Misioni i parë si të thuash diplomatik aleat, që erdhi gjatë Luftës në Shqipëri, ishte Misioni Ushtarak Anglez. Kryesues i këtij misioni fillimisht ishte Majori Maklin, që zbriti në malet e Jugut të Shqipërisë dhe u atashua pranë Këshillit të Përgjithshëm Antifashist në Labinot Mal.
Maklini ishte atasheu i parë ushtarak në Shqipëri, që Enver Hoxha më pas donte “ta arrestonte e ta ekzekutonte”.
“Me aleatët – rrëfehet Enver Hoxha në Berat, – ne kemi pasur një vijë …që sa më shpejt t’i mbytnim ata… edhe për një gjë të vogël ne revoltoheshim dhe merrnim vendim t’i nisnim nga Shqipëria. Madje njëherë morëm një vendim të atillë, që ishte një vendim i Aliut (pseudonim i Miladin Popoviçit), por që e ndoqa edhe unë (Enveri) për ta kapur Maklinin (majorin anglez, kryetar i misionit ushtarak në Shqipëri) për ta burgosur atë e për ta nxjerrë përpara gjyqit ushtarak”.
Kjo ishte marrëdhënia diplomatike e krijuar e Enver Hoxhës me Misionin ushtarak aleat, marrëdhënie që nisi që në fillim me mosbesim dhe sektarizëm dhe ashtu edhe përfundoi. Këto qëndrime, siç shprehet vetë Enver Hoxha dhe marrëdhëniet e tij me misionet ushtarake angleze gjatë Luftës, tregojnë qartë se ato ishin, që në fillim, në kontaktin e tyre të parë, të paragjykuara. Në vijim, mbi bazën e dokumentacioneve do argumentojmë e komentojmë të gjitha fërkimet e divergjencat në marrëdhëniet e Enver Hoxhës me aleatët tonë të mëdhenj, anglezët, gjatë Luftës dhe në dy vitet e para pas Çlirimit aq sa i la ata në Shqipëri dhe mandej i përzuri.
Enver Hoxha, sipas diktimit që i bënte Miladin Popoviçi jugosllav (kjo nuk do të thotë se ai duhet shfajësuar për krimet që i ka bërë çështjes kombëtare), duket apo që e pohon edhe vetë qartë te deklarimi “për kapjen e gjykimin e atasheut ushtarak anglez Maklin”, të cilin Enver Hoxha ndonëse e pranon, pastaj thotë “ishte një vendim i Aliut”, pra ja faturon Miladin Popoviçit jugosllav. Fryma e këtij “vendimi” e “Ali Gostivarit” apo Enver Hoxhës u shtri në të gjitha marrëdhëniet diplomatike të Enver Hoxhës me misionin anglez të Maklinit, por pastaj edhe me misionarët e tjerë ushtarakë anglezë të kryesuar nga gjenerali Dejvis, misione që erdhën në Shqipëri gjatë Lutës e qëndruan pranë Frontit Nacionalçlirimtar.
Misioni i parë ushtarak, siç e thamë, që mund të quhet diplomatik, erdhi në Shqipëri aty nga fundi i prillit i vitit 1943. Që në fillim, që në takimin e parë, në kujtimet e tij Enver Hoxha e stigmatizon misionin aleat dhe e quan “të paftuar” madje edhe “agjentë”. Ndërsa në takimin e fundit që bëri Enver Hoxha me të, takimi i kërkuar nga Maklini, (se pastaj Maklini u largua nga Shqipëria dhe u rikthye me pas Kolonel pranë Shtabit të Abaz Kupit), Enver Hoxha shkruan në kujtimet e tij të titulluar “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” se “kur buzëqeshte Maklini, agjent i Inteligjent Servisit, duhej bërë kujdes, pse buzëqeshja e tij fshihte qëllime të pabesa”.
Çfarë mund të prisje nga marrëdhënie të tilla diplomatike, me paragjykime e qëndrime jo miqësore?! Më lart cituam vetë Enver Hoxhën se çfarë ishin sipas tij Misionet ushtarake angleze?! Për to, kishte një paragjykim të tmerrshëm të Enver Hoxhës, të cilin ai e pranon edhe vetë madje e shkruan po qartë në kujtimet e Luftës. Që në fillim, me ardhjen e misionit të parë aleat, Enver Hoxha sapo merr njoftimin, urdhëron që misioni të izolohej, me qëllim siç thotë ai “që ata të kuptonin mirë se të hysh në zonat partizane nuk është aq e lehtë, se ato nuk janë han me dy porta…Të gjitha këto ua thashë shokëve t’i bënin në atë mënyrë që anglezët të shikojnë qysh tash, se te ne nuk do të lejohen të livadhisin si të duan…”
Ardhja zyrtarisht e misionit aleat anglez, e atasheut ushtarak të tyre pranë Luftës Antifashiste dhe takimi që bëjnë me Enver Hoxhën me 1 maj 1943, ishte edhe kontakti i parë në kuptimin klasik të një diplomacie funksionale siç ishte ajo angleze me udhëheqjen e Luftës Antifashiste, pra takim e bashkëpunimin me njërin prej aleatëve më të mëdhenj të saje, anglezëve. Në një farë mënyre, ky Mision ishte edhe konfirmimi konkret i pranimit që i ishte bërë Shqipërisë si pjesëtare e koalicionit Antifashist Botëror.
