Tiranë – Shqipëri – Albania
2009
Abstrakt
Meqenëse as hipoteza hyjnore, as hipoteza natyrore, ende nuk kanë sjellë dëshmi shteruese të qëndrueshme dhe të besueshme për origjinën e gjuhës, në këtë libër do të sillen argumente në mbështetje të së parës, duke shtjelluar sjelljet e jashtëzakonshme të gjuhës shqipes.
Parime
Dituria nuk është pronë e askujt. Askush nuk ka mundur, nuk mundet, as nuk ka për të mundur, që të shpallë pronësinë mbi dijen. Rrjedhimisht, dija ndahet me tjetrin, njëlloj si ajri që thithim, njëlloj si drita e diellit me të cilën ushqejmë shikimin.
Dija është pus i pafund. Përveç kësaj, çdo njeri, me çfarëdo zhvillimi mendor dhe kulturor, di diçka që nuk e di tjetri.
Mendimi i gabuar është i drejtë. Mendimi i drejtë është i gabuar. I pari e zgjon mendjen nga gjumi, kurse i dyti e ngrin mendimin si frigoriferi ushqimet, duke rrezikuar shndërrimin e njeriut në “copë mishi me dy sy”.
Përgjigja më hyjnore është “NUK E DI”.
Çdo i sapolindur potencialisht është rimarrës i jetës njerëzore në të gjitha përmasa e saj Kohore (e shkuara, e tashmja, e ardhmja), Hapësinore (vendndodhja) dhe Diturore (përvoja).
Simbolet që përfaqësojnë numrat dhe tingujt nuk janë shenja konvencionale, por fryte të pamundësisë së mendjes njerëzore për të hapur portat e “kështjellave” kuptimore të tyre.
Gjuha nuk është mjet komunikimi. E para, edhe pse folësit dhe përdoruesit e së njëjtës gjuhë komunikojnë gjuhësisht, ata nuk arrijnë të merren vesh me njëri-tjetrin për shkak të përvojave njohëse të përveçme dhe bindjeve vetjake. E dyta, folësit dhe përdoruesit e gjuhëve të ndryshme nuk komunikojnë dot me njëri-tjetrin as gjuhësisht, as kuptimisht, edhe nëse mbështeten te ndihma e ndërmjetësit. Kësisoj, lind nevoja e një përkufizimi të ri, të cilin e kemi formuluar si më poshtë vijon:
Gjuha është mbartëse, shprehëse dhe përcjellëse e mendimit si tërësi përvoje dhe dije njëherazi, me të cilat mund të kryhet ose mund të mos kryhet “akti i komunikimit”. Mirëpo, edhe nëse kryhet, ai përherë mbetet i mangët.
Hyrje
Studiuesit pohojnë se gjallon një hendek i thellë ndërmjet përdorimit krijues të gjuhës në botën njerëzore dhe sinjaleve të lindura në botën shtazore. Bleta, për shembull, argumentojnë ata, sapo kthehet nga fluturimi i parë jashtë zgjoit, di ta hedhë vallen tejet të ndërlikuar të nektarit me përkryerje të pabesueshme. Ndërkaq, njeriut, kësaj qenieje me vetëdije, i duhet ta përvetësojë gjuhën përmes pranisë në mjedisin e folësve. Përfundimisht, fjalët nuk janë të lindura, por kapaciteti për ta përvetësuar gjuhën dhe për ta përdorur atë në mënyrë krijuese duket se është i lindur. Noam Chomsky-i e quan këtë aftësi “mjet të përvetësimit të gjuhës” . Atëherë, shtrohen këto dy pyetje: Si lindi instinkti gjuhësor te njerëzit? Dhe si erdhi në jetë gjuha e parë?
Hipoteza mbi origjinën e gjuhës
Lidhur me origjinën e gjuhës, qarkullojnë dy hipoteza ose besime kryesore. Megjithëkëtë, asnjëra syresh nuk ka arritur të vërtetohet ende.
(1) Besimi te krijimi hyjnor. Shumë shoqëri kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë se gjuha është dhuratë e Perëndive për njerëzit. Të shprehur më shkoqur këtë e gjejmë te Gjeneza 2:20, ku thuhet se Adami/Ademi iu dha emra të gjitha krijesave të gjalla. Pra, këtu qartësohet se, që në krye të herës, njerëzit u krijuan me kapacitetin e lindur për përdorimin e gjuhës .
Edhe pse nuk dihet nëse gjuha dhe njeriu kanë moshë të barabartë, e vërteta se gjuha dhe shoqëria njerëzore janë të pandashme mbetet fund e krye e pamohueshme. Ku ka njerëz, ka gjuhë. Çdo fis i epokës së gurit, i zbuluar deri në ditët tona, ka gjuhë të barabartë me çdo gjuhë të lëvruar, në rrafshin e mundësive shprehëse dhe ndërlikimeve gramatikore. Teknologjia mund të jetë edhe e ndërlikuar, edhe e thjeshtë, vetëm se gjuha është gjithnjë e ndërlikuar. Në fakt, nganjëherë duket sikur gjuhët e folura nga shoqëritë para-industriale janë shumë herë më të ndërlikuara gramatikisht sesa gjuhë të tilla, ta zëmë, si greqishtja e Homerit, Italishtja e Dantes apo anglishtja e Shekspirit. Nuk ka gjuhë primitive. Vetë e shkuara nuk jep dëshmi se ka ekzistuar ndonjë e tillë, madje as ndër fiset e epokës së gurit .
(2) Evolucioni natyror. Në një pikë të caktuar të evoluimit, truri i njeriut u përsos duke mundësuar sajimin dhe mësimin e gjuhës. Me fjalë të tjera, në një çast të dhënë kohor, njeriu u pajis me një mjet për përvetësimin e gjuhës, cilido qoftë ky në kuptimin e vërtetë fizik. Atëherë, shqiptimet dhe gjestet e thjeshta, të trashëguara nga paraardhësit primatë, mundësuan me shpejtësi mbrujtjen e sistemit krijues të gjuhës, ndoshta gjatë një ose dy breznive të vetme. Sipas kësaj hipoteze, menjëherë pas zhvillimit të kapacitetit biologjik ose neurologjik për gjuhë krijuese te njeriu, duhet të ketë ndodhur ngjizja kulturore e sistemit të përveçëm të formave të ngarkuara me kuptime.
