Për fat të keq, lajmi i arritur këtë herë ishte i vërtetë. U nda nga jeta i fundit i të mëdhenjve e ndoshta më i madhi i ekranit të vogël, televizionit italian, prezentatori i shquar Pippo Baudo. Zëra të ndryshëm, mbase keqdashës apo ziliqarë, disa herë gjatë viteve të fundit, kishin njoftuar vdekjen e Pippos. E sa herë dilnin zëra të tillë, ai i kalonte me sportivitet duke thënë: “Sa herë njoftojnë vdekjen time, mua më shtohet jeta”.
E në fakt ai arriti në prag të të 90-tave dhe u shua dje, pas një sëmundjeje të rëndë, që e pat ndarë nga skena publike në vitet e fundit. Një karrierë e gjatë, e gjatë. E nisur si një ëndërr, një ëndërr për të cilën ai luftoi shumë që në rininë e tij të hershme. E që për gjithë publikun italian, kolegët, këngëtarët, artistët mbetet si një ëndërr e papërsëritshme, që u realizua me djersë e pasion, me klas e elegancë, me mjeshtëri, kulturë e mençuri, një ëndërr që nuk vdes edhe pas largimit të tij nga ekrani dhe nga jeta. Sepse është një ëndërr e kthyer në legjendë. Dhe legjendat nuk vdesin.
I lndur në ishullin e bukur të Siçilisë, më 7 qershor 1936, në një vend që nuk premtonte shumë për ëndrrën e tij, ai që në adoleshencë do të synonte botën e spektaklit. I ati i kërkonte që të studionte për jurisprudencë, për të patur një të ardhme të sigurtë e pa telashe. Ai iu bind të atit, studionte, por ndiqte edhe ëndrrën e vet. U shfaq në publik në vendlindjen e tij si pianist, dinte edhe të këndonte e të imitonte, duke patur cilësitë e duhura për një showman.
Kujton avokati i tij: “Pippo sapo kishte mbaruar studimet për drejtësi. M’u paraqit në studio e më tha:-Sot kam një provë në televizion. Nëse nuk shkon mirë, a do më marrësh të punoj në studion tënde? I premtova. Por për fat të mirë të tij, të televizionit dhe të publikut italian, provën e kishte kaluar me sukses”.
Gjatë provës kishin parë talentin e tij si drejtues programesh televizive dhe në fund i kishin thënë: “Imagjino sikur po drejton Festivalin e Sanremos dhe je duke prezantuar Minën”. Ai, që dinte gjithçka për Sanremon e për këngëtaren e madhe Mina, kishte bërë me natyrshmëri e elegancë prezantimin. Pas shpatullave të tij mbyllej sipari i provës, përpara tij hapeshin dyert e RAI-t. Ishte viti 1959, kur në moshën 23 vjeçare, do prezantohej për herë të parë në programin “Guacka e artë”, të drejtuar nga Enzo Tortora. Pastaj do të fillonte karriera e tij si i dërguar i RAI-t në shtete e kontinente të ndryshme të globit tokësor. Por ai ëndërronte të ishte zotëruesi i skenës e ekranit të vogël, si prezentator. Programi “Settevoci” (Shtatë zëra) qe trampolini i tij, për t’u hedhur drejt programesh të tjera si “Scanzonatissima”, derisa në vitin 1968 pushton për herë të parë skenën e festivalit të Sanremos.
Dhe aty do të fillonte ngjitja e tij e pandalshme drejt kurorës së mbretit të televizionit italian. Do të realizonte atë rekord që deri më sot nuk e ka thyer askush, duke e drejtuar festivalin për 13 edicione. Konkurrenti i tij më i afërt ishte Mike Bongiorno. Midis tyre mbeti një rivalitet, që nuk u kthye kurrë në armiqësi, përkundrazi ishte një raport simpatik dhe një bashkëpunim i vazhdueshëm edhe pse punonin në dy televizione kundërshtare të njëri-tjetrit. Kur u nda nga jeta Mike Bongiorno, i tronditur nga dhimbja, Pippo Baudo do të mbante në krahë arkivolin e konduktorit konkurent. Ky është klasi i të mëdhenjve.
