Elhaida Dani mundi që ta çonte Shqipërinë në finalen e “Eurosong 2015”. Kjo ishte një arritje për të gjithë ata që e kanë mbështetur. Teknika e saj vokale është vlerësuar shpeshherë nga kritika si e përsosur. Po ashtu, emocionet që pati gjatë interpretimit të natës së parë nuk kaluan pa u vënë re nga kritika. Elhaida dje, në një prononcim për mediat tha: “Kam pasur emocione, mirëpo jo aq sa të bëheshin ato komente. Jam e kënaqur se si shkoi nata e parë dhe që, për herë të parë, kënga shqiptare u vu në qendër të medias botërore. Edhe nëse nuk fitoj, do të përpiqem të bëj më të mirën dhe sot (dje) do të këndoj për ju.” Madjemadje, pati dhe nga ata që thjeshtësinë, një nga armët e saj më të forta, që e ka karakterizuar përgjatë eksperiencave të saj skenike, publiku nisi ta kritikonte.
Veshja e natës së parë nuk ishte e mjaftueshme për një performancë skenike në skenën e Eurovizionit, shkruajnë komentuesit në rrjetet e ndryshme sociale. Ndoshta, sepse nuk kombinonte me skenografinë, që vinte e mbuluar vetëm nga dritat e zbehta, ndoshta sepse veshja e shumicës së këngëtarëve, që na kanë përfaqësuar gjatë viteve të kaluara kanë qenë të mbingarkuara me detaje të huazuara nga simbolet tona kombëtare ose me ngjyra të forta. Por, gjithsesi, Elhaida ka treguar se di që t’i menaxhojë më së miri këto lloj kritikash. Qysh në këngën e saj “Diell”, kompozim i Aldo Shllakut, që u zëvendësua me këngën “Jam gjallë”, kompozuar nga Zzap dhe Chiss (Arbër Elshani dhe Kristjan Lekaj) dhe tekst të Sokol Marsit, arsye që u diskutuan dhe u argumentuan mjaftueshëm, por qëllimi ishte më i madh, pjesëmarrja në Eurosong, që Shqipërisë i ka kushtuar 70-80 mijë euro.
Qysh aty, nisën komentet e para, jo vetëm negative, sepse pas tyre qëndronte dhe shpresa e prezantimit të kësaj këngëtareje me një zë më të pastër, ashtu sikurse erdhi performanca e saj në video-klipin e “Jam gjallë” (I’m alive), me një këngë më të mirë sesa ajo me të cilën u shpall fituese. Por kaq nuk mjafton. Zërin e këngëtares sonë e kanë mbështetur në shumë vende, ashtu sikurse dihet kritika italiane e ka vlerësuar me nota maksimale, (The voice of Italy), por edhe njerëz të muzikës dhe artit e kanë mbështetur gjatë gjithë performancës së saj në Eurovizion. Performanca e Elhaidës në finale ishte sërish e thjeshtë, flokët e mbledhur në njërin krah dhe fustani i zi i gjatë i derdhur. Por, me sa duket, veshja nuk ndikoi shumë, sepse sikurse edhe gjatë viteve të kaluara votimi ishte gjeo-politik. Shqipëria i dha pikët përkatësisht për këngëtarët e shteteve: 8 për Polina Gagarina me “A million voices” nga Rusia, 10 për Maria Elena Kyriakou me “One Last Breath” nga Greqia dhe 12 për “Il Volo” me “Grande amore”, Italia. Shqipëria mori 10 pikë nga Mali i Zi, 12 nga Maqedonia dhe 6 Greqia. Italia nuk votoi me asnjë pikë për Elhaida Danin.
Krijimtaria e 22-vjeçares shkodrane
Elhaida Dani (1993) ka lindur në qytetin e Shkodrës. Qysh në moshën 6-vjeçare nisi shkollën për piano te “Prenk Jakova” në Shkodër. Ajo ka marrë pjesë te “talent-show” për fëmijë “Star Academy”, ku dhe është shpallur fituese në vitin 2009. Rrugëtimi i saj artistik nuk do të ndalte me kaq. Angazhimet e saj në këngë kanë vijuar edhe në festivale ndërkombëtare, si: në Rumani, Bullgari etj. Në gusht të vitit 2011 ajo ishte nga konkurrentet e Suncane Skale, një pjesëmarrje që konsiderohet e suksesshme për të. Kënga e saj e parë ka dalë në vitin 2009. Bëhet fjalë për këngën e regjistruar “Si asnjëherë”. Ndërsa konkurrimi në festivale të mirëfillta për të ka nisur në vitin 2008 te “Kënga Magjike” me interpretimin e këngës “Fjala e fundit”. Në vitin 2011 këndoi “Mijëra vjet” dhe u nderua me çmimin “Melodia më e mirë” në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Viti 2012 ngelet një vit i paharruar për Elhaidën, jo vetëm për publikimin e albumit të saj të parë, por edhe për pjesëmarrjen e saj në “Top-Fest” me këngën “S’je më”, me të cilën u shpall fituese e çmimit të madh. Pra, këngëtarja 22-vjeçare nga Shkodra duket se ambiciet për lart e më lart i ka të mëdha. Këto arritje për të mund të jenë vetëm të parat, pasi zëri dhe mosha i premtojnë dhe arritje të tjera në vazhdim. Gjithsesi, kjo ngelet për t’u parë.
“The Voice of Italy”
Këngëtarja Elhaida Dani mori pjesë në “The voice of Italy” në vitin 2013, pas konkurrimit te “talent-show” i “Amici”- it, të Maria de Filippi-t, por që nuk e pranuan. Shkodrania me zërin, por dhe me performancën e saj të jashtëzakonshme çoi në këmbë publikun dhe 4 trajnerët e “The voice of Italy”: Riccardo Cocciante, Raffaella Carrà, Piero Pelù dhe Noemi. Elhaida vendosi të shkojë në skuadrën e këngëtarit Riccardo Cocciante, derisa në fund u shpall dhe fituese e “The voice of Italy”.
Shqipëria, 3 herë në finale
Shqipëria mori pjesë në Eurovizion për herë të parë në vitin 2004 me këngën “Imazhi yt”, interpretuar nga Anjeza Shahini, me të cilën Shqipëria kaloi në finale. Kënga arriti të kualifikohej në 7 këngët më të mira të festivalit. Një vit më vonë, Shqipëria përfaqësohet me këngën “Nesër Shkoj” të Ledina Çelos. Viti 2006 vijon me Luiz Ejllin dhe këngën “Zjarr e ftohtë”. Në vitin 2007, Frederik Ndoci shkon në Festivalin Evropian të Këngës me “Balada e gurit”. Një vit më vonë Olta Boka na përfaqësoi me këngën “Zemrën e lamë peng” (2008). Kejsi Tola e prezantoi Shqipërinë në vitin 2009 në Moskë. “Nuk mundem pa ty” (2010), në interpretimin e Juliana Pashës, përfaqësoi Shqipërinë për të shtatën herë në Festivalin Evropian të Këngës. Në vitin 2011 Aurela Gaçe prezantohet me “Kënga ime”. Rona Nishliu me “Suss” (2012) renditet e pesta. Ardian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko prezantohen me “Identitet” (2013) dhe “Zemërimi i një nate” nga Hersi Matmuja (2014). E treta që Shqipërinë e çoi në finale është këngëtarja Elhaida Dani.
Komentet