vallë për mua po mban zi?”. Bëra dy a tri ecejake duke menduar për ato presione që kishin duruar gjatë hetimeve dhe që Genci i kishte parandjerë në këto dy vargje. U ula përsëri, doja të rrija aty, s’do të kisha në të ardhmen kontakt më të afërt se ky me kushëririn tim të humbur. Isha tronditur, hijet e pemëve që krijoheshin nga drita e hënës më dukeshin si njerëz në pritje. Vetmia, në atë çast nate, më bënë t’i thërres me zë të ulët e me lot në sy: – “Genci, hape derën! Jam Bedriu”! Rreth meje të gjitha pemët ishin prerë e trungjet e tyre dergjeshin të shtrirë pas mureve. Një braktisje që më ndrydhte në shpirt. Bëra të largohem nga ai oborr kaq familjar për mua, kur papritmas, nga muri rrethues, dikush me foli, e duke më zënë rrugën më thotë: – Po ti, çfarë do këtu? Ç’kërkon këtu në mesin e natës?

– Po ti, çfarë do këtu? Ç’kërkon këtu në mesin e natës?

– Mirëmbrëma, e përshëndeta, për të shmangur telashe.

– Mos u shqetëso, kam ngatërruar rrugën.

– Jo, mos u mundo të ma hedhësh.

– E kujt është kjo shtëpi, e jotja? Ia këmbeva fjalën sërish. Ai turfullonte. Ç’të duhet ty? Kush je, e para e punës?

Vazhdova timen me ton fare të qetë, gati indiferent.

– E paske bërë të re në pak vjet. Të babait e ke, apo e ke blerë?

– Jo, jo, ka qenë e një tjetri, – ma ktheu ai, shtruar tani, po kanë ikur. Djalin ia pushkatuan dhe e shoqja shkoi te njerëzit e saj, në Korçë. E ëma ka vajtur tek e bija, jeton aty nja pesëqind metra më tej, më shpjegoi ai.

Ia ktheva si me shaka:

– Po edhe ti ç’bën natën, jashtë? – Ja, kam futur një lopë atje, e po i shpie ca kashtë. Ecëm nja dy hapa bashkë: po ty nga të kemi? – më thotë. Ku po shkon kaq vonë, dhe nga u fute, se rruga është andej sipër. – Te Sami Blloshmi po shkoj, – i thashë. – Ashtu? Samiun e kam timin. E ke në krye të fshatit, shtëpia e fundit. Përveç djalit të pushkatuar, ka dhe një tjetër të dënuar me 25 vjet, por është hapur fjala se dhe ai vdiq në burg. Ç’e pyet, kanë hequr shumë. Samiun me familje edhe të tjerët nga fisi i tyre, i çuan në internim të shkretët. Ishin familje e madhe, por i shkatërruan. Qeveria çfarë nuk të bën…

U ndamë dhe mora rrugën përpjetë. U ndala te shkolla, në krah të së cilës është një mulli. Pashë dritë e u afrova. Më pëlqente në vogëli zhurma tik-tak mbi gurin e mullirit, që lëshonin dy takat e vendosura në fundin e koshit, me bereqet. I hodha një sy nga larg dhe vazhdova. Kisha edhe 300 m për të mbërritur, por zhurma e guriçkave nën këmbët e mia mjaftoi që të fillonin lehjet e qenve. M’u dukën si familjare, do të më njohin mendova me një farë malli.

TAKIMI ME MAMANË

Më në fund arrita! U ndala ta shikoja me nge shtëpinë tonë dhe në kokë më vinin ca pyetje, që vetëm nata dhe Zoti atje lart në qiell t’i sjell. “…Po Vili e xhaxhai ku do të jenë? Më shohin vallë që po kthehem, apo mos kanë ardhur para meje, të lehtë siç janë shpirtrat e tyre, që të jenë aty, të padukur në ribashkimin e familjes…

Ja, mund të jenë atje, në konakun e miqve duke biseduar bashkë, siç e kishin zakon. Ata, të vetmit që mirëkuptoheshin në gjithë familjen tonë! Të shtruar, pa e ngritur zërin, unë i dëgjoja pa ndërhyrë, i kisha si komandë. Xhaxhai, me një urtësi dhe aq shumë përvojë, i buzëqeshur, i ëmbël, që s’e mbaj mend të na ketë qortuar ndonjëherë. Ndërsa Vili, i ditur, i pjekur para kohe, i etur të lexonte në atë bibliotekën e tij, të krijuar vetë. Lexo dhe medito tërë kohën, ditë natë, edhe rrugës kur ecte… Ia shihja në sy sa i përthithur ishte te ajo që sajonte, vargje…

Ah, si mund ta urrenin kaq shumë, të trembeshin prej tij, një djalë tërësisht i mbyllur në botën e tij… Hodha sytë te porta e shtëpisë. Ishte hapur! Dukej në thellësi një ndriçim i dobët. Iu drejtova atij, po rrugën ma preu një qen goxha i madh dhe filloi të lehtë. Ngrihej në dy këmbët e pasme dhe kafshonte zinxhirin për të arritur këtë udhëtar të vonë e të panjohur. Aha, mendova, kanë kaluar vite, s‘mund të rrojnë kaq gjatë besnikët qen të rinisë sime. Dobia e tij do t‘ish që të tërhiqte vëmendjen e ndokujt, mirëpo askush nuk u ndje. Pyeta veten pse porta e hapur dhe pse ajo dritë? Mos ka ardhur dikush para meje dhe, të hutuar nga gëzimi, e kanë lënë të hapur? Jo Bedri, ti e di mirë që ai nuk jeton më. Të dy ata, që ti pret, nuk janë ndër të gjallët. U afrova ngadalë dhe u futa në korridor. Dera e dhomës ku dukej drita ishte gjysmë e hapur dhe përmes saj dukej zjarri i ndezur në oxhak. Ndërkohë, hapat e mia dhe qeni e kishin bërë efektin, dhe nga brenda u dëgjua një zë.

– Hë more bir, njoha zërin e mamasë, erdhët nga ai zall i mallkuar? Nuk u del dita po edhe gjithë natën do punoni? Mjaft se u sfilitët!

Hapa derën. Hyra brenda e qëndrova në këmbë pa folur. Mamaja gjysmë e ngritur nga rrobat, sa më pa, thirri:

– Uaaaaaaa Bedriu i nënës. U ngrit rrëmbimthi për të më përqafuar. Por, ashtu me krahët hapur, u shemb në mes të dhomës. Hodha çantën tej, e kapa për krahu, e ngrita dhe e mbulova me të puthura. E ngrita atë trup të rreshkur e të tharë nga vuajtjet, por ajo s‘lëvizte, ashtu symbyllur. I kishte rënë të fikët. I preka pulsin, ishte gjallë. Vura veshin mbi gjoksin e tharë, zemra punonte. E mora ndër duar si ndonjë fëmijë dhe e vendosa përsëri në rroba. Në shtëpi askush s‘ndihej. Mirë vëllezërit në punë, po gratë? Mora një gotë me ujë dhe ia freskova ballin. Nisa t’i fërkoja duart e ndërkohë thërrisja: “A ka njeri në këtë shtëpi apo jo. Ku jeni? Hajdeni, mamaja është keq! Ngrihuni, mos flini! Ç’bëhet kështu! Pse e keni lënë mamanë vetëm? Vazhdova t’i fërkoja duart e ballin, duke e puthur pa pushim. Nuk ngopesha me erën e nënës. Përpiqesha t’ia hapja sytë por më kot. Ashtu i kërrusur mbi trupin e mamasë dëgjova një zë të më fliste nga mbrapa:

– Po ju kush jeni? Çfarë i keni bërë mamasë së gjorë?

Ktheva kokën dhe pashë në mes të dhomës një grua me këmishë nate dhe me flokët të rëna në gjoks. Më shikonte e shastisur.

– Qetësohu zonjë, – i fola me ngadalë, – eja merruni me mamanë, e pastaj flasim. Jam Bedriu, zot edhe unë në këtë shtëpi.

Freskimi i ballit dhe fërkimi i duarve e bënë efektin e tyre.

Mamaja u përmend, hapi sytë e lëvizi krahët, por dridhej e tëra.

Donte të më përqafonte. Më puthte, qante e nuk fliste. Mjekra i dridhej, lotët e saj më binin mbi fytyrë, më përvëlonin. Më fliste e herë pas here fshinte lotët me kurrizin e dorës. Nuk e kisha vënë re, se ndërkohë kishte ardhur edhe një grua tjetër. Unë i pyesja se kush ishin, e ato të hutuara pyesnin mamanë:- “Ky është Bedriu”?

Mamaja më fërkonte kokën, me duart e saj të zvogëluara, ku dukeshin damarët e fryrë e jeshil nën lëkurë.

– Shyqyr, mor bir, që erdhe gjallë. U bënë shumë vjet që jemi ndarë. Shyqyr, shyqyr njëqind herë. Dhe vazhduam ne të dy, ashtu siç ishim ulur e të përqafuar me njëri-tjetrin, të flisnim e të putheshim, e nuk kuptuam se dita kishte zbardhur. Pasi pimë nga një kafe, erdhën edhe vëllezërit, Selmani e Nazmiu nga zalli. Babai kishte qëndruar atje.

NË DHOMËN E VILSONIT

U ngjita në katin e dytë. Kalova në korridorin e shkurtër që të çonte te dhoma e Vilit. Dera e saj ishte e mbyllur, me një dryn që rrinte varur. Pas meje erdhi dhe mamaja. Edhe pse kishin vite që ishin kthyer nga internimi, mamaja nuk lejonte të tjerët të futeshin në dhomë. Edhe vetë futej shumë rrallë. Çelësin e mbante me vete në gji, të mbështjellë me një shami. Ajo hapi derën e në dysheme u dukën shenjat e pluhurit të verdhë, që lënë pas brejtësit. Dëgjohej ende zhurma karakteristike e krimbave që vazhdonin të brenin. Sapo u fut brenda mamaja ra mbi krevatin të cilin e kishte rregulluar me shumë kujdes e u shkreh në vaj. Tek koka rrinin dy jastëkë të qëndisur nga dora e Dianës. Mamaja pasi lëmoi me dorë kuvertën, u përkul, puthi të dy jastëkët e lëshoi një psherëtimë. “Ah biri i nënës e le krevatin bosh, që ju thaftë dora kush ta mori jetën. Kurrë mos bëfshin rehat. Gjithë jetën lëngofshin”. Përballë krevatit bosh qëndronte biblioteka, raftet e se cilës ishin pothuaj bosh. Të binin në sy disa penela të hedhura sa andej-këndej e disa bojëra të thara në kutinë pa kapak. Disa fletë vizatimi në raftin e poshtëm të bibliotekës qëndronin të mbledhura pas xhamit gjysmë të thyer. Në tavan ishte hapur një goxha vrimë, ishte prishur suvaja. Disa fije lese rrinin varur. Në këtë hapësirë dukej lehtë rrjeta e merimangës dhe disa miza të ngordhura sipër saj.

– Mama, po tavani, pse është prishur?

– Ah, mor bir, që atëherë. Ata të shuar e prishën me kazmë. Hipën sipër e nuk di çfarë kërkonin, që mos gjeçin rehat.

– Po librat të gjithë i morën, mama?

– Mos m’i zë me gojë, ato u bënë sebep që ia hëngrën kokën djalit. Disa i kemi groposur jashtë, nën dhe, se kur i shoh me sy më kujtohet djali i mamasë.

Rrija i ngurtësuar me këtë monolog të mamasë.

“Ah mor Vilson, fale mamanë, po i drejtohesha hijes së tij qortuese po edhe me buzë në gaz. Ajo të donte gjallë edhe pa libra, është nënë, nuk ke ç`i bën; po mua më ke me vete, nuk t`i bëj hasha librat, ato janë shpirti yt dhe te vjershat ti e ke vlerën, vlerë jo vetëm në këtë jetë, por edhe përtej saj)”. Mamaja më pa që isha i heshtur, ndjeu diçka tek ajo heshtje, dhe tha: – Oh, do ulem bir, se nuk qëndroj dot më këmbë. – Ah, të mallkuarit, çfarë na bënë…

– Jo mama, mos u largo, e ndala dhe pak, që ta pyesja:

– Po dritaret, pse nuk i mbyllni? Qenkan shkatërruar e kalbur.

– Bedri, hajde zbresim poshtë se nuk rri dot më këtu. Unë vij shumë rrallë, e hap derën, ulem mbi krevat, qaj sa lodhem, rregulloj ndonjë rrudhë të kuvertës, them “ditën e mirë” ose “natën e mirë”, sipas kohës, e shkoj. Se jam bërë ndryshe që kur më iku djali. Bedri, kam ardhur edhe natën ndonjëherë. Më bëhet sikur më thërret djali. Ngjitem me tepsinë në dorë siç ia sillja atëherë. Futem, lë tepsinë mbi tavolinë se mos vjen më vonë të hajë, siç bënte atëherë, kur vinte natën nga miniera. Zbres poshtë, rri, ndez një cigare… Mbasi trullosem shtrihem, edhe pse nuk kam gjumë. Rri si e vdekur shtrirë, flas me vete, ç’të bëj mor bir?

– Po, këtu, çfarë ke mbuluar mama?

– Ah, është, krevati i çupës, po ç’e do? Është bosh, ja i kam vënë një kukull. Eni, sa fëmijë i bukur ishte, i ngjante shumë.

– Po tani, mbani lidhje me Dianën?

– Jo bir, jo. Ka shumë vite që nuk dimë asgjë për to.

Ndenjëm bashkë disa orë, duke i treguar njëri-tjetrit, unë për vitet e mia në burg dhe ajo për ditën e parë të internimit.

