Nuk di si ra fjala, kur inxhinier Spiro më tregoi një ditë për fatin e një greku që kishin në qytetin e tyre buzë lumit.
Kisha dëgjuar nga nëna dhe babai për burrin e gjatë me kasketë që punonte si portier apo roje në spital. Asgjë nuk më lidhte mua dhe moshtarët e mi me atë njeri, por shokët më patën treguar një herë se djali i tij Vani apo Miklovani, kishte një fisarmonikë të vogël, krahu dhe kjo nuk ishte pak për të gërvishtur kureshtjen tonë fëminore.
Kur e pyeta babain për djalin dhe sidomos për të atin e tij, se pse ata ishin të huaj, për habinë time ai ma ktheu se i ati, është grek. Bile jo grek minoritar, por shqeto grek.
-Por ai është komunist dhe kjo ka rëndësi. Është komunist internacionalist-tha babai.
Asgjë nuk kuptova. Ose diçka turbull prej amalgame nga ato që kishim dëgjuar në shkollë.
-Ç’domethënë?
-Domethënë që që është një mik nga një shtet i huaj, nga Greqia, sot jomike me shtetin tonë. Por është komunist dhe kjo, do të thotë që është njeri i mirë. Shikon hallet e tij dhe me shqipen që ka mësuar, nuk trazon kënd por sheh punën e vet dhe konakun e vet.
-Po fisarmonika që ka Miklovani, djali i tij që është dy klasa më lartë se unë?
-Ç’domethënë fisarmonika? Ç’është kjo fisarmonikë? Nga ato harmonikat e gojës që vinin tek ne nga Çekia dhe Bashkimi Sovjetik?
-Jo baba! Nga ato që hidhen në krah, por më e vogël. Për fëmijë. Të gjithë ia kanë parë në shtëpi tek luan. Madje edhe Koli i Fajkasë nga klasa jone, kishte shkuar një ditë në shtëpinë e tij për ta dëgjuar.
Babai buzëqeshi. Punonte aso kohe në ofiçinën e minierës. Babai ishte nga ata të Bashkimeve Profesionale po edhe komunist.
-Ahaa! Atë do ta kenë sjellë andej, kur erdhën si familje nga vendi i sovjetikëve ku kanë jetuar më parë.
-Si erdhën e pse erdhën andej ?
-Kjo, është histori e gjatë. more bir. Kaq ka rëndësi për ty si shkollar: që janë njerëz të mirë dhe shohin punët e tyre.Të tjerat i di Partia.
Atëbotë, kur thuhej kjo fjali, domethënë: Të tjerat, i di Partia , ishte njësoj si të thoshe sot ndër besimtarët se keto janë punë të Zotit dhe dihet, se me punët e krijuesit, atje lart, askush nuk përzihet dhe as që i vë në dyshim nga tokësorët besimtarë. Ai, veç adhurohet.
***
Ç’bën rastësia. Kur isha ca më i rritur, më shtruan në spital nga bajamet dhe u ndodha ca ditë në të njejtën dhomë me internacionalistin të cilit, në qytet disa i thërrisnin me emrin e tij Stamatis dhe disa, me emrin popullor dhe përkëdhelës për të moshuari, Barba.
Aso kohe me ato që kisha dëgjuar nga të tjerët dhe sidomos nga babai, ky njeri për mua ishte i veshur me një si mister. Me mua në dhomën e spitalit ishte dashamirës. Mos të bezdis, Spirako?, thoshte shumë herë. Sapo e shihte që unë dremisja, ai nxirrte nga një trastë doku një kub të madh, një send në ngjyrë të zezë në formën e një pralelpipedi të zgjatur. Ishte një radio. OGONIEK lexonte në ekranin e verdhë dhe horizontal përfund. Majtas dhe djathtas kishte dy rrotka që shërbenin për të gjetur stacionet radiofonike. Më kishte pushtuar fantazinë time me këtë radio. Zakonisht dëgjonte vetëm lajmet dhe tek-tuk, ndopak muzikë. Greke dhe ruse.
Qysh nga ato ditë më ishte ngulitur në kokë si gozhdë një muzikë korale që shpesh transmetohej edhe si melodi. Më pas e mësova se ishte marshi ndërkombëtar i komunistëve, “Internacionale” e cila siç e di tani,u shkrua nga poeti frëng Eugene Petter, e u muzikua më pas. E kuptova menjëherë se e njejta këngë po edhe si melodi orkestrale transmetohej edhe në radio Tirana. Çdo ditë në dhomën e spitalit dëgjoja të njëjtën këngë në disa gjuhë.
“Ngrehuni ju, o të munduar,/ ju t’urët skllevër anë e mbanë.
Na buçet gjaku i turbulluar,/s’duam padronë edhe tiranë..”
