Sipas një dokumenti të ri të Shtëpisë së Bardhë që përshkruan strategjinë kombëtare të sigurisë së Shteteve të Bashkuara, në Evropë ekziston rreziku i një “fshirjeje të qytetërimit”, raporton TgCom24.
Në dokumentin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se nëse “tendencat aktuale vazhdojnë”, kontinenti “do të jetë i panjohur pas 20 vitesh ose edhe më herët”.
Administrata e presidentit Donald Trump, në këtë strategji të shumëpritur, thekson se SHBA-të do të reduktojnë rolin e tyre global për t’u përqendruar më shumë te Amerika Latine dhe lufta kundër emigracionit.
Po çfarë e rrezikon kontinentin evropian?
Dokumenti liston disa faktorë që, sipas Uashingtonit, po vënë në rrezik historinë dhe kulturën e Europës. Midis tyre veprimtaria e Bashkimit Europian dhe organizmave të tjerë transnacionalë që “minojnë lirinë politike dhe sovranitetin”.
Po ashtu rrezikohen politikat migratore që “po transformojnë kontinentin dhe po krijojnë konflikte”; censurimi i lirisë së shprehjes, shtypja e opozitës politike dhe rënia e shkallës së lindshmërisë dhe humbja e identiteteve kombëtare dhe e besimit tek vetja.
Qasja e re ndaj NATO-s dhe Rusisë
Në strategji përmendet edhe NATO. Sipas dokumentit, një nga objektivat kryesore të SHBA-ve në Europë është rikthimi i “kushteve të stabilitetit të brendshëm në kontinent” dhe i “stabilitetit strategjik me Rusinë”.
Po ashtu vihet theksi në nevojën që Europa të jetë “e aftë të qëndrojë në këmbët e saj si një grup kombesh sovrane të përafruara”, duke marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet, “pa u dominuar nga asnjë fuqi kundërshtare”.
Fokusi zhvendoset drejt Indo-Paqësorit
Duke dalë përtej Europës, dokumenti thekson se rajoni Indo-Paqësor “është dhe do të mbetet një nga fushat kryesore të betejës ekonomike dhe gjeopolitike të shekullit të ardhshëm”.
Sipas dokumentit, presidenti Trump ka “përmbysur më shumë se tre dekada supozimesh të gabuara të SHBA-ve ndaj Kinës”, duke argumentuar se hapja e tregjeve për Pekinin dhe zhvendosja e prodhimit amerikan atje nuk e kanë sjellë Kinën më pranë rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, siç ishte parashikuar.
Dokumenti përmbledh “objektivat për Hemisferën Perëndimore”, domethënë, ” rekrutimin dhe zgjerimin “.
“Rekrutimi do të thotë angazhimi i miqve të vendosur në hemisferë për të kontrolluar migracionin, për të ndaluar fluksin e drogës dhe për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë, si në tokë ashtu edhe në det”, specifikon dokumenti, ndërsa zgjerimi do të thotë kultivim dhe forcim i partnerëve të rinj, duke rritur njëkohësisht atraktivitetin e Shteteve të Bashkuara si një partner i preferuar ekonomik dhe i sigurisë.” Panorama