NGJARJA NË BLLOK

– Eh, bir, nuk erdhëm dot asnjëri kur dolët në gjyq, sepse nuk na lajmëruan, por e morëm vesh se u dënuat të tre me vdekje. Më pas, dolën fjalë në fshat se ti ishe dënuar me 25 vjet burg. Ndërsa Vilsoni e Genci me pushkatim. Atëherë bashkë me gjiskën vendosëm të shkonim në Tiranë, të takonim Nexhmien. Menduam se ajo, meqë ishte edhe vetë nënë, do t’i dridhej zemra e do të bënte të njëjtën përpjekje, si ne, si nënë për të shpëtuar bijtë e saj. Ajo do t’i kuptonte lotët e do t’i ndjente rënkimet e një nëne. Ashtu të lodhura e të dërmuara u nisëm për në Tiranë. Arritëm pranë Bllokut. Ushtarët na ndaluan, po ne bëmë si bëmë i kaluam, duke thirrur e ulëritur: “Amani, ju lutemi, ata të Librazhdit po na vrasin djemtë! Ata nuk kanë bërë gjë, vetëm libra lexonin. Aman moj Nexhmije, po të drejtohemi si nënë, po të flet një zemër nëne, ki mëshirë. I thuaj tët shoqi, jo t’i falë, po vetëm të mos i vrasin”. Askush nuk i dëgjoi fjalët, lutjet e përgjërimet tona. As të qarat e të ulërimat. Pas pak erdhën disa oficerë, na kërcënuan e na tërhoqën zvarrë. Ushtarët na goditën me grykat e automatikëve, duke na bërtitur: ‘Qërohuni! Largohuni se do ju vrasim edhe ju plakave. Pse i shqetësoni njerëzit e udhëheqjes? Kush ju solli këtu? Ikni! Qërohuni! Zhdukuni’! Pas pak erdhi një kamion. Na hodhën sipër tij e na sollën në Qukës. Aty na kërcënuan të mos ktheheshim më në Tiranë. Pas disa ditësh morëm vesh se vendimi do të shqyrtohej në Gjykatën e Lartë. Unë, Diana e yt atë shkuam në gjykatë e po prisnim pas derës. Në këtë kohë në korridor u duk një burrë, fytyrëzi. Diana më tha se ai ishte prokurori i Librazhdit. Pasi doli nga salla, na thirrën ne. Kur u futëm brenda, na njoftuan se kishte mbetur në fuqi vendimi i gjykatës së Librazhdit. Na ra tavani mbi kokë, mor bir. Pas kësaj, mamaja jote zuri shtratin.

Më dhimbte koka, sapo dremisja më dilnit në ëndërr ju. Ishit në mesin e një lumi me ujë të turbull, që sillte drunj e kërcunj, kush e di nga i kishin shkulur. Juve qëndronit të tre për dore. Por, dallga iu ndau. Vilsonin e rrëmbeu uji dhe ti më kërkoje ndihmë. Unë bërtisja duke shkulur flokët ndanë lumit, duke parë dallgët që përplaseshin brigjeve. U zgjova nga llahtari, mor bir, e thashë shyqyr Zotit që paskam qenë në ëndërr. Ditë e natë më rrinte mendja tek ju. Në shtëpinë tonë kishte rënë zija. Të gjithë sa ishim vinim vërdallë në shtëpi pa i folur njëri-tjetrit. Tamam si milingonat kur iu prishet foleja. Xhaxhai rrinte në dhomën e miqve, e vetëm pinte duhan. E gjeja të mbytur në lot. pasi më thërriste t’i bëja kafenë, ma bënte me shenjë, që të largohesha. Ai nuk donte që ta shihja duke qarë. Duart i dridheshin e kafeja i derdhej në pantallona. Vetëm zëri i Enit, që qante ditë natë, dëgjohej në shtëpinë tonë, more bir. Të gjithë iknin pa gdhirë në punë. Unë me tetën ngriheshim vonë, jo se flinim po ishim të mpira. Një mëngjes, o bir. Kur u ngrita e dërmuar, se më dhembte gjithë trupi, pashë Nazminë që s’kishte shkuar në punë, në fermë. – Hë mor bir, – i thashë, – pse s’ke shkuar në punë? Pa shih, dielli ka dalë dy hosten, e mos të shajnë ata të shuar. Pas pak, pashë se të gjithë u kthyen në shtëpi, pastaj ja behu policia të shoqëruar nga brigadier e kryetari i këshillit. Shtëpia ishte e rrethuar nga civilë të armatosur.

Erdhi gjithë brigada e punëtorëve të fshatit, burra e gra, e të gjithë thërrisnin: “Shpejt, shpejt, merrni ç’të mundni se do ikni. Po iu presin makinat te rrapi. Ah, more bir, për atë llahtari. I gjithë fshati merrte plaçkat tona ose i tërhiqte zvarrë. Pasqyrat e garderobave u thyen e qypat me pekmez i derdhën. Pulat kakarisnin sikur t’i ndiqte skilja. Hidheshin sa në një cep, në cepin tjetër të oborrit. Ah, ç’më kanë parë sytë, të tërë ishim të tronditur. Ata vinin vërdallë nëpër shtëpi duke bërtitur e ulëritur, që të lëviznim shpejt. Thërrisnin si të çmendur. Pasqyrën që e kishte sjellë gjyshi nga Stambolli e thyen copa-copa, duke i rënë me këmbë… Ndërsa flisnim me mamanë, nuk e pamë babanë e dy vëllezërit që hynë në dhomë. U ngrita dhe u përqafuam të përlotur, pa thënë asnjë fjalë. Qëndronim të gjithë të përqafuar e me lot në sy, aty në dhomën e Vilsonit. Mamasë i ra të fikët përsëri. Në atë shqetësim, për ta sjellë në vete, Selmani, im vëlla, më tha me zë të ulët: “Përse e solle këtu, se, unë, me nazminë fshehurazi ia kishim marrë çelësin! Mamaja kur vjen këtu, ulet te dërrasa e krevatit e qan deri sa i shterojnë lotët. E kemi gjetur sa herë mbi krevat. Ajo vjen këtu e fjaloset me librat e Vilsonit, duke i fshirë nga pluhurat, i shtrëngon në gjoks u merr erë, e di që Vilsoni i ka prekur me dorë e thotë: “Ja, era e duarve të djalit të nënës”. Pastaj vazhdon ndryshe, i bën me faj, “ah more libra të shkretë, ju më hëngrët djalin, mor të flamosur që u bëtë sebep”. Çfarë keni brenda të shkrojtura, që m’ia morët mendjen djalit. Ju ma varrosët! Një qind herë i kisha thënë, mjaft lexove se u qorrove. ku e dinte mamaja e shkretë se paskëshit qenë zeher. O Zot, pse më ndëshkove kaq rëndë”.

Mamaja u përmend. E morëm për krahësh e zbritëm nëpër shkallë, te dhoma me oxhak. Mbasi ndezi një cigare, fshinte lotët me cepin e shamisë. Pasi u qetësua disi, unë i thashë:

– Mama, nuk ma mbarove bisedën.

– Ah mor bir! Sa s’më plasi zemra nga hidhërimi. Kot nuk thonë, se njeriu i duron të gjitha. Na vunë përpara si bagëtitë e na nisën për te xhamia, ku po na prisnin makinat. Sapo u nisëm, bëmë tërë atë rrugë, dhe na ndalën vetëm kur arritëm në Qukës. Qeni na ndiqte nga pas dhe lehte pa pushim. Macja mjaullinte, na ndoqi nga pas deri te xhamia, hipi në makinë e, u hodh përsëri poshtë e, u zhduk. Të gjithë civilët e policët hynë në klub të hanin ndërsa, ne, prisnim në makinë. Ne, gratë qanim. Xhaxhai dhe yt atë rrinin pa folur, me cigare në dorë, që e ndiznin njëra pas tjetrës. Kërkuam pak ujë për vajzën e vogël, që u hap së qari, po polici na u përgjigj gjithë inat: për juve, kemi helm! Mbylle gojën, akoma s’ka plasur! Makinat u nisën përsëri. Kaluam Librazhdin, Mirakën dhe Shkumbinin. Kur arritëm në fshatin Polis-Qendër, familjen e xhaxha Bukuroshit dhe Esherefit e zbritën aty, ndërsa, ne na çuan akoma më sipër, në Polis-Gostimë. Na ndanë si mos më keq. Buzë përroit ishte një godinë e vjetër që kushedi se, kur ishte ndërtuar. Sekretari i byrosë së kooperativës na tha; rrini aty e mos lëvizni. Dënimin na e prenë, 5 vjet internim. Sapo u vendosëm në atë gërmadhë, xhaxhanë e thirrën në zyrën e këshillit, për të na bërë gjoja regjistrimin. Mori pasaportat dhe iku bashkë me Gimin e vogël. Sapo mbërritën atje, i hodhën hekurat. Gimi erdhi në shtëpi duke qarë dhe na tregonte, se xhaxhanë e mori policia, ja lidhi duart mbrapa dhe e futën në një makinë e ikën. Mit’hati, djali i Bukuroshit, ishte te dajallarët në Lushnjë, shkuan dhe e morën që atë ditë, dhe e sollën. Na ndanë veç e veç, dhe nuk na lejonin as të takoheshim me njëri–tjetrin. Ditën që po bëheshim gati të liroheshim sepse kishin kaluar 5 vjet, na komunikuan se ishim dënuar edhe 5 vjet të tjera. Kaloi dhe 5 vjetshi i dytë, e ja ku na liruan. Shyqyr Zotit edhe ti u lirove. Mirë qenke, por qenke thinjur. Po ndonjë llaf për Conen, di gjë more bir? Ca thonë se është gjallë. Ca thonë është këtu. Ca të tjerë thonë se i mbajnë mbyllur për punë e nuk i kanë vrarë. Ti ç’mendim ke, se unë…

– Mama, – e ndërpreva, – e di që nuk do t‘i dëgjosh këto fjalë që po të them, por siç të kam thënë edhe në Spaç kur erdhe të më takoje, duhet të mos i dëgjosh ç’thonë të tjerët. Ata të dy nuk janë më.

– Ah, mor bir, mos më thuaj kështu se më pëlcet zemra. Nëna ka shpresë sa të rrojë…

Dola në kopsht për të biseduar me familjarët, por edhe për të parë ndryshimet dhe ç‘duhej bërë. Pemët nuk ishin më. I kishin prerë. Rrëzë një muri mbajtës ishte krijuar një gropë, gjysma bosh, por edhe me hedhurina, gurë të përzierë me dërrasa të kalbura. Vëllai më tregoi: ja, këtu kishim futur ca libra të Conit. Kur erdhëm nga internimi, i kërkuam por ishin kalbur. Kohë e gjatë e shumë lagështirë. Edhe manin e gjetëm të prerë. (Këtë s‘e kuptova, ai man që bënte hije mbi shtëpinë dhe oborrin dhe kush e di sa kalimtarë kishin ngrënë prej degëve dhe në lëndinën poshtë tij, si mund ta presë ai që banon aty? Sado armik të jetë i pronarit. E shpjegova vetëm me kohën, një kohë që e detyron këdo të shëmtojë gjithçka që e rrethon). Hyra në shtëpi për të vazhduar bisedën me mamanë, këtë herë mbi kohën në internim, pasi dija shumë pak nga ajo periudhë. Ajo m’u përgjigj: Mos më pyet mor bir, si mos më keq. Ishim shumë ngushtë. Xhaxhai jetonte sipër nesh, edhe ata një dhomë kishin. Gjatë asaj kohe kam qenë shumë sëmurë. Aq më dhimbte koka, sa natën dilja në oborr. Përreth shtëpisë shihja gjithmonë hije njerëzish që bënin roje. Ulesha te dera, jashtë, me kokën të lidhur, dhe flisja me vete. Siç e di, në atë kohë fejuam djalin, atje ku na adresove ti. Për t’i blerë ndonjë plaçkë e për t’i bërë dasmë s’kishim para. Por, më e keqja, djali nuk donte të martohej”.

– Ne s’kemi shtëpi, – thoshte, – ju doni të më martoni. Doja të martonim edhe çupën, po Sigurimi nuk më linte se duhej të mbaronim internimin. Një ditë më thirrën në Librazhd. Shkova, ashtu çalë–çalë me çupën, se çunat nuk i lejonin. Në Degë të Brendshme më thanë se ti kishe dërguar ca lekë nga burgu. Ah mor bir, vajta i mora në postë dhe që kur i mora e deri sa shkova në shtëpi, s’pushova së qari. Kur shikoja paratë, më dukej sikur të shihja ty duke u rraskapitur në ato gërxhe e tunele.

Ndërkohë që flisja me mamanë, në dhomë hyri vëllai, i cili me takt më tha të dilnim jashtë për diçka dhe bisedën me mamanë ta vazhdoja më vonë. U ngrita e dolëm…

Vetting/ “Shqipëria shkaktoi kolapsin energjetik të 21 qershorit 2024” – Raportet zbulojnë dështimet teknike dhe zinxhiri i gabimeve të OST. Si u injorua paralajmërimi i para 2 viteve

Armand Kullau

Emisioni investigativ Vetting, News24
Më 12 maj 2022, në Kryeministri në adresë të Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi do të mbërrinte një letër nga drejtori i Ndërmarrjes Rruga, Alion Hysko. Në letër evidentohej se ishin pezulluar ndërtimet në trupin e digës së rezervuarit Xhafzotaj në Durrës, të cilat lidhen me projektet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit OST. Duke qenë se kompetencat për këto investime lidhen me lejet nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në lojë hyn edhe Këshilli Kombëtar i Territorit, duke ia kaluar për kompetencë Sekretarit të Përgjithshëm në Kryeministri.

 

Whatsapp Image 2025 12 04 At 17.07.16
Whatsapp Image 2025 12 04 At 17.07.16

Vetë letra e dërguar paraqet problematikën se si është vepruar në shkelje të mundshme të ligjit me investimet te Operatori i Sistemit të Transmetimit nga qeveria shqiptare dhe zv.kryeministrja, njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Kjo e fundit është pezulluar nga detyra prej Gjykatës së Posaçme Kundra Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar për akuzat nga SPAK për shpërdorim detyre dhe paracaktim tenderash në grup.

Letra për digën e Xhafzotaj lidhet me vendimin nr. 17, datë 17.03.2021 të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, por paraqet problematikë të ngjashme ashtu si vendimi nr. 16, datë 17.03.2021 i AZHT-së pasi ky i fundit është kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës.

Të dyja vendimet problematike janë pjesë e faktorëve që kanë shkaktuar avaritë me rënien e sistemit të transmetimit, pasiguritë në sektorin e energjisë, ku nga problem lokal i mungesës së energjisë elektrike për Shqipërinë u transformua në problem rajonal. Ky fakt evidentohet nga raportet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Rrjeti panevropian i operatorëve të transmetimit të energjisë elektrike (ENTSO-E).

Konkretisht në 21 qershor 2024, në orën 12.09 sistemi elektrik i Europës Juglindore do të pësonte një ngjarje të rëndë me efekt domino, e cila përfundoi me një kolaps voltazhi dhe me humbje të mëdha ngarkese. Sipas ENTSO-E, kjo ngjarje u klasifikua si incident shkalle 3, me pasoja të ndjeshme për Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë dhe Shqipërinë.

