VOAL

VOAL

Syri.net- Hekuran Doli: Sulmet kibernetike në Kosovë po bëhen edhe nga serverat e AKSHI-t

September 14, 2022

Komentet

Heqja e masave që nuk u desh të vendoseshin fare Nga Augustin Palokaj

Heqja akoma “graduale” e masave ndaj Kosovës po dëshmon se ato nuk ishin as të limituara, as të kthyeshme e as të përkohshme. Madje edhe vetë disa diplomatë të vendeve të BE-së po shokohen kur tash po e zbulojnë se ato ishin gjithëpërfshirëse dhe sanksionuan projekte si uji i pijshëm, programet për të rinjtë dhe goditën edhe projektet për sundimin e ligjit. Vështirë të gjenden raste të masave të ngjashme të BE-së ndaj dikujt tjetër

———

Kosova jo vetëm se është vendi i vetëm në Evropë që ka aspirata të anëtarësimit në BE, por nuk e ka statusin e vendit kandidat, por është edhe i vetmi vend nga ky grup i kandidatëve dhe aspirantëve që vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të BE-së. Disa prej tyre tashmë u hoqën, për tri a katër programe me vlerë rreth 34 milionë euro. Të tjerat u vendos që të hiqeshin së shpejti, ndërsa që të gjitha masat financiare diku në “pjesën e hershme të vitit të ri”. Në këtë mënyrë, nëse strukturat e BE-së nuk e zbulojnë edhe ndonjë trik magjik tjetër për t’i mbajtur disa masa në fuqi, do të hiqen masat të cilat qëkur ishin vendosur ishin quajtur të pabalancuara, të padrejta, të paqarta dhe jotransparente.

Strukturat e BE-së, para së gjithash ish-i dërguari për dialog, Miroslav Lajçak, dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, Jan Gertg Kopman, që patën në dorë vendosjen dhe menaxhimin e këtyre masave, bënë çmos që ato të zgjasin sa më shumë që të jetë e mundur. Nuk pati një vendim formal në Këshillin e BE-së që ato të vendosen. Prandaj edhe nuk u quajtën sanksione klasike. Por, vendet e BE-së vërtet përmes një deklarate politike i kishin dhënë mundësi përfaqësuesit të lartë të atëhershëm që të vendosë masa. Përfaqësuesi i lartë dhe Komisioni e përdorën atë deklaratë politike për t’i vendosur masa vetëm Kosovës edhe pse, sipas së njëjtës deklaratë, masa të ngjashme kanë mundur t’i vendosnin edhe Serbisë. Sepse deklarata e Këshillit jepte mundësi që masat të ndërmerren kundër secilës palë që shihet si përgjegjëse për hapa që krijojnë tensione. Sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë, për të cilin asnjë zyrtar serioz në Bruksel nuk beson as sot e kësaj dite se ka mundur të ndodhte pa dijeninë e strukturave shtetërore të Serbisë, u shtuan thirrjet që t’i hiqen masat Kosovës, ose t’i vendosen së paku edhe Serbisë. Sepse edhe ata që pajtoheshin se Kosova i ka merituar këto masa për shkak të asaj që e quanin “veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme”, mendonin se masat do duhej vendosur edhe ndaj Beogradit.

Kështu ato struktura në BE që nuk donin t’i vendoseshin masat Serbisë, por nuk donin as t’i hiqeshin Kosovës, krijuan një situatë në të cilën kërkohej që për heqjen e masave ndaj Kosovës të pajtohen të gjitha shtetet e BE-së, ndërsa për t’i vendosur masat Serbisë po ashtu kërkohej pajtim i të gjithëve. Për më shumë se dy vjet u dëshmua se të dyja ishin të pamundshme dhe vetëm Kosova mbeti me masa. Për dy vjet shumica e madhe e vendeve anëtare, Parlamenti Evropian e madje dhe vetë përfaqësuesi i lartë kërkuan apo rekomanduan heqjen e masave. Nga BE-ja gjithmonë përgjigjja ishte se “është në duart e Komisionit” e Komisioni thoshte se “pret që për këtë të pajtohen vendet anëtare”. Kështu u krijua një rreth vicioz.

Sa herë që “përshëndetej” Kosova për disa hapa drejt uljes së tensioneve, ajo kritikohej për disa veprime të tjera “unilaterale” dhe masat mbaheshin. Kështu për Kosovën heqja e masave u bë një cak lëvizës dhe ato u mbajtën deri më tash duke lënë pasoja serioze për shumë përfitues në Kosovë, që deri në vendosjen e masave financonin projektet nga mjetet e BE-së.

Tash kur po hiqen masat, po shihet se nga ato kanë pasur pasoja edhe organizatat nga vetë BE-ja, të cilat ishin zbatuese të disa projekteve. Nga paratë që BE i ndan për Kosovën shpesh përfitojnë edhe entitete nga BE-ja, kështu që një pjesë e atyre parave mbetet në BE.

Heqja akoma “graduale” e masave ndaj Kosovës po dëshmon se ato nuk ishin as të limituara, as të kthyeshme e as të përkohshme. Madje edhe vetë disa diplomatë të vendeve të BE-së  po shokohen kur tash po e zbulojnë se ato ishin gjithëpërfshirëse dhe sanksionuan projekte si uji i pijshëm, programet për të rinjtë dhe goditën edhe projektet për sundimin e ligjit. Vështirë të gjenden raste të masave të ngjashme të BE-së ndaj dikujt tjetër.

