Kancelari gjerman Olaf Scholz tha në Tiranë se dënon në mënyrë më të ashpër sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Morëm një goditje në rajon. Para disa javëve policët e Kosovës u sulmuan në mënyrë brutale dhe një polic u vra. E dënojmë në mënyrë më të ashpër këtë gjë”, tha Scholz në një konferencë për mediat.
Scholz tha se në Samitin në Tiranë e ka theksuar qartë edhe njëherë se duhet të ketë bashkëpunim rajonal dhe të zgjidhen konfliktet e kaluara.
“Duhet përmirësim konkret e i prekshëm, duhen marrëveshje që lehtësojnë jetën e përditshme, që bashkojnë qytetarët, e që është me rëndësi, marrëveshje që rrisin besimin e ndërsjellë. Procesi i Berlinit nga viti 2014 po kryen këtë detyrë”, tha Scholz, ndërsa ka shpjeguar marrëveshjet e arritura të hënën.
Ai ka thënë se Samiti i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit vitin e ardhshëm do të mbahet në Gjermani. Ai ka falënderuar Shqipërinë për organizimin e Samitit të së hënës.
“Është shenjë e mirë që për herë të parë Procesi i Berlinit u mbajt në një vend të Ballkanit Perëndimor, e që prezent ishin presidentët apo kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo dëshmon për angazhimin e këtyre vendeve për këtë Proces dhe po ashtu se sa i rëndësishëm është ky Proces që të shtyjë para Ballkanin Perëndimor drejt BE-së”, tha Scholz.
Kurse kryeministri shqiptar, Edi Rama, në krahun e tij, nuk preferoi të fliste për situatën e trazuar në rajon, të krijuar nga miku i tij personal, Aleksandër Vuçiç.