VOAL

VOAL

Sekti fetar apo varfëria? Kush e vrau familjen e mirë Josifi?

July 4, 2020

Komentet

BIRN: Me miratimin e GJKKO-s dhe SPAK-ut, pasuritë e Oltion Bistrit i shpëtuan sekuestrimit Nga Vladimir Karaj

 

 

Mes vapës së rëndë të gushtit, vetëm pak javë pas arrestimit të bujshëm të ish-shefit të Forcës së Posaçme Operacionale Oltion Bistri në operacionin “Metamorfoza”, familjarët e tij dhe përfaqësues të kompanisë “Arlis-Ndërtim” u ulën në një zyrë noteriale në Tiranë për të firmosur një seri aktesh që zgjidhnin kontratat e sipërmarrjes për pesë apartamente dhe njësi tregtare në një kompleks luksoz.

Asokohe, lëvizja dukej thjesht si një manovër procedurale; por një vit më vonë, kur këto pasuri u sekuestruan si pjesë e hetimeve për korrupsion, lidhje me grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash, revokimet rezultuan vendimtare.

Me dokumentet në dorë, kompania i kërkoi Gjykatës së Posaçme zëvendësimin e sekuestrimit me bllokimin e një shume prej rreth 1 milion eurosh – shumë disa herë më të ulët se vlera e tregut të apartamenteve. Më 9 tetor 2024, me dakordësinë e prokurorit të çështjes, gjyqtarja Irena Gjoka miratoi kërkesën e “Arlis-Ndërtim”, duke i kthyer kompanisë pasuritë e paluajtshme dhe duke vendosur në sekuestro vetëm vlerën historike të kontratave.

Vendimi, i mbajtur fillimisht i fshehtë dhe bërë publik vetëm pas dy kërkesave për informacion të BIRN, ka ngjallur shqetësimin e ekspertëve ligjorë, të cilët thonë se legjitimimi i kësaj manovre bie ndesh me frymën e ligjit Antimafia dhe rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm për shmangien e sekuestrimeve.

Sipas tyre, transaksionet e kryera menjëherë pas arrestimit duhej të ngjallnin dyshime të forta për fiktivitet dhe të hetoheshin si pastrim parash.

“Veprimet e të afërmve të Bistrit dhe të kompanisë do të duhej të ishin marrë nën hetim,” tha një prokuror në kushtet e anonimatit. “Nëse do të isha unë, do të kisha nisur hetimet për pastrim parash.”

Edhe avokatja dhe pedagogia Lirime Çukaj e sheh këtë lëvizje si të papajtueshme me ligjin.

“Revokimi i kontratave menjëherë pasi merret dijeni për arrestin është një veprim në kundërshtim me ligjin antimafia dhe nuk gëzon mbrojtje ligjore,” tha ajo, duke theksuar se gjykata duhej të kishte vlerësuar rrezikun e shmangies së pasurive nga sekuestroja.

Prokurori i çështjes, Arben Kraja, dhe kompania “Arlis-Ndërtim” nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN për këtë vendimmarrje.

Arrestimi dhe procedimi pasuror

Ish-shefi i Forcës Operacionale, Oltion Bistri, u arrestua së bashku me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-zyrtarin tjetër të policisë Ardit Hasanbega dhe prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita, në korrik 2023, në një operacion ndërkombëtar bazuar në dekriptimin së bisedave në rrjetin e njohur si Sky ECC. Në të njëjtin operacion, i cili u zbatua me bashkëpunim nga Europol, Eurojust, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze, u arrestuan edhe 13 persona të tjerë si pjesë e një organizate kriminale me anëtarë pjesëtarë të familjes Bajri nga Shkodra.

Anëtarët e grupit akuzohen për 12 vepra penale, mes të cilave vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikësh, pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar u akuzuan për korrupsion, shpërdorim detyre, nxjerrje të sekretit, ekspertime të rreme dhe pastrim parash.

Por akuzat më të rënda për Bistrin ranë pas përfundimit të procesit në shkallën e parë. Në nëntor 2025, Gjykata e Posaçme e shpalli atë të pafajshëm për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Megjithatë Bistri u gjet fajtor dhe u dënua me 2 vjet burg për nxjerrje të sekretit hetimor, dënim që u konsiderua i shlyer me kohën e paraburgimit. Një burim pranë Prokurorisë së Posaçme tha se çështja do të apelohej.

