Kur të lexoni titullin ndoshta do mendoni se unë nuk mund të jap mendim se si duhet hetuar, por në fakt mundem për disa faktorë.
Po të mos kisha lindur dhe të shkollohesha në diktaturë ku të drejtat e studimit ashtu si dhe gjithçka tjetër e përcaktonte partia, pra nëse do të kisha lindur jo shumë po vetëm 5 vite më vonë sot do të isha një gjykatëse ose prokurore (me shumë gjasa kjo e fundit do të ishte sepse ishte ëndërra ime). Ky është faktori i parë.
Siç thotë një shprehje e popullit tonë që Zoti me një dorë të hedh e me tjetrën të pret. Këtë bëri edhe me mua, nuk më dhanë të drejtë studimi për juridik por më dhanë për Ekonomi Politike, (degë e ekonomikut) e kjo më vonë më dha mundësinë të merrja liçensën e Audituesit Ligjor, i cili është gjysmë hetues e gjysmë financier. Dhe ky është faktori i dytë.
Faktori i tretë, është edhe më i rëndësishëm dhe vjen si rrjedhim i profesionit, i cili më ka dhënë mundësinë të hartoj raporte për shumë dosje prokurorie por edhe për individë që përballen me drejtësinë.
Mjaftojnë këta tre faktorë që unë të them mendimin tim, se si duhet të hetohen, ose më mirë se si do t’i kisha kryer unë hetimet për çështjet më të nxehta të cilat diskutohen sot për korrupsionin dhe jo vetëm.
Po i filloj më radhë. (Renditja nuk tregon aspak rëndësinë e tyre).
Çështja e inceneratorëve: Për të hetuar këtë çështje do të filloja që nga ideja për këtë lloj investimi.
Si lindi ideja? Kujt i lindi ideja? Përse lindi kjo ide?
Shumë nga ata “pastërtorët” që mizërojnë nëpër studio televizive duke mbrojtur qeverinë, do të përgjigjeshin se ishte emergjencë mjedisore. Dakord, me të vërtetë që këtë herë, jam shumë dakord me ta. Por, nëse do të isha SPAK-iste ose BKH-iste do të hetoja se përse ndodhi pikërisht në këtë kohë emergjenca mjedisore? Përse zjarret ranë pikërisht në atë kohë dhe asnjëherë më përpara? Mos ndoshta kur filluam të pakësohemi si popullsi filluam të prodhojmë më shumë mbeturina?
Më pas do të vazhdoja të hetoja, si u përzgjodh fituesi? Kush e përzgjodhi? Kush e njihte në qeveri, kush e propozoi? Si ra ai në kontakt pikërisht me personat “e duhur” e t’iu propozonte shpëtimin e shqiptarëve nga plehrat?
Po nuk do ta lija me kaq, do të hetoja se si u krye procedura (ah kjo procedura, kjo është çelësi i të gjitha “të mirave” që po përfitojmë sot si popull). Pse u shmang konkurrenca? Si u hartuan dhe aprovuan 17 vendime në një ditë? Cili ishte ai punonjës aq i zoti në administratë që koordinoi në mënyrë perfekte dhe arriti të përfundonte gjithçka në fund të një muaji të nxehtë si korriku kur të gjithë mezi presin të ikin me pushime?
Pastaj do të shikoja se si u zbatua. A lidhen procedurat e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit? A i ka lëvizur e njëjta dorë fijet apo secili kishte marionetistin e tij?
Në të njëjtën linjë do të ecja edhe për konçensionin e laboratorëve, sterilizimit, check-up, e shumë e shumë të tjerëve.
Por disa hetime të tjera duhet të kenë një rrugë tjetër, gjithmonë sipas mendimit tim.
Çështjet 5A, 5B, 5C, 5D dhe të gjitha shkronjat e mundshme: Këto çështje gjithmonë më sjellin në vëmendjë raste të ngjashme në botë, si psh Liviu Dragnea në Rumani, Jacob Zuma & Vëllezërit Gupta në Afrika e Jugut, Erdogani në Turqi etj etj.
Motua e kësaj skeme korrupsioni është “vetë firmos e vetë vulos, dhe paratë vetë i akaparos” .