Whatsapp Image 2025 12 04 At 14.22.34
Whatsapp Image 2025 12 04 At 14.22.34

Zanafilla e fillimit të incidentit ishin dy stakime të linjave 400 kv për shkak të kontakteve me vegjetacionin. Në orën 12.09 u stakua linja e Malit të Zi Podgorica2-Ribarevine dhe në orën 12:21 linja e Shqipërisë Zemblak-Kardia, që lidh vendin tonë me Greqinë. Ky incident i rëndë hodhi sistemin drejt një serie shmangiesh mbrojtëse dhe shkaktoi një efekt domino te të tjera linja dhe si pasojë në përkeqësim të parametrave voltazh-frekuencë deri në kolaps rajonal sipas ENTSO-E.

Por përtej shkakut të parë që është kontakti me bimësinë, analiza e zgjeruar tregon një listë të gjatë faktorësh që ekspozuan cënueshmërinë e rajonit dhe lehtësinë më të cilën u rrëzua nga një seri ngjarjesh që ndodhën njëkohësisht. Raporti i ENTSO-E nxori në pah mungesën e kapacitetit për të siguruar mbështetje reagimi voltazhi, mungesën e detektimit të shkeljes së kushteve N-1 pas rënies së linjës së parë dhe projektime të ndryshuara për arsye pune dhe mirëmbajtjeje që ulën rezerven e sistemit.

Në këtë rast, roli i Shqipërisë dhe i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) është kompleks dhe i përbërë nga dy elementë, faktorët teknikë operacionalë që ndikuan drejtpërdrejt në dinamikën e incidentit dhe mangësitë institucionale që zbuluan raportet lokale (raporti i OST-së dhe auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit). Nga ana teknike, në ditën e incidentit kishte disa elemente të rëndësishme që e dobësuan sistemin shqiptar, disa lidhje kryesore ishin të stakuara për arsye pune dhe riparimesh (për shembull linja L400 Tirana2-Koman dhe disa segmente L220 për shkak të punimeve pranë autostradës Thumanë-Kashar), çka uli ndjeshëm rezervën e rrjetit për të përballuar problemin pavarësisht mangësive.

Vetë Operatori i Sistemit të Transmetimi raporton se pas stakimit të linjës Zemblak-Kardia pati ulje të theksuar tensionesh edhe në linjat Tirana2-Podgorica dhe Koplik-Tirana2 dhe brenda pak minutash ndodhi de-energjizimi i plotë për një pjesë të sistemit. Këto janë të dhëna që vijnë nga raporti i OST-së, që qëndrojnë në një linjë me raportin e ENTSO-E.

Raportet zbulojnë problemet afatgjata të institucioneve shqiptare që ndikuan në gatishmërinë e OST-së për projektin madhor të linjave dhe nënstacioneve (p.sh. projekti Tiranë-Rrashbull dhe projektet 400 kV) pasi janë vonuar, kanë kosto shtesë dhe në rastin e Rrashbull, OST-ja ka pasur mangësi në kolaudime, staf kolaudimi pa licenca dhe mungesë përfundimesh. Kjo mungesë korrelacioni midis planifikimit ditor dhe situatës operacionale, përforcoi shpejtësinë me të cilën problemi lokal shkurtim nga vegjetacioni u transformua në një ngjarje rajonale.

Sipas inxhinierit elektrik Azmer Duleviç, kur vjen puna për të marrë pagesat nga qytetari që mezi mbyll muajin, institucionet publike shkojnë edhe me polici, për të ndërprerë energjinë elektrike.

“Kur dëmtohet qytetari dhe institucionet duhet t’i japin llogari dhe ta dëmshpërblejnë, këtu pastaj fillojnë burokracitë që nuk mbarojnë kurrë dhe qytetarët, le të themi, mbeten me 0 lekë mbrapsht”, tha për “Vetting inxh. Duleviç.

Duleviç shton më tej se një ndër arsyet për problemet me transmetimin lidhet edhe me faktin se kemi 11 mijë transformatorë prej 38 vitesh pa u zëvendësuar me transformatorë të rinj.

Raporti i OST-së përshkruan se stakimi “tranzitor” i linjës Zemblak-Kardia ndodhi pas shkurtimit të distancës së përcjellësve me bimësinë në territorin shqiptar. Në të njëjtën kohë, ENTSO-E evidenton se rënia e parë (në Mal të Zi) dhe ajo e dytë (Zemblak-Kardia) ishin shkak të vegjetacionit pra kishte një element përbashkues rajonal të menaxhimit të vegjetacionit pranë linjave që nuk ishte adresuar si duhet.

Kjo tregon se edhe nëse origjina e goditjes së parë nuk ishte brenda territorit shqiptar, performanca e rrjetit shqiptar si mungesa e elementeve mbështetëse të voltazhit dhe punimet e hapura e bëri Shqipërinë më të ndjeshme ndaj valës së ngjarjeve dhe rezultoi në humbje të plotë (blackout) të pjesës së sistemit shqiptar për 20-30 minuta. bw

Gazeta franceze: U votua ligj special për t’i dhënë ishullin Jared Kushner- Si Sazanit iu hoq statusi si pjesë e Inventarit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore 

Le Point e përshkruan Sazanin si një vend i çuditshëm ku është e ndaluar të shëtisësh jashtë plazhit të madh, pasi për gjashtëdhjetë vjet, Sazani ka qenë një bazë sekrete ushtarake, nga e cila sot kanë mbetur vetëm disa bunkierë të rrënuar dhe mijëra mina.

FRANCË- Gazeta franceze Le Point i ka kushtuar një reportazh vendit tonë, por këtë herë duke u ndalur në Sazan, ose ndryshe “ishulli i Trump”. Le Point e përshkruan Sazanin si një vend i çuditshëm ku është e ndaluar të shëtisësh jashtë plazhit të madh, pasi për gjashtëdhjetë vjet, Sazani ka qenë një bazë sekrete ushtarake, nga e cila sot kanë mbetur vetëm disa bunkierë të rrënuar dhe mijëra mina.

Në reportazh thuhet se kur regjimi u rrëzua në fillim të viteve 1990, Sazani u bë një tokë askujt dhe mbeti ishulli i fundit i pabanuar i Adriatikut. Duke folur për Sazanin, Le Point shkruan ndër të tjera se dashuria me shikim të parë e Ivanka Trump-it dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, për Sazanin, është pothuajse tashmë pjesë e librave të historisë lokale dhe kjo ndodhi katër vjet më parë.

Gazeta franceze thekson se Auron Tare, një ish-arkeolog, i emëruar disa muaj më parë drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të Shqipërisë, përgatiti një vizitë të posaçme disa-ditore për çiftin Trump–Kushner dhe disa investitorë të tjerë potencialë (Nasser al-Khelaifi, president i Paris SG-së, si edhe një biznesmen nga Emiratet e Bashkuara Arabe).

Le Point e quan Sazanin si e ardhmja e “Kullës Trump”, ku ishulli do bëhet me hotel luksoz, një qendër tregtare gjigante dhe apartamente të shtrenjta. Gjithashtu gazeta franceze shkruan se Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, flasin hapur për atë çfarë mund të bëjnë me këtë ishull që Shqipëria është gati tua japë.

Në artikull thuhet po ashtu se ishulli është bërë për shumëkënd simboli i aferave të pista dhe praktikave të errëta të qeverisë dhe me arsyen për t’i dhënë truallin Jared Kushner-it, u votua një ligj special. Le Point thot më tej se ndërtesës i duhej hequr statusi si pjesë e Inventarit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Artikulli i Plotë i Le Point:

Është një parajsë. Një copëz e vogël guri e vendosur mbi detin Adriatik. Ishulli shqiptar i Sazanit është mbretëria e gjarpërinjve, cicërimave, zogjve dhe madje, thuhet, edhe disa arinjve që jetojnë mes livandës së egër dhe pishave treqindvjeçare. Në verë, disa skafe të vegjël “Zodiac” sjellin turistë nga Vlora, qyteti bregdetar më i afërt. Dy orë not në një plazh të gjatë, pastaj lundrim drejt shpellës së Haxhi Aliut, një pirat i cili, në shekullin XVII, fshehu aty arkat e tij me monedha ari. Një lloj katedrale detare që është bërë strehë e breshkave të detit.

Prej disa muajsh, ai është quajtur “ishulli i Trump”. Një vend i çuditshëm ku është e ndaluar të shëtisësh jashtë plazhit të madh. Për gjashtëdhjetë vjet, Sazani ka qenë një bazë sekrete ushtarake, nga e cila sot kanë mbetur vetëm disa bunkierë të rrënuar dhe mijëra mina. Enver Hoxha ishte veçanërisht paranojak. Diktatori komunist, që sundoi Shqipërinë për gati katër dekada, kishte frikë nga zbarkimi i italianëve, jugosllavëve, amerikanëve dhe madje edhe rusëve (për një kohë të gjatë kishte qenë aleat i kinezëve). Ai kishte vendosur aty ushtrinë e vet të vogël. Kur regjimi u rrëzua në fillim të viteve 1990, Sazani u bë një tokë askujt. Ishulli i fundit i pabanuar i Adriatikut.

Dashuria me shikim të parë e Ivanka Trump-it dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, për Sazanin, është pothuajse tashmë pjesë e librave të historisë lokale. Kjo ndodhi katër vjet më parë. Çifti po kalonte pushimet në Greqi bashkë me fëmijët. Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ku ëndërrohet ndërtimi i hoteleve luksoze (numri i turistëve është trefishuar në dhjetë vjet), u shfrytëzua menjëherë rasti. Auron Tare, një ish-arkeolog, i emëruar disa muaj më parë drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të Shqipërisë, përgatiti një vizitë të posaçme disa-ditore për çiftin Trump–Kushner dhe disa investitorë të tjerë potencialë (Nasser al-Khelaifi, president i Paris SG-së, si edhe një biznesmen nga Emiratet e Bashkuara Arabe). Një helikopter dhe një jaht madhështor u vunë në dispozicion të grupit të vogël.

Auron Tare i njeh të gjitha vendet më të bukura të zonës. Ai u tregon vilën e mrekullueshme që ka ndërtuar George Tenet, djali i emigrantëve shqiptarë, i cili ka qenë drejtori i CIA-s nën Bill Clinton dhe George ë. Bush. Ai organizon një drekë në restorantin më të mirë të peshkut në zonë, me mikpritës ish-bashkëlojtarin e tij të basketbollit, Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë doravetë. Në pushtet që prej vitit 2013, Rama është plot humor, me një stil të ngrohtë mesdhetar, i thjeshtë, dhe njohës i mirë Donald Trump-it, të cilin e ka takuar në samitet ndërkombëtare.

Operacioni është i përkryer. Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, flasin hapur për atë çfarë mund të bëjnë me këtë ishull që Shqipëria është gati tua japë. Ata angazhojnë arkitektë, avokatë. Vitin pasues, Jared Kushner kthehet në Shqipëri. Me partnerët e tij, ai është gati të investojë më shumë se 1 miliard dollarë, jo vetëm në Sazan, por edhe në gjirin përballë, në një sipërfaqe gjigante toke në veri të Vlorës, e cila sot është e pa ndërtuar fare. Vitin e kaluar, në dhjetor, një muaj pas rizgjedhjes së Donald Trump-it si president, Kushner nënshkruan një parakontratë për një qira 99-vjeçare.

Dashuria me shikim të parë e Ivanka Trump për Sazanin është aq glamuroze sa duhet. Por mbi të gjitha është një histori parash. Sepse Jared Kushner nuk është aspak një investitor naiv. Grupi i tij, me qendër në Miami, ka disa miliarda dollarë asete në mbarë botën dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme (sauditët janë partnerët dhe aksionerët e tij kryesorë).

Në të vërtetë Kushner nuk e ka zbuluar rajonin pas një shëtitjeje të thjeshtë me helikopter. Një nga njerëzit e tij në Ballkan quhet Richard Grenell. Ai është një ish-ambasador amerikan në Gjermani, që Donald Trump e kishte caktuar të dërguar të posaçëm në Serbi dhe Kosovë gjatë mandatit të tij të parë. Po ai ka negociuar për llogari të Jared Kushner-it një tjetër blerje në rajon: një tërë bllok ndërtesash në qendër të Beogradit, në Serbi. Vendi i ngjan sot një grumbulli rrënojash. Ish-selia e shtabit të ushtrisë serbe, e bombarduar në vitin 1999 nga NATO.

Avionët e NATO-s, e bombarduan atë ndërtesë gjatë luftës së Kosovës. Ajo mbeti e braktisur që prej rrëzimit të Slobodan Millosheviçitt, si një simbol – i shenjtë për nostalgjikët e Jugosllavisë, por e mallkuar për brezat e rinj, të cilët ëndërrojnë që vendi i tyre të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

E ardhmja e “Kullës Trump”, ky do të jetë emri i saj, do është shndërrimi në një hotel luksoz, një qendër tregtare gjigante dhe apartamente të shtrenjta. Ajo është bërë për shumëkënd simboli i aferave të pista dhe praktikave të errëta të qeverisë. Dhe me arsye: për t’i dhënë truallin Jared Kushner-it, u votua një ligj special. Ndërtesës i duhej hequr statusi si pjesë e Inventarit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Një funksionar i ministrisë së Kulturës preferoi më mirë të jepte dorëheqjen sesa ta miratonte projektin.

Frëngjishtfolëse e përsosur, trashëgimi i një epoke kur Franca dhe Serbia mbanin marrëdhënie të ngushta, avokatja Katarina Kostic është e tronditur: “Të të pëlqejë ose jo stili i ndërtesës ashtu siç ishte para bombardimit, është një gjë. Por projekti i kullës Trump është mohimi i historisë sonë. Kjo meritonte një debat mbi urbanizmin e qytetit tonë.”

Në zyrën e tij të vendosur jo larg presidencës serbe dhe Parlamentit, Radovan Kupres, themelues i CRTA-s, një OJQ që mbron transparencën në politikë, është gjithashtu i tërbuar. Por për arsye të tjera. “Problemi nuk është vërtet familja Trump në vetëvete. Por klasa jonë politike. Ne jemi një nga vendet më të korruptuara në botë dhe gjithçka është bërë nën dorë”. Ai shqetësohet sidomos për partnerin e Jared Kushner-it, një ndërtues nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili ka marrë tashmë, para dymbëdhjetë vjetësh, kontratën për zhvillimin e shëtitores dhe zonës së brigjeve të lumit Sava, degës së Danubit që kalon nëpër Beograd. “Është estetikisht shumë e shëmtuar. Ata kanë dëbuar mijëra njerëz që jetonin aty prej dekadash dhe, mbi të gjitha, u kanë dhënë disa pjesë të tokës zyrtarëve të lartë në rrethana të çuditshme”.

