Fundkorrik 2022, Berlin
1. I munguari…
Dosjetë janë të ftohta, e që këtej, të pamëshirshme përherë. Ashtu siç ndodh me të vërtetën e hidhur. Të krimit veçanërisht, sepse dhe shënimi i mëposhtëm për krimin flet.
Shqiptarët dhe rusët kanë rezultuar më të korruptuarit në Europë.
Grafiku krahasimor i Eurostat-it që bëri këtë publikim, përfshinë harkun kohor nga viti 2015 e deri në vitin e shkuar. E pra, përkon në plotësi me regjimin banditokrat të Ramës.
Dijetari i pambërritshëm i pushteteve, Makaveli, këshillonte princin që, ndërsa t’këqijat duhet bërë menjëherë që të harrohen shpejt, të mirat duhet ngadalë e kursyeshëm që të kujtohen gjatë.
Por Rama, një regjimtar i pazgjuar bën të kundërtën. Të mira rrallë a hiç fare, kurse të këqija përherë e pambarim. Aq i bën për reflektimin dhe kujtesën popullore.
Aspak e papritur. Despoti i vogël, për të shpëtuar, kishte rrotulluar kompasin gjeopolitik e kulturor drejt lindjes ku ndjehej i prehur në botën e rigjetur.
Por aleatët perëndimorë dhanë alarmin. Dhe, si një stuhi e furishme, i ndërruan kahun që Shqipëria europiane, e udhëhumbur për së treti herë, të nisej sërish për në Votër.
Mirëpo, ndër vitet e vështira që vijnë, si një kusht sine qua non gjatë ecjes së këputshme integruese, ajo do të kërkojë tërthoras kulturim të hollë politik. Dhe, poaq, një provë-kufi të rëndë: Sanaderin shqiptar.
Për promovim prijësi?
Jo, jo!
Përkundrazi: për një dëshmi funksionaliteti të shtetit të së drejtës.
Galeria, sigurisht, do jetë plot. Konkurrenca ashpërsisht e fortë. Veçse, i parë, i paarritshëm me fjalë e vepër madhore, mbetet Edvin Rama, kalorësi flatrues i krimit të natyralizuar shtetëror.
Dhe kjo sakrificë e epërme sanaderjane do t’i bëj, së fundmi, skalitjen e artë portretit të tij: një murosje legjendare në Urën drejt Europës!
Moti historik i vetëmohimit kombëtar në këtë rendje gjithë vuajtje, shpresë e mundim do të identifikohet me emrin e tij. Një epokë madje, njëj shenje flijimi për pavdeksinë.
Ndaj lutemi me besë: ardhsh më shpejt t’i Orë e madhe e përvujtnísë. E përkorë, çliruese e vezullimtare, Ti do jesh zanë mali, Rojë e kthimit natyral të shqiptarëve në Shtëpi!
2. Ujemi…
Kolonializmi merr ujem ngadalë. Është ligjësia e pasprasme e kauzalitetit. E shkak-pasojës dialektike që konfirmohet vazhdimisht.
Nuk ishte, ndaj, kurrëfarë profecie thënja e vjetër e prijësit të dikurshëm algjerian, Huari Bumedien, tek pohonte se do pushtojmë perëndimin me barqet e grave tona, as, madje, hixhra-emigrantët që behin në vendet e kaurrit për t’i kthyer në t’bekuarën hapsirë islamike.
A nuk mbushte shtigjet e ikanakëve drejt Europës Pranvera arabe që, duke qenë një përbetim i huaj (anipse Obama zotohej në Kajro se nuk eksportojmë më kurrë revolucione demokratike), do të prishte jetët e tyre?
Këta fragmentë shfaqen tani kudo dhe përmasash e ngjyrash të ndryshme. Të përbuzurit e Franc Fanonit kthejnë, prandaj, fletën e re të historisë.
Indusi etnik Rishi Sunak, del i parë në kandidaturën për të trashëguar Boris Johnsonin në krye të partisë konservatore britanike.
Është lindur në Mbretërinë e bashkuar, por do të martohej në Bangalore me gruan e racës e gjakut të vet.
Ai, në fakt, do burrnohej londinez. Nyjëtoi fatet me dhélindjen krenare plot kujtesë, lavdi, kulturë, dije e madhështi imperiale. Por, njëkohësisht, duke bartë me vete ahtin e atdheut të parë: dinamizmin, rrëfimin kolonialist, shpirtësinë, filozofinë që, ndryshe nga Europa, nuk është mbyllur në bibliotekë, Brahmanin e ndriçuar… E të tëra përballë një qytetnie të lodhur…
Dhe ky Rishi, mbase, mund të hyjë një mjes të bukur në Downingstreet 10, në selinë mistereve dhe fuqisë viktoriane që vijon të qëndrojë, tashmë në trajtë e mit tjetër hemisferash të saj…
E pastaj Europa, kontinentalja gjithësesi, do të zgjohet me ftyrë ndryshuar. Thellësisht të ndryshme nga ç’është e ç’do të jetë.
Frëngu i urtë Michel Houllebecq, nuk qahet kot…
3. Ekocidi…
Lektyrat mësojnë për pushtimet dhe luftërat shfarosëse: gjenocidin dhe spastrimet etnike.
Porse tani njohim një fenomen, një prurje të re e, gjithaq, të frikshme të tyre.
Rusët nuk bëjnë pjesë në kombet e shpikjeve të mëdha. Por ja që, kësaj rradhe, do t’i dhuronte botës një gjetje brilante. Të paparë ndonjëherë: Ekocidin! I zbërthyer pak domethënë vrasjen e natyrës fizike të armikut: djegie, ndotje a helmim të vdekshëm të reliefit jetik.
Pra, përveç etnocidit mbi popullin ukrainas, rusët rrënojnë e shkretojnë dhe ambientin vital të të mbijetuarëve pas ferrit të tyre.
Ndaj dhe Selenski, i deshpëruar shpesh nga tmerri e vetmia, kërkon Tribunal krimesh për Rusinë.
Por ç’i thotë me ironi të poshtër Lavrov? I jep një përgjigje negativisht lapidare: fuqia atomike në gjyq? Ku është parë. E pagjasë. Nuk do të ndodh asnjëherë!
Dhe, mjerisht, kryediplomati që ka për detyrë, ex officio, mohimin e krimit, ishte arrogant por i hapur.
Sepse vërtetë, gjithmonë dënohen ose të vegjëlit ose humbësit. A nuk janë gjermanët dhe shqiptarët dëshmia ekzemplare e pamundsisë? Të parët ishin të mëdhenj, por humbës, kurse të dytët, fitimtarë, por të vegjël.
Ndërkaq, druaj se Rusia mbetet edhe ndër të mëdhenjtë, edhe ndër fitimtarët!
R.
Komentet