Duke parë sjelljen e deritashme të strukturave të Komisionit Evropian fitohet përshtypja se ata nuk do të preferonin fare heqjen e masave. Por, duket se pak i ka zënë të befasuar shefja e tyre, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me njoftimin për heqjen e pjesës tjetër të masave. E këto struktura nuk kanë mundësi aq lehtë që të veprojnë kundër asaj që ka thënë Von der Leyen, megjithëse as një gjë e tillë nuk do të na befasonte kur është Kosova në pyetje.

Tash edhe BE-ja dëshiron që sa më shpejt t’i heqë masat në mënyrë që të shpëtohen nga humbja qindra miliona. Por koha e humbur dhe pasojat për pezullimin e shumë projekteve në Kosovë për shkak të këtyre masave nuk mund të kompensohet. Shumica e madhe në BE pajtohen po ashtu se nuk ishte dashur të ekzistonin fare këto masa, se ndaj autoriteteve politike të cilat u panë si “jo bashkëpunuese” kanë mundur të ndërmerreshin veprime të tjera e jo të dënoheshin qytetarët dhe tash shpresojnë që nga kjo BE-ja të nxjerrë mësime për të ardhmen dhe masat të tilla të mos i vendosë më askujt. Nëse duan të vendosin sanksione ta bëjnë këtë sipas rregullave që ekzistojnë dhe ato të jenë transparente./Koha.net

Paradoksi i bllokadës opozitare dhe konsolidimi elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje: zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 Nga Dr. Sadri RAMABAJA

Hyrje

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë prodhuan një situatë bllokade institucionale, si pasojë e një strategjie opozitare të ndërtuar mbi barikadimin “të gjithë kundër Albinit”. Kjo qasje, ndonëse synonte kufizimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), rezultoi në pamundësi për formimin e Qeverisë dhe çoi në zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor 2025. Kjo bllokadë, siç do ta argumentojmë më poshtë, shihet se nuk e ka dobësuar LVV-në, por përkundrazi ka krijuar kushte për thellimin e fitores së saj elektorale, potencialisht nga 42,8% në 45%,, por që nuk përjashtohet mundësia që të kalohet edhe niveli I fitores së 14 shkurtit 2021. Duke u mbështetur në teori të sjelljes elektorale, analizë të fragmentimit opozitar dhe psikologjinë politike të krizës, vështrimi dëshmon se opozita, duke përsëritur të njëjtat metoda politike, do ta riprodhojë rezultatin që synonte ta shmangte.

1. Zjedhjet si simptomë e krizës strukturore

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë thjesht mekanizëm procedural për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve parlamentare; ato janë shpesh simptomë e krizave strukturore të sistemit politik. Në rastin e Kosovës, kriza e vitit 2025 nuk buron nga mungesa e shumicës numerike, por nga mungesa e legjitimitetit funksional të opozitës për të ndërtuar alternativë qeverisëse.

Në këtë kontekst, rikujtimi i një sentence që i atribuohet Albert Ajnshtajnit – se problemet nuk zgjidhen me të njëjtën mënyrë të të menduarit që i ka prodhuar – merr vlerë analitike: opozita kosovare hyri në zgjedhje me të njëjtën logjikë politike që e kishte çuar në humbje dhe delegjitimim publik.

2. Strategjia opozitare: nga pluralizëm politik në koalicion negativ

Opozita në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk ndërtoi një projekt të përbashkët programor, por një koalicion negativ, të përkufizuar kryesisht nga kundërshtimi i liderit dhe subjektit dominues – Albin Kurtit dhe LVV-së.

Në literaturën e shkencës politike, koalicione të tilla:

  • nuk prodhojnë identitet të ri politik,
  • nuk mobilizojnë elektorat të paidentifikuar,
  • dhe shpesh përforcojnë aktorin kundër të cilit janë ndërtuar.

Në vend që ta relativizonte Kurtin si aktor politik, opozita e vendosi atë në qendër absolute të sistemit, duke e shndërruar zgjedhjen në referendum personal, jo në garë programore.

3. Bllokada institucionale dhe perceptimi publik i fajit

Pamundësia për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit prodhoi një krizë të zgjatur institucionale. Në raste të tilla, teoria e “atribuimit të fajit” (blame attribution) sugjeron se elektorati tenton të ndëshkojë aktorët që perceptohen si:

  • obstruksionistë,
  • të paaftë për kompromis,
  • ose të fokusuar në interes partiak afatshkurtër.

Në Kosovë, perceptimi dominant nuk ishte se LVV dështoi të qeverisë, por se opozita dështoi të ofrojë zgjidhje. Ky dallim është qenësor për të kuptuar pse zgjedhjet e reja nuk e dobësojnë automatikisht partinë në pushtet.

4. Dinamika e sjelljes elektorale në zgjedhje të përsëritura

Studimet mbi zgjedhjet e përsëritura tregojnë disa efekte të qëndrueshme:

  1. Rënie e pjesëmarrjes, kryesisht te elektorati skeptik dhe i paorganizuar;
  2. Konsolidim i elektoratit besnik, që mobilizohet më lehtë;
  3. Avantazh strukturor për forcën më koherente politike.

LVV, si subjekt me identitet ideologjik relativisht të qartë, liderizëm të konsoliduar dhe bazë elektorale të disiplinuar, përfiton nga këto kushte. Opozita, e fragmentuar dhe pa narrativë të unifikuar, humb proporcionalisht më shumë.

5. Gjasat për thellim të rezultatit: pse 45% është prag realist

Kalimi nga 42,8% në 45%, në mos më shumë, nuk përfaqëson një revolucion elektoral, por një rritje margjinale të shpjegueshme strukturalisht. Kjo rritje mund të vijë nga:

  • ndëshkimi elektoral i opozitës për bllokadën;
  • mobilizimi më i lartë relativ i elektoratit të LVV-së, me theks nga pjesëmarrja masive e mërgatës;
  • mungesa e një alternative të re kredibile.