Ishte e popullarizuar atëbotë në vendin tonë. Këndohej nëpër manifestime, koncerte festive dhe transmetohej rregullisht në radio si pjesë e emisioneve…Ishte korale dhe melodi e bukur.
-Spirako. po fle?……
-Jo. Po dëgjoj, edhe me sy të mbyllur.
Herë dremisja e herë rrija zgjuar si një lepur por veshët i kisha pipëz.
Nganjëherë më dukej se ky njeri flinte në valixhen ku mbante disa tesha dhe radion “OGONIEK”.
Ndjeva dorën e tij mbi flokët e mi kaçurel tek më thoshte:
-Spirako, shërohu. mëso mirë në shkollë që të shkosh në universitet dhe të bëhesh ndonjë inxhinier. Ela, pedhi mou! Etsi, Spirako mou!*) (Hajde djalim im, Kështu, Spiroja im!)
Ca më pas, nga bisedat me babin mësova më shumë për grekun shqeto ose internacionalistin komunist. Ai u mirëprit në Shqipëri si një komunistit me histori në të kaluarën. Pas eliminimit të EAM në Greqi. ishte internuar në ishullin famëkeq Makroniso tok me qindra të majtë të tjerë nga shteti fqinj. Më pas, iku në ekzil në Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Por duket se dallgët e fatit si i shkulur nga rrënjët, e sollën me kërkesë të tij në Shqipëri ku sundonte komunizmi si për t’u afruar me ëndrrën dhe vendin e tij.
Në vitin e fundit në gjimnaz, një ditë babai më nisi te farmacia për dy pako aspirina. Fare pranë farmacisë në shëtitoren e qytetit frenoi një veturë. Ishte makina e Degës së Brendshme ose ndryshe gazi i Degës.
Befas, syri më kapi Barbën. Mendova se do të hynte në farmaci. Por atë grimë kohe para portës së farmacisë u shfaqën si nga dheu dy policë të cilët i thirrën me egërsi njeriut me kasketë.
-Stamati Monodhendri, në emër të popullit, je i arrestuar! Duart!-dhe i hodhën prangat. Ngriva. Po edhe të tjerë që kaluan ato çast në trotuarin para faramcisë zemërngrirë u ngurosën si mumje.
– Ec para!Armik i popullit!Armik!-dëgjova zërin e çjerrë të një burri me rroba civile që i kapi krahun e majtë me forcë.
Mbeta si një statujë në trotuar. Isha maturant. Dyert e veturës të llojit BÇ kineze, atë mbrëmje u hapën dhe pasi e shtynë si drejt një gryke të errët që m’u duk se e gëlltiti njeriun e prangosur, u mbyllën me forcë.
Fjala “armik” mbeti ende në pezullin e asaj mbrëmje e ngjyer në terror.
Nxitova t’ia them të gjithë skenën babait. Ai më dëgjoi qetësisht me një pezm dhe habi të pacaktuar. Pastaj vramendshëm, tundi kokën dhe foli si me vete.
-Këto punë i di shteti.Ti mos fol çfarë pe e nuk pe….!
Ndjeja një huti në shpirt pas asaj që kisha parë e dëgjuar atë mbrëmje në qytet. Dhe kujtoja fjalët e tij në spital, tek më vinte dorën mbi kapurela.
– Spirako mou , shërohu. mëso mirë në shkollë të shkosh në universitet dhe të bëhesh me shkollë të lartë. Për shtëpinë tënde dhe për shtetin. Etsi, Spirako mou!
Më pas dëgjova se Barba ishte dënuar si agjent i imperializimit, revizionizmit sovjektik dhe monarkofashistëve grekë…. Domethënë tre herë armik i popullit.
***
Spiro kishte mbaruar tashmë universitetin për inxhinier dhe pas stazhit në një kantier ndërtimi në veri të vendit, tani e kishin transferuar si inxhinier zbatimi në rrethin e tij jugor. Në pak ditë rivendosi lidhjet me qytetin e lindjes buzë lumit.
Meqënëse familja ime quhej me biografi të mirë dikur e pashë veten si anëtar i komitetit të qytetit. .Një ditë unë dhe një kolege në komitet, pensioniste kishim grafikun e pritjes së qytetarëve.
Mes të tjerëve në sallën e pritjes hyri një burrë shtatlartë me nje kapele që e mbante në dorë. E njoha. Ishte Stamatis.
-Kur rashë në burg, dhomën që më kishin dhënë si shtëpi, ma morën. Tani punoj në poligonin e ndërtimit te parafabrikatet dhe fle në një depo në poligon. Kërkoj një dhomë të fus kokën se jam edhe i sëmurë nga mushkëritë…..
Mori frymë thellë dhe ngriti dorën me një letër të palosur.
-Kjo është kërkesa ime. Kam bërë edhe pesë kërkesa me shkrim më përpara,- tha Barba dhe ia zgjati shoqes së komitetit. Letra ishte shkruar me dorë me gërma të mëdha kapitale në një mes fletoreje me vija.