Deputeti i të Gjelbërve, Robert Kozma, është edhe më kritik. Për të, “fund i sundimit presidencial të Aleksandar Vuçiç është patetik”. “Ai është një nacionalist i rremë, – vazhdon ai. – Ka filluar në ekstrem të djathtë, me urrejtjen ndaj Perëndimit që na bombardoi në vitin 1999, për të luajtur pastaj poker me pasuritë kombëtare.” Sipas deputetit, të gjithë kanë marrë pjesë nga torta, përveç serbëve. “Edhe Emmanuel Macron: për të shtyrë dosjen tonë të anëtarësimit në BE, Vuçiç ia dha ndërtimin e metrosë një kompanie franceze.

Javën e kaluar, i shtriu tapetin e kuq Xi Jinping-ut me këto fjalë: ‘Shërbejuni!’ Ai shoqërohet me rusët, nga të cilët blejmë naftën tonë. Por kulmi është Donald Trump”. Deputeti tregon me tronditje vizitën në Beograd të njërit prej djemve të presidentit amerikan, në prill 2025, si pjesë e një serie fjalimesh të paguara të quajtura “Trump Business Vision 2025”. “Dhënia e një trualli të bukur dhëndrit të Trump-it nuk ka shërbyer për asgjë!” Ai sjell si provë vendimin e fundit të Shteteve të Bashkuara për të rritur tarifat doganore në 35% si edhe sanksionet ndaj Serbisë, kompania e naftës së së cilës është pjesërisht në pronësi të kapitalit rus.

Shumëzimi i projekteve të pasurive të paluajtshme me Jared Kushner-in nuk është, sigurisht, i rastësishëm për Serbinë dhe Shqipërinë. Ai u mundëson të kenë qasje te investitorët e Lindjes së Mesme, si edhe pranë Shtëpisë së Bardhë. Ndryshe nga mandati i tij i parë, kur kishte një rol zyrtar (si këshilltar special, ai kishte negociuar Marrëveshjet e Abrahamit të nënshkruara në vitin 2020, që normalizuan marrëdhëniet mes Izraelit dhe disa vendeve arabe), Jared Kushner sot nuk ka asnjë funksion “zyrtar”.

Por, në realitet, ai është tejet i fuqishëm. Për çështjen e Ukrainës, Steve ëitkoff dhe Marco Rubio, negociatorët amerikanë, raportojnë tek ai (ai ka drejtuar drejtpërdrejt pjesën e “rindërtimit” të planit të paqes që pritet të sjellë përfitime të mëdha për kompanitë amerikane). Gjatë luftës në Gaza, ai ishte gjithashtu në vijën e parë falë rrjetit të tij në Lindjen e Mesme dhe në Izrael (babai i tij ka qenë gjithmonë një nga njerëzit e afërt të Benyamin Netanyahut). Ai ka bërë nganjëherë deklarata të pabesueshme, si kjo: “Pronat buzë detit në Gaza mund të kenë vlerë të madhe nëse njerëzit do të përqendroheshin te ndërtimi i mjeteve të jetesës në vend që të shpenzonin para për ndërtimin e tuneleve”.

Joni Vorpsi nuk interesohet shumë për çështjet e mëdha të botës. Tema e tij janë zogjtë. Ai ka bërë doktoraturën për migrimin e tyre në Mesdhe. Si një nga përgjegjësit e PPNEA-s, një ONG lokale për mbrojtjen e natyrës, ai është i shqetësuar. Ai hap një hartë të madhe gjeografike. “Është shumë e thjeshtë,” thotë ai. “Këtu keni korridoret kryesore të migrimit të zogjve në Mesdhe…”

“E ndiqni këtë? Laguna e Vlorës është një etapë madhore. Është mirë të shumohen projektet e pasurive të paluajtshme dhe të urbanizohet gjithë rajoni, por kjo është thjesht një katastrofë.»

Olsi Nika, aktivist i shoqatës EcoAlbania, është i shqetësuar për aeroportin gjigant që po ndërtohet në Vlorë. Ai pritet të tërheqë investitorë dhe turistë nga e gjithë bota. «Për një grusht dollarësh, po shkojmë kundër rrymës së historisë. Ne kishim një nga vendet më të bukura dhe ende të ruajtura të Mesdheut.

Pikërisht kjo mund të kishte qenë pasuria jonë pas njëzet vitesh» Sipas tij, ka edhe një skandal tjetër: ndërtimi i aeroportit të ri i është besuar kompanive pak transparente, përfshirë Mabetex-in zviceran, që dikur ishte dënuar për korrupsion për kontrata rinovimi në Rusi. «Politikanët na shesin ëndrra: ‘Ne do të jemi Saint-Tropez i së ardhmes’, – thonë ata. Por në realitet, ne do të mbytemi nën tonelata betoni dhe do të kthehemi në lavanderi të gjithë Evropës.»

Në katin e 9-të të Silver Toëer në Tiranë, Elira Kokona drejton agjencinë qeveritare që duhet t’u shesë investitorëve asetet më të çmuara të shtetit, me misionin t’i valorizojë ato. «Vendi është i varfër dhe kemi shumë për të rifituar kohën e humbur», thotë ajo, duke treguar koleksionin e projekteve të arkitektëve mbi raftet që zbukurojnë muret e zyrës së saj. Para pak muajsh, qeveria hapi një tender ndërkombëtar për të kthyer ish-pallatin veror të diktatorit Enver Hoxha në hotel.

Disa arkitektë favorizuan natyrën, të tjerë krijimtarinë. «Po ju, cilin projekt do të kishit zgjedhur?» – pyet ajo me sy që i shkëlqejnë. Ajo është e ngarkuar edhe me dhënien e ishullit të Sazanit për Jared Kushner-in. «Negociatat janë profesionale. Nuk jam unë ajo që jep dritën jeshile në një cep tavoline dhe mes dy gotave raki. Tani, avokatët tanë po punojnë me objektivin që secili të gjejë interesin e vet në marrëveshje. Më pas, bankierët e investimeve do të vendosin çmimin përfundimtar dhe detyrimet e palëve.»

Për më tepër, shpjegon ajo, deri tani ajo ka komunikuar vetëm me «Brian», përfaqësuesin e Kushner-it në Shqipëri. Dhëndrin e Donald Trump-it ajo e ka takuar vetëm një herë, në një restorant. «Një mik i përbashkët na prezantoi. Ishte një takim korrekt, i sjellshëm.» Nuk është ende momenti që ata të shkojnë në plazh së bashku./Dosja.al

BIRN: Monopoli i reklamave ‘city lights’ kufizoi garën elektorale për bashkinë e Tiranës

Në prag të fushatës së vitit 2023, bashkia e Tiranës e udhëhequr nga Erion Veliaj, firmosi qindra leje për stenda afishimi ‘city lights’, duke krijuar një monopol në treg që ngriti dyshime për klientelizëm politik dhe përdorim të burimeve publike në zgjedhje.

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2023, rrugët e Tiranës u mbushën me postera elektoralë të Partisë Socialiste në pushtet, të afishuara në stenda ‘city lights’ dhe ekrane LED të instaluara në rrugët dhe kryqëzimet kryesore të kryeqytetit.

Pas rrjetit të stendave moderne fshihet kompania BNI, e cila mori nga Bashkia e Tiranës pjesën më të madhe të hapësirës reklamuese ‘outdoors’ në kryeqytet – për një afat 7-vjeçar – në prag të garës elektorale të vitit 2023 dhe, njëkohësisht, u kontraktua për reklamat politike të fushatës nga Partia Socialiste.

Edhe pse hapësira reklamuese iu transferua BNI-së nëpërmjet qindra vendimeve të veçanta të firmosura brenda pak ditësh pa asnjë procedurë tenderimi, sipas ekspertëve të prokurimeve publike, ato së bashku krijuan një të drejtë ekskluzive për një operator të vetëm.

Ky monopol ‘de facto’ i dhënë në prag të zgjedhjeve shihet si klientelizëm politik nga vëzhguesit e fushatave zgjedhore, ndërsa opozita pretendon se i kufizoi edhe garën elektorale për Bashkinë e Tiranës – ku kryebashkiaku në detyrë, Erion Veliaj, përballej me deputetin Belind Këlliçi.

“Vendet prioritare dhe me shikueshmëri e frekuentim më të lartë, sigurisht i ka pasur PS dhe Veliaj,” i tha Këlliçi BIRN.

“Domethënë, si përfundim, unë kam pasur mundësinë të marr hapësirë vetëm çfarë kanë lënë, pasi procesin e ka kontrolluar tërësisht bashkia dhe kandidati i PS-së,” shtoi ai.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash në shkurt 2025, nuk ishte i arritshëm për koment. Ndërkohë, kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me gjetjet e konstatuara.

Beqir Nuredini, themelues i BNI-së dhe ish-kryebashkiak i Rrogozhinës, mohoi se kompania e tij zotëronte një monopol në tregun e reklamave në natyrë në Tiranë. Ai pretendoi se çdokush mund të aplikonte për leje për të vendosur stenda afishimi, por se nuk kishte treg dhe reklamat mbeteshin bosh.

“Nuk është monopol, tregu është i lirë; kushdo që do hapësirë, mund të aplikojë dhe të marrë hapësirë,” tha Nuredini. “Jo aty ku kam marrë unë leje, kuptohet, por Tirana është e madhe,” shtoi ai.

Të dhëna private?

Në nëntor 2025 BIRN i drejtoi një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar kontratat me kompanitë që kishin në shfrytëzim hapësirën publike për reklamim nga viti 2018 deri në fund të 2024-ës.

Qasja në dokumente kërkoi gati 1 vit.

Saga e kërkesës për informacion nisi me përplasjen e dy zyrave brenda bashkisë. Fillimisht, Drejtoria Juridike i komunikoi Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave, por edhe BIRN-it, se përgjigja nuk ishte kompetencë e saj. Ndërkohë, DPTTV-ja, në një letër dërguar BIRN-it dhe kolegëve të saj në zyrën juridike, këmbënguli se informacioni i kërkuar “nuk ekzistonte”.

“Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore nuk ka lidhur kontrata me subjekte tregtare për shfrytëzimin e hapësirave publike”, thuhej në shkresë. Por vetëm pak rreshta më poshtë, e njëjta drejtori pohonte të kundërtën: informacioni ekzistonte, por konsiderohej “e dhënë personale”.

BIRN u ankua pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, por bashkia vijoi refuzimin, duke argumentuar se e drejta për përdorimin e hapësirës publike nuk ishte dhënë përmes “kontratave”, por përmes dokumenteve të quajtura “leje”.

Më 16 janar 2025, BIRN paraqiti një kërkesë të re, kësaj radhe duke cituar në mënyrë të detajuar Vendimin e Këshillit Bashkiak dhe formulimin ligjor të përdorur nga bashkia.

Por edhe më 24 janar, Bashkia e Tiranës iu përgjigj me të njëjtin refren: informacioni nuk mund të jepej pasi përmbante të dhëna personale. “Legjislacioni i posaçëm nuk e lejon identifikimin e tatimpaguesit specifik”, shkruhej në letër.

I bindur se emrat e kompanive dhe hapësira publike e dhënë në përdorim nuk përbënin të dhëna personale, BIRN paraqiti një tjetër ankesë te Komisioneri. Pasi KDI konstatoi shkeljen, bashkia pranoi të jepte informacionin, por vonoi dorëzimin, kërkoi një pagesë prej 5850 lekësh dhe vetëm më 13 gusht vuri në dispozicion një dosje me 1170 faqe.

Kur dokumentet mbërritën, BIRN konstatoi se emrat e kompanive dhe NIPT-et ishin fshirë. Çdo leje përmbante vetëm argumentimin standard ligjor, datën, vendndodhjen dhe sipërfaqen e reklamës.

Po atë ditë, BIRN njoftoi KDI-në se dokumentacioni, përveç kostos së panevojshme për mjedisin, nuk përmbushte kërkesën për informacion, pasi NIPT-i dhe emri i kompanisë nuk janë të dhëna personale.

Tri javë më vonë, më 3 tetor, bashkia u rikthye me një premtim për informacion të plotë dhe kërkoi edhe 10 ditë shtesë.

Më 15 tetor, pas një sage që zgjati gati një vit, BIRN mori në dorë dosjen finale – këtë herë me emrat e kompanive dhe planimetrinë e vendosjes së reklamave në rrugët e Tiranës.

Mirela Ruko, këshilltare në Këshillin Bashkiak nga Lëvizja Bashkë, tha se mungesa e transparencës ishte kthyer në normë për zyrtarët e bashkisë.

“Bashkia e Tiranës më ka refuzuar edhe mua disa herë informacionin, duke përdorur të njëjtin justifikim absurd që ka marrë edhe BIRN-i,” u shpreh ajo. “Këto janë përpjekje të hapura për të fshehur informacionin.”

Të njëjtin shqetësim ngriti edhe Ilir Alimehmeti, këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak. Ai shtoi se përdorimi i argumentit të “të dhënave personale” për të ndaluar dhënien e informacionit ishte një mënyrë për të mbuluar problemet.

“Absolutisht bëhet fjalë për fshehje të qëllimshme dhe për një dëm të mundshëm ekonomik,” tha Alimehmeti.

Koncesioni i fshehur

Dokumentet e vënë në dispozicion nga bashkia, tregojnë se gjatë viteve 2018 – 2021, tregu i citylight-eve ishte më i larmishëm dhe përfshinte kompani si “Platea sh.a.”, “Iris sh.p.k.”, “La Strada”, “City Wings” dhe “Albartex”, të cilat zotëronin, kush më shumë e kush më pak, leje për hapësira të ndryshme në qytet. Edhe në këtë rast, kompanitë rezultojnë të kenë aksionerë të përbashkët dhe i afrohen më shumë një oligopoli me pak emra dominues.

Lejet e lëshuara në këtë periudhë – gjithsej 160, të ndara sipas viteve dhe kompanive, kishin afat maksimal njëvjeçar, ndërsa në disa raste ishin edhe më të shkurtra.

Por pas vitit 2021 panorama ndryshon rrënjësisht. Pikërisht në këtë moment, BNI shfaqet si përfituesi kryesor i një serie lejesh që, sipas ekspertëve, të marra së bashku funksionojnë si një koncesion i padeklaruar mbi hapësirën vizuale të Tiranës.

Kompania është themeluar në vitin 2014 nga Beqir Nuredini dhe në fillim të vitit 2021 kontrollohej plotësisht prej tij. Megjithatë, struktura aksionere ndryshoi disa herë dhe aktualisht kompania kontrollohet 50% nga Flamur Salija dhe 50% nga Aleksandër Naçi.

Pavarësisht ndryshimeve në pronësi, Beqir Nuredini vijon të ketë ndikim dhe interesa të lidhura me kompaninë, gjë që e pohoi edhe vetë në një bisedë telefonike me BIRN.