Në mungesë të skandaleve të mëdha, presionit të artikuluar ndërkombëtar ose shfaqjes së një lideri të ri opozitar me kapital moral të padiskutueshëm, thellimi i fitores së LVV-së është më i mundshëm sesa rënia e saj.

Shto kësaj edhe tri ngjarje që shenjuan javën që lamë pas, rritja e VV ëshët krejtësisht e pritshme, reale.

  • Heqja 50% e masave nga ana e Komisionit të BE-së dhe paralajmrimi për largimin e tyre të plotë në fund të janarit 2026;
  • Nënshkrimi i Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare nga ana e Presidenti amerikan, Donald Trump, në të cilin është përfshirë edhe Kosova. Akti mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin në BE. Mbështet qartë marrëveshjen për normalizim raportesh Kosovë-Serbi dhe kërkon zbatim real të saj. Konfirmon se qëllimi final i saj është njohja reciproke. Refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike [pra hedhë poshtë marrëveshjet e 2015/2015 që ishin preludi i ndarjes së Kosovës]; forcon mbështetjen amerikane për demokracitë në Ballkanin Perednimor dhe për procesin e antarësimit ët tyre në BE;
  • Lajmi se Bahamas është shteti i radhës [121] që ka njohur shtetësinë e Kosovës.

6. Paradoksi politik: si opozita riprodhon dominimin që synon ta thyejë

Rezultati i pritshëm i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 nxjerr në pah një paradoks klasik të politikës konkurruese: sa më shumë që opozita bashkohet rreth kundërshtimit të një aktori dominues, pa ndërtuar alternativë substanciale, aq më shumë e konsolidon atë aktor.

Në këtë kuptim, zgjedhjet nuk janë vetëm verdikt mbi qeverisjen e LVV-së, por mbi aftësinë e opozitës për t’u transformuar nga bllokues në ndërtues të shtetit funksional.

7. Përfundim

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 nuk pritet të shënojnë një ndryshim paradigme në politikën kosovare. Përkundrazi, ato madje ka gjasa të mira që ta përforcojnë trendin ekzistues: një forcë dominuese që konsolidohet dhe një opozitë që vazhdon të veprojë me logjikën e restaurimit dhe jo të inovacionit politik.

Nëse opozita nuk ndryshon mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit, ajo nuk do të humbasë vetëm një palë zgjedhje, por rolin e saj historik si alternativë demokratike.
Rrjedhimisht ora për krijimin e një force të re politike, të djathtë, si një trashëguese reale e NDSH-së historike, po bie.

Kosovë: Në vitin e dytë të liberalizimit të vizave, bien kërkesat për azil në BE

Doruntina Baftiu

Pa viza drejt 29 vendeve anëtare të zonës Schengen, kryesisht shtete anëtare të BE-së…

Ky lajm kishte ardhur me paralajmërimin se liberalizimi i vizave mund të përkeqësojë trendin e emigrimit nga Kosova.

Dhe, gjatë vitit të parë, më 2024, kishte ndodhur pikërisht kjo, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat.

Trendi, megjithatë, ndryshoi në vitin e dytë të mundësisë së udhëtimit pa viza.

Edhe pse janari i këtij viti shënoi numrin më të lartë të kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian për një fillimvit, trendi ra dukshëm në muajt pasues.

Në disa muaj, ky numër ishte madje më i ulët se në vitet para liberalizimit të vizave.

Në parim, liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 29 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe assesi për punë apo përfitime të tjera.

Në Kosovë kishte shqetësime se shumë të rinj mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të tentuar të gjejnë punë apo për të kërkuar azil.

Edhe pse në të kaluarën kishte një numër dukshëm më të madh të burrave që kërkuan azil në BE, ky dallim pothuajse u zhduk në dy vjetët e fundit.

Këtë vit, përpos rënies së përgjithshme të numrit të azilkërkuesve, vërehet një rënie drastike edhe e numrit të azilkërkuesve nën 14 vjeç.

Ky është një lajm i mirë për kosovarët, pasi që trendi i aplikimeve më të mëdha për azil rrezikon edhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave.

Bashkimi Evropian ka në dorë të ashtuquajturin Mekanizëm të pezullimit të vizave.

Me këtë mekanizëm, një vendi joanëtar të BE-së, si Kosova, mund t’i pezullohet përkohësisht përjashtimi nga vizat, nëse bën keqpërdorime, apo ka rritje të konsiderueshme të migrimit të parregullt.

Për më tepër, këtë muaj, Këshilli i Bashkimit Evropian e përfshiu Kosovën në listën e vende të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE.

Rrëmbeu serbin e akuzuar nga Vuçiç në Kosovë, Sveçla: Arrestohet ish-pjesëtari i MPB-së së Beogradit

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i MPB-së të Serbisë lidhur me “kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviq”.

Sipas Sveçlës, i arrestuar V.M., ishte integruar në Policinë e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje. Sipas tij, ai u arrestua gjatë një operacioni të Policisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në Leshak.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se personi i arrestuar ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Millan Vukashinoviq, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi”, shkroi Sveçla në Facebook.

Sipas autoriteteve të Kosovës, Vukashinoviq dyshohet se u rrëmbye në brendësi të territorit të Kosovës më 1 nëntor.

“Në Kosovë askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. Institucionet tona profesionale kanë kapacitetet për të adresuar secilin kërcënim dhe për të zbardhur çdo krim”, shkroi Sveçla.

Ai tha se dyshohet që V.M. ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe të ushtrisë, “ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë”.

Autoritetet e Kosovës më herët i kishin bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë trysni ndaj Beogradit pas plagosjes dhe rrëmbimit të dyshuar të Vukashinoviqit nga Xhandarmëria e Serbisë.