Pippo Baudo nuk ishte thjesht një prezantues festivali, por ishte edhe drejtor artistik i tij. Puna në skenë ishte vetëm një pjesë e vogël e asaj që dukej para publikut. Tjetra ishte e padukshme,që me zgjedhjen e këngëtarëve, puna me tekstet, muzikën, orkestrimet e deri prapa kuintave për të inkurajuar këngëtarët dhe prezantuesit që merrte përkrah vetes.
Ai kishte një nuhatje të lindur në zbulimin e talenteve të vërteta. Më kujtohet ai festival, kur prezantoi për herë të parë një emër gati të panjohur, një këngëtar që hyri me ndrojtje në skenën e festivalit, por me zërin e tij bëri të dridheshin paretet e sallës. Ky ishte Andrea Boccelli, i cili shumë shpejt do të renditej përkrah tenorit të madh Lucianao Pavarotti e do të bëhej zëri i belcantos italiane në tërë kontinentet e globit. Kështu kishte bërë ai edhe me këngëtarë të tjerë si Adriano Celentano, Massimo Ranieri, Loreta Goggi, Laura Pausini, Giorgia e qinda këngëtarë të tjerë të skenës e të këngës italiane. Ai përgatiti gjatë karrierës së tij edhe show girl si Lorella Cuccarini, Ether Parisi, Alessandra Martines e të tjera. Pati përkrah vetes si artiste të ftuara edhe yje të skenës botërore si Sharon Stone, Tina Turner e të tjerë artistë të mëdhenj.Ai nuk ishte thjesht drejtues i Festivalit, por, siç e kanë quajtur, ishte vetë Festivali. Ai i mësoi më të rinjtë që u ngjitën në skenën e festivalit pas tij si të bënin televizionin e vërtetë. Sepse, siç thotë Carlo Conti, ai nuk bënte thjesht televizion, por ishte vetë Televizioni.
Një karrierë që zgjati mbi 60 vite. Me veprën e tij ai shkroi historinë e RAI-t dhe të tërë televizionit italian, duke mbetur figura e tij më e madhe.
Me ndarjen e tij nga jeta, bota artistike dhe televizive italiane u zhyt në dhimbje e në zi. Vërshuan mesazhe e ngushëllime që nga Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, kryeministrja Giorgia Meloni, personalitete të politikës e të artit, këngëtarë, valltarë e balerinë e deri miliona qytetarë të thjeshtë që ndienin se me ikjen e Pippo Baudos mbyllet një epokë e artë e televizionit italian.
Ish bashkëshortja e tij, Catia Ricciarelli, u shpreh: “Sot kam patur një ditë të vështirë e ja tek arrin ky lajm. Këtë radhë është i vërtetë dhe jam tejet e tronditur. Përtej historisë sonë, disa gjëra kapërcehen. Kur u pamë në Verona, pas shumë kohësh që nuk shiheshim, jemi përqafuar si të mos kishte ndodhur asgjë. Sot mbyllet një parantezë tjetër e jetës sime. Dhe kur të vijë radha ime, shpresoj të ritakohemi me Pippon për të qeshur sëbashku”.
Të mërkurë Pippo Baudo do të rikthehet në vendlindjen e tij, në Militello të Catanias, ku do të pushojë përjetë, sipas dëshirës dhe kërkesës së tij. Kryetari i bashkisë i qytetit, Giovanni Burtone, deklaron: Jemi ndjerë gjithmonë krenarë që jemi vendi i Pippo Baudos. Ai ishte gjithnjë i mirëseardhur nga të gjithë. Dhe ne, sa herë që i spiegojmë dikujt se nga vijmë, i themi që jemi nga vendi i Pippo Baudos.
Ndërsa një personalitet tjetër i njohur i botës së spektaklit italian, Renzo Arbore, thotë: Pippo përfaqësonte një televizion që sot nuk ekziston më. Aftësia e tij për të tërhequr dhe për të mbajtur gjallë publikun nuk kanë një të dytë që t’i ngjajë. I keni kërkuar ndonjëherë vetes se si do të jetë televizioni pa të?