Në këtë botë të madhe i gëzohem lules, pemës dhe lumit
I gëzohem një kënge që më heq trishtimin e netëve
Diku, kur në malet e larta humbet rrezja e fundit.
Mendoj se një ditë jeta do na e mbyllë perden.
I gëzohem së largu një trëndafili e karafili të kuq
Që ti mbase heshturazi me emrin tim e ke pagëzuar
Kur shoh në qiej avionë, një shqiponjë a një pëllumb.
Bëhem dhe vetë si një trup të përtërirë krahëflatruar.
I gëzohem si fëmijë këmishës që e vesh për herë të parë
A një libri të bukur që si melhem më lë pa gjumë
Nëse nuk mundem vetë të përqafoj ato brigje me dallgë
Dije se se e dua çdo valë si në lisharëse të më përkundë
Ta dish, or mik, se sa gëzime gurgullojnë nga zemra si në balada.
Kur nga larg e nga afër të shoh ballaz, o njeri i rrallë
Jo, nuk dua të vrapoj që të të them se je princ përrallash
Se thjeshtësia jote merr njëqind lule e dekorata.
Po fjala e buzëqeshja jote buron nga një shpirt i mbarë
Ah, ta dija se si e kur e ke mbjellë në lulishte!
Kjo botë doganash që mburret me bukuri, raketa, pallate e thesarë.
Pa ty, besomë, shumë gjëra më pak do të kishte.
Dhe unë para teje jam humbësi e fitimtari më i madh
Teksa llomotis i dehur e vrapoj mes vargut të letrës
Ndihmomë të mos mbyllet kjo porta e kristaltë
Ku secili merr kuptimin e vërtetë të jetës.