Dyshohet se Vukashinoviq u plagos dhe më pas u rrëmbye më 1 nëntor në fshatin Jellakcë afër Leposaviqit, para se të dërgohej më pas në spitalin e Prokuples, e më vonë në Qendrën Klinike të Nishit.

Serbia nuk ka reaguar për këtë rast.

Familja e Vukashinoviqit, përmes avokatit Ivan Niniq, kanë dorëzuar padi në Prokurorinë e Lartë Publike të Prokuples

Niniq ka thënë se meqë shteti serb ka heshtur, padia është dorëzuar kundër personave të panjohur, anëtarë të Ushtrisë së Serbisë, ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ose Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 2023.

Vukashinoviq ka qenë i punësuar në Byronë e Sigurimeve të Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë, në veri të Kosovës.

Pasi autoritetet bën publike rastin e Vukashinoviqit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ai u sulmua sepse “është kundërshtar i politikave dhe i regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Radio Evropa e Lirë, duke përdorur mjete forenzike për identifikimin e fytyrës, ka vërtetuar se Vukashinoviq është i njëjti person që më 28 qershor të këtij viti kishte folur publikisht për presionet që kishte pasur, në një intervistë me gazetarin dhe ish-deputetin serb Nemanja Sharoviq, për televizionin KTV nga Serbia.

Gjatë asaj interviste, ai kishte deklaruar se serbët ishin detyruar të largoheshin nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 nën presionin e Listës Serbe, dhe se edhe ai vetë kishte qenë viktimë e presioneve, duke shtuar se nuk ndihej i sigurt të udhëtonte në Serbi sepse kishte refuzuar të jepte dorëheqje.

“Kanë shpifur për shumë gjëra, më kanë lidhur me shqiptarët, nuk jam i sigurt të udhëtoj në Serbi. Jam këtu në Kosovë, e anashkaloj Serbinë”, kishte thënë ai./ REL

Donika Gërvalla : Personalitete si Hafiz Gagica janë të pandashme nga lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

 

Personalitete si Hafiz Gagica janë të pandashme nga lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Qindra mijëra shqiptarë në Gjermani dhe në Kosovë janë të ndërgjegjshëm për këtë dhe e respektojnë atë me të drejtë. Sot, kur gjendja e tij shëndetësore është e rënduar, ai ka të drejtë të presë solidaritetin tonë, të njëjtin solidaritet që ai e tregoi pa hezitim për Kosovën në periudhën e kërcënimit më të madh.

Fjalimi im i plotë:

Në vitet e 90-ta, Hafiz Gagica luajti një rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe çlirimin e Republikës së Kosovës, në ngritjen dhe forcimin e sistemit paralel gjatë represionit të ushtruar nga Serbia, si dhe në përfaqësimin e një zëri të fuqishëm dhe të padiskutueshëm të shqiptarëve për Kosovën në Gjermani dhe më gjerë.

Për këtë angazhim, ai hoqi dorë nga një vend i sigurt pune në Gjermani, për t’iu përkushtuar plotësisht veprimtarisë politike, duke u kthyer në bartësin kryesor të aktivitetit të mërgatës së viteve të 90-ta. Në Gjermani, në Evropë dhe më tej, duke marrë përsipër rol kyç të lidhjes mes Prishtinës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Gjatë viteve të 90-ta, si për Presidentin Rugova, ashtu edhe për përfaqësues të tjerë përgjegjës të Republikës së Kosovës, zyra në Shtutgart, faktikisht ishte qendra e dytë politike krahas Prishtinës, dhe nën drejtimin e Hafiz Gagicës sherbeu si pikë qendrore për logjistikë, koordinim, kontakte politike dhe veprimtari të shumta të tjera. Një numër i madh udhëtimesh të Presidentit Rugova dhe të delegacioneve të tjera në Gjermani, Zvicër, vende të tjera evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u organizuan nga kjo qendër në Shtutgart nën udhëheqjen e tij.

Hafiz Gagica pati gjithashtu rol vendimtar në organizimin dhe sigurimin e financimit të sistemit paralel të Republikës së Kosovës, veçanërisht në fushat e shëndetësisë, arsimit, si dhe të furnizimit ushqimor. Në këtë periudhë tejet të vështirë, qindra mijëra shqiptarë përfituan mbështetje jetike falë organizimit të qëndrueshëm dhe angazhimit edhe personal të Hafiz Gagicës, si dhe të shumë e shumë veprimtarëve të tjerë në mërgatë.

Në Gjermani, ai inicioi dhe institucionalizoi kontakte intensive të Kosovës në vendin më të madh të Bashkimit Evropian dhe partnerin më të rëndësishëm evropian të NATO-s me Bundestagun, qeverinë federale dhe mediat kryesore.

Po ashtu, Hafiz Gagica ishte nismëtar i organizimit të demonstratave të mëdha të shqiptarëve në Gjermani, ku dhjetëra mijëra bashkatdhetarë, së bashku me miq gjermanë, u mblodhën për ta bërë zërin e Kosovës të dëgjueshëm në proceset politike në Gjermani dhe në arenën ndërkombëtare. Demonstrata më e madhe e organizuar ndonjëherë nga një organizatë jo-gjermane në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë ishte tubimi në vitin 1998 në Bonn, ku morën pjesë mbi 100.000 pjesëmarrës, duke kërkuar qartë dhe fuqishëm lirinë për Kosovën dhe përfundimin e shtypjes serbe.

