Një brez i ri nacionalistësh serbë po radikalizohet dhe po përgatitet për një konflikt të mundshëm në Bosnje-Hercegovinë, raporton The Telegraph.
Qindra militantë serbë, përfshirë veteranë të luftërave të viteve ’90, kanë shkuar të luftojnë në Ukrainë përkrah forcave ruse, të motivuar nga besimi se Rusia do t’i mbështesë në rikthimin e territoreve të humbura, si Kosova.
Këta persona përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar të rinj, duke ofruar pagesa të larta dhe duke glorifikuar luftën. Autoritetet druhen se kthimi i tyre në Bosnje mund të nxisë konflikte paramilitare, 30 vjet pas përfundimit të luftës së Bosnjes.
Një rast i tillë është Dario Ristiç, i cili u kthye nga Ukraina, u arrestua për pjesëmarrje në një njësi të huaj paramilitare dhe tani ndodhet në arrest shtëpie, por vazhdon të ketë ndikim të madh online.
Një tjetër veteran me ndikim mbi është edhe Davor Savicic, i njohur si “ujku” nga ndjekësit e tij në internet. Me këtë të fundit është fotografuar edhe Milorad Dodik, ish-presidenti i Republikës Srpska, i cili ende ushtron pushtet efektiv. Ai u fotografua me Savicic përpara një takimi me Vladimir Putinin në Moskë në fillim të këtij viti.
Analistët thonë se numri i ekstremistëve është i vogël, por ndikimi i tyre mund të jetë destabilizues. Po ashtu ngrihen shqetësime për lidhje të ngushta me shërbimet ruse të inteligjencës, përfshirë trajnime dhe struktura mbështetëse në Republika Srpska, si dhe për implikime të mundshme në sigurinë evropiane dhe britanike.
Ndërkohë, komunitetet boshnjake myslimane shprehin frikë nga ringjallja e traumave të së kaluarës, pavarësisht përpjekjeve për pajtim.Panorama