(Vijon nga numri i kaluar)
Kush ishte Mestan Ujaniku
U lind më 1902 në fshatin Ujanik nga një familje me tradita patriotike nga të dy prindërit. Babai i tij, Hatemi, vdiq herët. I mbetur jetim që në moshën 9 vjeç, u rrit dhe u edukua nga gjyshi Zybë, me emër si punëtor e mikpritës i madh që e njihnin kudo në Korçë, Berat dhe Myzeqe. Ishte stërnip i Musa Beut, të parit të ujanikasve i shndërruar në një legjendë për luftrat e tij në viset e Perandorisë Osmane. Edhe gjyshi i Mestanit, nga e ëma, Kahreman Bejko i Gramshit me emër në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që bisedoi me Abdyl Frashërin për hallet e kombit. Mestani u rrit dhe edukua si bektashi i devotshëm larg gënjeshtrës dhe hipokrizisë, i ndershëm dhe i hapur me mikun dhe shokun. Mik për kokë me Baba Ali Tomorrin, publicistin dhe patriotin e shquar. Atdheu për të ishte mbi gjithçka dhe mbi çdo fe. Kështu u rrit dhe edukua tomorricari nga Ujaniku me syrin blu dhe vështrimin e shqiponjës që nisi të shkruajë historinë e veprës së tij. Mori pjesë në luftën e Vlorës, Qershor-Shtator 1920 në Batalionin që komandohej nga Ali Koprëncka, i cili ishte mik i shtëpisë. Ishte fanolist dhe u bë pjesë e vullnetarëve nga Tomorrica dhe Skrapari që marshuan drejt Tiranës në qershor 1924 në krah të Riza Valës. Ishte antizogist sepse mbreti nuk bëri asgjë për tomorricarët. Mbështeti lëvizjen e Fierit dhe Riza Cerovën. Ndaj ishte i skeduar nga regjimi për çdo turbullirë që ndodhte në rrethin e Skraparit. E ndjeu shumë dhimbjen e pushtimit fashist. Protestoi dhe kërkoi armë bashkë me tomorricarët e tjerë në Konak. Dhe nuk e la me aq. Të nesërmen në krye të 20 burrave dhe djemve nga Ujaniku, Gjerbësi, Gradeci, Trebla e Shpatanji shkuan në Berat. Protestuan para Prefekturës por i shpërndanë me djallëzi. Në verën e atij viti, Mestani dhe Xhemali (djali i madh) burgosen në Berat me një akuzë të rremë. Dalin nga burgu në gusht të 1939. Në këtë kohë, Mestani kalon në ilegalitet (kaçak maleve) dhe Xhemali burgoset përsëri. Pemja, bashkëshortja e Mestanit, me djemtë e tjerë, Hatemin, Vehepin dhe Nuriun 4 vjeçar, internohen në Berat e më pas në Fier e Tiranë.
Në fund të vitit 1940, Xhemal Ujaniku arratiset nga burgu dhe kalon në ilegalitet bashkë më të atin. Kjo ka qënë dhe koha kur u formua bërthama e asaj që më vonë u quajt Çeta e Mestan Ujanikut. Në të përveç Mestanit e Xhemalit bënin pjesë edhe Hajdër Krushova, Muharrem Trebla dhe Ferhat Gjonbabasi. Në prill 1941, çeta kishte 18 luftëtarë, kryesisht djem që kishin refuzuar shërbimin ushtarak por dhe të tjerë që kishin pësuar drama familjare nga shthurja e rendit publik. Çeta vepronte si mbrojtëse e jetës së njerëzve dhe pronave të tyre. Për këto veprime Mestani dhe çeta ishin me emër të mirë dhe respektoheshin në Shqipërinë e jugut. Për ta gjunjëzuar Mestanin, fashistët kishin penalizuar rreth 40 familje me lidhje miqësie me të, por nuk ja dolën.