As kjo hipotezë nuk mund të vërtetohet. Zbulimet arkeologjike të deritanishme tregojnë se njeriu modern mund të ketë lindur në harkun e 150,000 vjetëve të fundit. Aty rreth viti 30,000, para Krishtit, të gjitha speciet sinjerëzore duket se qenë zëvendësuar nga njeriu modern. A mund të shpjegohet ngadhënjimi i species sonë përballë sinjerëzve të tjerë të shpjegohet me zotërimin e aftësive komunikuese sipërore? Folësit e gjuhës ishin në gjendje të jepnin mësim, të planifikonin, të organizoheshin, si dhe të përcillnin informacion të sofistikuar. Kjo do t’u kishte dhënë atyre epërsi të pakrahasueshme ndaj grupeve sinjerëzore, që nuk kishin gjuhë krijuese. Pa dyshim, askush nuk mund të thotë me siguri nëse këto specie të tjera sinjerëzore përdornin gjuhë krijuese. Ku i dihet? Ndoshta po. Sidoqoftë, termi homo sapiens (“i ditur”) duhet të zëvendësohet me termin homo loquens (“folës”), se gjuha dhe njeriu gjenden së bashku kudo, kurse dituria, nga njëri njeri te tjetri, është e shpërndarë në mënyrë shumë më përzgjedhëse.
Hipoteza e shpikjes. Nëse njeriu nuk e përvetësoi kapacitetin për gjuhë as përmes dhurimit hyjnor, as përmes evolucionit, atëherë si mund ta ketë sajuar gjuhën e parë? Ka shumë hipoteza për mënyrën se si gjuha mund të jetë shpikur me vetëdije nga njeriu, duke u mbështetur në një sistem parak të komunikimit sinjerëzor. Secila syresh niset nga ideja se shpikja e gjuhës dhe përpunimi i saj shkallë-shkallë shërbyen si nxitës të vazhdueshëm për zhvillimin e mëtejshëm mendor të njeriut. Asnjëra nga hipotezat e shpikjes që do të përmendet nuk është bindëse, dhe shumica e gjuhëtarëve mendojnë se origjina e gjuhës ende mbetet mister. Mirëpo, emrat shpikës dhe sarkastikë që iu kanë vënë këtyre hipotezave kritikët e tyre vërtetojnë se ndonjëherë edhe gjuhëtarët mund të jenë krijues.
Së pari, kemi katër hipoteza që mbrojnë se gjuha filloi përmes imitimit njerëzor të tingujve ose lëvizjeve që ndodhin natyrshëm:
(1) Hipoteza e tingëllimit. Gjuha filloi kur njeriu filloi t’i emërtojë objektet, veprimet dhe dukuritë, duke u nisur nga tingulli i njohshëm që shoqërohej me to në jetën e përditshme. Sipas, kësaj hipoteze, fjalët e para të njeriut ishin një lloj ikone verbale, një shenjë, forma e së cilës pasqyron imazhin e saktë të kuptimit të saj. Është e vërtetë se disa fjalë e kanë prejardhjen nga imitimi i tingujve të natyrshëm që lidhen me objekte të caktuara, për shembull, “fëshfërin” , “bubullin” , “fët” , etj. Secila nga këto fjalë ikonike të buron nga një tregues, një shenjë, forma së cilës lidhet natyrshëm me kuptimin e saj në hapësirën dhe kohën reale.
Problemi me këtë hipotezë është se onomatopeja (imitimi i tingullit, ikoniciteti dëgjimor) është pjesë shumë e kufizuar e fjalorit të çdo gjuhe. Tingujt imitues ndryshojnë nga gjuha në gjuhë Edhe sikur onomatopeja të ketë mundësuar lindjen një duzinë a më tepër fjalësh, atëherë nga erdhën emrat për mijëra koncepte që, për nga natyra, nuk shoqërohen me zhurma, as tinguj, të tillë si “shkëmb”, “diell”, “qiell” ose “dashuri”?
(2) Hipoteza “bobo” mbron se fjalët e para lindën nga shpërthime pa vetëdashje të inatit, të urisë, të dhimbjes ose të kënaqësisë, duke çuar përfundimisht në shprehjen e ideve dhe të emocioneve më të zhvilluara. Në këtë rast, i bie që fjala e parë të ketë qenë një “ah” ose “oh” e pavullnetshme. Këto filluan të përdoreshin për të emërtuar veprimet që shkaktonin tinguj të tillë.
Edhe me këtë hipotezë problemi është se shpërthimet emocionale janë pjesë shumë e vogël e çdo gjuhe. Ato, gjithashtu, janë tejet të përveçme për çdo gjuhë. Pra, këto pasthirrma ngjajnë shumë me fjalët e tjera, ngaqë pasqyrojnë fonologjinë e çdo gjuhe të veçantë. Ndryshe nga teshtimat, lotët, lemzat ose e qeshura, të cilat janë reagime të lindura njerëzore ndaj shtysave të caktuara, forma e pasthirrmave varet nga gjuha, por nuk i prin asaj. Gjithashtu, si shumica e fjalëve të tjera, janë simbole që të paktën tregojnë lidhje pjesërisht arbitrare midis tingullit dhe kuptimit.
(3) Hipoteza e lehjes (më e njohura dhe, rrjedhimisht, më e përqeshura) mbështet në pikëpamjen se fjalori na qenkësh zhvilluar si rrjedhojë e imitimit të tingujve që prodhojnë kafshët.
Mirëpo, sërish duhet theksuar se onomatopeja është pjesë e kufizuar e fjalorit të çdo gjuhe. Përcjellja gjuhësore e tingujve të kafshëve ndryshon ndjeshëm nga gjuha në gjuhë, megjithëse çdo specie kafshësh kudo, në thelb, prodhon të njëjtin tingull. Pra, interpretimi njerëzor i tingujve të kafshëve varet nga gjuha përkatëse, dhe nuk duket se ka gjasa që fjalorë të tëra të kenë lindur prej tyre.
(4) Hipoteza “da-da” është disi më ndryshe. Charles Darwin-i hipotezonte se ligjërimi mund të jetë zhvilluar si lloj i pantonimës gojore: organet e të folurit u përdorën për të imituar gjestet e dorës . Me fjalë të tjera, gjuha u zhvillua nga gjestet që filluan të imitoheshin nga organet e të folurit, domethënë, fjalët e para ishin ikona buzore të gjesteve të dorës.
Ka shumë mundësi që gjuha njerëzore, e cila sot është më së shumti verbale, ta ketë prejardhjen nga ndonjë sistem gjestesh. Edhe primatë të tjerë mbështeten në gjestin, si pjesë përbërëse e komunikimit, prandaj hamendësimi se komunikimi njerëzor mund të ketë filluar në të njëjtën mënyrë duket deri diku bindës. Gjestet njerëzore, megjithatë, ashtu si onomatopetë, dallojnë nga kultura në kulturë. Për shembull, anglezët tundin kokën në shenjë pohimi njëlloj si shqiptarët në shenjë mohimi.