Nga ana tjetër, procedimi pasuror ndaj Oltian Bistrit dhe të afërmve të tij, i cili u regjistrua zyrtarisht në prill 2024 bazuar në ligjin antimafia, vijon të jetë në gjykim.

Pronat e Bistrit dhe të afërmve të tij, të dyshuara si të fituara nga veprimtaria e paligjshme, u sekuestruan më 3 maj 2024 me vendim të GJKKO. Në total, Bistrit dhe të afërmve iu sekuestruan 4752 metra katrorë ndërtim, apartamente e njësi tregtare dhe 572 metra truall; mes këtyre pasurive ishin edhe pesë pasuritë e paluajtshme të përfituara me kontratat e sipërmarrjes me “Arlis-Ndërtim”, rreth 1120 metra katrorë apartamente dhe njësi tregtare.

Vendimi për pesë pasuritë

Por në momentin kur gjykata vendosi masën e sekuestros, realiteti juridik i pesë pasurive kishte ndryshuar. Menjëherë pas arrestimit të Oltion Bistrit, të afërmit e tij i kërkuan kompanisë së ndërtimit të revokonte kontratat e shit-blerjes – një kërkesë që, sipas vendimit gjyqësor, u pranua pa kundërshtime. Dosja nuk tregon se revokuesit kishin nevojë të menjëhershme për para të gatshme; përkundrazi, “Arlis-Ndërtim” mori afat deri në dhjetor 2024 për të kthyer shumat e paguara ndër vite.

Sipas vendimit të GJKKO-së të nëntorit 2024, aktet e revokimit të kontratave të sipërmarrjes, të nënshkruara më 18 dhe 21 gusht 2023, paraprinë masën e sekuestros dhe ndryshuan statusin juridik të apartamenteve. Me këto akte, familjarët e Bistrit hoqën dorë nga të drejtat e tyre si porositës, pranuan zgjidhjen e kontratave dhe ranë dakord që pronësia e plotë t’i rikthehej kompanisë, duke u pozicionuar vetë si kreditorë për shumën e paguar.

Këto veprime i hapën rrugë kompanisë që t’i kërkonte gjykatës heqjen e sekuestros mbi pasuritë fizike, duke ofruar në këmbim depozitimin e 1 milion e 30 mijë eurove në llogaritë e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK). Kjo shumë përfaqësonte vlerën e përcaktuar në kontratat e revokimit – ndjeshëm më të ulët se vlera e tregut. Megjithëse revokimet ishin kryer menjëherë pas arrestimit të Bistrit, prokuroria nuk ngriti dyshime dhe mbështeti kërkesën e kompanisë.

Në vendimin e saj, gjyqtarja Irena Gjoka argumentoi se aktet e revokimit nuk ishin fiktive dhe se ishin kryer “konform parashikimeve ligjore, bazuar në vullnetin e lirë të palëve”. Sipas gjykatës, në momentin e sekuestrimit, familja Bistri nuk kishte më të drejtë pasurore mbi apartamentet – një interpretim që i hapi rrugë aplikimit të nenit 12/b të ligjit Antimafia, që lejon zëvendësimin e pasurisë së sekuestruar me “pasuri të barazvlershme”, kur palët bien dakord dhe gjykata e konsideron të arsyeshme.

Në praktikë, kompania depozitoi shumën që i detyrohej familjes Bistri, ndërsa pesë pasuritë fizike iu kthyen asaj. Formalisht, shteti ka në dispozicion një shumë të ngrirë, e cila mund të konfiskohet nëse procedimi përfundon me fajësi. Por, ekspertë të së drejtës i thanë BIRN se kjo skemë krijon precedent të rrezikshëm, pasi shteti humbet vlerën reale të pasurive të sekuestruara, ndërsa hapen rrugë të qarta për shmangien e goditjes së ligjit Antimafia.

Në keqbesim

Pasuritë e Oltin Bistrit nuk janë rasti i parë ku investimet në sektorin e ndërtimit në Shqipëi përdoren për pastrim parash.

Përgjime të dala nga hetimet e antimafias së Catanzaros dhe të bëra publike në vitin 2021, treguan një interes të veçantë të organizatave të njohura kriminale ndërkombëtare si Ndrangheta për sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Të përgjuarit e shihnin investimin në ndërtim në kryeqytet si mundësi të artë.