***
PKSH që në ditët e para të formimit të saj e kishte prioritet bashkëpunimin me çetat nacionaliste për të përcjellë frymën e luftës kundër fashizmin në popull. Për këtë Gjin Marku, i deleguar i KQ për qarkun e Beratit, mori takim me M. Ujanikun në janar 1942. E pëlqyen njëri-tjetrin që në takimin e parë. Dalloheshin për karakterin e fortë dhe shpirt liridashës. Për të dy, atdheu ishte mbi çdo fe dhe ideologji. Ndaj Gjin Marku bashkëpunoi dhe bëri histori në qarkun e Beratit në 3 vitet e LANÇ-it edhe pse Mestani nuk ishte dhe nuk u bë kurrë komunist. Me këto qëndrime ata erdhën në takimin final më Teqenë e Kulmakut, kur zyrtarizuan Çetën Plakë të Skraparit, në 14 mars 1942. Mestani dhe Gjini u zgjodhën përkatësisht komandant dhe komisar i çetës. Çeta u pasurua në përmbajtje dhe vizionin e saj për luftën antifashiste. Punohej me plan për rritjen e frymës së luftës dhe shtimin e radhëve të saj. Në 9 maj Mestani e Gjini bashkë me çetën në Bofje të Dusharit u takuan me aktivistë nga qarku i Korçës. Eksperienca e tyre ndihmoi për formimin e çetave të Oparit e Mokrës dhe të tre çetat u takuan përsëri në Bofje në fund të qershorit 1942. Mbi 150 partizanë qëndruan rreth një javë tek Maliq Dushari ku u fol për detyrat që i prisnin. Pas kësaj Mestani e Gjini me çetën shkuan në fshatrat e Kolonjës. Më 31 gusht Xhaf Bali që kishte ardhur në Tomorricë për të shtypur e djegur krahinën, e pësoi. U çarmatos në Mëlovë nga Çeta Plakë. Mënyra e çarmatosjes, fjalimet e Mestanit dhe Gjinit ishin veprime të zgjuara politike dhe ushtarake që inkurajuan planin dhe luftën për çlirimin e Çorovodës në 5 shtator 1942. Çlirimi i Skraparit e trembi Tiranën zyrtare por gëzoi shumë antifashistët shqiptarë. Ai u përcoll si lajm i gëzuar edhe nga radio Londra. Vepra e çetës ishtë një inkurajim i madh politik për Konferencën e Pezës dhe Partinë Komuniste shqiptare. Emri i Mestan Ujanikut i kaloi kufijtë e Shqipërisë.
Në fund të shtatorit 1942 çeta numëronte mbi 160 luftëtarë. U bë riorganizim i saj në katër çeta. Tre të tjerat kishin komandantë Xhemal Ujanikun, Ramis Aranitasin dhe Xhelal Staraveckën. Në nëntor 1942 Mestani e Gjini me çetën lëvizën në Vërçë, Berat, Mallakastër e kthim. Kërkuan bashkëpunim me krerët (Balli nuk ishte formuar ende) për të luftuar fashizmin. Në Berat krerët premtuan se do të bashkëpunonin. Sipas tyre kur Mestani e Gjini do ktheheshin nga Mallakastra, do të bashkonin forcat për të goditur italianët në Berat. Në Mallakastër u justifikuan se lufta do të shkatërronte pronat. Tek Rrapet e Dervenit takuan edhe Ali Këlcyrën. Ju tomorricarët- u tha Aliu- nuk keni prona prandaj e doni luftën kundër italianëve! Jo Ali bej- ja ktheu Mestani-Ne nuk kemi dalë në mal për të mbledhur rraqe e plaçkë, por të fituar lirinë. Kështu, me merakun e bejlerëve se do humbnin pronat, Mestani e Gjini u kthyen në Berat. Sapo u afruan vunë re shqetësim e lëvizje te italianët në qytet. U kuptua se bejlerët kishin zgjedhur të bashkëpunonin me italianët. Ne kodrat ku ishte çeta, erdhi “për vizitë” një njeri i panjohur. U kuptua se spiuni kishte në plan të vriste një nga krerët e çetës. Spiuni e ndjeu që u kuptua dhe ua mbathi këmbëve duke marrë me vete një plumb pas qafe. Ndërkaq një avion italian vërtitej mbi kodra. Mestani që e ndiqte me vëmendje gjeti rastin për ta goditur dhe e rrëzoi në shkurre. Pas kësaj çeta u largua nga Berati pa i hyrë gjemb në këmbë. Rrëzimi i avionit italian u përcoll me shqetësim të madh jo vetëm në Berat por dhe në Tiranën e kuislingëve.