TAKIMI I PARË
Takimi i parë i Maklinit me Enver Hoxhën u bë në Labinot të Elbasanit, në shtëpinë e Bahollëve, ku u formua dhe ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Luftës Antifashiste. Prezantimi i kryetarit të Misionit Ushtarak Anglez, majorit Maklin para Enver Hoxhës, tregojnë bashkëkohësit prezentë, u bë për kohën, mjaft dinjitoz. Këtë na e përshkruan kryesisht doktor Ymer Dishnica. Gjithnjë sipas dokumentacioneve Maklini deklaroi se “ne jemi Misioni i parë ushtarak anglez dhe qëllimi i qeverisë angleze, që na dërgoi pranë jush, është t’i bëjmë të njohur asaj luftën e popullit tuaj kundër pushtuesit italian dhe, pasi t’i bëjmë këto punë, t’i transmetojmë Shtabit tonë pikëpamjen tuaj për Luftën dhe nevojat e kërkesat që do të paraqitni për zhvillimin e kësaj lufte”. Nga ana tjetër, me djallëzi e duke e parë me mosbesim Maklinin, Enver Hoxha që në fillim i shtron pyetjen: “Ç’dini ju për luftën e popullit shqiptar…?” dhe dialogu vijoi i tillë: Maklini: “nuk dimë gjë fare”. Enveri: “… paskeni ngelur në kohën e Çamberlenit”.
Nga këto e të tjera rezulton se Enver Hoxha që në fillim e shikon Misionin anglez me skepticizëm dhe i paragjykon. Ky paragjykim u bë realitet gjatë luftës dhe del hapur ne Berat ku Gogo Nushi theksonte se “qëndrimi që kemi mbajtur karshi oficerëve të aleatëve, nuk është i drejtë. Në Veri ne i kemi ruajtur, duke u vënë xhandarë nga pas. Ne duhet t’i shpjegojmë popullit aleancën dhe luftën e aleatëve që të forcojmë marrëdhëniet me ta””.
Sjelljet e Enver Hoxhës jashtë normave diplomatike, që nga ardhja e Misionit aleat anglez e deri në Plenumin e Beratit, ku ai del hapur dhe flet i detyruar për sjellje jo korrekte ndaj tyre, madje theksoi se “partia kishte lëshuar edhe një “direktivë” të tërë se si udhëheqësit e Luftës të silleshin me Misionet angleze”. Në atë “direktivë” të firmosur nga vetë Enver Hoxha thuhej se “në shumë krahina ndodhen Misione Ushtarake angleze, të cilët përpiqen me futë hundët në çështje të brendshme organizative dhe ushtarake tonat… Këta nuk duhet të përzihen në punët e brendshme, nuk duhet në asnjë mënyrë të merren si arbitër ndërmjet nesh dhe reaksionit. Në u pëlqeftë lufta jonë kundër reaksionit mirë, përndryshe derën e kanë të hapur”.
Kjo “direktivë”, që u ishte shpërndarë të gjithë udhëheqësve dhe komandantëve të Luftës anë e kënd vendit, shpreh qartë gjithë politikën dhe strategjinë e ndjekur nga komunistët ndaj Misioneve ushtarake angleze në Shqipëri. Në një radiogram të Enver Hoxhës, dërguar Komandës së Korpusit të Parë, mbi desantimin e rreth 30 ushtarëve anglezë për të kryer aksione kundër trupave gjermane thuhet: “Në Pezë do të zbresin me aeroplanë ose do të vijnë nga deti 30 ushtarë anglezë, gjoja të specializuar për të bërë dy ose tri aksione në rrugën e Kërrabës. Të bëhet kujdes me ta, që të mos lëvizin andej-këndej dhe pasi t’i kenë kryer aksionet, na lajmëroni që t’u japim urdhër të kthehen përsëri andej nga erdhën”.
