Sheshet e Prishtinës janë dekoruar me flamuj të Kosovës dhe të Anglisë, në shenjë respekti për Kombëtaren e Anglisë dhe tifozët e saj që udhëtojnë në Prishtinë për ta përcjellë ndeshjen e nesërme mes dy Kombëtareve.Kosova do ta presë nesër në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kombëtaren e Anglisë, për ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.
Para kësaj ndeshjeje, Kombëtarja e Anglisë do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” sot në orën 18:30, ndërsa trajneri anglez Gareth Southgate do të mbajë konferencë në Prishtinë në orën 19:30.
Për t’i pritur sa më mirë anglezët në Prishtinë, sheshet e kryeqytetit janë zbukuruar me flamuj të Kosovës dhe të Anglisë, si dhe me pankarta me sloganin “Welcome&Respect”.
Vlera e kësaj ndeshjeje të së dielës ka rënë për Kosovën pas humbjes të së enjten në Çeki, pasi që tani “Dardanët” e kanë të pamundur të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A.
Në anën tjetër, Anglia e ka siguruar kualifikimin, mirëpo i duhet fitorja për t’u siguruar që është fituese e grupit. Nëse e kalon grupin si fituese, Anglia ka më shumë gjasa të përballet me Kombëtare më të dobëta në letër në fazën e grupeve të Evropianit.
Komentet