Dhjetë deputetë të Parlamentit Evropian kanë dërguar një letër të plotë zyrtare drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe Komisoneve për Siguri, Demokraci dhe Zgjerim, duke protestuar kundër ndërhyrjes së Policisë Shqiptare tek ambientet e News24 dhe institucioneve të medias, e lidhur me mosrespektimin e lirisë së medias dhe kërcënimin ndaj pavarësisë së saj.
Sipas letrës së drejtuar zyrtarëve të lartë evropianë policia shqiptare rrethoi ndërtesën ku operojnë mediat News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, ndërsa u ndërpre energjia elektrike dhe punonjësit nuk u lejuan të hyjnë në ambientet e punës.
Kjo veprimtari konsiderohet si sulm ndaj pavarësisë së medias dhe një shkelje serioze e të drejtave themelore, veçanërisht për një vend që aspiron anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nga të dhënat në letër rezulton se incidenti lidhet me një kontest pronësie mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Focus Media Group. Autoritetet pretendojnë se kontrata e qirasë për ndërtesën ka përfunduar në vitin 2022, ndërsa Gjykata Administrative Apelore dha vendim për lirimin e menjëhershëm të objektit në korrik 2025.
Eurodeputetët theksojnë se ndërhyrja ndodhi pa një vendim të publikuar gjyqësor që lejonte ndërprerje tingëllimi ose ndërhyrjen e ekipeve të sigurisë në mënyrë që të mos pengohet puna gazetareske.
Në letrën e tyre eurodeputetët i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të shqyrtojë me kujdes situatën dhe të dërgojë mesazh të qartë se shkeljet e lirisë së medias dhe të drejtave themelore nuk mund të tolerohen.
Ata vendosën në dukje se ky veprim i dyshimtë nga qeveria e Shqipërisë duket se rrezikon largimin e vendit nga standardet evropiane për sundimin e ligjit, pluralizmin mediatik dhe transparencën.
Letra e plotë:
Më 9 gusht 2025, Policia e Shtetit rrethoi ndërtesën në Tiranë ku ndodhen disa media, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe duke penguar gazetarët dhe stafin të hynin në ambientet e punës. Kjo veprimtari e paprecedentë, e raportuar si e lidhur me një mosmarrëveshje pronësie mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe grupit Focus Media, është dënuar gjerësisht nga organizatat që mbrojnë lirinë e shtypit si një sulm ndaj pavarësisë së medias. Bllokada ndaloi në mënyrë efektive transmetimin e News24 dhe pengoi rreth 230 punonjës të ushtronin detyrat e tyre profesionale, duke ngritur shqetësime serioze për respektimin e të drejtave themelore dhe shtetit të së drejtës në një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Si anëtarë të Parlamentit Evropian, nuk mund të qëndrojmë në heshtje përballë këtij sulmi të fundit të Qeverisë shqiptare ndaj lirisë së medias. Sipas deklaratës së Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve për Shqipërinë – Zgjedhjet Parlamentare, 11 maj 2025: mjedisi mediatik në Shqipëri mbetet shumë i kufizuar, me pavarësinë, diversitetin dhe integritetin e përmbajtjes së lajmeve të minuar nga financimi jo-transparent, përqendrimi i pronësisë, ndërhyrjet në autonominë redaksionale dhe ndikimi politik.
Ngjarja e fundit konfirmon të gjitha referencat e përmendura në Deklaratën Paraprake të Gjetjeve dhe Përfundimeve lidhur me lirinë e medias, dhe është një tjetër dëshmi thellësisht shqetësuese për sa larg ndodhet ende Shqipëria nga garantimi i të drejtave që janë të panegociueshme në çdo demokraci. Liria e shtypit nuk është luks – ajo është gur themeli i jetës demokratike.
Veprime të tilla, veçanërisht nga një vend që synon anëtarësimin, nuk mund të tolerohen. Kjo vendimmarrje nga administrata e Kryeministrit Rama shton një tjetër element në listën në rritje të masave që e largojnë Shqipërinë nga parimet e shtetit të së drejtës, acquis communautaire të BE-së dhe Aktit Evropian për Lirinë e Medias.
Rruga drejt anëtarësimit në familjen evropiane si një shtet anëtar kërkon respekt të plotë për të drejtat e njeriut, ndarjen e pushteteve dhe lirinë e shprehjes. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Komisionit Evropian të shqyrtojë me kujdes këtë situatë dhe të dërgojë një mesazh të qartë se shkeljet e këtyre vlerave themelore nuk mund të pranohen.