Një tokë e pasur me pyje dhe ujra, është bekim i madh për popullin që i zotëron në territorin e tij. Kur këtyre iu shtohet edhe klima me këtë ndriçim diellor dhe relievin siç e gëzojmë ne, flora dhe fauna bëhen edhe më të pasura, ndikimi i tyre rritet. Ato kanë një ndërkomunikim të harmonizuar dhe ndikojnë në të gjithë elementët e mirqënies së shoqërisë. Për njëzetepesë vite pandarë pyjet e Shqipërisë u prenë jashtë normave teknike, u ropën, u vodhën dhe pasuruan individë të lidhur me partitë e pushtetin vendor. Në të pesë zonat fitoklimatike që ka vendi, u shtri ndikimi negativ përmes shfrytëzimit të egër rrënues. Atje ku shkonin rrugët e makinës, u rrafshuan blloqet më të mira pyjore, thuajse nuk kishin ekzistuar më parë, u shpyllëzuan pishat e drurë të tjerë gjatë vijës bregdetare dhe u mbush me ndërtime sipas shijeve të atyre që kishin paratë, të cilët ishin bijtë ose bijat e klaneve në vazhdimësi. Askush tjetër nuk mund të harbohej kaq lirisht. I gjithë urbanizimi u krye pa kurrfarë projekti harmonizues të ndërtimeve me natyrën, gjë e cila solli përçudnimin mbarë të bregdetit shqiptar, aq sa s’ka mbetur tjetër gjë tërheqëse veç natyra e pagërmuar, ku ata nuk mundën të arrinin. Edhe liqenjtë e mrekullueshëm të Lurës i lanë pa pyje, u rrudhosën, u vyshkën ato ujra. Për shumë vite përreth Tiranës e kudo nëpër vendbanimet kryesore të vendit, vinin e stivoheshin lëndë drusore, mes tyre dhe trupat e drejtë e të gjatë të pyjeve të pishës të mbjella dekada më parë shpateve e kodrave të zhveshura të vendit.
Po, ndjeshmërinë për pyjet ma shton edhe më tepër fakti që kam mbaruar Shkollën e Mesme Pyjore në qytetin e Shkodrës, e vetmja shkollë në Shqipëri me profil të tillë deri sot. E rrethuar me një kopsht të bukur dentrologjik, që nga mështeknat, ligustrat, selvitë e deri te ekualiptet. Që aty fillonte njohja dhe dashuria e nxënësve për pyjet e mbrashtrimin e tyre, duke rritur e duke kultivuar dijen përmes mësimdhënies me inxhinierë shumë të përgatitur, thuajse të gjithë të shkolluar jashtë Shqipërisë (për faktin se deri vonë Shqipëria nuk kishte Fakultet të Pyjeve), të cilët ishin edhe autorë të hartimit të leksioneve që mernim në formimin profesional. Ishin po këta pedagogë, të cilët nuk harronin të na tregonin edhe për administrimin cilësorë që u bëhej pyjeve në vëndet e tjera me teknologji më të përparuar, ndryshim që edhe sot po të përpiqesh të shpjegosh për publikun e gjerë, duket e pamundur, sepse në formimin tonë, pyjet nuk llogariten si dhuratë e natyrës që duhen ruajtur shtuar e mirëmbajtur por si një mall që shtohet vetvetiu dhe që shfytzohet sipas mendjes e dëshirës së kujtdo. Po ka diçka tejet të marrëzishme në mendjet e pushtetarëve tanë: edhe nëse guxon të japë mendim cilido, sado i ditur e me përvojë të jetë, e shpërfillin. Këta vetëm llapin e llapin, po veshin nuk ja vënë askujt që nuk hyn në vathën e tyre, për të bashkëpunuar për intersa përfitimi. Dhe më parë se të hidhnin vështrimin e të hartonin një plan kombëtar për të rimëkëmbur vendin, secila parti që mori pushtetin, gjatë kohës së qeverisjes së