Së dyti, një grup tjetër hipotezash lidhur me gjuhën niset nga pikëpamja se gjuha filloi si reagim ndaj nevojave të ngutshme në bashkësinë njerëzore. Këtu po japim disa hipoteza nevoje për shpikjen e gjuhës:
(1) Hipoteza paralajmëruese. Zanafilla e gjuhës mund të gjendet në sinjalet paralajmëruese, të ngjashme me ato që përdorin kafshët . Ndoshta, gjuha filloi me paralajmërime drejtuar tjetrit, ta zëmë, “kujdes”, “ik” ose “ndihmë”, për ta njoftuar në lidhje me kanosjen e ndonjë rreziku. Përveç këtyre, fjalë burimore mund të kenë qenë udhëzimet për gjuetinë ose ndonjë punë tjetër. Pra, fjalët e para ishin tregues që përdoreshin në veprimtari dhe situata të përditshme.
(2) Hipoteza “Opa!”. Gjuha u zhvillua si rrjedhojë e përpjekjeve të përbashkëta njerëzore. Gjuha e parë ishte të kënga për të nxitur përpjekjen kolektive, qoftë gjatë lëvizjes së gurëve të mëdhenj për bllokimin e hyrjeve të shpellave për t’u mbrojtur nga mishngrënësit, qoftë gjatë përsëritjes së shprehjeve frymëzuese për të ndezur shpirtin luftarak ndër beteja.
Platoni, gjithashtu, besonte se gjuha u zhvilluan thjesht për shkak të nevojës së plotë praktike . Edhe shqipja ka shprehjen “thirri nevojës”, kurse anglishtja gjegjësen e saj “necessity is the mother of invention”. Bashkërendimi i të folurit me dorën e djathtë kontrollohen në hemisferën e majtë të trurit. A mund të jetë kjo kallëzojsa e mundshme se shkathtësia dhe nevoja për të komunikuar u zhvilluan në harmoni të plotë?
(3) Hipoteza e rrenës mishërohet në një ide më piktoreske. E. H. Sturtevant-i argumentonte se, përderisa të gjitha qëllimet ose emocionet reale shprehen në mënyrë të pavullnetshme përmes gjestit, shikimit ose tingullit, komunikimi i vetëdijshëm duhet të jetë shpikur me qëllim që të gënjehet ose të mashtrohet. Ai pohonte se nevoja për të mashtruar dhe gënjyer, domethënë, për ta përdorur gjuhën në kundërshtim me realitetin për synime egoiste, ishte nxitja sociale që mundësoi lindjen e gjuhës .
Nuk ka teste shkencore për të vlerësuar secilën nga këto hipoteza konkurruese. Të gjitha syresh duken njëlloj të panatyrshme, të sforcuara. Kjo është arsyeja pse, në fund të shekullit XIX, Shoqata Mbretërore e Gjuhësisë në Londër ndaloi çdo diskutim dhe debat mbi origjinën e gjuhës nga frika se asnjëri nga argumentet nuk kishte kurrfarë baze shkencore, dhe se koha do të vritej kotnasikoti në këtë kërkim të pafrytshëm. Zakonisht, edhe sot përpjekjet për ta shpjeguar origjinën e gjuhës nuk merren shumë seriozisht. Kohët e fundit aktorja e estradës Lily Tomlin ka dalë me hipotezën e vet për shpikjen e gjuhës. Ajo mëton se njerëzit e shpikën e gjuhën në mënyrë që të mund të ankoheshin.
Secila nga hipotezat e imitimit mund ta shpjegojë mënyrën sesi erdhën në jetë disa fjalë të izoluara të gjuhës. Shumë pak fjalë të gjuhës njerëzore janë ikona verbale. Shumica syresh janë simbole që shpalosin lidhje arbitrare të tingullit me kuptimin. Le të marrim si shembull fjalën “pemë” në gjuhë të ndryshme: anglisht: “tree”; spanjisht: “árbol”; frëngjisht: “arbre”; sllovakisht: “strom”, etj.
Ndërkohë, secila nga hipotezat e nevojës mund të shpjegojë mënyrën sesi tingujt e pavullnetshëm, të prodhuar për shkak nevoje në kontekste të caktuara, mund të ketë ndodhur që të jenë manipuluar si fjalë për një objekt edhe jashtë kontekstit. Mirëpo, përdorimi në shkallë të gjerë i treguesve natyrorë lë ende të pashpjeguar zhvillimin e gramatikës, domethënë, gjedhet ku gjuha ka funksione të përcaktuara strukturore, por jo kuptime të përveçme. Aspekti krijues, gjenerativ, i gjuhës njerëzore, i cili quhet gramatikë, është tipari gjuhësor më unak. Nga lindi gramatika? S’ka asgjë të ngjashme me gramatikën (gjedhe me funksione të përcaktuara, por prapëseprapë pa kuptime të caktuara) në sistemet e komunikimit shtazor. Vetëm në raste tejet të veçuara, mund të tregohet se një strukturë gramatikore është zhvilluar si rrjedhojë e kombinimeve leksikore. Mënyra sesi gjuha zhvilloi gramatikën e saj të ndërlikuar mbetet mister i plotë. Rrjedhimisht, edhe mënyra sesi u zhvillua vetë gjuha mbetet e pashpjegueshme. Madje, nuk dihet as mënyra e ardhjes së gjuhës te njeriu përmes sistemeve të thjeshta të tingujve dhe gjesteve të botës shtazore.
Hipoteza mbi larushinë e gjuhëve
Pavarësisht nga fakti nëse gjuha ishte dhuratë hyjnore e përveçme, përvetësim i natyrshëm evolucionar, apo shpikje e pazakontë dhe e vetëdijshme njerëzore, e bërë në një çast të caktuar në të shkuarën e largët të species sonë, gjuha gjallon se gjallon. Kjo nuk mohohet dot. Dhe, meqenëse sot jetojnë shumë gjuhë, lindin këto pyetje: A kishte një apo më shumë gjuhë zanafillore? A kishte një apo më shumë shpikje gjuhe? Sot në botë fliten rreth 5,000 gjuhë. E dimë se në të shkuarën fliteshin më tepër sesa kaq, kur shumica e njerëzve jetonin në klane ose fise të vogla, madje të izoluara.
Gjallojnë dy besime të moçme për origjinën e larushisë gjuhësore të botës në ditët tona .
