Anëtarë të Kongresit Amerikan, si nga radhët e demokratëve ashtu edhe të republikanëve, kanë ngritur shqetësime serioze për planin e propozuar nga presidenti Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në një deklaratë të përbashkët, ata theksuan se çdo marrëveshje paqeje nuk duhet të bazohet në lëshime ndaj Moskës.
Sipas tyre, “nuk mund të arrihet një paqe e qëndrueshme duke i dhënë Putinit një lëshim pas tjetrit, duke minuar aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur. Historia ka treguar se Putini njeh vetëm forcën dhe çdo marrëveshje duhet të garantohet përmes presionit të fortë”.
Ata shtuan se Uashingtoni duhet të vazhdojë konsultimet e ngushta me Kievin dhe aleatët e NATO-s, duke kërkuar që presioni diplomatik të drejtohet ndaj Rusisë për t’u ulur seriozisht në tryezën e bisedimeve.
Edhe republikani Roger Wicker, kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Senat, reagoi me tone kritike ndaj planit të Trump.
Ai deklaroi se “i ashtuquajturi plan paqeje ka probleme të mëdha” dhe shprehu skepticizëm mbi mundësinë që ai të sjellë stabilitet.
“Ukraina nuk mund të detyrohet të dorëzojë territor ndaj njërit prej kriminelëve më të mëdhenj të luftës në botë, Vladimir Putinit”, theksoi Wicker.
Gjithashtu plani amerikan, i cili mbështet kërkesa kyç të Rusisë, u prit me kritika të matura në shumë kryeqytete evropiane, ku liderët u përpoqën të balanconin vlerësimin ndaj Trumpit për përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftimeve, por duke e pranuar gjithashtu se për Kievin, disa nga kushtet e propozimit janë të papranueshme.
“Drafti fillestar i planit me 28 pika përfshin elemente të rëndësishme që do të jenë thelbësorë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, thanë liderët e Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës, Britanisë, Kanadasë, Holandës, Spanjës, Finlandës, Italisë, Japonisë dhe Norvegjisë.
“Besojmë, pra, se drafti është një bazë që do të kërkojë punë shtesë”, thuhej në deklaratë.
Liderët u mblodhën pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të premten se vendi i tij përballet me zgjedhjen mes humbjes së dinjitetit dhe lirisë ose mbështetjes së Uashingtonit lidhur me planin.
Ai u bëri thirrje ukrainasve të jenë të bashkuar, duke premtuar se nuk do ta tradhtonte kurrë Ukrainën.
Në deklaratën e tyre, liderët perëndimorë thanë se janë “të shqetësuar për kufizimet e propozuara për Forcat e Armatosura të Ukrainës, të cilat do ta linin Ukrainën të cenueshme ndaj sulmeve të ardhshme”.
“Ne përsërisim se zbatimi i elementeve që lidhen me Bashkimin Evropian dhe që lidhen me NATO-n do të kërkonte pëlqimin e anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, përkatësisht”.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e përshkroi planin si bazë për zgjidhjen e konfliktit, por Moska mund t’i kundërshtojë disa pika të planit, i cili kërkon që forcat e saj të tërhiqen nga disa zonat që i kanë pushtuar. Panorama