Një imazh tronditës nga qyteti lindor i Kharkivit është bërë simbol i rezistencës dhe humanizmit në Ukrainë, pasi Gjeneral Major Oleksandr Volobuev, nga Shërbimi i Mbrojtjes Civile, u fotografua duke mbajtur në duar një xhup të mbështjellë me kujdes, nga e cila shiheshin dy këpucë të vogla rozë – një vajzë e shpëtuar nga rrënojat e një çerdheje të goditur nga një dron rus Shahed.
Në imazhin që është bërë viral në rrjetet sociale, Volobuev ecën mes tymit dhe mbetjeve të shkrumbuara, me trupin e përkulur sikur të përpiqej të mbronte fëmijën nga ajri i helmuar që ende qarkullonte.
“Morëm telefonatën se kishte pasur një sulm ndaj kopshtit,” tha Volobuev për mediat lokale. “E dinim që aty kishte fëmijë, ndaj u nisëm menjëherë, të kapluar nga ankthi.”
Në çerdhen e quajtur “Akademia e Mjaltit”, e ndodhur në lagjen Kholodnohirsky të Kharkivit, 48 fëmijë ishin strehuar në bodrumin e ndërtesës dykatëshe në momentin e sulmit. Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi zjarr në çati dhe ndërtesa u mbush me tym e pluhur, por falë reagimit të shpejtë të ekipeve të emergjencës, asnjë fëmijë nuk humbi jetën.
Një tjetër oficer, Fedir Uhnenko, i cili zakonisht shërben si oficer shtypi në Shërbimin e Mbrojtjes Civile, këtë herë la kamerën për të ndihmuar në terren. Ai u fotografua duke mbajtur një djalë të vogël, përmes rrënojave dhe flakëve.
“E sigurova gjatë gjithë rrugës se gjithçka ishte në rregull,” tha Uhnenko. “Kur dolëm, pamë një makinë në flakë. Fëmija nuk qau – kishte frikë, por më kapi fort, si të kërkonte siguri.”
Fotografitë dhe pamjet e shpëtimit, të regjistruara nga ekipi i tij, janë transmetuar në mbarë botën, duke shfaqur trimërinë e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve ukrainas përballë një lufte që po prek gjithnjë e më shumë civilët dhe fëmijët.
Qeveria ukrainase e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar të qëllimshëm dhe pa asnjë objektiv ushtarak në zonë.
“Nuk ka asnjë justifikim për një sulm ndaj një kopshti fëmijësh,” deklaroi Presidenti Volodymyr Zelensky. “Rusia po bëhet çdo ditë e më e paturpshme në agresionin e saj ndaj civilëve.”
Dronët Shahed, të prodhuar nga Irani dhe të ngarkuar me rreth 50 kilogramë eksploziv, janë përdorur gjerësisht nga Rusia në sulmet ndaj qyteteve ukrainase. Edhe pse zakonisht synojnë infrastrukturën energjetike, autoritetet thonë se numri i madh i dronëve të lëshuar bën që shumë prej tyre të devijojnë dhe të godasin ndërtesa banimi.
Fëmijët e shpëtuar u dërguan në një qendër emergjente të sigurt, disa qindra metra larg vendit të ngjarjes. Të gjithë dolën të padëmtuar – por historia e tyre është tashmë një simbol i dhimbjes dhe guximit ukrainas në një luftë që vazhdon të prekë më të pafajshmit. bw