Raportet vjetore të SPAK në vitin 2023 dhe 2024, që përkojnë me kohën e arrestimit dhe gjykimit të Bistrit, vënë në dukje se ndërtimi mbetet një nga sektorët e preferuar për pastrimin e parave. Kjo për shkak të qarkullimit të lartë të parasë cash dhe mundësisë për të manipuluar vlerën e transaksioneve.

Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për Pastrimin e Parave vë në dukje se në Shqipëri ndërtimi mbetet një prej sektorëve të preferuar.

“Kriminelët i riciklojnë të ardhurat e tyre kryesisht përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe zhvillimit të bizneseve, duke i integruar gradualisht paratë e pista në ekonominë formale”, thuhet në raport.

Kostot e ndërtimit në kryeqytet luhaten mes 500-600 eurove për metër katror, por çmimet e shitjes, pavarësisht të ardhurave modeste të qytetarëve, janë shumë herë më të larta.

Marzhi i lartë i fitimit në ndërtim krijon një mundësi të artë për pastrim parash, siç del e provuar thuajse pas çdo operacioni të SPAK kundër krimit të organizuar, që sekuestron qindra e shpesh mijëra metra katrorë ndërtimesh.

Pikërisht ky marzh fitimi dhe koha e kryerjes së veprimeve ngre, sipas ekspertëve, pikëpyetje mbi vendimin e GJKKO për të hequr sekuestron mbi 5 pasuritë e lidhura me Bistrin.

Dokumentet e gjykatës tregojnë, për shembull, se dy apartamente me sipërfaqe rreth 400 m² secili, të porositura nga E.B. dhe D.B., kishin një vlerë kontraktuale prej vetëm 200 000 eurosh për secilin. Kjo përkthehet në rreth 500 euro/m² për ndërtim – në një nga zonat e Tiranës me çmime në treg mes 1 500 dhe 2 500 eurosh për metër katror.

Çukaj i tha BIRN se qëllimi i këtyre veprimeve bëhet pikërisht që të shpëtohej vlera e shtuar e pasurisë.

“Qëllimi i këtyre veprimeve është të shpëtohet pasuria e cila tashmë ka një vlerë më të lartë se momenti kur është bërë transaksioni më parë”, tha Çukaj.

Sipas saj, veprimet e kryera menjëherë pas arrestimit janë të dyshuara dhe janë veprime në keqbesim.

“Personat në keqbesim nuk gëzojnë mbrojtje, prokuroria duhet të sekuestrojë pasurinë, jo kundërvleftën e tyre, pasi konfiskimi drejtohet ndaj pasurisë, kudo që ajo gjendet”, tha ajo.

Por diferenca mes çmimit të kontratave dhe vlerës së tregut nuk është vetëm statistikë, ligji Antimafia e parashikon qartë si fiktive kategorinë e transaksioneve “dukshëm nën vlerën e tregut” dhe në një periudhë që shkon pas në kohë deri në dy vjet nga kërkesa për sekuestrim në gjykatë.

Neni 22, pika 5/b i ligjit parashikon se gjykata konstaton pavlefshmërinë e veprimeve juridike kur vërtetohet se pasuritë janë transferuar apo regjistruar në emër të të tretëve “me titull falas apo dukshëm nën vlerën e tregut, të kryera brenda dy viteve përpara paraqitjes së kërkesës për marrjen e masës parandaluese”.

Por në vendimin që liroi pasuritë citohet vetëm pika 5/a e kësaj pjese të ligjit dhe referenca ligjore ndërpritet aty.

Moscitimi i plotë i dispozitës ngre pikëpyetje për ekspertët.

“Është e çuditshme që në vendim gjykata ka referuar vetëm pjesërisht nenin 22 të ligjit, duke lënë jashtë germën b të pikës 5,” i tha BIRN njëri prej tyre.

Lapaj vijon protestën para Kryeministrisë: Të mungojë hekuri në tunelin e Llogarasë, jo vetëm vjedhje, por rrezikim jete! Të imponojmë dorëheqjen e Ramës

Adriatik Lapaj vijon protestën para Kryeministrisë. Në një lidhje live në “Koha për t’u zgjuar” në News24, Lapaj ka treguar se protesta e tij ka nisur fillimisht vetëm, kjo pasi beson se janë vullnetet e individëve ata që sjellin ndryshimin.

