Ndërsa vala e zjarreve vazhdon të përhapet në Shqipëri, strukturat e MZSH-së po hasin vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe pajisjeve të nevojshme.
Drejtori i përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara, theksoi se shumë bashki nuk kanë krijuar kushtet e nevojshme për forcën operacionale, duke vështirësuar ndërhyrjen në kohë ndaj zjarreve.
“Strukturat e MZSH-së po përballen me probleme përsa i përket infrastrukturës. Po shohim reagim jo shumë të volitshëm nga ana e kryetarëve të bashkisë. Çdo vit dërgojmë shkresa për zbatim të ligjeve të vitit 2015; 139 dhe 152. Lind e drejta që çdo kryetar bashkie të merret me infrastrukturën për krijimin e kushtet që forcat operacionale të ndërhyjnë. Ka mangësi të theksuar në këtë drejtim dhe jo vetëm”, – u shpreh Cara.
Po ashtu, ai denoncoi mungesën e pajisjeve dhe uniformave për zjarrfikësit, duke theksuar se kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në efikasitetin e shërbimit dhe sigurinë e tyre.
“Por edhe në kompletimin me pajisje sa i përket zjarrfikësve. Uniforma jo vetëm që është detyrim ligjor dhe duhet bërë me zbatim të një VKM që ne e kemi dërguar kohë më parë, por përtej tjetërsimit ose bërjes së një uniforme që dikush e bën të kuqe e dikush të verdhë dhe asnjë nga zjarrfkësit nuk përfaqësojnë siç duhet shtetin shqiptar dhe nuk është uniforma e duhur që ta mbrojë atë në rast fatkeqësie dhe kjo na bën të reflektojmë”,- tha Cara. sn