Shqipëria festoi Ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit, por qytetarët e Tiranës nuk po çlirohen dot nga makthi i rubinetave bosh në çezmat e tyre dhe nuk po bëhen dot të pavarur nga depozitat majë pallateve.
Banorët e kryeqytetit u zgjuan pa ujë të pijshëm edhe për këto festa të nëntorit. Ndërsa duhet të gëzonin në sheshe e rrugë, ata u morën sërish me hallet që u shkakton çdo ditë ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve me kufizimet drastike të ujit, që nuk mjafton as për të pirë e as për t’u larë.
“Mbushim depozitat e i ruajmë kështu nga pak. Uji nuk duhet vetëm për festa, duhet përgjithmonë ujë. I pakët, nuk është i mjaftueshëm”
“Unë s’e kuptoj kur ka apo s’ka ujë të rrjedhshëm, pallati ka depozitë. Ditët e festës, e ditët jo të festës, kanë qenë njësoj”
“Më e keqja është se nuk kontrollon njeri”
Por edhe kur uji vjen, edhe ajo sasi e pakët është e ndotur. Qytetarët thonë se po përballen me kosto të larta financiare, pasi faturat në UKT i paguajnë rregullisht, por po nxjerrin para shtesë nga xhepi çdo ditë për të blerë ujë për të pirë dhe për të gatuar.
Qytetarët kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin se drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve nuk e zgjidhin problemin e ujit për të stimuluar bizneset që tregtojnë ujë të pijshëm.
Aq kritike është situata, sa mbi 787 mijë banorë të Tiranës, që varen nga UKT për furnizimin me ujë, nuk arritën të kishin ujë në rubinetat e shtëpive të tyre as këto dy javë ku rrebeshet e shiut ranë pa pushim dhe liqeni i Bovillës është në kuota maksimale. Ekspertë nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve paralajmërojnë jashtë kamerave se gjendja do të vijë duke u përkeqësuar, për shkak se problemi nuk qëndron te mungesa e rezervave ujore, por te menaxhimi, i cili e ka degraduar situatën në atë pikë, sa Tirana është qyteti me kufizimet më drastike të ujit të pijshëm në Europë./Klan