(1) Besimi më i vjetër është se kishte vetëm një gjuhë të vetme zanafillore. Ideja e një gjuhe të vetme paraardhëse njihet me emrin monogjenezë. Në traditën Judeo-Kristiane, gjuha zanafillore u prish për shkak të ndërhyrjes hyjnore, ashtu siç përshkruhet në rrëfimin për “Kullën e Babelit” te “Gjeneza”.
Mund të jetë me interes të theksohet këtu se njerëzit që besojnë në një origjinë të vetme të gjuhës kanë hipoteza të ndryshme lidhur me faktin se cila mund të ketë qenë gjuha e parë. Për shembull: (a) Një studiues bask ka shpallur se gjuha e parë është baskishtja. (b) Një filolog gjerman i shekullit XX ka mbrojtur pikëpamjen se gjermanishtja është gjuha e parë dhe se të gjitha gjuhët e tjera janë shtrembërime inferiore të saj. Gjuhëtarë të tjerë evropianë i kanë dhënë të njëjtin status të ekzaltuar greqishtes ose sanskritishtes. (c) Një filolog suedez ka pohuar se në Kopshtin e Idenit Zoti fliste suedisht, Adami fliste danisht, kurse gjarpri fliste frëngjisht.
(2) Gjallon edhe një hipotezë e dytë për origjinën e njeriut dhe, rrjedhimisht, për origjinën e gjuhës: hipoteza e evolucionit paralel, e cila niset nga pikëpamja se, ndërkohë që njerëzit u përsosën paralelisht në më shumë sesa një vend, çdo grup zhvilloi gjuhën e vet unake. Hipoteza e origjinës së shumëfishtë të njerëzimit quhet shpesh teoria e Kandelabrës . Kjo hipotezë ka gjetur mbështetje të gjerë në Azinë Lindore dhe mes një grupi të vogël shkencëtarësh perëndimorë. Hipoteza e origjinave të shumëfishta gjuhësore, që shpesh shkon paralel me këtë hipotezë, njihet me emrin poligjenezë. Çdo gjuhë zanafillore e asaj kohe duhet të jetë degëzuar në forma të shumta. Familjet kryesore të gjuhëve të ditëve tona do të kenë lindur nga këto gjuhë të përveçme amtare.
(3) Monogjeneza shkencore: Teoria e gjuhës nënë. Teoritë e monogjenezës nuk burojnë medoemos nga besimi fetar . Shumë studiues modernë besojnë në një teori të monogjenezës, e cila quhet “teoria e gjuhës nënë”. Kjo teori niset nga pikëpamja se një gjuhë zanafillore, e folur nga një grup i vetëm njerëzish të ditur, ndoshta 150,000 vjet më përpara, lindi të gjitha gjuhët njerëzore që fliten sot në botë. Ndërkohë që njerëzit kolonizuan kontinente të ndryshme, kjo gjuhë zanafillore nënë filloi të degëzohej në rrjedhën e kohës, duke krijuar gjuhët e shumta, që fliten sot. Meqenëse shumë shkencëtarë besojnë se njerëzit e parë, tërësisht modernë, u shfaqën në Afrikë, teoria e gjuhës nënë lidhet me një teori më të përgjithshme të origjinës njerëzore, të njohur si “teoria nga Afrika”. Sot, teoria e monogjenezës evolucionare ka gjetur mbështetje mes një grupi gjuhëtarësh që punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht nga origjina e gjuhës, e vërteta është se sot në botë përdoren mbi 5,000 forma të ligjërimit njerëzor, anasjelltas të pakuptueshme. Dhe, megjithëse shumë syresh ndryshojnë rrënjësisht nga njëra-tjetra në rrafshin strukturor, dallimet janë sipërfaqësore, ngaqë secila nga këto gjuhë mund të përdoret në mënyrë krijuese.
Gjuhët nuk ndryshojnë në kuptimin e potencialit të tyre krijues, por në atë të rrafshit ku sendërtohen dallimet të caktuar në secilën gjuhë veç e veç. Çfarë shprehet me përpikëri në një gjuhë kërkon barasvlerësin e vet gjuhën tjetër. Për shembull, shprehja në shqip “si shala gomarit” kërkon gjegjësen e vet në anglisht “a square peg in a round hole”. Gjuhëtarët studiojnë mënyrën sesi secila gjuhë e veçantë strukturon shprehjen e koncepteve. Krahasime të tilla përgjatë gjuhëve futen në degën e gjuhësisë që quhet “tipologji gjuhe”.
Nëse larushia strukturore e gjuhëve njerëzore është sipërfaqësore, atëherë, pse paska rëndësi në tipologjinë e gjuhës? Pse kaq shumë gjuhëtarë shpenzuakan kaq shumë kohë për të studiuar larushinë gjuhësore?
(1) Së pari, për të zbuluar gjuhën zanafillore nënë (ose gjuhët nëna). Gjuhëtarët që krahasojnë gjuhët moderne, duke u përpjekur që të rindërtojnë gjuhët e lashta, quhen “gjuhëtarë krahasimtarë”.
(2) Së dyti, meqenëse ndryshojnë më ngadalë sesa mjedisi ku fliten, gjuhët përmbajnë çdo lloj treguesi të kulturave të shkuara. Kështu, për historianët dhe antropologët, gjuha hap një dritare të posaçme, nga ku shihet e shkuara. Po të studiohet një gjuhë, çdo gjuhë, do të mësohet shumë rreth historisë së njerëzve që e flasin atë. Gjithashtu, do të hidhet një hap vendimtar në drejtim të kuptimit të kulturës bashkëkohore të folësve. Gjuhëtarët që e studiojnë gjuhën nga kjo pikëpamje kulturore quhen “gjuhëtarë antropologë”.
Assesi nuk duhet harruar se, ndryshe nga hipoteza e determinizmit gjuhësor, studimi i një gjuhe nuk ndihmon për të parashikuar të ardhmen e njerëzve që e flasin atë. E ardhmja do të ndodhë, pa e marrë shumë parasysh strukturën e gjuhës, kurse vetë gjuha do të trajtësohet nga kjo e ardhme, por jo anasjelltas.
Shi për arsyet që përmendem më lart, në vijim do të parashtrojmë vetëm një pjesëz të dëshmive që sjell shqipja në mbështetje të hipotezës se gjuha është dhuratë hyjnore, se shqipes i ka trokitur në derë ky fat shumë, shumë mijëvjeçarë përpara sesa të bëheshim mbartësit dhe lëvruesit e saj.