Qysh në vitin 1991, Hafiz Gagica kontribuoi në organizimin e ushtrimeve të grupeve të para ushtarake në Shqipëri. Figura të shquara dhe heronj të Kosovës, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Sali Çekaj, ishin ndër ata që morën pjesë në këto përgatitje për mbrojtjen e Kosovës të cilat vendosen themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë viteve ‘98–‘99, Hafiz Gagica duke shfrytëzuar të gjitha kontaktet dhe mundësitë e tij, bashkëorganizoi një mbështetje të gjerë politike, logjistike, ushtarake dhe financiare për mbrojtjen e Kosovës. Ai vetë shpenzoi personalisht dhjetëra mijëra marka gjermane nga mjetet e tij private dhe, në vitet pasuese, i shlyeu me përgjegjësi detyrimet financiare të krijuara.

Personalitete si Hafiz Gagica janë të pandashme nga lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Qindra mijëra shqiptarë në Gjermani dhe në Kosovë janë të ndërgjegjshëm për këtë dhe e respektojnë atë me të drejtë.

Sot, kur gjendja e tij shëndetësore është e rënduar, ai ka të drejtë të presë solidaritetin tonë, të njëjtin solidaritet që ai e tregoi pa hezitim për Kosovën në periudhën e kërcënimit më të madh.

 

Miliona euro dëm shtetit përmes tokave të shpronësuara! Prokuroria sqaron rolin e ish-ministrit Fadil Ismajli si ndërmjetësues dhe zyrtarëve të tjerë

Sipas dokumenteve të Prokurorisë, të siguruara nga “Betimi për Drejtësi” të dyshuarit kanë krijuar një rrjet të mirëorganizuar që synonte përfitime të kundërligjshme nga kompensimet për pronat e shpronësuara, duke shkelur ligjet për shpronësim dhe duke realizuar propozim-ankesa të vonuara ligjërisht.

 

KOSOVA– Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve: ish-ministrit Fadil Ismajli, avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarit Jovica Mitroviq, Bedri Dibranit, Shaban Tërbunjës, Naim Krasniqit dhe Goran Llaziq, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme.

Sipas dokumenteve të Prokurorisë, të siguruara nga “Betimi për Drejtësi” të dyshuarit kanë krijuar një rrjet të mirëorganizuar që synonte përfitime të kundërligjshme nga kompensimet për pronat e shpronësuara, duke shkelur ligjet për shpronësim dhe duke realizuar propozim-ankesa të vonuara ligjërisht. Nga ana e Prokurorisë, avokatja Mirlinda Bllata-Dibrani ka parashtruar propozim-ankesa për ish-pronarët e pronave të shpronësuara, edhe pasi afatet ligjore kishin kaluar dhe kompensimi ishte dhënë më parë.

Gjithashtu, Bllata-Dibrani ka marrë paratë e ekzekutuara nga thesari i shtetit dhe i ka transferuar tek të dyshuarit e tjerë sipas përqindjeve të dakorduara në rrjetin e përfitimeve të paligjshme.

Gjyqtari Jovica Mitroviq dhe përfaqësuesit e Avokaturës Shtetërore, përfshirë Naim Krasniqin, sipas pretendimeve të Prokurorisë, nuk kanë kundërshtuar këto ankesa dhe kanë lejuar përfundimin e propozim-ankesave me Ujdi Gjyqësore, duke legalizuar pagesat përfituesve në mënyrë të parregullt.

Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë krijuar mundësinë që ish-pronarët e kompensuar më parë të përfitojnë sërish, duke përfshirë edhe përfitime për vetë të dyshuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit të nënshkruar nga prokurori special, Dren Paca, thuhet se i dyshuari Fadil Ismajli ka marrë shumicën e parave nga ekzekutimi i pagesës (rreth 210,000 euro) dhe i ka dorëzuar ato tek Bedri Dibrani, i cili më pas i ka shpërndarë mes të dyshuarve të tjerë: 4,000 euro për Jovica Mitrović, 5,900 euro për Shaban Tërbunja, 9,500 euro për Goran Llazic, 9,000 euro për Naim Krasniqi dhe 7,000 euro për Ridvan Krasniqi.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Fadil Ismajli funksiononte si ndërmjetës kyç, duke koordinuar transferimin e parave dhe siguruar respektimin e marrëveshjeve për shpërndarjen e fitimeve të paligjshme.

Prokuroria pretendon se Goran Llazic dhe Bedri Dibrani janë kapur në flagrancë duke numëruar dhe ndarë paratë, ndërsa dokumentet dhe blloqet e shënimeve të gjetura tek Llazic tregojnë planin e shpërndarjes dhe përfituesit e dyfishtë, duke përfshirë përqindjet që i përkasin secilit të dyshuar në rrjet.

Për Shaban Tërbunja, Prokuroria thotë se ka marrë pjesë në shpërndarjen e përfitimeve duke ndihmuar në transferimin dhe dorëzimin e shumave sipas marrëveshjeve paraprake, ndërsa Naim Krasniqi dhe Ridvan Krasniqi kanë përfituar nga shpërndarja e parave.

Prokuroria ka mbledhur prova materiale përmes monitorimit të fshehtë të bisedave, kontrollit të vendbanimeve, sekuestrimit të pajisjeve elektronike dhe intervistimit të dëshmitarëve dhe të dyshuarve.

Pretendimet e Prokurorisë tregojnë se të dyshuarit kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, duke krijuar një mekanizëm të strukturuar për të përfituar padrejtësisht, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar dhe institucional ndaj shtetit të Kosovës dhe duke rrezikuar përsëritjen e veprave të njëjta.

\Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku i arratisjes për të dyshuarit me lidhje dhe pronë jashtë vendit, si dhe rreziku që ata të ndikojnë në dëshmitarë ose të pengojnë rrjedhën normale të procedurës gjyqësore. Pretendimet e Prokurorisë theksojnë se paraburgimi është i vetmi mjet adekuat për të parandaluar asgjësimin e provave dhe për të siguruar një proces të drejtë gjyqësor.