QËNDRIMI ANTIANGLEZ
Duke analizuar qëndrimin antianglez të Enver Hoxhës dhe në kuadrin e një lufte të përbashkuar të të gjitha forcave politike, Mision ushtarak angleze u atashua edhe pranë Shtabit të Abaz Kupit ku Maklini rierdhi në Shqipëri tashmë me gradën Kolonel. Qëllimi, siç ia thekson Maklini Enver Hoxhës edhe te takimi i fundit, është që “ne (anglezët) do t’ju japim armë të gjithë atyre që luftojnë”. Ndërsa Enver Hoxha aty për aty me cinizëm i përgjigjet se “në Shqipëri luftojnë vetëm partizanët”! Por Maklini me diplomacinë e tij dhe qetë-qetë i evidenton Enver Hoxhës se “sikur ka edhe një organizatë tjetër, që po lufton këtu në Shqipëri dhe që quhet “Balli Kombëtar”.
Ky lloj cinizmi i Enver Hoxhës, që nuk konceptohet se nga buronte (megjithëse tani kanë dalë në dritë faktet e dokumentuara se ishin jugosllavët ata që e kishin injektuar Enver Hoxhën antianglez), vazhdoi gjatë gjithë takimeve e marrëdhënieve të Enver Hoxhës me Misionin anglez e më pas edhe me atë amerikan, që erdhën gjatë Luftës në Shqipëri, derisa pas Çlirimit ai i përzuri ata përfundimisht nga Shqipëria.
Ajo që është thënë e ngritur gjithnjë në mënyrë habitore është pyetja, përse Enver Hoxha nuk i donte dhe për ç’arsye i urrente aq shumë anglezët?! Këtë na e shpjegon analisti i mirënjohur Xhevdet Shehu, i cili duke prezantuar e komentuar librin “Misioni amerikan në Shqipëri” i Peter Lucas thekson se “një pjesë e përgjigjes jepet edhe në librin e Lucas -it dhe një pjesë te kujtimet e Enver Hoxhës, kurse pjesa tjetër shpjegohet te libri “Operation Valuable Fiend” i Albert Lulushit, që edhe ky e plotëson tablonë dhe zbulon arsyet e vërteta të Enver Hoxhës për këtë qëndrim antianglez e të palëkundur të tij”.109) Në kohën tonë deklasifikimi i dokumenteve “Top sekret” të CIA -s, e ndriçojnë më mirë ngjarjen me Misionin ushtarak anglez dhe e tregojnë të vërtetën e madhe se si në Shqipëri “anglo-amerikanët donin që të vinte pas Çlirimit një qeveri properëndimore, dhe jo një qeveri kukull e Moskës”.
Aleatët britanikë përmes misionit të tyre pranë Shtabit të Përgjithshëm por edhe pranë Shtabit të Abaz Kupit, kërkonin që kundërshtarët, partizanë e ballistë, të gjenin gjuhën e përbashkët për Luftën Antifashiste e të mos luftonin njëri tjetrin. Ata, anglo-amerikanët përveç përpjekjeve diplomatike ushtronin mbi to edhe presione, me shtimin apo pakësimin e ndihmave për Luftën. I gjithë qëllimi i politikës aleate, ishte që Shqipëria, Lufta Antifashiste, përfshi edhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare të kryesuar nga Enver Hoxha, të tërhiqej në orbitën britanike dhe të shmangej kontrolli jugosllav e sovjetik mbi Shqipërinë.
SHPALLJA SI ARMIQ
Aleatët qëndronin në drejtësinë e pikëpamjeve të tyre që t’i tërhiqnin në Luftën Antifashiste të gjithë krahët politikë e forcat e tyre ushtarake, ndërsa Enver Hoxha pas dhjetorit të vitit 1943 u vuri atyre pushkën dhe i shpalli armiq. Megjithatë anglo-amerikanët, duke e gjykuar bashkëpunimin për të mirën e Shqipërisë dhe si rrugën e vetme demokratike, ushtronin presion qoftë edhe me “ndihmat” e tyre, si e vetmja mundësi që u kishte mbetur për ta ndryshuar qëndrimin dhe rrjedhën e ngjarjeve. Në këtë kuadër Ministria e Jashtme britanike theksonte se “nuk do ta mbështeste rivendosjen e Pavarësisë së Shqipërisë, nëse nuk ndërpritej lufta civile dhe nuk formohej një front i bashkuar me pjesëmarrjen e politikanëve shqiptarë të të gjitha spektrave”. “Direktiva e aleatëve” kërkonte nga drejtuesit e Frontit Nacionalçlirimtar, që të modifikonin pikëpamjet e tyre politike e sociale të ekstremit të majtë, të merrnin parasysh kushtet e Veriut dhe të krijonin një qeveri të pranueshme sipas konceptit të aleatëve. “Direktiva” trajtonte gjithashtu edhe rrezikun e rënies së Shqipërisë nën kontrollin sovjetik, e cila mund të konkretizohej përmes krijimit të një Blloku të sllavëve të Jugut, të përbërë nga Jugosllavia e Bullgaria, në të cilin mund të përfshihej edhe Shqipëria.
