Ankara
Talebanët njoftuan se kanë shpallur “amnisti” për të gjithë në Afganistan dhe u bënë thirrje grave të bashkohen me qeverinë e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).
Anëtari i komisionit kulturor të talebanëve, Enamullah Samangani në një deklaratë për televizionin shtetëror afgan, i cili është nën kontrollin e tyre, tha se ata shpallën “amnisti” për të gjithë në Afganistan dhe ftuan gratë që t’i bashkohen qeverisë së tyre.
Samangani duke theksuar se ata nuk duan që gratë të jenë viktima dhe duan që ato të marrin pjesë në qeveri tha se “Struktura e qeverisë nuk është sqaruar plotësisht, por në përvojën tonë duhet të ketë udhëheqje të plotë islamike dhe të gjitha palët duhet të marrin pjesë”.
Duke theksuar se “populli tashmë i di rregullat islame që talebanët presin t’i respektojnë”, Samangani tha se “Populli ynë është mysliman, ne nuk i detyrojmë ata në Islam”.
Procesi i dominimit të talebanëve ne vend
Në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur në shkurt 2020 mes SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit filloi procesi i tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.
Teksa marrëveshja parashikon që forcat e huaja të mos sulmohen, ajo nuk parashikon ndonjë dispozitë në lidhje me veprimet e talebanëve ndaj forcave afgane të sigurisë.
Talebanët të cilët vazhdojnë negociatat në Doha me qeverinë afgane, me sulme të ashpra të ndërmarra në mënyrë të njëkohshme që nga qershori dominuan me shpejtësi shumë rajone dhe qendra provinciale në muajin e fundit.
Po ashtu talebanët rrethuan kryeqytetin Kabul dhe teksa filluan të marrin nën kontroll lagjet periferike ata bënë thirrje për të marrë në dorëzim në mënyrë paqësore qeverinë dhe kryeqytetin.
Pasi presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi dhe forcat qeveritare u larguan nga kryeqyteti, talebanët filluan të marrin kontrollin e plotë të kryeqytetit.
Komentet