Nuredini, i cili më herët ka zotëruar kompani në fushën e reklamimit, e themeloi BNI-në fillimisht si shoqëri tregtare. Vetëm në mars 2021, pak kohë para marrjes së lejeve të para nga bashkia, kompania përfshiu në objektin e veprimtarisë në QKB edhe reklamimin me city lights dhe ekrane LED.

Më 6 prill 2021, Këshilli Bashkiak ndryshoi rregulloren e vitit 2018, e cila kufizonte afatin e lejeve për reklamimin në rrugë deri në një vit. Vendimi i ri autorizoi DPTTV-në të jepte leje 7-vjeçare për stenda afishimi ‘city lights’ dhe deri në 10-vjeçare për ekranet LED.

Një javë më vonë, BNI siguroi e vetme mbi 423 leje për city lights, me afat deri në mars 2022. Vetëm një muaj pas, BNI mori leje për instalimin e 31 ekraneve LED në kryeqytet për një afat 10-vjeçar. Ndërsa në fund të shkurtit dhe fillim të marsit 2023, BNI mori mbi 421 leje të tjera për vendosjen e city lights për një periudhë 7-vjeçare.

“Me qindra leje të dhëna deri në 2030–2031, hapësira fizike publike bëhet praktikisht e padisponueshme për operatorë të tjerë për një dekadë”, tha Eduart Gjokutaj, drejtues i qendrës kërkimore ekonomike ALTAX, duke e cilësuar këtë hap si bllokim të tregut.

Sipas tij praktika e ndjekur kishte eliminuar konkurrencën dhe kishte rritur rrezikun e abuzimit me çmime nga një operator dominues.

“Kjo krijon një barrierë absolute hyrjeje, duke eliminuar mundësinë e konkurrencës së re ose zgjerimit të operatorëve ekzistues”, shtoi ai.

Lejet pë BNI janë firmosur nga ish-drejtori i DPTTV-së, Arlin Naska, i cili këmbënguli se procesi ka qenë i hapur.

“Të gjithë subjektet mund të aplikonin”, tha ai. “Në lidhje me pyetjen e nxitimit, nuk e mbaj realisht mend sa ka qenë kjo kohë, po dikush tjetër do të thoshte të njëjtën gjë nëse do të merrte kohë më të gjatë”, tha Naska, duke iu referuar dhënies së qindra lejeve në një periudhë disa-ditore.

Edhe themeluesi i BNI, Beqir Nuredini mohoi se kishte krijuar monopol dhe këmbënguli se kompanitë e tjera mund të aplikonin lirisht.

“Nuk janë të ndaluar të aplikojnë të tjerët,” tha ai në një bisedë telefonike.

Nuredini argumentoi se arsyeja pse kompani të tjera nuk kërkonin leje ishte mungesa e tregut. “Jo se nuk ka fitim, por nuk ka treg,” u shpreh Nuredini, duke pretenduar se puna ishte e përqendruar kryesisht në verë dhe gjatë sezonit të festave.

Megjithatë, ndryshe nga sa pohon ai, rregullorja e Bashkisë Tiranë që menaxhon përdorimin e hapësirës publike vendos kufizime të qarta fizike, duke e bërë thuajse të pamundur marrjen e lejeve në zonat ku reklamat ekzistuese janë tashmë të instaluara.

Gjokutaj sugjeroi se në një situatë të tillë duhej ndërhyrja e Autoritetit të Konkurrencës, ndërsa shpjegoi se kishte vendime të ngjashme në Bashkimin Europian.

“Autoriteti i Konkurrencës ka kompetencë të plotë të hapë hetim dhe të rekomandojë anulimin ose rihapjen me gara të lejeve ekzistuese, si dhe të propozojë ndryshime në rregulloren e bashkisë për të futur ankande periodike”, tha ai.

Sipas tij, hapja e garës do të rriste të ardhurat publike dhe do të ulte rreziqet korruptive.

Klientelizëm politik

Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, Partia Socialiste përdori gjerësisht reklamat LED dhe city lights, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, për të shpërndarë mesazhet e saj elektorale dhe ato të kandidatëve për kryetar bashkie.

Por pasi dorëzoi raportin e saj për financat zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, PS deklaroi zero shpenzime për këtë formë komunikimi politik.

Ndryshe nga raporti financiar, auditi i pasqyrave financiare të Partisë Socialiste raportoi se një shumë prej 9.2 milionë lekësh – e paguar nga ky subjekt për kompaninë BNI, fillimisht e raportuar si shpenzim për reklama në rrjete sociale, përfshinte edhe shpenzime për reklama në natyrë.

Rigels Xhemollari, drejtues ekzekutiv i organizatës Qëndresa Qytetare, i tha BIRN se Partia Socialiste ‘ishte favorizuar’ gjatë fusharës zgjedhore të vitit 2023, për sa i takon ekspozimit në city lights dhe ekrane LED.

Edhe Mirela Ruko nga Lëvizja Bashkë shpreh dyshime se procesi ka qenë klientelist.

“Kjo mënyrë veprimi është pjesë e një sjelljeje të vazhdueshme të administratës së drejtuar nga Erion Veliaj – një sjellje që lidhet drejtpërdrejt me klientelizmin dhe me grupime të organizuara brenda bashkisë,” tha ajo.

Këshilltari tjetër i opozitës, Ilir Alimehmeti, tha se momenti kur u dhanë masivisht lejet nuk dukej aspak rastësor, por një përpjekje për të kontrolluar hapësirën vizuale të qytetit.

“Duke qenë se koha përkon saktësisht me fushatën elektorale vendore të vitit 2023, dyshimi i arsyeshëm është se kemi të bëjmë me një manovër elektorale për kontrollin e hapësirave vizuale,” theksoi ai.

Por Nuredini i mohoi lidhjet e shkurtra me partitë politike. Ai theksoi se hapësira u ishte vënë në dispozicion njësoj të gjitha palëve dhe se për të partitë politike ishin thjesht klientë.

“Për mua është biznes, unë në fund u marr lekët, nuk më intereson cila parti është”, përfundoi ai./ BIRN

Mos i braktisni Babë e Nanë!- Nga Florim Zeqa

 

(E nisa shkrim, doli varg poetik)

 

Po e kalojmë një vit kalendarik me tre palë zgjedhje pa asnjë rezultat pozitiv në përmirësimin e jetës së qytetarëve!

Po e kalojmë një vit të gjatë të abuzimit me votën e lirë!

Një vit mashtrim dhe zhgënjim!

Një vit bllokadë dhe stagnim!

Një vit sabotim në Parlament!

 

E gjitha kjo për karrigën e ëmbël të pushtetit qendror!

Për shkak se katër “atllarë” deshën të ngrihen në postin e kryeministrit!

Dikush tjetër me ëndrrën n’gji për postin e presidentit!

E derisa këta t’i realizojnë ëndërrat e sëmuara për pushtet, shtetin do e hajë dreqi!

 

Po hyjmë me zgjedhje edhe në vitin 2026, e me zgjedhje do të dalim prej tij!

 

Por, si do të dalim?

 

Do të dalim pa zhvillim ekonomik dhe pa mirëqenje qytetare!

Pa sigurime shëndetësore për shumë pleq e plaka të vetmuara!

Shteti as strehimore nuk ndërton për të vetmuarit e braktisur nga fëmijët e tyre!

Për pleqtë dhe plakat përkujdesën oligarkët ekonomik, i marrin dhe i strehojnë me kosto të lartë financiare!

Fëmijët dhe familjarët të kënaqur edhe për këtë!

 

Për të rinjt që tashmë kanë ikur në perëndim

 

Jetojnë si zogjët e qyqes të shpërndarë rrugëve të botës në perëndim!

Nuk e mendojnë se edhe ata një ditë do të plaken dhe treten në Dhe të huaj!

As eshtrat nuk do t’ua kthejnë në vendlindje!

A është çmim dhe shpërblim për ata që i braktisin Babë e Nanë!

 

 

P.S: Politikanët i duan paratë dhe voten e mërgimtarëve, por nuk duan që ata të kthehen në Kosovë!

Partitë politike pa dallim, mërgimtarët i shohin vetëm “mish për topa” për aspekte elektorale dhe asgjë më shumë!

Dëshmia e rrallë e infermierit të Kampit të Tepelenës: Më Internuan me që 14 vjeç! Të dënuarit jetonin vetëm me 400 gr bukë! Flinin në shkurre, mbuloheshin me dhe…

Hazis Ndreu, i lindur në qytetin e Peshkopisë, është një nga të mbijetuarit e Kampit të internimit të Tepelenës. Ai kaloi 43 vjet në internim, duke nisur në moshën 14-vjeçare me Kuçovën, pas arratisjes së të atit në Jugosllavi e, për të vazhduar me Beratin, Tepelenën e Bënçën, me Myzeqenë, Llakatundin, Lubonjën, Vlorën. Internimi i tij përfundoi më 1990, por ai kaloi vitet më të vështira në kampin e internimit të Tepelenës, për të cilin tregon torturat, persekutimet dhe vuajtjet e të internuarve përmes punës, ndëshkimeve, dënimeve, skamjes, mungesës së ushqimit, rrobave, ilaçeve dhe sëmundjeve si dizenteria, tifoja, tuberkulozi e bronkopneumoni. Për shkak të sëmundjeve dhe vdekjeve të shumta në kamp, komanda e caktoi Hazisin sanitar e, më pas infermier të kampit.

 

Z. Haziz, çfarë ndodhi me ju pas arratisjes së babait?

Dy xhaxhallarët e mi u vranë. Ata u pushkatuan nga partia, kurse nëna, motra dhe unë, u internuam në Kuçovë.

Sa vjeç ishit?

14 vjeç. Bashkë me nënën, na izoluan në qeli, në Peshkopi; pastaj na internuan në Kuçovë. Na strehuan në disa baraka, që i kishin bërë italianët për shfrytëzimin e puseve të naftës. Policët na bënin apel, dy herë në ditë. Ne fëmijët nuk dilnim në punë, të tjerët punonin në bujqësi. Mbillnin grurë e hanim bukë misri. Ja kështu jetonim, vetëm me 400 gramë bukë misri. S’kishim asgjë. Kur na internuan, kemi ikur me rrobat e trupit. Morëm vetëm një velenxë. Po të kishe ndonjë lek, mund të blije ndonjë gjë, sigurisht, me leje të komandës.

Sa kohë qëndruat në Kuçovë?

Kemi qëndruar 3 muaj, pastaj na strehuam në kalanë e Beratit, në dhoma pa dyer e dritare, të braktisura nga lufta. Disa i futën nëpër familje. Në një dhomë, dy-tri familje bashkë. Po të sëmureshe, duhet të merrje një dokument nga Dega e Punëve të Brendshme e të shkoje në spital. Kryefamiljarët ishin të detyruar të paraqiteshin në Degën e Punëve të Brendshme, një herë në javë.

Çdo të shtunë, policia bënte apelin. Në pranverë të vitit 1949, na transferuan në Tepelenë. Më lejoni t’ju tregoj një aksident. Pasi kishim lënë Beratin, një makinë del nga rruga e rrokulliset në rrëpirë. Autokolona ndalon. Zbresim për t’u shkuar në ndihmë. Ç’të shohim? Gra, burra, fëmijë, pleq, ishin shpërndarë nëpër shkurre e ferra, të mbuluar me dhe. Nga ky aksident, vdiq çifti Petrela.

Një nga fëmijët, 1 vjeç, kishte mbetur në shkurre. E mora, e ky është Seit Petrela, që jeton edhe sot e kësaj dite. Kur shkuam në Tepelenë, na strehuan në kazermat e italianëve. Ne ishim aq shumë, sa ato nuk na zunë të gjithëve. Disa flinin jashtë. Dritë elektrike nuk kishte. Një fener qëndronte te dera e kazermës. Këtë fener nuk duhet ta fiknim dhe as ta merrnim me vete. Kontrolli ishte aq i fortë, sa tre herë në ditë bëhej apel. Bukën e merrnim në Tepelenë, bukë misri. Asgjë tjetër.

Dyqane s’kishte. Fëmijët, nga 14 vjeç e lart, i mobilizuan për të punuar në rrugën Veliqot-Memaliaj. Nuk di nga t’ia filloj. E merrnin bukën dhe e zienin. Hidhi ujë e hidhi lakra, ja kështu, e shtonim ushqimin për të ngrënë. Pas 2-3 javësh vjen një autokolonë tjetër. Në Mirditë kishte ndodhur një atentat. Ishte vrarë Bardhok Biba dhe Sigurimi i Shtetit ç’kishte gjetur, i pruri të internuar në Tepelenë. Numri i kampit arriti në 3200 vetë.

Me se jetonit, çfarë bënit?

Vetëm me 400 gr. bukë. Nuk vonoi shumë dhe ra tifo e dizenteri njëherësh. Filloi vdekja në seri. Ambulancë dhe ilaçe nuk kishte. Vend i izoluar, pyll, epidemi. Ishte krijuar një skuadër vetëm për të hapur varre. Ajo shkonte për të hapur 2-3 varre e pastaj lajmëroheshin që të hapnin edhe një tjetër, edhe një tjetër…! Kishte raste, 5-6 varre në ditë.

Sa arriti numri i të vdekurve?

E kujt i shkonte mendja t’i numëronte e t’i regjistronte. Të gjithë ishim pa shpresë. As që bëhej fjalë se do shpëtonim e do jetonim më nga ajo skëterrë. Një ditë vjen doktor Hazika nga qyteti. Sapo sheh situatën, vë duart në kokë e thotë: – “Ç’të bëj unë këtu? Këtu ka rënë kolera”! Shkon në komandë e u thotë: – “I nisni për në Gjirokastër, këtu nuk mund të kurohen. As tifo s’kurohet në kamp, as dizenteria”. Pas alarmit që dha doktor Hazika, disa i çuan në Gjirokastër, por më kot. Disa vdiqën rrugës e, disa në spital.

Po ju tregoj një episod. Një mirditore kishte 2 fëmijë të vegjël binjakë. Po merrej me njërin, që ishte shumë sëmurë. Ndërkohë që merrej me të, sa kthen kokën, sheh që tjetri kishte vdekur. Fillon të qajë me kujë, siç dinë të qajnë mirditoret. Një kujë drithëruese, që të këpuste shpirtin. Pastaj nuk qau më. Kur ç’të shoh! Edhe fëmija tjetër po jepte shpirt. Hesht dhe fillon të shkulë flokët. Njerëzit grumbullohen rreth saj. Përpiqen ta qetësojnë. Ajo nga të qarët, fillon të qeshë…! U çmend!

Ku jetonit?