Këto qëndrime të aleatëve anglezë, binin ndesh me “mësimet e Aliut” (Miladin Popoviç), për të cilin në Plenumin e Beratit Enver Hoxha do të shprehej se: “Aliu i bënte të gjitha punët. Ai diktonte e urdhëronte. Unë bëja çfarë më thoshte Aliu”. Nga të gjitha këto cilësime dokumentare del qartë se cili urdhëronte në udhëheqjen e Lëvizjes e të Luftës Antifashiste dhe ai ishte “jugosllavi” Miladin Popoviç, i cili i diktonte Enver Hoxhës mënyrën e sjelljes arrogante e të të parit me syrin dyshues për Misionin anglez, të cilët ai “nuk i donte, por aq më keq që edhe i urrente”, në një kohë që Titoja vetë kishte marrëdhënie të mira me anglezët, saqë në “oborrin” e tij mbante si “këshilltar” edhe djalin e Çurçillit?! Po atëherë përse vepronin me këshilla e vendime të tilla jugosllavët në Shqipëri? Kjo është temë e gjerë por me dy fjalë shpjegohet kështu: Jugosllavët e donin Shqipërinë për vete dhe pa identitet.
Pak a shumë kjo ishte se përse shiheshin me mosbesim nga Enver Hoxha, Misionet ushtarake Angleze.
TEZAT E ENVERIT
Teza e Enver Hoxhës e mosbashkëpunimit me forcat e tjera luftuese kundër nazifashizmit në Shqipëri, shfaqet e del hapur jo vetëm nga veprimet e përditshme, por edhe nga udhëzimet që u dërgoheshin organizmave të partisë e të Luftës në terren. Në një letër që u dërgonte në fillim të tetorit të vitit 1943 Komiteteve Qarkore, Enver Hoxha u shkruante atyre se “ne i njohim kush janë amerikano-anglezët, dhe nuk harrojmë për asnjë çast se ata janë kapitalistë, se ata janë kundër komunizmit. As ata nuk harrojnë kush jemi ne, por as ne nuk harrojmë se kush janë ata. Tani jemi në aleancë me ta kundër fashizmit italian dhe nazizmit gjerman dhe ne i qëndrojmë besnikë kësaj aleance…” Besnikëri e shtirur.
Gjithnjë, ajo që manifestoi Enver Hoxha në marrëdhënie me anglezët, ishte diplomaci tinëzare, mosbesim i vazhdueshëm dhe krijimi i situatave jo normale deri armiqësore ndaj tyre. Veçanërisht kjo sjellje paragjykuese e Enver Hoxhës, u shumëfishua më shumë në periudhën zgjedhore në Shqipëri në atë të vitit 1945, që, në fakt, duhet të ishte një atmosferë ndryshe. Por Enver Hoxha e “mbulonte” apo e “kamuflonte” veprimtarinë antidemokratike të tij që kishte udhëzuar dhe që po praktikohej në zhvillimin e zgjedhjeve. Këtë e tregon edhe lëvizja e tij diplomatike, duke marrë edhe vetë disa kontakte me diplomatët anglezë e ato amerikanë, ku takimi i tij më i fundit ishte ai i para dhjetorit të vitit 1945. Për këto “lëvizje” të Enver Hoxhës në pragun e zgjedhjeve shkruhet se gjenerali britanik Hoxhson, që kryesonte pas Lufte misionin anglez në Tiranë, duke parë këto “lëvizje” e duke pasur shqetësime “ftoi në vilën e tij për një darkë Enver Hoxhën. Qëllimi i bisedës ishin zgjedhjet e 2 dhjetorit”.
Siç del, Enver Hoxha në kuadrin e “lëvizjes së tij politike e diplomatike” për fitimin e zgjedhjeve e mirëpriti ftesën e Misionit britanik në Tiranë, që në atë kohë ishte i vendosur në ish-shtëpinë e vëllait të mbretit Zog pranë Stadiumit të ri, i cili sapo kishte marrë emrin” Qemal Stafa”. Enver Hoxha, mbërriti në shtëpinë e shefit të Misionit anglez, bashkë me gruan e tij, i shoqëruar nga Nako Spiru dhe një skuadër rojesh partizane. Shqipëria në atë kohë, megjithëse ishin fillimet e para pas Lufte, kishte shkuar shumë përpara drejt Lindjes dhe “mund të numërohej në atë moment si pjesë e Bllokut Lindor të drejtuar nga Bashkimi Sovjetik i Stalinit, një Bllok kërcënues, që fillonte nga bulevardi kryesor i Berlinit dhe mbaronte në kufijtë me Japoninë. Ajo darkë e shtatorit e vitit 1945, është vizita e fundit e dokumentuar e Kryeministrit shqiptar në Selinë e misionit britanik në Tiranë”.
* Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes
/Gazeta Panorama