Dëshmi të shqipes në mbështetje të hipotezës hyjnore
1. Zanorja nistore “A”
Zanorja nistore “a” funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen jokalimtare “jam” në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme. Shfaqet edhe në trajtat “asht” dhe “është”. Ka kuptimin “rroj, jetoj, gjalloj, gjëllij, ekzistoj”. Dallimet ndërmjet “a”, “asht” dhe “është” janë fonetike, duke nxjerrë në pah larushinë tingullore të gjuhës shqipes, por pa shkaktuar pengesa në procesin e komunikimit gojor a shkrimor. (Këto ndryshime do t’i hasim edhe në shembuj të tjerë vijues, prandaj nuk e shohim të udhës t’i përmendim një për një. Kjo fjalë shënon ekzistenca e tjetrit, domethënë, të Zotit, krijuesit të gjithësisë, të njeriut, të gjuhës. Zoti (Ai) ose Perëndia (Ajo) ËSHTË. Po të mos ekzistonte Zoti (Ai) ose Perëndia (Ajo), nuk do të ekzistonte gjithësia, as njeriu, as gjuha. Gjithashtu, fillimi i komunikimit gjuhësor përmes pranimit të ekzistencës së Zotit mishëron formulën e lavdërimit, për t’i shprehur Atij mirënjohjen për aktin e krijimit, e cila haset në çdo Libër të Shenjtë, paçka se në forma të ndryshme. Kjo dukuri unake qartësohet edhe më tej në formulën hapëse dhe mbyllëse të Epit të Kreshnikëve: “Lum e lum për t’Lumin Zot: / S’jena kan’, Zoti na ka dhan’!”. Pra, ne, shqiptarët, jemi të lumtur, të lumtur deri në pafundësi sepse dikur nuk “kemi qenë”, por na “ka krijuar” Zoti i Lumtur, i lumtur për këtë vepër. Ndërkohë, janë edhe të vetëdijshëm se, që kjo “lumturi e ndërsjellët” të vazhdojë pareshtur, ata, me sjellje dhe veprime, duhet të gëzojnë fillimisht Zotin, dhe pastaj veten. Pra, gëzimi njerëzor kushtëzohet nga gëzimi hyjnor. Ky gëzim është detyrim i brendshëm dhe sendërtim i shpërblimit për dhuratën e epërme: Jetën.
Togu tingullor “BA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “bëj” që shfaqet: (a) në formën e pashtjelluar të paskajores “me ba” = “me bë”; (b) në vetën e dytë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ti ba” = “ti bën”; (c) në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ai/ajo ba” = “ai/ajo bën”; (d) në vetën e dytë, në numrin njëjës, në mënyrën urdhërore, në kohën e tashme “ba” = “bëj”. Ka kuptimin “përgatit, prodhoj diçka, duke përpunuar një lëndë; ngre a ndërtoj diçka, duke përdorur sende të tjera, pjesë të ndryshme”. Kjo fjalë shënon aftësinë krijuese Zotit. Pra, Zoti (Ai) ose Perëndia (Ajo) është në gjendje PËR TË BËRË. Pra, Ti, Zot, Bën. Këtu, pasi ka pranuar ekzistencën dhe pushtetin krijues të Zotit, shqiptari i drejtohet Atij sikur ta ketë të njohur fort të afërt. Pra, Ai, Zoti, Bën. Këtu, pohimi është i shkallës sipërore. Ai përjashton çdo dyshim lidhur me ekzistencën e Zotit, duke nënkuptuar se Ai nuk mund të barazohet me asgjë dhe me askënd. Pra, Ti, Zot, Bëj. Këtu del lutja e parë që shqiptari ia drejton Zotit për të shtuar begatinë hyjnore në shërbim të ruajtjes dhe të mbrojtjes së veprave të Tij.
Togu tingullor “CA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me përemrin e pakufishëm “ca” në kuptimin “disa” që “shënon sasi të papërcaktuar”. Pra, Zoti Bën Ca (botë, sende, kafshë, njerëz, etj.). Rrjedhimisht, pranohet mungesa e çfarëdo kufizimi në drejtim të aftësive krijuese të Zotit.
Togu tingullor “ÇAJ”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “çaj” që shfaqet: (a) në formën e pashtjelluar të paskajores “me ça” = “me ça”; (b) në vetën e dytë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ti ça” = “ti çan”; (c) në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ai/ajo ça” = “ai/ajo çan”. Ka kuptimin “ndaj në copa për së gjati duke e goditur me diçka të mprehtë a të fortë ose duke e prerë; i hap plasa të thella; ndaj më dysh”. Kjo fjalë shënon aftësinë dhe të drejtën e Zotit për të kryer veprimin e dytë të radhës në shërbim të krijimit. Pra, Ai është në gjendje PËR TË ÇARË. Pra, Ai ka leje PËR TË ÇARË. Kështu, Zoti bëri gjithësinë. Kështu, Zoti bëri Njeriun e Parë: Adamin/Ademin. Pastaj i erdhi radha Evës/Havasë. Pra, Ti, Zot, Çan. Pra, Ai, Zoti, Çan. Këtu, përmes rimarrjes së Zotit në vetën e dytë dhe të tretë të numrit njëjës, pohohet me forcë “çarja” që Ai kreu në trupin e Adamit/Ademit për t’i marrë brinjën me të cilën do të bënte Evën/Havanë, çka do t’i hapte rrugën lindjes dhe shtimit të njerëzimit.
Togu tingullor “DA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “ndaj” që shfaqet: (a) formën e pashtjelluar të paskajores “me da” = “me nda”; (b) në vetën e dytë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ti da” = “ti ndan”; (c) në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ai/ajo nda” = “ai/ajo ndan”. Ka kuptimin “largoj njërin nga tjetri, shkëput; nxjerr veç e veç dy lëndë a gjëra të ndryshme, që janë përzier, veçoj”. Kjo fjalë shënon aftësinë dhe të drejtën e Zotit për të kryer veprimin e tretë të radhës, vetëm se kësaj here si dënim. Pra, Ai është në gjendje PËR TË NDARË. Pra, Ai ka leje PËR TË NDARË. Kështu, meqenëse Adami/Ademi, i shtyrë nga Eva/Havaja, e ha “mollën e ndaluar” në Kopshtin e Idenit, Zoti, me tagrin e Krijuesit, detyrohet t’i ndëshkojë duke i ndarë nga njëri-tjetri, si dhe duke i përzënë prej atij vendi të shenjtë. Pra, Ti, Zot, Ndan. Pra, Ai, Zoti, Ndan. Këtu, sërish përmes rimarrjes së Zotit në vetën e dytë dhe të tretë të numrit njëjës, pohohet me forcë “ndarja” që Ai iu bëri Adamit/Ademit dhe Evës/Havasë, krahas pranimit pa kushte të ndëshkimit të Tij për çdo shkelje të urdhëratave hyjnore.