Ai ka folur edhe në lidhje me vendosjen e çadrës ditën e djeshme, që u kundërshtua nga forcat policore. Lapaj u ka bërë thirrje të gjithë atyre që e ndjejnë, që të bëhen pjesë e protestës së tij, ndërsa ka renditur edhe aferat e kësaj mazhorance në fuqi, që duhet të kishte sjellë rrotacionin politik dhe jo fitoren në zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki.

Lapaj zbuloi gjithashtu se në protestë do të qëndrohet derisa tua lejojë limiti biologjik.

“Themeli i fortë i një demokracie është individi. Nuk kam besuar te protestat e mëdha, E nisa vetëm. Çdo njeri që e ndjen, të bashkohet në formën e vetë. Në orën 5 pasdite, kemi ritualin ku bëhet një protestë që çdo ditë do të jetë dhe më e madhe. Të tjerët ikin e vinë. Ka pasur deri në orë 5 të mëngjesit. Ka të tjerë që po rrinë tërë kohës këtu. Kemi qenë 12 veta gjatë gjithë natës. Kur ti pyet një përfaqësues të shtetit, se ku bazohet, dhe s’ta tregon, e kupton vetë ti. Vendosja e tendave, është një gjë demokratike, si në SHBA. Por kjo vetëm demokraci nuk është. Shpërfillja është e tmerrshme. Edhe më e rëndë është që të shpërfillin si qytetar, se ke një mendim dhe ti flet dhe s’të dëgjon njeri.

Korrupsionet galoponte, ministrat kapen në vjedhje. Askush në botë nuk ndodh që pasi je kapur gafil duke vjedhur, ti bëhet dhe më i fortë. Nuk ka logjikë që t’i shkon në zgjedhje të parakohshme në 5 bashki dhe fiton 75 të votave. Afat për qëndrimin nuk ka. Nëse ndodh që njerëzit shtohen, dhe imponojnë dorëheqjen e këtij zotërie, pasi ai s’ka legjitimitet më, pasi ai do të ishte limiti i protestës. Do të qëndrojmë këtu deri sa në limitin biologjik të trupit. Vjedhin nuk mbajnë përgjegjësi. I kërkon gjykata të ikin na detyra, kapen dhe mbrohen me një gjykatë tjetër. Na kërcënojnë jetën me vjedhjen e tyre. Të mungojnë hekuri në tunelin e Llogarasë, rrezikohet jeta jo vetëm vjedhje. Apo të rrezikohet jeta nga rënia e malit, në Qafë-Plloçë, nuk është vetëm vjedhje, por dhe rrezikim jete.”, tha ai.

Salianji: Qeveria ka rënë, është një karrakatinë! Kryeministrit i arrestohen zyrtarët e lartë, e denoncoi ish-zëvendësi i tij në arrati!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i pyetur në lidhje me mundësitë e një fitoreje të opozitës ndaj qeverisë, u shpreh se tashmë kjo qeveri pa rënë pas skandaleve të njëpasnjëshme.

 

I ftuar në News 24, Salianji tha se qeveria e Ramës nuk respekton moralin politik të dorëheqjes, ndërkohë që opozita sot është e fragmentarizuar dhe ndarja e votës nuk ja mundëson rrëzimin e qeverisë.

Sipas tij, dy janë mënyrat e rrëzimit të qeverisë, bashkimi i opozitës me të gjitha partitë e vogla duke prodhuar votë të bashkuar kundër Ramës dhe mosbindje civile dhe revoltë që paralizon jetën.

Ervin Salianji: Ka një parim moral politik i pranuar në demokraci, dhe në rast se ke përgjegjësi duhet të japësh dorëheqjen. Ky kryeministër që i arrestohen dhjetëra zyrtarë të lartë, zv/kryeministri në arrati e denoncoi Ramën, këtu kemi një problem. Qeveria ka rënë, është një ngrehinë por ne duhet ta dëshmojmë.

Nuk duhet diskutuar me tifozeri. Fragmentarizimi i opozitës, ndarja e votës prodhon se të ikë dëm duhet të investohet për bashkimin e opozitës në çdo formë. Dy mënyra ka si rrëzohet qeveria. Vota dhe revolta, mosbindja civile që paralizon jetën. Ta pranojmë problemin.

Ermal Hasimja: Lëvizja e Salianjit e ka vënë partinë në gjendje alerti

Politologu Ermal Hasimja komentoi mbrëmë në Studio24, lëvizjen e Ervin Salianjit brenda Partisë Demokratike. Hasimja e sheh si diçka pozitive, pasi ka vënë në lëvizje dhe gjendje alerit PD-në.


