13:13
Rubin: Qëllimi ishte të mbroheshin civilët
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, e pyeti Rubinin për arsyetimin pas ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë.
Rubin tha se pas Bosnjës, ku ndodhën krime të tmerrshme, qëllimi ishte të mbroheshin civilët dhe të parandalohej përsëritja e atij tmerri.
Sipas tij, shqiptarët e Kosovës po vriteshin vetëm pse ishin shqiptarë.
“Donim të ishim në anën e viktimave. Ata, jo vetëm që ishin të shtypur, por po masakroheshin”, tha Rubin.
“Synimi ishte që njerëzit të ishin të lirë dhe të mos ndiqnin politikat e shtypësit të tyre”, shtoi ai.

13:00
Rubin: Albright i kërkoi Thaçit të tregonte tolerancë
Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara, Rubin u pyet nga avokati i Thaçit nëse i kujtohej që ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, i kishte thënë Thaçit se do të mbante përgjegjësi penale për krimet që mund të kryheshin në Kosovë, pas hyrjes së KFOR-it.
“Jo, nuk më kujtohet”, u përgjigj Rubin.
Ai sqaroi se Albright e kuptonte rëndësinë e hetimit të krimeve, por qëllimi i saj ishte të ndëshkoheshin individët përgjegjës për dhunën dhe të mos lejohej fajësimi kolektiv.
Sipas Rubinit, Albright i kishte kërkuar Thaçit të tregonte tolerancë dhe të bënte çmos që edhe populli i tij të ishte tolerant, ndërsa drejtësia do të kujdesej për përgjegjësinë individuale të atyre që kryen dhunë.

12:52
Rubin: Për Thaçin, SHBA-ja ishte simbol i fuqisë
Rubin tha se marrëdhëniet e Thaçit me Shtetet e Bashkuara ishin të veçanta dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për të.
Ai theksoi se që nga takimi i parë, kishte krijuar përshtypjen se Thaçi e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe si pasqyrim të asaj që ai e konsideronte si shtet i fortë dhe i besueshëm.
“Sipas meje, prioriteti i tij më i madh ishte të kishte mbështetjen e udhëheqjes amerikane”, tha Rubin gjatë dëshmisë së tij.
Ai nënvizoi se, në asnjë moment, nuk kishte vërejtur te Thaçi ndonjë sjellje apo qasje që do të rrezikonte këtë mbështetje.
“Jo, Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika do të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës”, shtoi Rubin.

12:29
Rubin tregon pse Thaçi fillimisht refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes në Rambuje
12:23
Për ju që sapo na jeni bashkuar, këto janë pikat kryesore të dëshmisë së deritashme të ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, para Dhomave të Specializuara në Hagë:
- Thaçi nuk kishte autoritet të plotë mbi UÇK-në – për vendimet ushtarake ai duhej të merrte udhëzime nga komandantët.
- Marrëdhënia e tij me komandantët ishte e distancuar – ai shpesh qëndronte në pozicion të tërhequr krahasuar me ta.
- Diferenca e moshës ndikonte në raportet – komandantët më të moshuar e trajtonin Thaçin si më pak të fuqishëm në vendimmarrje.
- Roli i Thaçit ishte më shumë politik sesa ushtarak – Rubin e përshkroi atë si figurë ndërmjetësuese, jo vendimmarrëse në terren.
- Komandantët i diktonin përgjigjet Thaçit – sipas Rubinit, ata i thoshin atij se si duhej të përgjigjej në negociata.
11:53
Rubin për marrëdhënien mes Thaçit dhe komandantëve të UÇK-së
Rubin dëshmoi edhe për marrëdhënien e Thaçit me komandantët e UÇK-së, gjatë procesit të demilitarizimit.
Rubin tha se Thaçi, i ri në moshë krahasuar me komandantët e tjerë, duhej t’u drejtohej atyre për informacion dhe udhëzime mbi vendimmarrjet brenda organizatës.
Ai përshkroi një lloj distancimi të Thaçit ndaj komandantëve, duke nënvizuar se edhe diferenca në moshë ndikonte në mënyrën se si ata komunikonin.
“Ata i thoshin atij se çfarë përgjigjeje të jepte”, tha Rubin, duke theksuar se roli i Thaçit ishte më shumë politik dhe ndërmjetësues.