Togu tingullor “DHA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “jap” në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e kryer të thjeshtë “ai/ajo dha”. Ka kuptimin “i lë dikujt diçka në dorë, i dorëzoj një gjë; i zgjat, i nxjerr a i vë diçka përpara për ta marrë, për ta përdorur; i fal dikujt një gjë timen, i dhuroj diçka; arrij ose sjell diçka; nxjerr, prodhoj; krijon, formon diçka; shfaq, tregon diçka”. Kjo fjalë shënon përsëdytjen e veprimit të parë të Zotit, të mishëruar në foljen “bëj”, por tashmë të përkthyer në vepra të përfunduara. Pra, Ai, Zoti, Dha. Pra, Ai, Zoti krijoi gjithësinë, i fali jetë asaj.
Togu tingullor “FA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “fryj” që shfaqet: (a) në formën e pashtjelluar të paskajores “me fa” = “me fry”; (b) në vetën e dytë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ti fa” = “ti fryn”; (c) në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ai/ajo fa” = “ai/ajo fryn”. Ka kuptimin “bëj me barrë”. Kjo fjalë shënon shtatzëninë e Evës/Havasë. Kështu, duke mbjellë farën në shtatin e Saj, Adami/Ademi Fryn, veprim ky që lejohet dhe mundësohet nga Zoti, me qëllim që të rimerret jeta njerëzore.
Togu tingullor “GA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen jokalimtare “ngjaj” që shfaqet: (a) në formën e pashtjelluar të paskajores “me ga” = “me ngja”; (b) në vetën e dytë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ti ga” = “ti ngjan”; (c) në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ai/ajo ga” = “ai/ajo ngjan”. Ka kuptimin “kam veti, tipare a cilësi shumë të afërta ose thuajse të njëjta me një tjetër; shëmbëllej”. Kjo fjalë lidhet me lindjen e parë tokësore, duke lënë të kuptohet se Eva/Havaja ka sjellë në jetë një fëmijën e parë të njerëzimit. Pra, Ti ngjan me Evën/Havanë dhe Adamin/Ademin. Pra, Ai/Ajo ngjan me Evën/Havanë dhe Adamin/Ademin. Edhe ky veprim është rrjedhojë e ndërmjetësimit hyjnor, vetëm se, si në rastin e mësipërm, mbetet akt njerëzor. Ky veprim, gjithashtu, shënon shenjtërimin e femrës, domethënë, shndërrimin e saj në gjysmëperëndi.
Togu tingullor “GJA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë emrin “gjë” që shfaqet: (a) në gjininë femërore, në numrin njëjës “një gja” = “një gjë” = “një send”, si dhe në numrin shumës “shumë gja” = “shumë gjë” = “shumë bagëti shtëpiake”, në rasën emërore, në trajtën e pashquar. Në rastin e parë, ka kuptimin “diçka lëndore e botës jo të gjallë, që rroket nga shqisat si trup i veçantë; diçka e nevojshme për jetesë a që përdoret në jetën e në punën e përditshme; send”. Në rastin e dytë, ka kuptimin “bagëti shtëpiake”. Kjo fjalë, përmes këtyre kuptimeve, shënon: (1) botën sendore; dhe (2) botën shtazore. Pra, me lindjen e njeriut të çhyjnizuar, kërkohen këto dy botë, të cilat do t’i japin atij mundësi të mbajë gjallë trupin, vetëm se duke punuar, duke djersitur. Dihet: Adami/Ademi dhe Eva/Havaja e humbën parajsën. I njëjti fat i pret edhe pasardhësit e tyre.
Togu tingullor “HA”
Ky tog tingullor funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “ha” që shfaqet: (a) në vetën e parë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “unë ha”; (b) në vetën e dytë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ti ha”; (c) në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ai/ajo ha”; (d) në vetën e dytë, në numrin njëjës, në mënyrën urdhërore, në kohën e tashme. Ka kuptimin “përtyp dhe kapërdij diçka për t’u ushqyer; ushqehem; përdor si ushqim; marr ushqimin në një kohë të caktuar”. Kështu, pas përfundimit të aktit të krijimit hyjnor, të shoqëruar me krijimin e botës njerëzore, të botës sendore dhe të botës shtazore, fillon vargu i veprimeve njerëzore, ku, më i rëndësishmi për njeriun, fill pas atij që i mundëson riprodhimin, është “të ngrënit”, madje disa herë në dit. Pa ushqim, vdes trupi, të cilin e braktis shpirti, pra, shuhet jeta. Dhe, pa jetë, nuk mund të ketë riprodhim. Atëherë, për t’u ushqyer, njeriut i duhet t’i shfrytëzojë botën sendore dhe botën shtazore, i duhet të punojë për të prodhuar të mira materiale.
Togu tingullor “JA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me pjesëzën “ja” që përdoret “për të treguar dikë a diçka, që gjendet zakonisht afër, që kalon pranë, që shfaqet papritur; për të dëftuar diçka ose për të tërhequr vëmendjen për diçka që ndodh në afërsi, përpara syve a në kohën që flasim”. Kjo do të thotë se, përmes kësaj fjale, njerëzit, tashmë të vetëdijshëm për ekzistencën e Zotit, i tregojnë njëri-tjetrit dhuratat që Ai ua ka falë, duke shprehur kësisoj adhurimin dhe falënderimin për Të. Kjo fjalë gjithashtu lë të kuptohet se ka filluar bashkëpunimi ndërnjerëzor në jetën e përditshme, pra, ndarja e përvojave dhe dijeve me tjetrin.
Togu tingullor “KA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “kam” në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme “ai/ajo ka”. Ka kuptimin “zotëroj diçka; jam pronar i diçkaje; është imi, më përket mua”. Pra, Ai, Zoti, Është. Pra, Ai, Zoti, Ka. Kjo fjalë dëshmon qartë se njerëzit e pranojnë që janë krijesa të Zotit dhe, rrjedhimisht, nuk mëtojnë të bëhen pjesëtarë në “pronësinë” së Tij.
Togu tingullor “LA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “lë” që shfaqet në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e kryer të thjeshtë “ai/ajo la”. Ka kuptimin “i jap diçka një tjetri për ta ruajtur a për ta përdorur, i dorëzoj; i besoj një detyrë, i ngarkoj një punë a i jap një porosi, një këshillë; ia jap dikujt si trashëgim, bëj që ta ketë ai një pronë, një pasuri; bëj që diçka ta ketë a ta gëzojë një pasardhës”. Pra, Ai, Zoti, Është. Pra, Ai, Zoti, Ka. Pra, Ai, Zoti, La. Kështu, kjo fjalë përforcon idenë e mishëruar në foljen e mësipërme se njerëzit nuk zotërojnë asgjë, madje as veten; janë vetëm përfitues dhe përdorues të dhuratave hyjnore të Zotit.
