Mos u dashuroni me poetët,
Qielli s`ngjall më kuriozitet,
S`ka horizonte,
Por dekore.
Poeti sot të bën serenatë poshtë ballkonit
Dhe nesër e gjen të hedhur si leckë
Në një minierë a në një llogore.
.
Ua prishin mendjen me poezira,
Ua trazojnë shpirtin me fjalë zarari,
Poetëve s`u rrihet pa e lëshuar gojën,
Dhe aty ku hesht nga frika i vrari.
.
I trëmbnin të dashurat e poetëve,
Qoftë kjo një Helenë apo Penelopë,
Ngaqë për poetët ato ishin muza,
Atribut që i njihej veçse partisë,
Por ato për një idil netëve të vona
Ia lejonin vetes të gjitha marrëzitë.
.
Jeta e poetit varej dhe nga një metaforë,
Romantikun për kollaj e quanin aventurier,
Ishin të dashurat,
Që i shpëtonin rebelët sa herë:
Kur në depresion
Mund të vrisnin veten hedhur nga ballkoni
Apo damarët duke prerë.
.
Të dashurat e poetëve në diktaturë
I njohin asketët që damkosnin me slogane,
Që poezitë erotike kushtuar atyre i mbyllnin në sirtarë,
Tani demodet me alibinë e luftës në mbrojtje të artit,
Duan të fshehin gjurmët e krimit
Për poetët që vranë…
.
Fatbardh Amursi