saj, arritën në mënyrë të çuditshme të përzienin territorin, përmes një shthurje të Shqipërisë, nga bregdeti në male, në atë masë sa të mos kuptohej çfarëdo që të zhvillohej në vazhdim apo çfardo fatkeqsie të ndodhte nga drejtimi i shthurur, a thua edhe pyjet, kafshët e zogjtë do t’i shfrytzonin në mënyrë barbare, për t’i sjellë më cilësore nga jashtë. Edhe binjaket PS e PD, si prodkut i partisë së Enver Hoxhës më së hershmi, secila me mjeshtrinë e vet, së pari shpallën specialistët si komunistë e Enveristë, ndërkohë shumica as kishin qënë dhe as do pranoheshin kurrë në atë parti nëse do të vazhdonte ai sistem, e nëpër mjegullën e krijuar rivalizuan etshëm për fitime dhe sollën venitjen e ardhmërisë së vendit dhe përpos pushtetit arritën edhe pasurimet familjare që sot kontrollojnë gjithë ekonominë e institucionet e vendit, aq sa jemi të habitur, si ndodhi kështu. Për sa thashë e të tjera qëllime paralizuan mendimin e përvojën e specialistëve të çdo fushe. Kjo gjë nuk la pa përfshirë edhe pyjet, një nga pasuritë më të mëdha që ka trashguar Shqipëria. Për mbrojten, përtëritjen e shtimin as që bëhëj fjalë. Ndërkohë dëmi që i është shkaktuar vendit ndër vite në zonat e saj fitoklimatike është i pabesueshëm dhe i pakonceptueshëm për auditorin e gjërë. Specialistë pyjorë që kanë punuar më parë dhe e kanë ndjekur këtë kohë me shqetsim, dhanë alarmin sa herë munden në shurdhërinë e errët që i rrethon. Pasi nuk ftohen as në media dhe mendimi i tyre mbetet në lëngatë i pambërritur.
Strukturimi i shërbimit pyjor është bërë në mënyrë jofunksionale, është mënjanuar përvoja e trashëguar dhe as që mund të bëhet fjalë që kanë mësuar asgjë nga trajtimi që i bëhet kësaj pasurie në perëndim. Janë larguar specialistët më të aftë duke i zëvëndësuar me të paaftë ë të pashkolluar në profesion, duke zbehur çdo lloj përgjegjësie sepse kjo kategori as nuk di, as dëgjon e as nuk mban përgjegjësi ,sepse kryepërgjegjësit që i kanë emruar, janë zoti vetë në një vend të pa zotë. Duke drejtuar, pa gjykuar e përllogaritur, sa është ndikimi i pyjeve në ekonominë tonë, nga shfytzimi për lëndë ndërtimi , dru zjarri, bimët medicionale, nga gjuetia, mbrojtja nga erozioni. Po ndikimi i burimeve e bukurive të tjera pyjore në turizëm?! Sa invetime bëhen për shtimin, mirmbajtjen e ruajtjen e tyre?!… Si do të ishte Valbona pa kurorën e pyjeve alpine ?! Po lumi i Valbonës, do të vërshonte apo do të thahej?! Do të kishte turizëm malor nëpër male të çveshura dhe pa ujra?! …
Punonjësit e pyjeve duhet të jenë gjithë kohën në terren, kryesisht me kontrollin dhe punën parandaluese sipas zonave e njësive administrative. Të jenë të dallueshem me veshjen e pajisjet e tyre dhe në kontakt me banorët e barinjtë, me subjektet që kanë leje shfrytëzimi, duke u caktuar parcelat dhe duke i vendosur shënjimin përkatës çdo druri që lejohet për t’u prerë në lartësinë e caktuar, deri në pastrimin e parcelës e marrjen në dorëzim nga shërbimi pyjor pas shfrytzimit. Në fakt, pyjet dëmtohen gjatë gjithë vitit, por publikut të gjerë i bëhet e ditur, vetëm kur këto pyje marrin flakë.