Më tej thekson se kur nisi takimet në Durrës, pati sulme agresive në rrjetet sociale ndaj Salianjit.

Shumë demokrat sipas tij nuk duan ndryshimin e lidershipit në parti, pasi këtë gjendje e shohin si një lloj shenjtërie.

Ermal Hasimja: Ajo gjë që e tremb Ramën është çfarëdolloj ndryshimi brenda PD-së. Eventualisht mund të jetë i shqetësuar. Pse jo mund dhe të pëlqejë ideja që partia të përçahet. Është një gjë e mirë kjo që po ndodh. E ka partinë në një gjendje alerti. Në një gjendje të të menduarit kritik. Në mos të menduarit për të bërë ndryshim, për të bërë të paktën ato që eventualisht duken të qarta të vejë përpara zgjidhje potenciale.

Kur filloi kjo nismë, një ditë më pas PD shpalli takimet në bazë. Këto gjëra mund të ishin bërë që në 12 maj. Salianji është shumë i kujdesshëm në këtë pikë, për të mos shkuar në sfidimin e autoriteteve. Ne nga jashtë e kemi më kollaj. Zoti Salianji është në kuadër të një përpjekje, që duhet të strategji që të mos dëmtohet rrugës. Është kategorizuar. Kur nisi kjo gjë pashë në rrjetet sociale sulme të bollshme dhe agresive.

Duket se vinin, nga njerëz që e shohin me shenjtëri statuskounë e lidershipit, e shohin si rrezik gërryerjen e kësaj shenjtërie, Berishën. Dhe ndezin reflekset tradicionale brenda partive politike shqiptare. E shpallin tjetrin armik. Salianji ka këtë avantazh që është e vështirë ta shpallësh armik edhe pas qëndrimit njëvjeçarë në burg.

SPAK kalon për gjykim çështjen e krahut të djathtë të Ballukut, Evis Berberit – gjukohet per korrupsion dhe pastrim parash

Prokuroria e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen ndaj Evis Berberit, ish kreu i ARRSH-së, i cili është në burg si i dyshuar për abuzime me tenderat e institucionit që ai drejtonte.

Vartësi i besuar Belinda Ballukut, seancën e kaluar, kërkoi gjykim të shkurtuar, ndërsa pretendoi pavlefshmëri të akteve, fshirje të korrespodencës dhe papërdorshmërinë e të dhënave të marrë nga celularët e tij, të sekuestruar gjatë hetimit.

Përmes avokatëve, ish-zyrtari i lartë Berberi, ndaj të cilit rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, pretendoi se celularët e tij janë sekuestruar vetëm mbi bazën e urdhrit të prokurorit dhe jo me vendim të gjykatës, çka sipas tij përbën shkak për pavlefshmëri të akteve dhe të të dhënave, referuar vendimeve të gjykatës Kushtetuese. Valter Begaj ish-ortak i Berbetit dhe kompanitë DAAM shpk dhe Net Grup kërkuan kthim të çështjes për hetime të mëtejshme. Begaj dha shpjegime të detajuara para Gjykatës së Posaçme lidhur me pronësinë e kompanisë DAAM të cilën sipas SPAK e kontrollonte në mënyrë të tërthortë Evis Berberi dhe kompania fitonte tendera nga institucionet që ai drejtonte.

Kujtojmë se Berberi u arrestua më 13 Mars 2024 me urdhër të Gjykatës së Posaçme.

Skema 

SPAK ka dyshime se shumat Berberi fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro që janë fituar nga kompania DAAM që drejtohej nga Valter Begaj, por që defakto sipas SPAK, kompania zotërohej prej Berberit.

Po kështu SPAK dyshon se në kohën që Berberi drejtonte ARSH, e njjëta kompani ka fituar tre tendera të tjerë më vlerë rreth 1 milionë euro.

Hetimet kanë zbuluar se kjo kompani është përdorur për kalimin drejt saj të sasive të mëdha të parave, nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Begaj, përmes transaksioneve të ndryshme.

Paratë e kaluara në favor të kompanisë “Daam”, janë përdorur për të blerë prona të patundshme në emër të kësaj shoqërie. Këto veprime kanë ngritur dyshime për Prokurorët, se gjenden përballë një veprimtarie të pastrimit të parave.

Transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “Daam”, në zotërim indirekt nga zoti Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me kohën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e zotit Berberi. Bëhet fjalë për prokurime publike me një vlerë totale prej mbi 2.7 milion euro me tvsh.

Çfarë u zbulua pas sekuestrimit të celularit të tij

Bazuar në të dhënat e zbuluara në celularët e sekuestruar në shtëpinë e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar SPAK ka çelur disa dosja të tjera penale dhe ka ngritur akuzë për shkelje të barazisë në tendera kryer në bashkëpunim edhe për zv.kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku lidhur me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë e po ashtu për tenderin loti 4 unaza e madhe.

Shkeljet me tenderin për Tunelin e Llogarasë

Më 31 tetor, SPAK mori të pandehur Ballukun për shkelje me tenderin 190 mln euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Bashkë me Ballukun, në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe 5 persona të tjerë, Gentian Gjyli, ish-drejtori i ARRSH-së Evis Berberi, i cili është i arrestuar për një tjetër çështje, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica. Të 5-të janë marrë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).

Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021 në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit.

E njëjta garë u shpall 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH. Në tenderin i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi i dy kompanive turke Intecar dhe Asl, u shpall fitues, me ofertë 170 mln euro plus TVSH.

SPAK dyshon se Balluku dhe Gjyli kanë kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi, pasi tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro dhe u rihap pak muaj më pas dhe ju dha bashkimit të kompanive turke edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.

Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj më 31 tetor, në orën 15:00.”- njoftonte SPAK.

Tenderi abuziv në Unazën e Madhe

Zv.kryeministrja e pezulluar, përveç tunelit të Llogarasë është nën hetim edhe për tenderin abuziv në Unazën e Madhe.

SPAK sqaroi se ndaj të pandehurës Belinda Balluku rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale,“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

Ashtu si në rastin e Tunelit të Llogarsë, edhe te ndërtimi i Lotit 4 të Unazës së Madhe, dyshimet janë se Belinda Balluku dhe Evis Berberi kanë paracaktuar fituesin e tenderit. Sipas të dhënave të Openprocurment, gara për tendering e Lotit 4 të Unazësë Madhe u hap në datën 16 gusht 2021 dhe u mbyll në datën 16 shtator të atij viti.

Ndërsa fituesi u shpall në datën 7 tetor 2021. Në garë morën pjesë 8 kompani, por ARRSH ka skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit në garë, duke shpallur fitues bashkimin e operatorëve    EUROTEOREMA PEQIN shpk – “PE-VLA-KU” sh.p.k – “NOVA Construction 2012” shpk, me ofertë 23.8 milionë euro me tvsh.

Sipas Openprocurment, ky tender është vlerësuar me Flamur të kuq, për shkak se nga gara janë skualifikuar të gjithë operatorët e tjerë pjesëmarrës, ndonëse disa prej tyre kanë ofruar deri në 5 milionë euro më pak se operatori fitues, për ndërtimin e lotit 4 të unazës së madhe të Tiranës.

Jo vetëm tenderi i ndërtimit, por edhe supervizimi i lotit 4 të Unazës së Madhe, dyshohet se është abuziv dhe po hetohet nga SPAK.

GJKKO “zhveshi” Belinda Ballukun nga pushteti

Belinda Balluku është e pezulluar nga ushtrimi i funksioneve me vendim të gjykatës së Posaçme dhe i është ndaluar e drejta për të dalë jashtë vendit.

Lidhur me çështjen e saj pritet të vendosë gjykata Kushtetuese e vënë në lëvizje nga kryeministri Edi Rama që kundërshton pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë.

Ndërsa Apeli i Posaçëm pritet të shpallë datën për shqyrtimin e ankimimit të Ballukut dhe dy vartësve të saj Gentian Gjyli dhe Erald Elezi të cilët ndodhen nën masën e arrestit në shtëpi.

Forcat amerikane stërvitin ushtrinë shqiptare për përdorimin e teknologjisë kundër sistemeve fluturuese pa pilotë

Kontraktorët e kompanive amerikane në fushën e mbrojtjes trajnuan javën e kaluar ushtrinë shqiptare për të përdorur teknologjinë kundër sistemeve fluturuese pa pilotë.


Forcat amerikane trajnojnë ushtrinë shqiptare për përdorimin e teknologjisë kundër dronëve

Përmes një postimi në rrjete sociale, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë njopfton se ky program është pjesë e Partneritetit Shtetëror të Shqipërisë me Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit (New Jersey).

