Prej muajsh autoritetet franceze po përpiqen të përgatisin opinionin publik për sakrifica të mundshme në rast të një konflikti të madh, por shumica e qytetarëve ende e perceptojnë luftën në Ukrainë si të largët dhe veten si të mbrojtur nga kërcënimi bërthamor. Këtë të martë, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Francës, gjenerali Fabien Mandon, e çoi edhe më tej debatin, teksa u tha kryetarëve të bashkive të vendit se Franca duhet të rigjejë “forcën shpirtërore për të pranuar dhimbjen për të mbrojtur atë që jemi” dhe të jetë e përgatitur “të pranojë se mund të humbasë fëmijët e saj”.
Deklarata shkaktoi reagime të ashpra në mediat franceze dhe ndezi polemika politike. Opozita akuzoi presidentin Emmanuel Macron se po përgatit terrenin për një përplasje të mundshme ushtarake me Rusinë. “Një shef shtabi nuk duhet ta thotë këtë”, deklaroi grupi parlamentar i majtë radikal, La France Insoumise. Edhe Fabien Roussel nga Partia Komuniste reagoi ashpër, duke pyetur nëse “51 mijë monumentet e të rënëve në komunat franceze nuk mjaftojnë”.
Nga ana tjetër, Louis Aliot i Rrjetit Kombëtar të ekstremit të djathtë u shpreh se një qytetar duhet të jetë i gatshëm të vdesë për vendin, por vetëm nëse lufta është e drejtë dhe lidhet me mbijetesën e kombit. bw