Gjithë këto ditë ka një anashkalim nga media televizive në trajtimin e situatës tronditëse nga zjarret në pyje, dhe nuk janë ftuar analistët e përhershëm që debatojnë e japin mendime për gjithçka a thue janë me pushime në bregdetin tonë dhe nuk shkulen andej,mos janë jashtë Shqipërisë pas pagesave e shpërblimeve që u jepen për shërbimin e lodhshëm ndaj pronarëve të medias, apo nuk kanë njohuri në fushën e silvikulturës?! Po inxhinierët e pyjeve që e kanë ushtruar këtë profesion para e pas nëntëdhjetës e sot ndodhen të përzënë nga kjo strukturë, herë nga njëra e herë nga tjetra palë në qeverisje, përse nuk ftohen të shprehen për gjendjen dhe shkaqet? Askush nga drejtuesit e organit pyjor, nuk e shfaq fytyrën në dritën e diellit, as në ndriçimin e zjarreve, kur krijohen emisione e ka të ftuar për gjithfarë kotsirash humbekohe, dikush i përgjegjshëm nga ky organ pse nuk duket? Po në median e shkruar pse kjo ftohtësi nën dritën shkrumbuese të flakëve?! Shqipëria ka trashëguar teknikë, inxhinierë e shkencëtarë pyjorë dhe kanë dalë të tjerë këto vite. Ata patjetër që kanë kontibute në këtë fushë dhe së paku duhen ftuar e dëgjuar në shpjegimin se ku çalon puna e kush është përgjegjës për katandisjen në këtë formë të shërbimit e mbrojtjes së pyjeve dhe si mund të ndryshojë gjendja. Zjarret mund të bien në pyje kudo, po kurrë në këtë masë, nëse do të funksiononte siç duhet struktura kontrolluese e parandaluese, si dhe emergjenca civile të ishte e ngritur me mjete moderne dhe personel profesionistë. Zjarret në pyje si fenomen nuk mund të mbulohen pasi flakadanët ndriçojnë nëpër natë, por në zgavrën e organit pyjor ndihet era e athtë e avujve që lëshon korrupsioni. Por hiri e thengjinjte që lënë pyjet që po digjen janë të dukshëm për shumë kohë në tokën që mbetet e shkretë.
Nëse barinjtë po djegin pyjet e Shqipërisë dhe nuk mund të ndalohen, ky vend është fundosur. Mos edhe ata atje nëpër kodra e male që kohën e kanë shumë të zënë me bagtitë paskan kuptuar se qeveritë e tyre janë shkatrrimtare të mëdha dhe mendojnë se paku të hapin kullota apo hakmerren duke vënë zjarre, patjetër që edhe atje duhet të jetë pjekur mendimi se ndonjë punë të ligë duhet ta bësh që të fitosh. Këto zjarre zbuluan më dukshëm fytyrën e propogandës, luftohet për t’i shuar zjarret me mjete të mbaruara, të para tridhjetë viteve, kushedi sa makina luksoze janë blerë kato vite per udhëprapet e Shqiprise me parate e tona, kushedi sa para jane dhene per mirmbajtjen e makinave të tyre. Po si nuk u shkoi në mëndje të ndanin një pjesë nga % që e parave te mbledhura dikund ne arken e zëzë te pushtet- mafjes nga canabis sativa, pasi policia e shtetit Shqiptarë i numronte për çdo rrënjë neper parcela dhe qysh aty dihej pagesa baze, se paku t’i përdornin për mbrojten e pyjeve pasi nëpër pyje u kultivua kjo bimë?!
Kur ndëshkimi i zjarreve të ketë kryer punë, Kryeministri duhet të mbledhë drejtuesit e punonjësit e shëbimit pyjor qysh në krye deri te tekniku apo vrojtuesi i fundit, siç i kanë cilësuar në emërim. Së pari të na bëhet me dije shkollimi i tyre dhe të shohim nëse janë profesioniste apo partia i ka përzënë profesionistët dhe janë zëvendsuar me diplomën e shkollzezës së partisë, sepse qysh këtu fillon mbrapshtia, këtu zënë fill zjarret masive. Nëse punonjësit banojnë në zonat përkatëse apo janë si puna e depudetëve që banojnë kryesisht në kryeqytet apo në qytetet kryesore dhe shkojnë në zona vetëm për qejf apo për gjueti, Dhe të shpjegojë popullin shqiptar, bashkë me administratqën pyjore për katastrofën e zjarreve duke mbajtur përgjegjësinë e tij Kryeminisri që është kryesor, dhe të tjerat me radhë e të jepen të dhënat e dëmit të shkatuar përmes një vlersimi nga një komision me specialist, jashtë qeverisë.
Komentet