Në kazerma. Një kazermë merrte 400 deri në 500 vetë, sipas nevojës. Sapo u sistemuam në kazerma, filloi një organizim i ri. Çdo kazermë kishte 3 kompani. Çdo kompani kishte një përgjegjës, e çdo kazermë kishte edhe një përgjegjës tjetër, nga të internuarit. Zgjimi dhe apeli bëhej në orën 5 të mëngjesit. Dimër – verë.

Kush jua bënte apelin?

Apelin e bënte komanda, policë me uniformë, të armatosur. Ne ishim të detyruar të dilnim nga dera se do numëroheshim një për një. Polici thërriste emrin e ne dilnim me radhë. Nëse do vonoheshe, të çonin në qeli. Pasi dilnim jashtë, futeshim prapë brenda. Punëtorët merrnin supën dhe rreshtoheshin para komandës.

Të shoqëruar me policë, ata i ngjiteshin malit të Turhanit për të bërë dru. Një pjesë prisnin dru. Pjesa tjetër i ngarkonte në kurriz. Kush kishte një litar, ishte i fituar. Disa i ngarkonin mbi shpinë me tela. Nga mali i zbrisnin poshtë në një shesh. Çdo njeri duhet të bënte gjysmë metri kub.

Po ju punonit?

Punoja që ç’ke me të, edhe pse isha 14 vjeç! Në darkë ngarkonim dru për t’i çuar në qytet, në degën e Punëve të Brendshme. Bënim një orë rrugë. Ngarkesa kontrollohej nga polici. Ai të caktonte sa do ngarkoje. Gjatë rrugës bënte vaki që dikush rrëzohej. Policët vinin menjëherë dhe e gjuanin me këpucë. Në atë kohë, këpucët e policëve kishin pafka hekuri në majë.

Nëse ndonjë ishte i sëmurë, ata që ishin më të shëndoshë, i shkonin mbrapa dhe ja lehtësonin ngarkesën. Më shumë dënoheshim ne të rinjtë, se ne nuk i mbanim dot drutë. Gjatë kohës së punës, as hanim e as pinim. Zbathur, zhveshur. Në darkë vonë, ktheheshim në kamp.

Po nëna juaj, me se merrej?

Edhe nëna ime, si shumë nëna të tjera, vdiq nga tuberkulozi. Sot, nuk ka as varr.

A nuk kishte mjekë dhe ilaçe?

Mjekë kishte, por nuk kishte ilaçe. Një i sëmurë me tuberkuloz do ushqim dhe higjienë. Ne s’kishim, as njërën e as tjetrën. Nuk kishim as rroba me çka të mbuloheshim. Nuk kishim as rroba për të veshur e as bukë për të ngrënë. Nënën time e çuam në Gjirokastër e aty vdiq.

Po trupin kush e mori?

Po të vdisje në Gjirokastër, trupin e merrte komanda e Gjirokastrës. Kur vdisnin në kamp, i çonim në kazermën nr. 6, që ishte bosh, i vajtonim atë natë e pastaj i varrosnim. Varret e Kampit të Tepelenës janë hapur dhe mbyllur tre herë. Në fillim, varreza ishte afër kampit, pastaj tek ura, e më në fund pranë lumit. Traktorët që hapnin toka të reja, i zhdukën të gjitha varret.

Ne s’kishim të drejtë të kërkonim informacion apo të lëviznim për të parë varret e njerëzve tanë, sepse ishim të rrethuar me tela me gjemba. Meqë kishte shumë të sëmurë e shumë vdekje, komanda caktoi nga një sanitar për çdo kapanon. Një nga këta sanitarë, isha edhe unë. Duke parë, duke studiuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, me ndihmën e mjekut të kampit, u bëra infermier. Memorie.al

PD-ja midis shizmës dhe gerontokracisë- Nga Gëzim Tushi

Ka pak kohë që në skakirën politike të PD-së, kanë filluar të evidentohen, mbase në mënyrë të turbullt dhe jo fort të kristalizuara, shfaqje të turbulencave me natyra të ndryshme, që lidhen me statusin qenësisht dhe ekzistencialisht të lëkundur të autoritetit publik dhe peshës elektorale të politikave të saj. Ka pafund testime profesionale, sociologjike dhe empirike, që flasin qartë për këtë status të PD-së, që me gjithë përpjekjet dhe stratagjemat për të mbuluar realitetin, duken qartë dhe sintetizohen në testimet e herë pas hershme paraelektorale (edhe pse zgjedhjet politike janë akoma larg), me dështimet gati të determinuara, deri tani pa rrugëdalje në përballjet e saj me pozitën, pushtetin afatgjatë të socialistëve, me sfidën dhe mundësinë e deklaruara publikisht se me këtë performancë të opozitës aktuale, ata mund të qëndrojnë gjatë në pushtet.

Një realitet politik, elektoral e social, i cili u afirmua bujshëm edhe në zgjedhjet e 9 majit të vitit 2025. Të gjitha këto realitete, të shoqëruara me ndjesi emocionale dhe analiza të gjendjes politike të opozitës, e kanë vënë PD-në në dilemën e pasigurive për të sotmen dhe të ardhmen, bashkë me problemet ekzistenciale të luhatjeve të autoritetit të lidershipit të saj aktual. Në këto kushte, me sa duket opozita është ekzistencialisht përballë me dy dilema imediate.

E para ka të bëjë me disa lëvizje partikulariste e anticentriste të disa figurave të saj, të cilat pavarësisht argumenteve të sforcuara, duken si shenja të mundësisë për një “shizmë” të re brenda lidershipit dhe trupës politike të PDsë. Qëndrimet kontestuese, herë timide e herë të alambikuara me sintagma qesharake si “takime miqësore”, “seanca kafeje” e bisedime shokësh, nuk janë të mjaftueshme për të krijuar përshtypjen e jashtme dhe për të mbajtur në nivel formal unitetin e lidershipit aktual të PD-së. Nuk është e pamundur nëse rezistenca e status kuosë aktuale do vazhdojë të sfidojë nga jashtë, pa llogaritur lëvizjen e forcave brenda lidershipit të saj, atëherë kjo është një miopi e diagnostikimit të gabuar politik, që bën sikur nuk e shikon një lëvizje latante sot, por me efekte “materiale” nesër, kur grupi oponentëve të forcohet dhe të shkëputet nga “trupi” dikur i madh i PD-së.

Sepse nëse ndodh një shizmë, ajo doemos që do të sjellë ndarjen, veçimin, përçarjen dhe rrjedhimisht, shkëputjen e një pjese të trupit të saj. Megjithatë, akoma situata nuk është në pragun e ndarjes apo e “shizmës fatale”, sepse akoma nuk është konturuar ajo pjesë e lidershipit të kësaj partie, që të ketë kurajën të dalë hapur, të dëshmojë “temat e mosmarrëveshjeve” dhe t’i thotë lidershipit aktual “mjaft më”. Me gjithë teatralitetet e brendshme, shpeshherë foshnjarake dhe inatçore, ky rrezik nuk është i afërt. Por po bëhen përditë më të qarta arsyet e brendshme dhe argumentet e jashtme, që mund ta shtyjë PD-në drejt një zgjidhje “shizmatike”, nëse vazhdon kjo gjendje stanjative dhe nuk do ketë ndryshime, reflektime në statusin e ngurtë statutori dhe lidershpin tradicional, të ngushtë e të kalcifikuar nga koha e gjatë e zotërimin nominal të pushtetit në këtë parti.

Nuk ka dyshim që brenda radhëve të saj, ka shumë individë që përtej ambicies politike personale dhe synimeve të personalizuara për karrierë politike, mendojnë se situata është e tillë që ose shizma, copëtimi i trupës politike ose rinovimi sa më shpejtë i lidershipit të saj, janë rrugët, terapitë e shërimit të sëmundjeve evidente të PD-së.

Situata aktuale dhe lëvizjet e sforcuara politike e populiste, po tregojnë qartë uljen e peshës elektorale dhe pushtetit dhe autoritetit të lidershipit aktual, të cilët për fat të keq, këmbëngulin me “logjikë struci” duke mbyllur sytë përballë realiteteve të dukshme dhe “abstragimit” nga disa realitete të disfavorshme që vijnë nga jashtë. Kjo po e zbeh raportin e militantëve të vjetër dhe të rinj me këtë parti. PD-ja po përjeton dhe zgjeron shfaqjen e një lloj “eremitizmi politik” të lidershipit, që gjithnjë e më shumë është i vetmuar dhe duke ligjëruar nga selia e tyre në situata në një gjendje evidente të “eremitizmit politik”.

Të duket e pabesueshme, se si është e mundur që lideri historik i kësaj partie me histori të gjatë dhe përvojë politike intensive, të mos kuptojë apo akoma më keq të bëjë sikur nuk e kupton këtë situatë ku ndodhet partia dhe pozita personale bashkë me përgjegjësitë politike të tij lidhur me këtë situatë. Janë bërë disa testime për të parë nivelin e angazhimit dhe atraksionin politik të saj në raport me qytetarët.

Treguesit, pavarësisht alambikimeve dhe interpretimeve të sforcuara që ata i bëjnë argumentimit të realitetit pesimist të “hollimit” të “trupës” politike dhe elektorale janë evident. Lidhja e dikurshme elektorale, gjatë dhe konsistente duket se po brehet nga dilemat, skepticizmi dhe “pse”-të e shumta, që kërkojnë shpjegim për këtë situatë, të shkaqeve pse është në rënie autoriteti PD-së dhe lidershipit të saj aktual. Lidhja e verbër apo ideja gati fetare e utopike, se lidhja me militantët dhe simpatizantët do të ishte lidhje e fortë apo gati e “përjetshme”, duket se ka marrë fund. Betimet e dikurshme elektorale apriori, besnikëritë e ushqyera dhe mbajtur gjallë me “karburantin antikomunist”, nuk funksionojnë më. Me sa duket tani kanë “heshtur” dhe nuk funksionojnë më këta “motorë” të këtij lloj indoktrinimi, që pati dhe solli produktin e vet tri dekada më parë.

Por PD-ja është përballë edhe me një rrezik të dytë, përsëri të brendshëm. Gjithnjë e më shumë duket qartë kohët e fundit, edhe pse në “surdinë”, që po bëhet kritike situata e udhëheqësisë e shoqëruar me një prirje shumë të gjatë gerontakratike të lidershipit të vjetër të PD-së. Me sa duket, akoma kjo parti nuk e ka kuptuar se është tejkaluar koha e idolatrizimit të pushtetit të pakufizuar individual. Ky është një problem madhor dhe në PD është koha kur duhet folur për atë gjendje, për të cilën nuk duhet heshtur më. Një situatë që lidhet me nevojën e ndryshimit të liderit të saj historik dhe krijimin e një situate të re për një frymëmarrje të re moshore. Jo aq në kuptimin e kufijve moshorë, se sa në aspektin e sjelljes së mentalitetit të ri politik, që të jetë koherent me kohën dhe përballues i sfidave dhe problemeve të brendshme të PD-së.

Sado që disa nga besnikët e lidershipit aktual, i nënvleftësojnë apo bëjnë sikur nuk i shikojnë këto dy probleme substnciale, apo duke dashur t’i hedhin “hi syve” opinionit publik, duke i mbuluar me “pelerinën” e unitetit brenda radhëve të saj, lëvizja për të kapërcyer këto ngërçe ka filluar dhe solidariteti i dikurshëm mekanik, tani është përballë një lëvizjeje të “kriticizmit” të brendshëm dhe të jashtëm individual, politik dhe social. Është një situate kontestimi, akoma me konture të paqarta dhe synime të papërcaktuara, midis ekzistencës së padyshimtë të solidaritetit të atyre që duan të ruajnë staus quonë politike, skaierën aktuale të lidershipi dhe shfaqjeve të veprimeve të pastrukturuara qartë, eksentrike e sporadike, të shfaqura në formën e kriticizmit individual.

Grupi i parë është nën efektet “narkotizuese” dhe qëndrimeve idolatrizuese të nevojës për “figurën garantuese” njeriut, i cili në këtë parti ka krijuar idenë iluzive e militanteske, se vetëm ai është i aftë që edhe në të ardhmen të bëjë “mrekulli politike”. Të tjerët edhe pse akoma nuk janë artikuluar publikisht kundër situatës gerontokratike në PD, duket se e kanë këtë objektiv rinovues të lidershipit, të nisur nga sintagma merkeljane se “në betejat e reja të ardhshme nuk mund të futesh me “kuaj të vjetër” politikë. Sado të përpiqen për të dëshmuar unitete të sforcuara, duket se PD-ja është në situatën e rreziqeve dhe përballë “dy të vërtetave” që duhen njohur dhe vlerësuar. Njëra është linja gerontokratike, tjetra ajo e rinovimit të lidershipit aktual. Por jo me veprime arriviste e karrieriste kuturu, por duke zgjedhur në krye një “njeri politik”, të ditur, ambicioz e karizmatik dhe jo një anonim të “shquar” dhe me karizmë të kufizuar.

Në PD kjo situatë absurde duhet të marrë fund sa më shpejt. Sepse kjo gjendje paradoksale mund të bëhet acaruese, me efekte kolaterale politike. Duhet vepruar pa vonesë nëse nuk duan që degradimi, shizma dhe disfatat të bëhen gjendje permanente për këtë parti, duke e kthyer atë në një arenë konfliktualiteti midis “besnikëve radikalë” dhe të “moderuarve relativë”, që synojnë të rivendosin një politikë që të jetë më simetrike me besimin politik dhe interesat e qytetarit. Kjo do të thotë se autoriteti gerontokratik, duhet të pasohet nga njerëz, autoriteti i të cilëve duhet të jetë i sinkronizuar midis ndërthurjes së dinjitetit personal me forcën politike.

Aforizmi i ditës- 4 dhjetor 2025

The modern work of art, as I have said, is a symbol.

Herbert Read

Vepra moderne e artit, siç e kam thënë, është një simbol.

Herbert Read

Tenderat korruptiv/ Del pas 3 orësh në SPAK, drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj

 

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për dyshime mbi abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.

Pas më shumë se tre orësh qëndrimi në ambientet e SPAK, Karçanaj doli pa dhënë asnjë koment për mediat, duke shmangur pyetjet e gazetarëve.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka hapur një hetim për abuzimet me 12 tendera në AKSHI, procedura për të cilat është pyetur Karçanaj.

Nga hetimet rezulton se kriteret e tenderave janë paracaktuar nga kompanitë që garonin dhe në këtë mënyrë, ata arrinin të fitonin edhe milionat.

Për momentin, klienti kryesor i AKSHI-t është biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili njihet si “gllabëruesi” i parave publike përmes tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Më herët, edhe ai është marrë në pyetje nga SPAK.

Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë thirrur dhe marrë në pyetjeve 25 zyrtarë të AKSHI-t, që janë kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.

AKSHI është një institucion i vënë në qendër të akuzave dhe madje një prej ish-zyrtarëve të saj, Daniel Shima, u zhduk në mënyrë të dyshimtë për 10 orë me radhë ku mendohet të jetë mbajtur peng nga një grup kriminal në Elbasan.

ÇËSHTJA MOGHERINI DHE LAJMI I KEQKUPTUAR PËR LIRINË E SAJ… Nga ILIR ÇUMANI

Rasti që përfshin ish-Shefen e Diplomacisë së BE-së, Federica Mogherinin, në një hetim të Zyrës Evropiane të Prokurorëve, lidhur me tenderin për programin e trajnimit diplomatik (ku dyshohet për manipulim në procedurat e prokurimit), ka nxjerrë në pah një fenomen më të thellë sesa thjesht një interpretim i gabuar lajmi: mënyrën se si opinioni publik shqiptar e percepton drejtësinë ndërkombëtare përmes filtrit të një ekosistemi mediatik që shpesh prodhon tituj tronditës, por jo analiza shpjeguese.

Procedurat penale në Bashkimin Evropian funksionojnë me standarde të qarta dhe me ndarje të ngurta juridike, por sapo këto standarde përcillen në debatin publik shqiptar, ato transformohen (sipas interesave konjukturale politike) në një narrativë të thjeshtuar bardh e zi, e shkëputur nga realiteti procedural.

Rasti Mogherini bëri të dukshme se sa dëmton pikërisht kjo distancë mes asaj që ndodh realisht në proces dhe mënyrës emocionale se si interpretohet lajmi.

Vendimi për t’i lejuar asaj ndjekjen e procesit në gjendje të lirë nuk mund të ngatërrohet me rrëzimin e akuzave. Në doktrinën e drejtësisë evropiane, masa e sigurisë është thjesht një instrument procedural për të garantuar mbarëvajtjen e hetimit dhe jo një vlerësim mbi përgjegjësinë penale. Ky parim përsëritet shpesh në jurisprudencën e vendeve të BE-së.

Për shembull, në vitin 2021, ish-ministri italian Luca Palamara u hetua për ndikim të paligjshëm në sistemin e drejtësisë, por u la i lirë gjatë të gjithë procesit, pasi gjykata gjykoi se ai nuk paraqiste rrezik arratisjeje apo ndërhyrjeje në prova.

Po ashtu, në Francë, ish-kryeministri François Fillon ndoqi procesin në gjendje të lirë deri në vendimin e parë, mbi të njëjtat baza procedurale: mungesën e rrezikut dhe garancinë për paraqitje në gjykim.

Edhe në çështjen Mogherini, “lirimi” është një masë thjesht teknike, jo një deklarim pafajësie. Megjithëse literatura juridike e sqaron këtë dallim (siç e theksojnë studiues si Mirjan Damaška apo Kai Ambos në analizat e tyre mbi procedurat akuzuese dhe garantuese në Evropë), sapo lajmi hyn në qarkullim në mediat shqiptare, dallimi humbet.

Lajmet dhe rrjetet sociale e reduktojnë procesin në një skenar dramatik, duke i atribuar masës së lirimit atë që juridikisht nuk ka: një vlerësim mbi akuzën.

Kështu, publiku përballet me një keqkuptim të dyfishtë: së pari, krijohet ideja se një figurë publike “i shpëtoi” drejtësisë; së dyti, krijohet përshtypja e një vendimi përfundimtar, kur në fakt kemi vetëm një fazë të ndërmjetme të procesit penal.

Në sistemin e së drejtës evropiane, akuzat mbeten në fuqi derisa të shqyrtohen nga gjykata, ndërsa prokuroria vijon punën mbi provat, dokumentet dhe deklarimet.

Asnjë vendim i përkohshëm mbi masën e sigurisë nuk prek vlerësimin e provave. Ky është një fakt që rrallë artikulohet në debatin publik shqiptar.

Raste të tjera në BE e ilustrojnë po aq qartë këtë dinamikë. Ish-ministrja austriake Ursula Rauch u hetua për korrupsion, por gjykata e Vjenës e la të lirë gjatë procesit për të njëjtat arsye si rasti Mogherini: mungesë të rrezikut për arratisje dhe garanci se nuk do të cënonte provat.

Në Gjermani, ish-eurodeputeti Georg Mayer ndoqi po ashtu procesin hetimor pa masa shtrënguese, edhe pse dyshimet e arsyeshme dhe akuzat ndaj tij ishin të konsiderueshme.

Standardi mbetet i pandryshuar: masa e lirimit është një vlerësim teknik mbi sigurinë e procesit, jo mbi moralitetin apo përgjegjësinë penale.

Deformimi ndodh kur nga këto detaje hiqet konteksti juridik dhe zëvendësohet me një narracion emocional, gjë që krijon terren për dyshime të panevojshme ndaj institucioneve evropiane dhe e shndërron debatin mediatik në një garë sensacionalizmi, ku qytetari humb orientimin e duhur.

Për një vend që aspiron integrimin në BE, moskuptimi i parimeve procedurale të vetë Bashkimit Evropian nuk është thjesht problem informimi, por edhe problem kulturor.

Derisa gjykata të japë vendimin përfundimtar, statusi i Mogherinit mbetet ai i një personi që përballet me akuza të vlefshme dhe me një proces të hapur.

Çdo interpretim tjetër, qoftë i pafajësisë së supozuar, qoftë i fajësisë së paracaktuar, është i papërgjegjshëm dhe cenon parimin bazë të drejtësisë: peshën që i takon vetëm provave dhe gjykatës.

Rasti i saj duhet të shërbejë si një pikë reflektimi se si lajmi mund të kalojë nga sensacioni drejt një informacioni më të matur, të verifikuar dhe të përputhur me standardet e vendit ku synojmë të bëhemi pjesë.

Tiranë, e mërkurë, 3 dhjetor, 2025

Oligarku në arrati, kriptovaluta dhe një skemë për shmangien e sanksioneve me bekimin e Kremlinit

Mike Eckel, Ernist Nurmatov

Çfarë lidhje kanë një manjat moldav në arrati dhe një kriptovalutë me bazë në Kirgizi me përpjekjet e Rusisë për t’i shmangur sanksionet perëndimore të kohës së luftës dhe për ta ndërtuar një sistem financiar krejtësisht të ri, të ndarë nga Perëndimi?

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ofroi një tregues në fillim të shtatorit, kur mori pjesë në një ceremoni virtuale për përurimin e një dege të re të një kompanie shërbimesh financiare në qytetin port të Paqësorit, Vladivostok.

Ky nuk është lloji i ngjarjes ku merr pjesë zakonisht Putini. Anije luftarake të sapo lëshuara? Po. Ceremoni për ndarjen e medaljeve në Kremlin? Po. Hapje degësh? Jo edhe aq shpesh.

Por, kompania, A7 LLC, nuk është firmë e zakonshme e shërbimeve financiare.

Kjo është një shumë fenomenale parash. Është e jashtëzakonshme për një organizatë që nuk ekzistonte një vit më parë.

Eprorët kryesorë të saj përfshijnë Ilan Shor, një oligark në arrati i përfshirë në atë që është quajtur “vjedhja e shekullit”: një skandal që përfshinte më shumë se 1 miliard dollarë të vjedhur nga Moldavia, një nga vendet më të varfra në Evropë.

Bashkëdrejtuesi i tij ekzekutiv është kreu i bankës së tetë më të madhe të Rusisë, e cila është e lidhur ngushtë me kompleksin ushtarako-industriale rus – dhe për rastësi është i biri i një ish-kryeministri rus dhe ish-drejtori të shërbimeve të inteligjencës.

Në fjalime të shkurtra drejtuar Putinit përmes videove, të dy u krenuan për shumën e parave që kompania e tyre kishte përpunuar në 11 muajt që nga themelimi i A7: më shumë se 7 trilion rubla (12.4 miliardë dollarë).

Nëse është e vërtetë, kjo është një shifër shumë e madhe: sa 12 për qind e tregtisë së jashtme të të gjitha bizneseve ruse së bashku, sipas një llogaritjeje.

Dhe, pastaj është kriptovaluta që A7 e lansoi në janar.

E quajtur A7A5, kjo monedhë digjitale kishte regjistruar 41.2 miliardë dollarë të transferuara në përgjithësi deri në korrik; deri në gusht, shifra ishte rritur në 51.2 miliardë dollarë. Deri në nëntor, A7A5 – e cila është monedha e parë e qëndrueshme në botë e lidhur me rublën – kishte raportuar rreth 79 miliardë dollarë volum që nga lansimi, sipas Chainanalysis, një kompani me bazë në Nju Jork që ka kryer kërkime të thella mbi A7.

“Kjo është një shumë fenomenale parash. Është e jashtëzakonshme, për një organizatë që nuk ekzistonte një vit më parë”, tha Elise Thomas, hulumtuese australiane dhe autore e disa raporteve të Qendrës për Qëndrueshmëri të Informacionit, një OJF me bazë në Londër që fokusohet në shkeljet e të drejtave dhe krimet e luftës.

Në 3 minuta

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t’jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

“Kjo është e çmendur. Shkalla e saj është vërtet e rëndësishme”.

“Përfshirja personale e Putinit në hapjen e zyrës së tyre në Vladivostok më tronditi edhe mua, që ai ishte në njëfarë mënyre i gatshëm ta shfaqte fytyrën e tij në lidhje me lansimin e A7”, tha ajo në një intervistë.

E shtrirë nga Moldavia te rrokaqiejt vezullues të Federation Toëer në Moskë e deri në Kirgizi, udhëheqësit e së cilës duan që ky vend i vogël i Azisë Qendrore të bëhet meka e inovacionit në kripto, A7A5 – sipas zyrtarëve perëndimorë dhe moldavë – është thelbësor për përpjekjet e Kremlinit për ta zbutur efektin e sanksioneve perëndimore të vendosura qëkurse Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

“Tokeni A7A5… është një mjet unik për shmangien e sanksioneve”, tha Andrew Fierman, shefi i inteligjencës së sigurisë kombëtare në Chainanalysis.

Çfarë ishte “Vjedhja e Shekullit” në Moldavi?

Në fillim të viteve 2010, një seri transaksionesh misterioze nga tri banka moldave drejt kompanive offshore i zunë në befasi rregullatorët, duke nxitur ndërhyrjen emergjente të bankës qendrore të vendit. Në total, më shumë se 1 miliard dollarë u zhdukën – rreth një e teta e PBB-së së vendit. Gjykatat moldave e shpallën Ilan Shorin në vitin 2017 si trurin pas kësaj vjedhjeje. Ai u arratis në Izrael, ku prej kohësh kishte shtetësi, dhe më pas u shpërngul në Moskë.

Dhe, nuk bëhet fjalë vetëm për shmangien e sanksioneve. Qëllimi më i gjerë i Kremlinit, thonë ekspertët, është të ndërtojë një sistem financiar paralel, jashtë rrjeteve ekzistuese ku dominojnë bankat perëndimore dhe dollari amerikan.

“Është çështje serioze për shkak të asaj se kush është Ilan Shor, dhe faktit që kjo është dizajnuar… për të funksionuar jashtë ndikimit dhe kontrollit të sistemeve tradicionale financiare të emëruara në dollarë amerikanë”, tha Carole House, e cila ka shërbyer si këshilltare për politikën e sigurisë kibernetike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

“Është e çuditshme të shohësh një mbështetjeje të tillë që vjen drejtpërdrejt nga qeveria, por edhe jo befasuese duke pasur parasysh synimet e tyre, pra të zbusin ndikimin e sanksioneve”, tha ajo.

Këto përpjekje nuk kanë kaluar krejtësisht pa u vënë re në Perëndim.

Është një çështje serioze për shkak të asaj se kush është Ilan Shor, dhe faktit që kjo është dizajnuar për të funksionuar jashtë sistemeve tradicionale financiare.

Më 23 tetor, Bashkimi Evropian njoftoi sanksione ndaj A7A5, A7 dhe kompanive të lidhura me to, duke e quajtur kriptovalutën “mjet të rëndësishëm për financimin e aktiviteteve që mbështesin luftën agresive të Rusisë”.

As A7 dhe as A7A5 nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për koment. Shor nuk iu përgjigj kërkesës për intervistë.

Një Mekë në Azinë Qendrore për kriptovaluta

Prej të paktën vitit 2021, Qeveria në Bishkek ka tentuar ta shndërrojë Kirgizinë në një qendër të kriptovalutave, duke kërkuar të tërheqë investitorë, kripto dhe këmbimore. Që nga viti 2025, ajo raportoi të paktën 13 këmbimore kriptovalutash të regjistruara dhe ka vënë themelin për një kriptomonedhë kombëtare të quajtur USDKG.

Dokumentet e regjistrit të korporatave, të siguruara nga REL-i nga Ministria e Drejtësisë së Kirgizisë, tregojnë se lëshuesi i A7A5 është një kompani kirgize e quajtur Old Vector, e regjistruar për herë të parë në dhjetor 2024. Dokumentet tregojnë gjithashtu se kompania që ia siguron monedhën Old Vector-it është A7-Kyrgyzstan LLC.

Midis janarit dhe korrikut, selia e regjistruar e Old Vector ishte një shtëpi e vogël dhe e rrënuar, e rrethuar nga ndërtesa më të reja e më moderne dhe shtëpi familjare.

Në korrik, kur gazetarët e REL-it e vizituan shtëpinë – e cila ndodhet prapa një rruge me zhavorr, e fshehur pas një gardhi metalik ngjyrë të kaltër e ndryshkur dhe blloqesh betoni – dy djem të vegjël që hapën derën thanë se nuk ishin në dijeni për ndonjë kompani të regjistruar në adresën e tyre. Një fqinj ngjitur tha se në atë adresë nuk ekzistonte asnjë kompani me atë emër.

Një fotografi e një reklame në internet për A7A5, monedha e parë e qëndrueshme në botë e mbështetur nga rubla.

Një fotografi e një reklame në internet për A7A5, monedha e parë e qëndrueshme në botë e mbështetur nga rubla.

Rreth një muaj më vonë, selia e firmës e Old Vector u zhvendos në një adresë tjetër në periferi të Bishkekut, në një ndërtesë shumëkatëshe të quajtur South Park, e përbërë kryesisht nga banesa.

Vetë A7 ka regjistruar një numër kompanish të ndërlidhura në Bishkek, sipas dokumenteve të Ministrisë së Drejtësisë të siguruara nga REL-i.