Togu tingullor “LLA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “lla” që shfaqet: (a) në formën e pashtjelluar të paskajores “me lla”; (b) vetën e parë “unë lla”, të dytë “ti lla” dhe të tretë “ai/ajo lla”, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme. Ka kuptimin “thith me gojë dhe e kapërdij në stomak një lëng, ujë, qumësht, për të shuar etjen ose për t’u ushqyer; pi”. Kjo fjalë shënon “pirjen”, këtë veprim njerëzor, i cili mbetet patjetërsueshëm për mbajtjen e trupit gjallë. Pra, njeriu lind me aftësinë për të pirë. Madje, sapo lind nga barku i nënës, veprimi i tretë që kryen pasi merr frymë dhe qan është pirja e qumështit nga gjiri i nënën. Pra, unë pi. Pra, ti pi. Pra, ai/ajo pi. Ndryshe nga “ha”, kjo folje del në paskajore sepse veprimi i shprehur përmes saj mund t’i shuaj uri dhe etje njëherësh, domethënë, jo vetëm urinë.
Togu tingullor “MA”
Ky tog është njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me ndajfoljen e sasisë “ma” = “më”. Ka kuptimin “edhe një sasi a masë tjetër, edhe ca; edhe ndonjë njeri a ndonjë gjë tjetër veç këtyre; ende”. Kjo fjalë shënon vijimësinë dhe shtimin e pjellorisë së botëve në saje të mundësimit hyjnor, duke lënë të kuptohet koncepti filozofik për ruajtjen e masës, si kusht i domosdoshëm për gjallimin e tyre.
Togu tingullor “NA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me përemrin vetor “ne” në vetën e tretë të numrit shumës, i cili “përdoret nga ai që flet, duke përfshirë veten së bashku me një tjetër ose me njerëzit e tjerë të grupit ku bën pjesë”. Kjo fjalë dëshmon se Adami/Ademi, Eva/Havaja dhe pasardhësit e tyre kanë arritur tashmë të përcaktohen si bashkësi e përveçme krijesash në raport me Krijuesin.
Togu tingullor “NJA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me numërorin themelor “një” që është “numri i parë në vargun e numrave të plotë, numri 1; numri i plotë më i vogël, që shënon njësinë më të vogël; njësia më e vogël në një grup, që shënohet me këtë numër”. Kjo fjalë shënon fillimin e fillimit. Duke e kombinuar me foljen e parë “A”, lind pohimi “A Nja”, domethënë, “Ai/Ajo (Zoti/Perëndia) Është Një”. Pra, përjashtohet mundësia e çdo barazimi me Krijuesin që pranohet me vetëdije si burim, si mbrojtës dhe si udhërrëfyes. Gjithashtu, lihet të kuptohet se numri nuk është vetëm pjesë e gjuhës, por edhe gjuhë më vete.
Togu tingullor “PA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “shoh” që shfaqet: (a) në formën e pashtjelluar të paskajores “me pa”; dhe (b) në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e kryer të thjeshtë “ai/ajo pa”. Ka kuptimin “rrok dikë a diçka me sy”. Në rastin e parë, kjo fjalë tregon se vetëm Zoti është në gjendje të shohë çdo gjë, kurse njeriu mund të shohë atë që e lejon Ai. Në rastin e dytë, kjo fjalë lë të kuptohet se Zoti tashmë ka vënë re diçka që nuk shkon në botën njerëzore, diçka që bie ndesh me synimet e Tij burimore, të mishëruara në aktin e krijimit.
Togu tingullor “QA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen jokalimtare “qaj” në formën e pashtjelluar të paskajores “me qa”. Ka kuptimin “derdh lot me dënesë ose pa zë nga dhembja e madhe, nga hidhërimi ose nga një ndjenjë tjetër tronditëse; lotoj”. Kjo fjalë tregon se njeriu është në gjendje të qajë për shkak të dëmtimit të dhuratave hyjnore të falura nga Krijuesi, domethënë, të trupit dhe të shpirtit. Pra, këtë pa Zoti. Pra, dikush i ka marrë jetën tjetrit. Është kryer krimi i parë njerëzor. Prandaj, kërkohet ndërhyrja e Tij.
Togu tingullor “RA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen jokalimtare “bie” që shfaqet në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e kryer të thjeshtë “ai/ajo ra”. Ka kuptimin “zbres nga një vend i lartë në një vend më të ulët, këputem nga lart poshtë”. Kjo fjalë tregon se, pas krimit të parë njerëzor, Zoti, përmes të dërguarve të Tij, zbriti te njerëzit dhe ua çoi librin ku mësohet dashuria si kusht i patjetërsueshëm për mbarëvajtjen e lumturisë së tyre.
Togu tingullor “RRA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me emrin “rra” në gjininë femërore, në numrin njëjës, në rasën emërore, në trajtën e pashquar. Ka kuptimin “rre; krimb që jeton si parazit në zorrët e fëmijëve; bubë”. Kjo fjalë tregon se te njeriu kanë filluar të shfaqen sëmundjet trupore, ngaqë ai nuk kujdeset për “enën e shpirtit të vet”.
Togu tingullor “SA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me përemrin pyetës “sa” që “përdoret në fjali pyetëse të drejta ose të zhdrejta, kur pyesim për sasinë e qenieve, të sendeve a të dukurive”. Kjo fjalë dhe ndajfolja “ma” = “më” krijojnë dy kushtet e detyrueshme, nga përmbushja e të cilave garantohet “ruajtja e masës”, ose mosprishja e harmonisë.
Togu tingullor “SHA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “shaj” që shfaqet në formën e pashtjelluar të paskajores “me sha”’. Ka kuptimin “i them dikujt fjalë e shprehje të pahijshme, fyese e të rënda”. Kjo fjalë tregon se, duke shkelur mbi gjuhën, këtë dhuratë hyjnore, e cila renditet e treta fill pas trupit dhe shpirtit, njeriu ka zhvilluar aftësinë e lëndimit shpirtëror të tjetrit. Rrjedhojë e këtij shpërdorimi të pafajshëm do të jetë gjëma gjuhësore në “Kullën e Babelit”.
Togu tingullor “TA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me përemrin vetor “ata” në vetën e tretë, në gjininë mashkullore, në numrin shumës, në rasën kallëzore, që “përdoret pas parafjalëve”. Kjo fjalë është dëshmi e përcaktimit të raportit të Zotit me njerëzit dhe mbart ngarkesë të ftohtë emocionale. Pra, lihet të kuptohet se nuk do të vonojë ndëshkimi hyjnor.
