Donald Trump Jr ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen nga mbështetja për Ukrainën, duke lënë të hapur mundësinë që presidenti amerikan Donald Trump të ndryshojë kursin e politikës së jashtme.
Komentet e tij u bënë gjatë një konference mbi Lindjen e Mesme, ku ai mbajti një fjalim kritik ndaj Kievit dhe aleatëve perëndimorë.
Megjithëse nuk ka rol zyrtar në administratë, Trump Jr mbetet figurë qendrore në lëvizjen MAGA, dhe deklaratat e tij pasqyrojnë skepticizmin e disa zyrtarëve pranë presidentit për vazhdimin e ndihmës ndaj Ukrainës, shkruan The Guardian.
Akuza kundër elitës ukrainase: “Të pasurit ikën, fshatarët po luftojnë”
Trump Jr akuzoi elitat e pasura të Ukrainës se janë larguar nga vendi, duke lënë “klasën fshatare” të përballet me pasojat e luftës. Ai madje pretendoi, pa ofruar prova, se gjatë një vizite në Monako kishte vënë re se gjysma e supermakinave në rrugë mbanin targa ukrainase.
Kritika e ashpër ndaj Zelensky-t
Në një sulm direkt ndaj presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Trump Jr tha se ai po e zgjat konfliktin për arsye politike, duke pretenduar se nuk do të fitonte zgjedhjet nëse lufta përfundon.
Ai shtoi se Zelensky po trajtohet si “figurë e shenjtë nga e majta”, ndërsa Ukraina, sipas tij, ishte “më e korruptuar se Rusia”.
BE-ja dhe sanksionet, në shënjestër
Trump Jr kritikoi edhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke argumentuar se sanksionet kundër Rusisë kishin rezultuar në rritje të çmimit të naftës, gjë që i mundëson Moskës financimin e luftës.
“Të presësh që Rusia të falimentojë nuk është plan.” tha ai.
Sipas tij, gjatë fushatës së vitit 2022, vetëm tre persona përmendën Ukrainën si çështje të rëndësishme, ndërsa fluksi i drogës nga Venezuela ishte “rrezik shumë më i menjëhershëm për amerikanët”.
A mund të tërhiqet Trump? Trump Jr: “Ndoshta po”
I pyetur nëse Donald Trump mund të tërhiqet thjesht nga konflikti, ai u përgjigj se kjo ishte e mundur, duke e cilësuar babain e tij si “një nga njerëzit më të paparashikueshëm në politikë”. gsh