-Shoku qytetar, do ta përcjellim në komitet-tha prerë gruaja.
-Ju lutem shikojeni -bëri Baraba dhe pasi i hodhi sytë me një lloj përdëlllimi nga gruaja me të zeza e ndali vështrimin edhe mbi mua. Ndjeva se u skuqa deri në vesh.
-Faleminderit-tha i moshuari, duke parë nga gruaja.
Unë u ngrita në këmbë dhe i dhashë dorën.
-Faleminderit, Spirako…-tha me një ton të ngrohtë.
-Të jeni mirë, Barba! Dhe të shkuara!
Kur ende porta e sallës të pritjes së qytetarëve nuk ishte mbyllur dhe silueta e burrit rrëshqiti si një hije në korridor, gruaja e komitetit të qytetit m’u kthye:
-Inxhinier, ti e njeh këtë qytetar?
-Disi…Kam qenë dikur i shtruar në spital në të njejtën dhomë…
-Ti e di që ai është armik dhe është dënuar nga Partia me dhjet vjet heqje lirie për agjentura të huaja? Si spiun i sovjetikëve, i imperialistëve dhe monarkofashistëve grekë?
-E di, që ai është liruar nga burgu, siç e tha edhe vetë dhe, për herë të parë pas shumë viteve, sot e shoh. Si shtetas ka të drejtë të bëjë një kërkesë, besoj.
***
Me kaq, ikona e Stamatit për shumë kohë, u zbeh në kujtesën e inxhinierit. Rrjedha e rutinës së punës dhe jetës, e fashiti imazhin e tij, tok me valët e radios OGONIEK dhe fisarmonikës së vogël të Vanit.
Por një ditë, tek po ecja në një rrugicë të lagjes sonë që bie pothuj pingul me fushën e futbollt, m’u shfaq silueta e një njeriu të moshuar. I gjatë dhe i kërrusur, me fytyrë të hequr e brazda rudhash. Barba Stamati, mendova! Kasketa e dokut mbi kokë e muzgonte edhe më tepër. Si në një film të shpejtë më kaluan çastet e kohëve më parë në zyrën e komitetit të qytetit. Pashë nga të dy krahët e rrugës, majtas dhe djathtas. Nuk kishte ndonjë degëzim kalimi. Kur shikimet tona u kryqëzuan, mbajta këmbët.
-Spirako?
-Po, Barba unë jam.-u mundova ta përtyp buzëqeshjen e lehtë të tij.
Shtrënguam duart. Nën sqetullën e tij të madhe vura re se kishte një libër me kapak të trashë dhe ngjyrë mavi.
-Si ke qenë me shëndet, Barba?
-Për moshën që kam, kalluçika.*) ( çka)
-Paske blerë një libër…
-Është nje vepër e Udhëheqësit…
Ngela me gojë hapur. Vetëm këtë nuk e prisja.
Kishte ndoshta më pak se dy vite që kishte dalë nga burgu. Udhëheqësi kishte disa vite që kishte shkuar me të shumtit. Guxova ta pyesja për shtëpinë. I kishin dhënë më në fund një dhomë në përdhesin e një prej atyre ndërtesave që quheshin me kontribut vullnetar.
Më pas, mësova se ishte lejuar të kthehej një ditë në atdheun e tij, në Greqi. Ishte nga të paktët asokohe që u lejua të shkonte. Muri shqiptar ende nuk ishte rrëzuar dhe as që përfytyrohej një thagmë e tillë.
Kishte marrë me vete vetëm një valiçe të madhe të cilën e kishte sjellë nga Bashkimi Sovjetik. Në të, kishte një kostum të zbardhëlyer, të blerë dikur në vendin sllav, tok me ëndrrat e groposura për një jetë të lumtur ku të gjithë të jenë të barabartë, të cilën e pagoi shtrenjtë me luftën civile në vendin e tij, me jetën prej qeni në internim në ishullin Makroniso, me riemigrimin dhe burgun si kupa e madhe e helmit në vendin që e kish aspiruar si oaz i realizimit të utopisë së tij, tashmë të vrarë përfundimisht.
Radion marrëse të markës OGONIEK, ia kishin lejuar ta merrte me vete. Ishte i lumtur për këtë. Ajo kuti prej bakeliti të zi, më formën e saj si një kub gjatosh e vertikal, dukej si një sarkofag njëmijë vjeçar që mbante brenda thërmija e jetës, me pluhurin që mbetet nga diegia e eshtrave dhe transportohet për t’u hedhur si amanet diku në hapësirat e pamata të blusë së Egjeut, atje, ku i binte vendlindja.
Ishte totemi i vetëm, mbetur nga djegia e utopisë së tij.///
—o0o—