***
Emri i Mestan Ujanikut u shndërrua në mit dhe në kufijtë e një njeriu të jashtëzakonshëm. Mund të ketë qënë rastësi por megjithatë një arsye më shumë që ato ditë Fuqitë Aleate njohën Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar si forcën e vetme antifashiste në Shqipëri.
Siç e theksuam rrëzimi i avionit në Berat shtoi panikun në nivelet e qeverisjes kuislinge. Në ato ditë nënprefektura e Gramshit njoftonte eprorët në Elbasan se”…kemi të dhëna që Mestan Ujaniku me 400 luftëtarë do sulmonte Gramshin.”
Nuk e kishin keq. Kur Mestani kishte guxuar të godiste Beratin dhe tu kallte datën, Gramshi për të do ishte “një copë buke”. Në përgjigje të këtij shqetësimi u dërgua nga Tirana për në Gramsh e Tomorricë, Halil Alia me 250 milicë. Shkoi deri në Dobrenj, por nga Skrapari u njoftua të mos hidhte asnjë hap më tej. U kthyen në Kërpicë e Sotirë dhe pasi shkaktoi gjakderdhjen e Sotirës u kthye në Tiranë pa u ndjerë. Kështu punonte Mestan Ujaniku dhe komisar Gjin Marku për të rritur frymën e luftës antifashiste në qarkun e Beratit. Viti 1942 ishte tepër i suksesshëm për ta. Dhe po aq i dhimbshëm për qeverinë e Mustafa Krujës që lajmin e dorëheqjes e dha në Berat, aty ku kishte marrë plagën. Forcat partizane në janar-qershor 1943 njohën rritje në numër dhe nivel organizimi si dhe në luftën kundër fashizmit.
U rrit numri i çetave dhe u formuan batalionet e para. Në prill 1943 u formua batalioni i Myzeqesë me komandant Rrahman Ruçin dhe batalioni “Riza Cerova” me komandant Neshat Hysin në qershor 1943. Edhe luftimet njohën nivel më të lartë organizimi. Luftimet në Përmet, janar 1943, ishin rezultat i koordinimit të forcave partizane të qarqeve Berat, Korçë e Gjirokastër. Ashtu edhe ato në Grabovë e Kodovjat ku u bashkuan çetat e Mokrës e Oparit dhe njësiti partizan i Safet Braçit nga Tomorrica. Të gjitha këto arritje në qarkun e Beratit kishin në themel kontributin e Mestan Ujanikut dhe Gjin Markut.
Në korrik 1943 me formimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste u formuan dhe strukturat lokale të ushtrisë. Në Berat komandant i shtabit të qarkut u caktua Mestan Ujaniku, komisar Gjin Marku dhe zv.komisar Kahreman Ylli.
