(Në shenjë nderimi dhe respekti, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së mësuesit dhe instrumentistit llapjan Skënder M. Hoxha)
Disa njerëz të paepur, pa zhurmë, bëjnë punë me vlerë të jashtëzakonshme për shoqërinë.
Ata nuk kërkojnë mirënjohje publike, por jetojnë me ndershmëri dhe përkushtim, duke dhënë gjithçka për të tjerët.
Kësaj kategorie i përket edhe Skënder Muharrem Hoxha, mësues i devotshëm, atdhetar i heshtur dhe model për brezat që u rritën në kohë të vështira.
Në klasat e tij nuk mësohej vetëm shkrimi dhe leximi, por edhe dashuria për dijen, për vendin dhe për njeriun. Skënderi ishte ndër ata mësues që nuk e ndante profesionin nga misioni, sepse për të, arsimi ishte rruga më e sigurt drejt dinjitetit dhe lirisë.
Ai lindi më 6 qershor 1946 në Pakashticë të Poshtme të Podujevës. Që herët u përfshi në lëvizjen kombëtare dhe u bë një ndër mësuesit e parë të shkollës 8-vjeçare “Meto Bajraktari” në Gllamnik të Llapit.
Kisha nderin ta kem arsimtar të Muzikës gjatë viteve 1971–1972. Shquhej për butësi, maturi dhe mirësjellje ndaj nxënësve. Pozita e volitshme gjeografike e fshatit bënte që kjo shkollë të mblidhte ajkën e mësuesve dhe arsimtarëve të komunës së Podujevës.
Në kujtesën time kanë mbetur shumë figura të ndritura të asaj kohe si: Raif Ramë Shala, Muhamet Behrami, Hilmi Kastrati, Nefi Rexhepi, Shemsi Raçi, Hashim Aliu, Rasim Ibrahimi, Selim dhe Rexhep Syla, Kadri Kadriu (gjeograf i diplomuar), Shemsi Ramë Lushaku, Ymer Duriqi, Avdi Jusufi, Bislim Qamil Ejupi, Arif Rrustem Abdullahu, Hamdi Mustafa – Lala, Ismet Ali Veliu, Fehmi Rasim Ejupi, Nuhi Tahir Osmani, Hazir Haziri – Zogu, Osman Rexhepi, e të tjerë.
Mbresa të pashlyeshme la tek unë, veçanërisht, mësuesi i klasës III dhe IV, Sabri Raçi, të cilit i detyrohemi deri në frymën e fundit. Ai kurrë nuk çoi dorë ndaj nxënësve. Me këshilla prindërore na motivonte për mësime dhe na kultivonte respektin dhe solidaritetin ndaj njëri-tjetrit.
Ishte pedagog i mirëfilltë, që krijonte dashuri për jetën dhe dijen. Kjo armatë mësuesish la gjurmë të thella suksesi edhe në shkollat e qytetit të Podujevës.
Skënder Muharrem Hoxha, asokohe 22-vjeçar, ishte ndër organizatorët e demonstratave të 27 Nëntorit 1968 në Podujevë. Si pretekst u mor kjo veprimtari kombëtare dhe ai u dënua me një muaj burgim, bashkë me disa shokë, nga regjimi komunist i Jugosllavisë.
Skënderi kishte provuar prangat edhe më herët. Më 4 gusht 1967, përmes një telegrami, kishte dashur ta ftonte një mik nga Caraviku i Klinës në një aheng familjar. Telegrami ishte shkruar në gjuhën shqipe.
Në sportelin e Postës së Podujevës, me pllaka panel që gjendej afër Stacionit të sotëm të Policisë, nëpunësi serb Pavle Millanoviq, refuzoi ta pranonte ftesën vetëm pse ishte në gjuhën amtare. Jo vetëm kaq – ai e denoncoi Skënderin në polici.
Ky rast u përdor si pretekst për ta ndëshkuar. Skënder Hoxha, atëherë student i Shkollës së Lartë në Prizren, u dënua për kundërvajtje me arsyetimin absurd se kishte cenuar rendin kushtetues të Jugosllavisë, duke mos njohur gjuhën serbe si të vetmen gjuhë zyrtare.
Ajo që regjimi e quante “provokim”, për ne ishte dinjitet. Skënderi atdhedashurinë e mbolli edhe te ne, nxënësit, në kohën kur filluam të formojmë bindjet tona për Atdheun, traditat, kulturën dhe gjuhën.

Ai nuk ligjëronte vetëm lëndën e muzikës, por na mësonte të dëgjonim edhe zërin e ndërgjegjes.
Krahas arsimit, Skënderi kontribuoi edhe në jetën kulturore të qytetit. Ai ishte një ndër instrumentistët e parë të shoqërisë kulturore-argëtuese “Josip Rela” në Llap. Fryt i punës së tij të pareshtur ishte edhe këngëtari ynë i mirënjohur Ismet Bogujevci.
Mësuesit si ai nuk maten me tituj, por me ndikimin që lënë. Ata, për punën e tyre të mirë, do të kujtohen ndër breza.
Skënder Muharrem Hoxhës dhe gjithë atyre që na orientuan në udhën e shkronjave shqipe, që paskan qenë “ferrë në sy” për Pavle Millanoviqin dhe sojin e tij – u jemi përjetësisht mirënjohës!
ARIF EJUPI