11:45
Rubin: Roli i Thaçit ishte më shumë politik
Rubin rrëfeu detaje nga roli i tij gjatë procesit të demilitarizimit të UÇK-së në Kosovë.
Ai tha se detyra e tij ishte të pasqyronte pikëpamjet e të gjithë aleatëve të NATO-s dhe vendeve pjesëmarrëse në KFOR, ndërsa struktura e UÇK-së ishte e paorganizuar dhe e vështirë për t’u kuptuar, sipas tij.
Rubin tha se Thaçi ishte i ri dhe nuk kishte kompetenca të merrte vendime për aspektet ushtarake të UÇK-së.
Ai përfaqësonte pikëpamjet e komandantëve të tjerë, ndërsa ata e informonin për qëndrimet e tyre, shpjegoi Rubin.
“Nuk u thoshte Hshimi komandantëve se çfarë të bënin, por komandantët i thoshin atij”.
Rubin përshkroi gjithashtu tensionet brenda UÇK-së, ku disa komandantë kërkonin të ruanin nivelin maksimal të forcës ushtarake, ndërsa ndërkombëtarët synonin minimumin, për të lehtësuar demilitarizimin.
Ky dialog i vështirë, sipas Rubinit, tregonte qartë se roli i Thaçit ishte më shumë politik sesa ushtarak.
“Unë këtë e përktheva si rol të një ministri të Jashtëm, ose rol politik”, tha Rubin.

11:35
Rubin për demilitarizimin e UÇK-së
Në fund të qershorit të vitit 1999, Rubin tha se ishte në Kosovë për të mbështetur procesin e demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kohën kur lufta po afrohej drejt fundit.
Gjenerali britanik, Mike Jackson, i komandës së re të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, po planifikonte tërheqjen e forcave serbe nga territori i Kosovës dhe negocionte me komandantët e UÇK-së në terren.
Albright tha se i kishte kërkuar që të shkonte në Kosovë për të ndihmuar gjeneralin Jackson dhe për të siguruar nënshkrimin e Thaçit, të cilin e kishin autorizuar komandantët e UÇK-së.
“Kam qëndruar në Shkup dhe çdo mëngjes udhëtoja në male për të takuar Thaçin dhe komandantët”, tha Rubin.

11:19
Rubin: Thaçi s’mund të diktonte regulla dhe kushte brenda UÇK-së
Rubin tha se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të diktuar rregulla dhe kushte brenda UÇK-së, duke u detyruar të konsultohej me persona të tjerë për miratimin e vendimeve.
Ai tha se disa nga këta persona i konsideronte “ekstremistë”, të cilët, sipas tij, kërkonin veprime të menjëhershme, ndërsa Thaçi kishte një qasje më pragmatike.
“Ne e bindëm delegacionin shqiptar të Kosovës që pavarësinë do ta kishin, por fillimisht shpëtojeni popullin”, tha Rubin.
Ai shtoi se kur shumica vendosi të përqafonte mbështetjen e NATO-s dhe Perëndimit, grupet ekstremiste humbën ndikimin e tyre.

11:12
Rubin tregon se si Thaçi e refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes
Rubin tha se gjatë Konferencës së Rambujesë, Thaçi i shprehu shqetësimet e tij se nuk kishte autoritet të plotë për të nënshkruar marrëveshjen në emër të UÇK-së.
Rubin tregoi se sekretarja Albright i kishte thënë Thaçit se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre nuk do të kishte mbështetje nga Perëndimi.
“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo”, shtoi Rubin, duke shpjeguar se ish-presidenti ishte nën presion nga komandantët e UÇK-së dhe nga financuesit evropianë.
Rubin përmendi se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis që të mund të vazhdohej në fazën tjetër, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.
Por për Thaçin, tha Rubin, nënshkrimi i ndonjë deklarate që s’e specifikonte pavarësinë, do të konsiderohej tradhti.
“Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër”, tha Rubin.
“Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë, do të ishte tradhtar”, shtoi ai.

10:40
Rubin rrëfen ndërveprimet me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë
Rubin rrëfeu për takimin e tij me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë për Kosovën.
Ai tha se Thaçi e kishte njohur përmes televizionit, pasi ai ishte zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
Sekretarja Madeleine Albright e kishte inkurajuar që të bisedonte me Thaçin dhe të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë me të.
“Ne donim të dinim më shumë për udhëheqësin e delegacionit. Ajo më tha: ‘Njihu me të. Ndihmoje që të arrijë në vendimin e duhur’. Dhe kështu bëra”, tha Rubin.
Ai shtoi se gjatë takimeve përpiqej të kalonte sa më shumë kohë me Thaçin, duke ecur bashkë dhe duke diskutuar çështjet e rëndësishme.
Në atë kohë, Thaçi nuk fliste anglisht, ndaj Rubin shpjegoi se shpesh përdorej gjuha e trupit dhe se përkthyesit diplomatikë ishin të pranishëm gjatë bisedimeve.