A7-Kyrgyzstan, e cila u regjistrua më 17 janar, ndodhet në katet e sipërme të një kompleksi që dikur ishte një qendër tregtare e madhe. Gazetarët e REL-it tentuan të hynin në katin ku raportohej se ndodheshin zyrat, por rojet e sigurisë nuk i lejuan.

Deri në korrik, adresa e Old Vector, emetuesit kirgiz të kriptomonedhës A7A5, ishte e regjistruar në një shtëpi të rrënuar në një lagje të qetë të Bishkekut.

Deri në korrik, adresa e Old Vector, emetuesit kirgiz të kriptomonedhës A7A5, ishte e regjistruar në një shtëpi të rrënuar në një lagje të qetë të Bishkekut.

Një tjetër entitet i lidhur me Shorin, i quajtur Evrazia, ka regjistruar gjithashtu marka tregtare për disa kompani me emra të ngjashëm në Bishkek. E themeluar në Moskë si një organizatë jo fitimprurëse, Evrazia është implikuar në një sërë aktivitetesh të synuara për destabilizimin e zgjedhjeve në Moldavi. Bashkimi Evropian i vendosi sanksione Evrazias në tetor 2024.

Megjithëse u lansua në janar, A7A5 nuk filloi të tregtohej publikisht deri në shkurt, kur u shfaq në një këmbimore kriptomonedhash në Moskë të quajtur Garantex.

Garantex kishte tërhequr vëmendjen e organeve perëndimore të drejtësisë prej vitesh, të cilat pretendonin se ajo shërbente si kanal për fonde të përdorura në pastrim parash, ransomware, hakime kompjuterike dhe shkelje të sanksioneve.

Këmbimorja ishte e popullarizuar sepse, ndër të tjera, ofronte një mënyrë të lehtë për të shkëmbyer kriptovaluta me monedha më të qëndrueshme më të njohura si USDT, e cila është e lidhur me dollarin, duke e bërë më të lehtë tërheqjen e tyre në valuta më pak të paqëndrueshme.

Në vitin 2022, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione financiare ndaj Garantex. Por, vetëm pas tri vjetëve këmbimorja i mbylli shërbimet, pasi dy nga operatorët kryesorë të Garantex-it u akuzuan nga një juri e madhe federale për pastrim parash. Autoritetet amerikane sekuestruan disa faqe interneti të Garantex-it.

Agjencitë gjermane dhe finlandeze konfiskuan serverët që pritnin operacionet e këmbimores. Më shumë se 26 milionë dollarë në kriptovaluta, të cilat zyrtarët thanë se ishin përdorur për pastrim parash, u sekuestruan gjithashtu nga shërbimi sekret i SHBA-së.

Një fotografi e ekranit të faqes së internetit të Garantex që u sekuestrua nga shërbimi sekret i SHBA-së në mars

Një fotografi e ekranit të faqes së internetit të Garantex që u sekuestrua nga shërbimi sekret i SHBA-së në mars

Në javët menjëherë para dhe pas sekuestrimit të marsit 2025, analistët thanë se miliarda monedha A7A5 u zhvendosën nga Garantex në një këmbimore të re të quajtur Grinex, e regjistruar për herë të parë në Kirgizi në dhjetor të vitit të kaluar. Shumica dërrmuese e transaksioneve të A7A5 tani kryhen në Grinex dhe në një këmbimore më të vogël të quajtur Meer.kg.

Lidhja midis Grinex dhe A7 nuk është e qartë. Një burrë kirgiz, i përmendur në dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë si themelues i Grinex, refuzoi të komentojë për REL nëse kompania e tij ka lidhje me këmbimoren kripto me të njëjtin emër.

Hetuesit financiarë amerikanë, megjithatë, thonë se Grinex u krijua pikërisht për të ndihmuar tregtarët, të cilëve u janë ngrirë fondet kur Garantex u mbyll, që të rikuperonin paratë e tyre duke përdorur A7A5.

Dueli në Kishinjev

Moldavia ka qenë për vite me radhë në qendër të beteje mes Evropës dhe Rusisë.

Fitorja e Maia Sandu zgjedhjet e vitit 2020, një ekonomiste e trajnuar në Perëndim që ka punuar në Bankën Botërore, i dha përparësinë Perëndimit. Shor dëshiron t’ia kthejë përparësinë Rusisë.

Në vitin 2014, Moldavia u trondit nga një mashtrim masiv bankar që rezultoi në nxjerrjen jashtë vendit të më shumë se 1 miliard dollarëve – gati një e teta e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Autoritetet akuzuan Shorin si arkitektin pas “vjedhjes së shekullit” dhe ai u largua nga vendi në vitin 2019, duke kaluar kohën mes Izraelit dhe më pas Moskës.

Ai u dënua në mungesë me 15 vjet burgim në vitin 2023 nga një gjykatë në Kishinjev; partia e tij politike që mban emrin e tij është ndaluar.

Gjatë të paktën tri fushatave zgjedhore, zyrtarët moldavë dhe perëndimorë thonë se Shor ka tentuar vazhdimisht të blejë vota, të përhapë dezinformata dhe madje të rekrutojë dhe trajnojë të rinj moldavë për të nxitur trazira dhe provokuar policinë. Mes skemave që zyrtarët thonë se kanë zbuluar ishin transferime parash për moldavë duke përdorur karta bankare të lëshuara nga Promsvyazbank, banka shtetërore ruse me të cilën Shor ka pasur bashkëpunim.

Shor ka punuar me “individë rusë për të krijuar një aleancë politike për të kontrolluar Parlamentin e Moldavisë, i cili më pas do të mbështeste disa ligje në interes të Federatës Ruse”, tha Departamenti amerikan i Thesarit në tetor 2022, kur ai u sanksionua për herë të parë.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, autoritetet moldave akuzuan Shorin për orkestrimin e një skeme që kanalizoi më shumë se 15 milionë dollarë nga bankat ruse në llogaritë e mbi 130.000 qytetarëve moldavë.

Skema përfshinte dërgimin e kartave bankare të parashtruara më parë, duke përdorur sistemin rus të pagesave “Mir”, tek njerëz që mund të udhëtonin në rajonin separatist të Transnistrisë për të tërhequr para. Zyrtarisht pjesë e Moldavisë, Transnistria operon në një zonë ligjore të pasqaruar, me lidhje të ngushta ekonomike me Moskën.

Grupi jofitimprurës i Shorit me bazë në Moskë, Evrazia, gjithashtu rekrutoi qindra të rinj moldavë për të marrë pjesë në një program, duke ofruar udhëtime falas në Rusi, darka të shtrenjta dhe mundësinë për miliona rubla në formë grantësh.

Kryeministri i Moldavisë më vonë tha se agjentët rusë shpenzuan gjithsej rreth 220 milionë dollarë për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2024, të cilin e fitoi Sandu me rreth 55 për qind të votave. Një referendum i njëkohshëm që pyeste moldavianët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian u miratua, por rezultati ishte shumë më i ngushtë sesa parashikohej.

Disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, autoritetet moldave thanë se kishin zbuluar një tjetër fushatë destabilizimi dhe kryen bastisje në dhjetëra lokacione në mbarë vendin, duke arrestuar më shumë se 70 persona. Disa nga të arrestuarit dyshohet se kishin udhëtuar në kampe në Bosnje dhe Serbi për trajnim për ta konfrontuar dhe provokuar policinë. Autoritetet moldave thanë se fushata përdorte “rrjetin e grupit Shor dhe burimet e jashtme”.

“Shmangia e sanksioneve dhe ndërhyrja politike [moldave], nuk mendoj se janë të lidhura drejtpërdrejt”, tha Thomas. “Mendoj se shmangia e sanksioneve është loja kryesore për momentin. Megjithatë, padyshim, Shor ka interesa personale të konsiderueshme në Moldavi dhe ndoshta i kushton shumë vëmendje në nivel personal”.

“Ajo që po bën Shor, nuk është vetëm problem i Moldavisë”, tha një zyrtar moldav, i cili foli me kusht që të mos identifikohej. “Ai i ofron Rusisë një shërbim, për të shmangur sanksionet, dhe fiton para prej tij”.

Promsvyazbank nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

“Një infrastrukturë e qëndrueshme ndaj çdo ndikimi të jashtëm”

Prej vitit 2022, pjesa më e madhe e sistemit bankar rus është izoluar nga rrjetet financiare perëndimore, si pasojë e luftës në Ukrainë. Sektori bankar është shkëputur nga SËIFT, sistemi i mesazheve i domosdoshëm për operacionet bankare globale, ndërsa Visa dhe Mastercard e kanë shkëputur Rusinë nga sistemet e tyre të pagesave, dhe bankat perëndimore kanë ngrirë llogaritë e Qeverisë ruse.

Si rezultat, autoritetet ruse kanë tentuar të ndërtojnë një sistem financiar paralel. Vende të tjera kanë shprehur mbështetje për këtë përpjekje, duke përfshirë Kinën, Brazilin, Indinë dhe ekonomi të tjera të mëdha.

Çfarë është monedha e qëndrueshme?

A7A5 është ajo që njihet në terminologjinë e kriptovalutave si monedhë e qëndrueshme – një monedhë virtuale e lidhur, ose “e ankoruar,” me një valutë reale, si dollari amerikan ose euroja. Siç sugjeron emri, këto monedha konsiderohen më të qëndrueshme se ato të paqëndrueshme, të cilat mund të kenë luhatje shumë të mëdha të vlerës. Bitcoin dhe Ethereum – dy nga kriptovalutat më të njohura – janë të paqëndrueshme.

“Zhvillimi i tokenit A7A5 duket të jetë hapi logjik i radhës në përpjekjet e Rusisë për të zhvilluar sisteme alternative për pagesa, për të shmangur sanksionet”, tha Fierman.

Derisa Putini shikonte në ngjarjen e 4 shtatorit në Vladivostok, Shor dukej i nervozuar, duke lëvizur nga njëra anë në tjetrën ndërsa përshkruante qëllimet e “qendrës financiare” të quajtur Far Eastern International Financial and Settlement Center.

“Deri sot, në 10 muaj operacion, kemi kryer transaksione me vlerë më shumë se 7.5 trilionë rubla”, tha ai. “Sot, duke marrë parasysh se më shumë se 50 për qind e të gjitha pagesave tona bëhen drejt vendeve aziatike, kemi vendosur të hapim një qendër financiare këtu”.

Duke qëndruar pranë Shorit ishte bashkëdrejtori i tij: Pyotr Fradkov, i cili udhëheq Promsvyazbank me bazë në Moskë që nga viti 2018. Babai i tij është Mikhail Fradkov, kryeministri i Putinit nga vitet 2004-2007 dhe drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme për nëntë vjet pas asaj periudhe.

I njohur si PSB, Promsvyazbank u nacionalizua nga Qeveria ruse në të njëjtin vit gjatë një krize bankare dhe u riorientua për të shërbyer sektorit në rritje të industrisë ushtarake të Rusisë. Në vitin 2022, PSB u godit nga sanksionet e Thesarit, ashtu si dhe Pyotr Fradkov.

Një fotografi e ekranit nga hapja e degës së kompanisë A7 në Vladivostok, me oligarkun moldav Ilan Shor (majtas) dhe bashkëdrejtorin Pyotr Fradkov.

Një fotografi e ekranit nga hapja e degës së kompanisë A7 në Vladivostok, me oligarkun moldav Ilan Shor (majtas) dhe bashkëdrejtorin Pyotr Fradkov.

Promsvyazbank mban 49 për qind të aksioneve të A7. Rublat, të cilave u është ankoruar monedha A7A5, duke e bërë monedhë të qëndrueshme, janë depozita të mbajtura nga banka.

A7 është vendosur në rrokaqiejt e rinj modernë të Federation Tower në Moskë – i njëjti vend ku ishte regjistruar Garantex, së bashku me disa kompani që dyshohet të jenë të lidhura me skema famëkeqe ransomware.

A7 po bën gjithashtu përpjekje për t’u bërë kompani me filiale duke hapur degë ku klientët mund të depozitojnë, të tërheqin para, të tregtojnë kriptovaluta dhe të kryejnë pagesa ndërkufitare. Përveç Moskës dhe Vladivostokut, kompania thotë se po hap degë në qytete jashtë vendit, si Harare në Zimbabve dhe Lagos në Nigeri.

Putin mori pjesë në një ceremoni virtuale të prerjes së shiritit për degën në Vladivostok të ofruesit të pagesave A7.

Putin mori pjesë në një ceremoni virtuale të prerjes së shiritit për degën në Vladivostok të ofruesit të pagesave A7.

Në korrik, A7 njoftoi se klientët e PSB do të mund të blinin tokena A7A5 duke përdorur kartat bankare të PSB-së.

Në të njëjtin muaj, Bashkimi Evropian shënjestroi A7 për herë të parë, duke thënë se ishte “e lidhur me përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe referendumin kushtetues të vitit 2024 për anëtarësimin në BE”.

Rreth të njëjtës kohë, numri i monedhave A7A5 në qarkullim u rrit mbi 240 për qind, sipas firmës analitike Elliptic, me mbi 1 miliard dollarë në transferta ditore të A7A5.

Kompanitë dhe individët kinezë raportohet të jenë përdoruesit më të mëdhenj të platformave të pagesave A7 deri më tani, sipas dokumenteve të marketingut të kompanisë të publikuara online dhe të theksuara nga Center for Information Resilience.

Autoritetet perëndimore po përpiqen ta mbajnë hapin.

Në mes të gushtit, rreth tri javë para se Shor dhe Fradkov të shfaqeshin në videokonferencën me Putin, autoritetet amerikane dhe britanike vendosën sanksione ndaj A7 dhe më shumë se gjashtë kompanive të ndërlidhura, përfshirë Grinex dhe Old Vector.

Një muaj më vonë, megjithatë, kapitalizimi total i tregut të A7A5 – në thelb vlera e të gjitha monedhave në qarkullim – u rrit gati 250 për qind, duke e bërë atë monedhën e qëndrueshme më të madh jo të ankoruar në dollarin amerikan.

“Ne tashmë kemi provuar se një monedhë digjitale kombëtare mund të jetë jo vetëm një alternativë ndaj dollarit, por edhe një motor i ndryshimit global”, tha A7A5 në një postim triumfues në Telegram.

Bashkimi Evropian iu përgjigj më 23 tetor me më shumë sanksione që synonin asetet kripto të lidhura me Rusinë dhe rundin e dytë që synonte A7.

Në një postim në Telegram, A7A5 u tall me njoftimin.

“Çfarë do të ndryshojë kjo? Asgjë!” tha kompania. “Sepse, që nga fillimi, ne ndërtuam një infrastrukturë që i bën ballë çdo ndikimi dhe kufizimi të jashtëm”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Send this to a friend