Sipas dosjes së Prokurorisë, veprimet e secilit të dyshuar, duke përfshirë parashtrimin e propozim-ankesave të parregullta nga Bllata-Dibrani, miratimin e tyre nga Mitrović dhe përfaqësuesit e Avokaturës, shpërndarjen e parave nga Fadil Ismajli dhe Bedri Dibrani, dhe pjesëmarrjen e tjerëve në mekanizmin e rrjetit, tregojnë pjesëmarrje aktive në një rrjet korrupsioni të orkestruar, duke shkelur ligjet dhe duke minuar besimin publik në institucionet shtetërore.

Të enjten, më 18 dhjetor, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme se është finalizuar një operacion kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku janë arrestuar disa zyrtar ëlidhur me procesin e shpronësimit të pronave. Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar ndaj gjyqtarit i përfshirë në këtë rast do të merren masa. /BetimipërDrejtësi

Justina Shiroka Pula bëhet gruaja e parë në krye të ASHAK-ut

Radio Evropa e Lirë

Akademikja Justina Shiroka Pula është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ajo është gruaja e parë që udhëheq këtë institucion të themeluar më 1975 dhe pason në këtë detyrë akademik, Mehmet Krajën.

Gjatë mbledhjes më 19 dhjetor, ASHAK zgjodhi edhe kryesinë e saj, ku Fejzullah Krasniqi u zgjodh nënkryetar, ndërkaq Bardh Rugova sekretar shkencor.

Mandati i kryetarit të ASHAK-ut është katërvjeçar, me mundësi rizgjedhje.

Kush është Justina Shikora Pula?

Udhëheqësja e re e ASHAK-ut ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë. Po ashtu, më 1976 ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Ndërkaq, studimet pasuniversitare, në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonimike të Zagrebit.

Ajo u doktorua në UP me tezën e doktoratës me titull: “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Kryetarja e re e Akademisë së Shkencave ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës dhe më 1978 ka nisur karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.

Sipas biografisë të publikuar në faqen e ASHAK-ut, Shiroka Pula ka marrë pjesë edhe në studime të posdoktoratës, në Universitetin e Lincit në Aushtri, në atë të Arizonës në SHBA si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete të ndryshme të botës.

Pas luftës, ajo është angazhuar në shoqërinë civile, në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore dhe zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.

Nga viti 2008 deri më 2011 ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, ndërkaq nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

Ngrihet aktakuzë kundër Ramadan Morinës për krime lufte në Malishevë

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të enjten kundër Ramadan Morinës nën dyshimin për nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Morina, i cili u arrestua në gusht, akuzohet se mori pjesë në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në mars të vitit 1999 në fshatin Burim të Malishevës, në juglindje të vendit.

Sipas aktakuzës, ai gjithashtu mori pjesë në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Ai është mbajtur në paraburgim qysh nga arrestimi i tij në verë dhe tani pritet të gjykohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.

Në gusht, ajo dorëzoi në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri më 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Ndër ta ishte edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Osmani: Kosovës i hiqen të gjitha sanksionet nga janari!

BRUKSEL– Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel njoftoi se Kosovës do t’i hiqen të gjitha sanksionet e vendosura nga BE duke nisur nga muaji janar. Me anë të një postimi në Facebook, Osmani shkruan se ka lajme të shkëlqyeshme për Kosovën, pasi në fund të samitit dhe pas diskutimeve u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës.

“Kemi lajme të shkëlqyeshme për Kosovën. Në fund të samitit dhe pas diskutimeve u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe hiqen sot dhe një pjesë në fund të janarit”, tha Osmani.

Ambasada e SHBA në Prishtinë: Synojmë të punojmë me Qeverinë e re për avancim të prioriteteve të përbashkëta

Radio Evropa e Lirë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i tha të mërkurën Radios Evropa e Lirë (REL) se pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha në disa përgjigje me shkrim për REL-in se shpreson që “partneriteti ynë të thellohet me Qeverinë e Kosovës”, përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të planifikuar Strategjik.

“Kjo do të kërkojë veprim për të avancuar agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

Ky qëndrim i Ambasadës vjen pas deklaratave të bëra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë një interviste në televizionin lokal Kanal 10 se raportet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe mospajtimet kryesore gjithmonë kanë qenë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

Më 11 dhjetor, Kurti tha, po ashtu, se sa u përket mbrojtjes dhe sigurisë, raportet “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.

Megjithatë, në shtator të këtij viti, SHBA-ja njoftoi për pezullim për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

Nga Ambasada amerikane po ashtu thanë se janë të “zhgënjyer nga veprimet” e Kurtit, duke theksuar se qëndrimet e tij kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë.

Dialogu ishte planifikuar që të forconte raportet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e Kurtit u panë si sfida për përparim.

Disa analistë politikë patën komentuar atëbotë se pezullimi ishte paralajmërim se mbështetja ndërkombëtare për Kurtin dhe Qeverinë e tij po zbehet.

Kurti fillimisht kishte pranuar se ekzistonin disa dallime me SHBA-në, por raportet me Uashingtonin nuk ishin prishur. Më pas, më 28 shtator tha se arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik ishte për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, “i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise“.

Dialogu Strategjik, që SHBA-ja zhvillon me shtete të tjera, përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, e të tjera.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998. Uashingtoni konsiderohet si partneri më i rëndësishëm i Kosovës dhe mbështetja e tij vlerësohet jetike për vendin.

Viteve të fundit, Kurti, që është në pushtet që nga fitorja në zgjedhje më 2021, është kritikuar disa herë nga faktori ndërkombëtar për shkak të disa vendimeve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që kishin të bënin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen nga përdorimi i dinarit serb dhe mbylljen e institucioneve serbe.