Togu tingullor “THA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “them” që shfaqet në vetën e tretë, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e kryer të thjeshtë “ai/ajo tha”. Ka kuptimin “shpreh diçka me fjalë ose me shkrim, flas, shprehem, njoftoj diçka”. Pra, Ai/Ajo (Zoti/Perëndia) Tha. Kjo fjalë tregon se Zoti është “autori” burimor i çdo Libri të Shenjtë, ku njeriu këshillohet, porositet, madje urdhërohet, që të dashurojë. Me shfaqjen e sëmundjeve shpirtërore, nuk u zihet më besë mësimeve njerëzore për mirësinë.
Togu tingullor “VA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me emrin “va” që shfaqet në gjininë mashkullore, në numrin njëjës, në rasën emërore, në trajtën e pashquar. Ka kuptimin “vend i cekët në një lumë, ku zakonisht ky hapet më gjerë në shtratin e tij dhe ku mund të kalohet më këmbë për të dalë në anën tjetër; ujëpushojsë”. Kjo fjalë tregon ekzistencën e ujit, elementit kryesor të jetës në këtë tokë.
Togu tingullor “XA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me emrin “xa” = “xanë” që shfaqet në gjininë femërore, në numrin njëjës, në rasën emërore, në trajtën e pashquar. Ka kuptimin “pëlhurë e trashë, e ashpër dhe e lirshme prej fijeve të gjineshtrës, që përdoret për të bërë rroba, thasë, torba”. Kjo fjalë tregon se njeriu ka filluar të shfrytëzojë pasuritë e botëve përreth, për të plotësuar nevojat jetësore. Bile, ka filluar të vishet. Kjo lë të kuptohet se tek ai ka lindur ndjenja e turpit, e fajit për mëkatin e parë. Është shenjë e luftës për t’u ndërgjegjësuar lidhur me dhuratat hyjnore.
Togu tingullor “XHA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me emrin e palakueshëm “xha” në gjininë mashkullore, në numrin njëjës, në trajtën e pashquar, që “përdoret përpara emrit të përveçëm të një njeriu të moshuar, kur thirret me nderim nga një më i ri”. Sikundër pararendësja, edhe kjo fjalë është dëshmi e ringjalljes shpirtërore të njeriut. Ai ka filluar ta nderojë tjetrin, sidomos më të moçmin.
Togu tingullor “ZA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me emrin “za” = “zë” që shfaqet në gjininë mashkullore, në numrin njëjës, në rasën emërore, në trajtën e pashquar, në kuptimin “tingull a tërësi tingujsh që prodhohen në grykën e njeriut nga dridhja e disa tejzave gjatë kalimit të rrymës së ajrit nëpër to; të folur me anë të këtyre tingujve të nyjëtuar”. Kjo fjalë tregon se tashmë ka ndodhur tragjedia në “Kullën e Babelit”. Njerëzit, ata që kishin një gjuhë të vetme, nuk arrijnë të merren vesh me njëri-tjetrin. Ndëshkimi hyjnor, të cilin e vuajmë edhe sot e kësaj dite, është çuar në vend.
Togu tingullor “ZHA”
Ky tog funksionon si njësi e mëvetësishme leksiko-gramatikore. Kemi të bëjmë me foljen kalimtare “zhurit” që shfaqet: (a) në formën e pashtjelluar të paskajores “me zha” = “me zharit” = “me zhurit”; (b) vetën e dytë “ti zha” = “ti zhurit” dhe të tretë “ai/ajo zha” = “ai/ajo zhurit”, në numrin njëjës, në mënyrën dëftore, në kohën e tashme. Ka kuptimin “e djeg shumë, e bëj shkrumb, e shkrumboj; e përcëlloj; e përvëloj”. Në rastin e parë, kjo fjalë tregon se Zoti është në gjendje ta përmbys botën, të shkaktoj apokalipsin. Ndërkohë, në rastin e dytë, tregon se tashmë njeriu është bërë i vetëdijshëm për këtë aftësi hyjnore të Krijuesit, por edhe trembet.
Përfundime
Gjuha është krijesa dhe dhuratë hyjnore për njeriun.
Shqipja është gjuha e Adamit/Ademit dhe e Evës/Havasë. Rrjedhimisht, toka Ilirike është Kopshti i Idenit.
Shqipja është e njësuar dhe e përpunuar që në zanafillë dhe, kësisoj, nuk përmbush asnjë kriter për t’u ndarë në dialekte. Shi kjo cilësi i ka dhënë asaj mundësi për të ngadhënjyer ndaj gjuhëve të perandorive më të fuqishme të krejt kohërave, të cilat na pushtuan dhe na ndaluan ta shkruajmë gjuhën amtare. Ato u shuan nga faqja e dheut, kurse shqipja i përcolli për në varr.
Libri i parë i ZOTIT u zbriti shqiptarëve.
Rrënjët e qytetërimeve që kanë lindur gjer më sot mund të gjenden në shtatin dhe shpirtin e shqipes.
Literatura
The Bible.
Brinton, Daniel G. Religions of Primitive Peoples. New York: G. P. Putnam’s Sons, 1897.
Jesperson, Otto. Language: Its Nature, Development and Origin. New York: Norton, 1964.
Marck, George R. Beethoven: Biography of a Genius. New York: Funk & Wagnalls, 1969.
Müller, F. Max. Lectures on the Science of Language. 2 vols. London: Longmans, Green, 1871. Vol. 1.
Nietzsche, Frederick W. The Birth of Tragedy out of the Spirit of Music. 1872. Basic Writings of Nietzsche. Trans. Walter Kaufmann. New York: Modern Library, 1968. 29-144.
Ornstein, Jacob and William W. Gage. ABC’s of Language and Linguistics. Philadelphia: Chilton, 1964.
H. Moran. On the Origin of Language. New York: Frederick Ungar, 1966. 1-74.
Bloomfield, Leonard. Language. New York: Holt, 1933.
Bodmer, Frederick. The Loom of Language. New York: Norton, 1944.
Bram, Joseph. Language and Society. New York: Random House, 1955.
Diamond, A. S. The History and Origin of Language. London: Methuen, 1959.
Frazer, Sir James George. The Golden Bough: A Study in Magic and Religion. 12 vols. New York: Macmillan, 1935.
Larousse Encyclopedia of Mythology. New York: Prometheus P, 1959.
Wheelwright, Philip E. The Burning Fountain: A Study in the Language of Symbolism. Bloomington: Indiana UP, 1968.