Ambasada e SHBA-së në Tiranë thekson se këto armë të avancuara amerikane për dronë forcojnë kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë dhe mbështesin misionin e NATO-s për të ruajtur sigurinë kolektive.

Postimi i plotë

Dronët nuk janë problem për Aleatët e NATO-s! Javën e kaluar, kontraktorët e kompanive amerikane në fushën e mbrojtjes trajnuan ushtrinë shqiptare për të përdorur teknologjinë kundër sistemeve fluturuese pa pilotë, e ofruar përmes Programit të Partneritetit Shtetëror të Shqipërisë me Gardën Kombëtare të New Jersey. Këto armë të avancuara amerikane për dronë forcojnë kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë dhe mbështesin misionin e NATO-s për të ruajtur sigurinë kolektive. gsh

Vrau Martin Canin, Gjykata e Tiranës dënon me 16 vite burg Mario Përlleshajn

Gjykata e Tiranës dënon me 16 vite burg Mario Përlleshajn. Si autori, ashtu edhe viktima ishin nxënës të shkollës 9-vjeçare Fan. S. Noli në kryeqytet, ndërsa ngjarja tronditi opinionin publik. bw

Deklarata e Ramës për Belinda Ballukun, reagon Shoqata e Gjyqtarëve: Presion politik ndaj organeve të drejtësisë

Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar lidhur me deklarata e kryeministrit Edi Rama lidhur me Belinda Ballukun, numrin dy të qeverisë dhe ministren e Infrastrukturës, të pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së.


Shoqata ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën, sipas tyre, lidhur me qasjen e Kryeministrit.

Në një postim, theksohet se tek deklaratat e Ramës, “nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor”, në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë.

Gjithashtu, deklarohet se mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit.

“Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët”, theksohet në postim.

Ndaj, Shoqata e Gjyqtarëve i bëri thirrje zyrtarëve të lartë që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë.

“Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje prej disa ditësh komunikimin publik të Kryeministrit të vendit lidhur me çështjen gjyqësore në ngarkim të Zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është duke u shqyrtuar në të njëjtën kohë nga Gjykata Kushtetuese, si dhe nga gjykatat e posaçme. Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor. Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit.

Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.

Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit. gsh

Gara për Avokatin e Popullit, zbulohen emrat që plotësojnë kushtet ligjore! Ja kush mori më shumë firma nga demokratët

Adriana Kalaja është kandidatja për Avokate të Popullit që ka marrë më shumë firma nga demokratët, duke plotësuar kështu edhe kushtet ligjore.


Kandidatët që kanë marrë të paktën 28 firma;

-Adriana Kalaja 44 firma

-Aranita Brahaj 35

-Besim Ndregjoni 34

-Endrit Shabani 35

-Skender Haluci 30

-Tartar Bazaj 28

Kandidatet qe kane siguruar kushtet ligjore janë:

Adriana Kalaja

Aranita Brahaj

Besim Ndregjoni

Endrit Shabani

gsh

KLP voton Joni Ketën për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë votoi me 11 vota Joni Ketën si kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke zëvendësuar, Aida Hajnaj.


Deri tani Keta mbante postin e zv.drejtorit të Byrosë dhe u propozua si drejtues në finale të një procesi që zgjati disa muaj.

Joni Keta u propozua nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe mori 11 vota pro dhe asnjë kundër. I gjithë procesi u ndoq edhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë dhe asaj të BE.

Në garë për drejtimin e strukturës që ndihmon SPAK në hetime ishin 7 kandidatë, përfshirë zyrtarë të lartë policie, por edhe prokurorë.

Në mandatin e parë 5 vjeçar struktura e pagëzuar si “FBI-ja shqiptare” u drejtua nga Aida Hajnaj.

Sipas procedurës dhe rregullores, KLP do të votojë nëse e pranon propozimin e SPAK, për të zgjedhur Joni Ketën në krye të BKH-së, për një mandat 5 vjeçar.

Joni Keta arriti të fitonte në garën me 7 kandidatët e tjerë që kishte përballë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano. gsh

KLP voton kandidatin e SPAK si drejtor të BKH-së, Joni Keta! Të pranishëm në sallë, përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe BE

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh sot për të votuar Joni Ketën në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Mbledhja nisi në orën 11:00 dhe të pranishëm në sallë për procesin e votimit të kandidatit të SPAK janë edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe BE.