Këtë hetim do ta filloja me momentin e ndryshimit të pronësive ose të krijimit të këtyre shoqërive. Do të hetoja më pas si janë llogaritur kostot mbi bazën e të cilave ka dalë çmimi i tenderit. Do të hetoja se si do të ishin këto kosto në një treg normal privat, pra sa do të kushtonte ky punim, shërbim apo furnizim nëse nuk do të ishte një marrëdhënie shtet-privat por privat-privat. Nëse do të kishte diferenca domethënëse mes kostove të tenderit shtetëror dhe atij që do të vlerësonte hetimi do të hetoja kostoistët, pra ata që kanë punuar për të arritur në ato kosto.
Pastaj do hetoja se si janë fituar tenderat? A i kanë plotësuar kriteret fituesit? A është kryer puna nga të njëjtët operator që i kanë fituar ato tendera?
Si ka dalë fituesi dhe cili ka qenë personi ose personat (në grup) që e kanë nxjerrë fitues? A kanë lidhje me njëri-tjetrin?
Rrugët: Tenderat më të thjeshtë për t’u hetuar janë këta të rrugëve.
Hetimin do ta filloja nga KOSTUA, kjo është çelësi i çdo tenderi dhe sidomos i këtyre të rrugëve.
Pra në fillim hetimi im do të ishte kontroll i KOSTOS, i KOSTOS i KOSTOS e më pas KRAHASIM, KRAHASIM, KRAHASIM.
Pastaj ZBATIMI, ZBATIMI, ZBATIMI i ndërthurur me SUPERVIZIM, SUPERVIZIM SUPERVIZIM.
Dhe në fund thembrat e Akilit Porti i Durrësit: Hetimin e kësaj çështje, që na la pa daljen më të fuqishme në det, do ta kryeja në këtë mënyrë.
Fillimisht do të shihja ligjshmërinë e procedurës së dhënies së kontratës. A është zbatuar ligji për prokurimet publike, partneritetin publik-privat apo është shmangur qëllimisht?
A ka pasur procedurë konkurruese apo marrëveshje direkte? Si u përzgjodhën këta privat? Si u vunë ata në dijeni që shteti ynë ishte i interesuar për të kryer këtë partneritet?
Më pas do të vazhdoja me statusin dhe të drejtën mbi pronën publike (Porti). Pra me çfarë të drejte u dha një truall strategjik i shtetit një subjekti privat të huaj? A është bërë akt normativ, ligj special apo vendim qeverie për të anashkaluar ligjet ekzistuese?
Do të hetoja përfituesin përfundimtar duke parë nëse janë të evidentuar aksionerët realë të kompanisë që do të zhvillojë projektin? A ka lidhje të fshehura me zyrtarë shqiptarë?
Do të kaloja pastaj tek vlera ekonomike dhe detyrimet financiare të shtetit shqiptar duke hetuar nëse i jepet privatit tokë publike pa kompensim? A ka garanci shtetërore, taksa të falura, detyrime për infrastrukturë nga buxheti? A ka dëm ekonomik për portin, sektorin e transportit dhe turizmin?
Më pas do të hetoja përputhshmërinë me interesin publik dhe strategjitë kombëtare. A është vlerësuar ndikimi afatgjatë i mbylljes së portit industrial? A është bërë studim fizibiliteti, konsultim publik, vlerësim i ndikimit në mjedis dhe ekonomi?
Mos kujtoni se e harrova apo e lashë pas dore rastin e Ishullit të Sazanit, apo të asaj pikës së vogël të Mirela Kumbaros, e të shumë e shumë invesitorëve strategjik. Jo aspak, do t’i trajtoja njësoj si Portin e Durrësit, me të njëjtën dashuri për të zbuluar të vërtetën.
Për të gjitha këto raste së bashku, do të hetoja se cili është pushtetari (ose pushtetarët) i cili (të cilët) lidhet (ose lidhen) me të gjitha këto skema, a janë grupe të lidhura (të mirëmenduara dhe të strukturuara) me këto praktike apo janë të shkëputura dhe të rastësishëm.
Por unë nuk jam as SKAP-iste, e as BKH-iste, prandaj të gjitha këto që kam shkruar më sipër ngelen thjesht mendimi im.