Italia tërheq nga vendi ynë shefin e shërbimeve të Interforcës. Michele Grillo deri tani në detyrë si kreu i Interforcës në vendin tonë nuk do të ushtrojë më funksionin e tij, raporton “News 24”.
Pas skandalit me pajisjen e përgjimit, emri i Michele Grillos u lakua si personi që futi në Shqipëri pajisjen e përgjimit.
Ai është shefi i misionit policor italian, Interforce, që vepron në Tiranë. Për herë të parë rreth përfshirjes së mundshme të tij në debatin për pajisjen e përgjimit shkruajti gazeta më e madhe italiane, Corriere Della Sera.
Aso kohe u tha se ky dyshohej për shkak të lidhjeve familjare që ai kishte me kompaninë IMSI Catcher që e kishte prodhuar pajisjen.
Sipas Corriere Della Sera, drejtuesit e Interforcë janë përfolur për lidhje të forta me politikanë e zyrtarë të lartë shqiptarë që në kohën kur Anna Poggi, ish –punonjëse e këtij misioni, u përfshi në çështjen e ngritur nga ish –shefi i antidrogës së Fierit, Dritan Zagani, që akuzoi ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për lidhje me grupet e trafikantëve të drogës që veprojnë në jug të Shqipërisë.



Komentet