Aktualisht Joni Keta mban postin e zv.drejtorit të Byrosë dhe u propozua si drejtues në finale të një procesi që zgjati disa muaj, raporton gazetarja Klodiana Lala.

Në garë për drejtimin e strukturës që ndihmon SPAK në hetime ishin 7 kandidatë, përfshirë zyrtarë të lartë policie, por edhe prokurorë.

Në mandatin e parë 5 vjeçar struktura e pagëzuar si “FBI-ja shqiptare” u drejtua nga Aida Hajnaj.

Sipas procedurës dhe rregullores, KLP do të votojë nëse e pranon propozimin e SPAK, për të zgjedhur Joni Ketën në krye të BKH-së, për një mandat 5 vjeçar.

Joni Keta arriti të fitonte në garën me 7 kandidatët e tjerë që kishte përballë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano.

Ish-presidenti Bamir Topi: braktisja në mënyrë të qëllimshme e protesës së 21 janarit është përgjegjësi direkte e z. Rama

 

Ish-presidenti Bamir Topi është paraqitur sot në SPAK, ku do të pyetet për çështjen e 21 Janarit.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se ish-presidenti do të pyetet si person në dijeni për protestën në fjalë, që çoi në vrasjen e 4 protestuesve më 2011.

Kujtojmë që në librin “Nocturn” të botuar prej tij, Bamir Topi tregonte detajet nga ngjarja e 21 janarit.

“Ka qenë data 20 janar, kisha organizuar në Pallatin e Brigadave një takim me trupin diplomatik dhe natyrisht isha shumë i kujdesshëm, por informacionet që vinin ishin të tilla sa unë jam shkëputur nga leximi. Ua kam bërë me dije edhe trupit diplomatik. Informacionet merreshin hap pas hapi dhe palët politike kishin një lloj ekzibicioni që të shfaqen me gjithë virulencën e tyre. Kryetari i Shtetit në çdo rrethanë së bashku me kryeministrin është destinacioni i parë i informacionit. Kishte arritur pika e konfliktualitetit në maksimum.

Në atë mbledhje me trupin diplomatik u kam bërë thirrje forcave politike që të ulin tensionet dhe të gjejnë kurajo për të dialoguar dhe sikurse u pa ditën e nesërme, askush nuk e dëgjoi. Kur në zyrën e kreut të Shtetit, takimet janë intensive në momente të tilla kur paralajmërojnë një trazirë. Në historinë e tranzicionit shqiptar, 21 janari është futur në kalendarin historik si ngjarja më traumatike dhe e dhunshme. Së pari është dimensioni politik dhe së dyti, dimensioni juridik. Dimensioni tjetër ka të bëjë me atë çka ndodhi në familjet e të prekurve nga kjo lloj tragjedie. Kam kontaktuar edhe me njerëz të mediave, pasi është mediator shumë i rëndësishëm qoftë në perceptimin e situatën, qoften në përçimin e mesazheve.
Ajo ishte një demonstratë, e cila nisi si paqësore që precipitoi si një protestë e dhunshme. Ajo që unë nuk kam pranuar tek kjo protestë, është kalimi i limiteve, pra tejet e dhunshme dhe e dyta, që unë nuk e kam kuptuar, ka qenë braktisja e kësaj proteste nga njeriu që duhet ta drejtonte politikisht këtë protestë. Zt. Rama i doli zot kësaj proteste dhe në fund i la protestuesit të dhunojnë dhe iku dhe në sytë e mi ishte një braktisje totalisht e pa justifikuar e saj.
Gjithmonë një drejtues politik i orienton njerëzit dhe brenda asaj turme ka njerëz që administrojnë vetveten dhe braktisja në mënyrë të qëllimshme, është përgjegjësi direkte e zt.Rama. situata precipitoi në mënyrë dramatike. Komunikimin e parë e kisha një natë përpara, komunikimi i dytë është momenti kur u ekzekutuan qytetarë, kam dënuar dhunën, kam bërë thirrje për drejtësi dhe qetësi. Berishës në atë kohë kryeministër nuk i ka pëlqyer ai momenti kur unë flas për ngjarjen në bulevard, unë flas për vrasjet në Bulevard. Unë nuk specifikova që vrasja kanë ndodhur në Kryeministri, vrasjet ndodhën në Bulevard”, shprehej Topi në kohën e botimit.


Send this to a friend