Ai ka thënë se këto veprime janë në kuadër të shtrirjes së sundimit të ligjit në veri, duke theksuar se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Megjithatë, SHBA-ja dhe qendrat evropiane i kanë cilësuar shpesh këto si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Marie-Françoise Allain, Portret pas vdekjes Nga Klara Buda

Marie-Françoise Allain, e njohur si Soizik, u shua në moshën 80-vjeçare.

Gazetare, intelektuale e angazhuar, ajo bashkoi kthjelltësinë morale me kërkesën e lartë për stil.

Nga Graham Green e deri në Kosovë, zëri i saj ishte ai i një besnikërie pa bujë, i një pranie të rrallë. Veprimtaria e saj për të mbrojtur çështjen e Kosovës ishte thelbësor në Francë.

Ajo ishte nënshkruesja e parë dhe bashkorganizatorja e peticionit të intelektualëve francezë kundër spastrimit etnik në Kosovë.

 

Paris, 14 dhjetor 2025

 Marie-Françoise Allain (për miqtë, Soizik) lindur më 1945 na la të shtunën, më 13 dhjetor, në moshën 80-vjeçare.

Krahas karrierës së saj si lektore në letërsinë amerikane në Universitetin Paris-8 të Saint-Denis, ajo kontribuonte si gazetare (veçanërisht në Le Monde diplomatique), dhe u angazhua në kauza demokratike si ajo e Irlandës, Haitit, dhe Çekosllovakisë, dhe mbi të gjitha në atë të Kosovës.

Për ata që e kanë njohur, shumë më tepër se një intelektuale e angazhuar, ajo ishte një ndërgjegje lëvizëse, një prani e palëkundur atje ku kërkohej qëndresë.
Akti i shkrimit, për të, nuk ishte çështje stili, por një akt besnikërie, ndaj së vërtetës, drejtësisë dhe të tjerëve.

Bijë e një babai të vrarë në vitin 1965, në një mision në shërbim të Francës, ajo mësoi që herët se dhuna nuk është një çështje abstrakte: ajo shënon jetë, shënon trupin e njeriun të dashur dhe lë pas një dhimbje që të ndjek dhe të paralizon. Këtë trashëgimi të dhimbshme ajo do ta shndërronte në një kërkesë të brendshme: një vëmendje pa kompromis ndaj padrejtësive të heshtura, të vërtetave të shtrembëruara dhe zërave të mbytur, duke e kthyer dhimbjen në forcë.

Doktore në Teori Letërsie, ajo kishte zgjedhur Graham Greene si bashkudhëtar mendimi, jo thjesht si një “temë” akademike, por si një laborator moral, një shkollë kthjelltësie përballë zonave gri, besnikërive të dyshimta dhe kompromiseve të zakonshme, që mbushin jetën e njerëzve të vegjël.
Kjo njohje e gjatë me veprën e tij kishte formuar tek ajo një vigjilencë të rrallë: një dëgjim të kujdesshëm dhe e kishin mësuar të shihte  atë “dritë të vogël” të brendshme që çdo regjim apo ideologji përpiqet ta shuajë përpara se të shperndajë terrin e vet.

Për herë të parë e takova dhe u njoha me të në një konferencë në Bruksel. Ishte e dërguar aty nga Le Monde diplomatique. Klara Buda, shqiptare iu prezantova: Marie-François Allain (Soizik), baske, ma ktheu ajo. Marie-François Allain zhvilloi një punë të duruar dhe të saktë, të përqendruar në Evropën Qendrore, me dhunën politike dhe kulturën si sizmograf.
Linja editoriale që respektonte nuk ishte ajo e vendosur nga Gazeta Le Monde diplomatique, por një linje rigoroze, etike, me saktësi dhe refuzim të thjeshtëzimeve, durim përballë fakteve dhe shpesh herë jo edhe aq diplomatike. Mbi të gjitha, ajo kishte atë mënyrë unike për të lidhur ngjarjet me jetët, pa patetizëm, por edhe pa ftohtësi. Me gjasë, ishte pikërisht kjo aleancë, etika e formës dhe ndjesia e reales, që e bëri aq të pranishme gjatë luftës së Kosovës.
E angazhuar thellësisht në Comité Kosovo*, ajo u përpoq me gjithë forcën e saj, shpesh deri në rraskapitje, për ta bërë të dëgjohej në Francë zërin e rezistencës paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës.

Nga ky angazhim lindi, në bashkëpunim me Xavier Galmiche, një libër thelbësor: La Question du Kosovo (Fayard, 1994).

Të dy ishin bashkautorë në konceptimin e veprës: ajo, gazetare dhe intelektuale e angazhuar; ai, atëherë një studiues i ri, sapo i habilituar në Sorbonne, dhe sot Profesor në këtë universitet prestigjioz francez.

La Question du Kosovo: Entretiens avec Marie-Françoise Allain et Xavier Galmiche

Ky libër mbetet një dokument i rëndësishëm, jo vetëm për të kuptuar një strategji politike jo të dhunshme përballë shtypjes dhe dhunës, por edhe për të mesuar se si një gjuhë e vogël mund ti mbijetoje fshirjes së saj nëpërmjet mendit filozofik. Pas botimit të këtij libri, ceshtja e Kosoves u sqarua per opinionin publik francez si kurre me pare. Ishte ne keto kushte njohje qe tri dite pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në ish Jugoslavi,  do të bëhej e mundur hapja e Redaksisë shqipe të Radio France Internacionale, ku do të punoja gjatë luftës së Kosovës dhe do ta drejtoja deri në mbylljen e saj, pas renies se perdes se hekurt.

