Në këto kohë kur qendrat e emigrantëve në Shëngjin e Gjadër e politika meloniane kanë “pushtuar” ballinat politike të mediave në brigjet e Adriatikut, melodia e frymëzuar nga gjurmë shqiptare, lundron mbi gjithcka e vlerëson historinë që prej gati 6 shekujsh mban bashkuar Shqipërinë e Italinë.
Në podiumin e vlerësimeve më të larta të muzikës italiane, në Festivalin e Sanremo 2025, muzika e të cilit dikur në Shqipërinë komuniste, përdorej si akuzë për të dënuar e burgosur shpirtrat e lirë shqiptarë, vargjet e një kënge e melodia e saj sollën aromën e shtëpisë që mund ta gjesh si në njërin krah ashtu che në tjetrin breg të Adriatikut.
“Jam rritur në një tokë mizore, ku bora përzihet me mjaltin, dhe njerëzit e mirë mbajnë kurora me gjemba mbi krye, dallimin mes gjakut e verës e mësova qysh fëmi e nuk mund të mësohem me tërë këtë lumturi.”
Janë disa nga rreshtat e këngës “Pema e arrës”, që fitoi cmimin e tretë në Festivalin e Muzikës Italiane, Sanremo 2025, kënduar nga Brunori Sas, këngëtari nga katundi arbëreshë Santa Caterina Albanese apo Picilia në gjuhën shqipe.
Akademia Crusca, institucioni pilastër i gjuhës italiane e vlerësoi si teksti më i mirë i këtij Festivali, e juria me cmimin e tretë ndër 26 këngë e artistë në garë.
Brunori Sas, me emrin e vërtetë Dario, solli në skenën e Teatrit Ariston të Sanremos, peshën e thirrjen e fortë që përcjellin rrënjët, të cilat mbajnë fort pemën e arrës e rrisin degë të shëndosha duke trashëguar historinë e kulturën e një territori.
Këtë këngë me një mjeshtëri unike që përfshin kulturën kalabreze e arbëreshe, Brunori Sas e ka shndërruar në një origjinalitet unik të talentit të tij artistik, që përfshiu publikun italian e eskpertët e muzikës, që e vlerësuan mes tre vendeve të parë në këtë garë të rëndësishme të muzikës italiane.
Lidhjen me vendlindjen artisti e solli në skenë dhe me zgjedhjen e drejtuesit të orkestrës që e shoqëronte, Stefano Amato, arbëresh nga Spezzano albanese, apo Spixana në gjuhën shqipe.
Janë katunde arbëreshe pozicionuar mes kodrave kalabreze që kanë rritur artistë që dhe pse janë për herë të parë në skenën e eventit më të rëndësishëm të muzikës italiane, marrin vlerësimet më të larta për tekstin e muzikën.
Ky tekst kaq poetik evokon mes rimës e fjalëve sciurebetta-n, ëmbëlsirën kalabreze, gatuar me dashurinë e tokës që në kohë të vështira, me gjenialitet dhuronte pak gëzim për fëmijët duke përzier borën e parë me ëmbëlsinë e frutave të kopshtit.
“Sciurebetta” që në lexim tingëllon shëurbet, gatuar me borën e parë e me mjaltin, kujton gotën e ftohtë me ujë e sheqer, që në kohët e dhimbjes e tragjedisë shqiptare, nënat e gjyshet ta vinin mbi prehër në vend të ëmbëlsirës apo për mbushur barkun pas një vakti të një tavoline gatuar me tullonat e komunizmit.
Kënga “Pema e arrës” e Brunori Sas është një poezi jete, dedikuar vajzës së tij Fiammetas, por dhe tokës së tij, katundit të tij, me aromën e bardhësisë së borës së parë, ëmbëlsinë e mjaltit të frutave të oborrit e fortësinë e rrënjëve, simbollin e rritjes e trashëgimisë së fëmijëve.
E si një tam tam lëvizje sociale, muzika e Brunori Sas, teksti e orkestrimi i Stefano Amato përfshiu mirënjohjen e dashurinë e mijëra arvbëreshëve e shqiptarëve në itali që e mbështetën fortësisht në rrjetet sociale.
E në këto kohë të vështira, kur mes dy brigjeve të Adriatikut, qytezat boshatise apo ndërtohen gardhe me tela gjëmbash për emigrantë. “Sciurebetta” e “Pema e arrës”, është leksioni muzikor më i fortë i jetës, vlerësuar me vendin e tretë në Festivalin e Sanremos 2025.