Sukseset e shtabit të qarkut Berat në këtë periudhë nuk mund të kuptohen pa mendimin dhe kontributin e këtyre tre burrave të shquar. Ata ishin të ndershëm dhe patriotë të mëdhenj që nuk ja kishin me hile atdheut dhe popullit dhe ca më pak njëri-tjetrit. E donin dhe respektonin njëri-tjetrin sepse plotësonin njëri-tjetrin në detyrën që kishin. E donin Mestanin sepse mësonin prej tij, si patriot dhe ushtarak i lindur, arkitekt i luftës partizane që dinte të merrte vendime të vështira. Gjini e Kahremani e dinin mirë që më shumë se atyre vetë Mestani i duhej vendit dhe popullit që të ishte komandant i tyre në Berat.
Marrëveshja e Beratit është një nga veprimet më të mençura që i bën nder LANÇ-it dhe atyre që vendosën. Ajo shquhet për përgjegjësi të lartë politike, ushtarake dhe strategjike të atij shtabi. Debatet e sotme për të janë të vlefshme për të kuptuar të vërtetën edhe pse aq e thjeshtë për të kuptuar. Misteri për të sot është halli ynë i madh për t’i shpëtuar sindromit “Armiqtë e popullit”. Mestani si komandant i shtabit ka merita për atë marrëveshje. Dilemave të disa shokëve për qëndrimin ndaj gjermanëve, Mestani mësojmë t’u jetë përgjigjur:
– Të zmbrapsësh sot gjermanët te Ura e Kuçit është njëlloj si t’i themi Pemes time (bashkëshortes së Mestanit) që me një pushkë në dorë të shkojë te ura për t’i bërë zap.
Mestan Ujaniku drejtoi luftimet për shpartallimin e bandës së Roskovecit dhe u parapriu punëve të mëdha të shtabit gjatë atij armëpushimi. Shtabi i qarkut Berat dhe M. Ujaniku kanë merita në përballimin me sukses të Operacionit të Dimrit 1943-1944. Ashtu si dhe ka merita për garantimin e sigurisë dhe qetësisë Shtabit të Përgjithshëm dhe E. Hoxhës në 7 muajt e punës së Skrapar (prill-tetor 1944).
Në Kongresin e Përmetit Mestani u zgjodh anëtar i këshillit të përgjithshëm të Frontit Antifashist dhe ju dha grada “major”. Në atë kongres ai bëri kritika të ashpra dhe bëri dy takime me E. Hoxhën që të fitonte e drejta në dhënien e gradave për shokët e qarkut Berat. Në mbledhjen e Beratit (22 tetor 1944) Mestani përsëri bëri kritika në adresë të udhëheqjes por ato ranë në vesh të shurdhër. Në atë mbledhje shtabi i qarkut u shua si strukturë luftuese dhe Mestanit iu dha grada nënkolonel dhe u caktua me detyrë si ushtarak i lartë në Divizionin e mbrojtjes në Shkodër. Punoi me përkushtim të lartë. Në ato kohë vala e sektarizmit që përfshiu pushtetin e ri, rrezikoi mjaft intelektualë shkodranë. Falë ndërhyrjes së tij disa prej tyre si dr. Shiroka i shpëtuan së keqes së madhe. Në 1946 transferohet si ushtarak i lartë në Tiranë pranë Shtabit të Përgjithshëm ku punoi deri në maj 1947. Arrestohet dhe në dhjetor 1947 me disa akuza si armik i popullit dënohet me burgim të përjetshëm. Vdes nga torturat në korrik 1948.
***
Për shërbimet e mëdha që i bëri atdheut dhe popullit të vet, Mestan Ujamiku ishte dhe mbetet një nga ikonat e LANÇ-it jo vetëm në qarkun e Beratit. Ai ishte kritik ndaj Enver Hoxhës jo vetëm gjatë luftës por dhe pas çlirimit për ashpërsinë e reformave. Këtë e bënte në emër të së mirës të vendit. Ndaj dhe pati atë fund të trishtueshëm qysh në vitet e para pas çlirimit. Por vepra e tij mbeti dhe ai nderohet e kujtohet me respekt jo vetëm nga ata që e njohën personalisht dhe luftuan bashkime të, por edhe nga pasardhësit…
Komentet