E kisha intervistuar shpesh Marie – Françoisen për Radio Francë Internacionale, kuptova shpejt se Kosova, për të, nuk qe kurrë “një dosje” mes të tjerash: ishte një vijë thyerjeje, një çeshtje ku zbulohej aftësia e Evropës për të njohur, ose për të mos njohur, fillimin e çnjerëzimit.

Në vazhdën e këtij angazhimi, ajo bashkënënshkroi disa thirrje që denonconin “spastrimin etnik” në Kosovë, dhe ishte firmëtarja e parë dhe bashkorganizatore ( me mua, si firma e dytë) e peticionit të intelektualëve francezë kundër spastrimit etnik, më 23 qershor 1998. Ajo do te ishte e pranishme ne gjithe manifestimet kunder spastrimit ethnik dhe dhunes se Milosheviçit ne Kosove dhe nuk do te rreshte te shkruante per te. Ata që e kanë lexuar, e kujtojnë frazën e saj: një frazë që analizon, që peshon. Një frazë që nuk mjaftohet me informimin, por që nuk bie kurrë në lirizëm apo kompasion të tepëruar.
Edhe kur shkruante për letërsinë, ajo kërkonte vijen e mesme ku vendoset morali. Edhe kur shkruante për luftën, ruante përmbajtjen e saj për dhimbjen e tjetrit. Ishte një përmbajtje që vinte nga njohja e faktit se të flasësh për tjetrin është gjithmonë një rrezik, dhe ajo e shndërronte këtë rrezik në disiplinë.

Mbetet një vepër, artikuj, libra, qëndrime dhe pozicionime, ku dëgjohet një besnikëri pa madhështi: besnikëri ndaj popujve të kërcënuar nga harresa (si atëhere kur mu paraqit si baske dhe jo franceze**), besnikëri ndaj nuancës, kur propaganda imponon slogane dhe tabllo bardhe e zi. Ajo ishte ishte prova e idesë se letërsia dhe gazetaria, kur qëndrojnë në lartësinë e tyre, nuk janë stoli të demokracisë, por nervat e saj.

Ata që e kanë njohur nuk do ta harrojnë kurrë Soizik-ën, qetësinë e saj të zjarrtë, dashamirësinë, dhe atë mënyrë të rrallë për ta bërë të vërtetën te shpaloset ne menyre evidente.

Ajo kishte edhe nje forme te veçante vetëironi-je. Më kujtohet një darkë në Paris me presidentin Ibrahim Rugova: ishim dy gratë e vetme në tryezë, dhe ai na dhuroi secilës nga një trëndafil. Ky gjest, i thjeshtë por simbolik, shprehte njohjen e pranisë sonë femërore në një univers politik të dominuar nga burrat. Marie-Françoise e pranoi me atë gravitet të butë që e karakterizonte, ndërsa qeshte me veten.

Xavier Galmiche, mik i mendimit, e përshkruante si një grua “me jetë dhe shpirt romanesk e të ndërlikuar”. E ndjaj të njejtin mendim me të, jeta e saj ishte komplikuar edhe nga drama e humbjes së babait kur ishte 20 vjeç.
Një komplicitet i vërtetë ekzigjence universitare dhe besimi i lidhte me të. Ai i qëndroi besnik deri në fund.

Së bashku me Xavienë bëmë një udhëtimin për ta vizituar në gusht 2020, në shtëpinë e saj të pleqërisë në Treigny, në Yonne.
Ajo na priste në një shezlong. Zëri ishte i dobët, por dëgjimi i saj, i paprekur. Një çast ndriçimi i pezullt, hera e fundit.

Pusho në paqe, Soizik. Do ta takosh sërish babanë tënd që e deshe aq shumë.

Një meshë në nder të saj do të mbahet të enjten, më 18 dhjetor, në orën 10:00, në Saint-Sauveur në Puisaye. Ajo do të varroset në varrezat e Trégourez (Finistère).

*Komiteti “Kosova”, pranë revistës Esprit (kolektiv francez që mbështeste rezistencën paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës)

**vendi Bask, është ndarë në dy pjesë mes Francës dhe Spanjës, gjuha baske flitet dhe mësohet vetëm lokalisht, si nê Francë ashtu edhe në Spanjë.

Ky portret mund te ri-botohet duke cituar ©klarabudapost.com. Fotoja mund te publikohet me lejen e Z. Adnan Merovci

Vudi Xhymshiti: Qartësi kundër manipulimit nga Berat Buzhala se“Trump do ndërpresë financimin e GJS për të shpëtuar Thaçin” është i rrejshëm

Gazetari i njohur investigativ Vudi Xhymshiti ka reaguar në rrjetin social ndaj pretendimeve të Berat Buzhalës të botuara tek Nacional se Presidenti Trump do të ndërpresë financimin ndaj Gjykatës Speciale për të shpëtuar nga Haga Hashim Thaçin.

“Pretendimi se Shtetet e Bashkuara “financojnë” Gjykatën Speciale në Hagë dhe se Donald Trump mund ta ndërpresë këtë financim për ta “shpëtuar” Hashim Thaçin është i rrejshëm”, shkruan gazetari Xhymshiti pasi që ai shton se “Gjykata Speciale financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian, jo nga SHBA, mbështetje kjo e garantuar nga BE-ja.”

Ndërsa sa i përket gjasës të mos financimit të GJS sipas Buzhalës “si një lëvizje të Presidentit Trump për ta “ndihmuar” Thaçin është lexim politik i rremë, i ndërtuar për konsum të brendshëm dhe për qëllime propagandistike”, nënvizon Xhymshiti.

Reagimi i tij i plotë si më poshtë:

 


Send this to a friend