Aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se protestat kundër kryeministrit Edi Rama po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha, ndërsa sot zhvillohet dita e 22-të e mobilizimit qytetar në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
E ftuar në News24, Vatnikaj tha se protesta nisi pas ngjarjeve në Zvërnec, por më pas u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit.
Sipas saj, pjesëmarrja masive e qytetarëve dhe mbështetja e diasporës tregojnë pakënaqësinë e madhe ndaj situatës në vend dhe mënyrës së qeverisjes.
Vatnikaj theksoi se nuk sheh hapësirë për dialog me kreun e qeverisë, të cilin e cilësoi si një lider që ka përqendruar pushtetin në duart e tij.
Ajo kritikoi gjithashtu deklaratat e Ramës ndaj protestuesve, duke i konsideruar si përpjekje për të delegjitimuar revoltën qytetare.
Sidorela Vatnikaj: Pati një reagim të menjëhershëm të njerëzve që kuptuan se shteti që ne supozojmë se ekziston ka rënë në duart të të fortëve që nëse nuk reagojmë do na dhunojnë edhe ne. Nuk e kemi pritur që protesta të ishte kaq masive.”
Nga ana tjetër na ka mbushur zemrën edhe protestat që kanë ndodhur në diasporë nga të rinj e të reja që janë larguar nga Shqipëria me kokën pas.
Rama është një autokrat që ka betonizuar pushtetin e vet dhe nuk presim reagim tjetër. Nuk ka dialog apo negociatë me të. Sepse për ne pushteti i tij si autokrat ka marrë fund.
Fakti që ai ende nuk po pranon që shoqëria shqiptare po i thotë njëzëri që është koha të ikë dhe po i kërkon drejtësisë të hetojë të gjithë politikanët, mendoj se është një frikë sepse kjo lëvizje masive qytetare nuk është pritur nga ana e tyre.