10:24
Rubin rikujton takimin e fundit me Thaçin
Rubin u pyet për takimin e fundit me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin tha se ka ndodhur në vitin 2019.
Rubin tha se, atëkohë, kishte një kontratë me Qeverinë e Kosovës për të përfaqësuar përpjekjet e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë.
“Unë isha shumë i gëzuar që ta shoh”, tha Rubin, duke kujtuar momentin e takimit.
Ai shtoi se përpjekjet e tyre synonin të sillnin paqe mes Kosovës dhe Serbisë dhe të siguronin njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.
“Pikërisht këtë synova në punën time me të – t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës dhe njohja e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri. Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme”, tha Rubin.

10:17
Rubin për ndërveprimet me Thaçin
James Rubin, në deklaratën e lexuar në fillim të dëshmisë nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se gjatë negociatave për paqen në Kosovë në vitin 1999, kishte ndërveprime të drejtpërdrejta me Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së.
Rubin u angazhua nga sekretarja e atëhershme e Shtetit amerikan, Madeline Albright, për të mbështetur delegacionin shqiptar gjatë Konferencës së Rambujesë dhe më pas si i dërguar i posaçëm për të siguruar demobilizimin e UÇK-së.
Ai vuri në dukje se Thaçi kishte kufizime në autoritetin e tij, duke mos pasur mundësi të nënshkruante marrëveshjet pa miratimin e krahut ushtarak, dhe nuk merrte pjesë në bisedimet teknike.
Megjithatë, Rubin theksoi se që në fillim Thaçi kishte shprehur dëshirën për një Kosovë demokratike, pa dhunë ndëretnike dhe të mbështetur nga vlerat perëndimore.

Rubin gjithashtu sqaroi se në qershor të vitit 1999, sekretarja Albright u takua me Thaçin, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Qosjen, duke i inkurajuar ata që të krijonin një strukturë të përbashkët në terren për të ndërtuar administratën civile – një hap ky që Rubin e interpretoi si një referencë të tërthortë për qeverinë e përkohshme të Kosovës.
10:07
Avokati i Thaçit: Do të kemi shans që të tregojmë të vërtetën
Pierre Richard Prosper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se sot do të ofrohet një mundësi për të zbuluar të vërtetën rreth ngjarjeve në Kosovë në vitin 1999.
Ai i bëri këto komente para fillimit të dëshmisë së parë të mbrojtjes nga James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Shtetit amerikan, i thirrur nga mbrojtja e Thaçit.
“Presidenti falënderon të gjithë për mbështetjen në këtë proces. Jemi entuziastë për sot, sepse do të na jepet mundësia që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që ta riekzaminojmë të vërtetën se çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i një procesi ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregojnë se presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë”, tha mes tjerash Prosper për gazetarët në Hagë.

09:56
James Rubin del në bankën e dëshmitarëve

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, nisi pak minuta pas orës 9:00 dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ai është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit – i akuzuar për krime lufte.
Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy deri në tri ditë.
09:45
Kujtojmë se çka është Gjykata Speciale
Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale, u krijuan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.
Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ka në përbërje gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Selia e saj u vendos në Hagë për të shmangur kërcënimin e dëshmitarëve.
Ideja për ta krijuar atë lindi pasi Këshilli i Evropës miratoi një rezolutë që i bënte thirrje Kosovës të hetonte akuzat e bëra nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, i cili, në vitin 2010, i akuzoi anëtarët e UÇK-së për krime lufte dhe trafikim organesh.
Akuzat për trafikim organesh nuk janë vërtetuar dhe nuk përfshihen në aktakuzën aktuale.

09:30
Çka tha James Rubin për UÇK-në në vitin 2023?
Ish-zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, tha në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë dy vjet më parë se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka evoluuar.
09:21
Kur pritet të përfundojnë dëshmitë e mbrojtjes?
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parashikon që deri më 14 nëntor, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së fundit, të mbyllet rasti i mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së pritet të jetë gati për të dorëzuar shkresat përfundimtare të gjykimit deri më 22 dhjetor të këtij viti.
Gjatë konferencës së fundit statusore, mbrojtja e Thaçit deklaroi se do t’i nevojiteshin 35.5 orë për dëshminë e dëshmitarëve të saj.
Mbrojtja e Krasniqit njoftoi se dy dëshmitarë do të dëshmojnë personalisht në gjykatë, ndërsa dy të tjerët do të paraqesin dëshminë me shkrim, e cila tashmë u është dorëzuar prokurorëve.

Bazuar në këtë planifikim, gjykatësi vlerësoi se për përfundimin e dëshmive do të duhen rreth 35 ditë pune – me pesë orë dëshmi në ditë – duke parashikuar përfundimin e tyre në dhjetor.
Ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit njoftuan, ndërkohë, se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse.
08:59
Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi?
Aktakuza u ngarkon atyre përgjegjësi për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme të Kosovës, si dhe në veri të Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, viktimat përfshinin persona të dyshuar se ishin kundër UÇK-së dhe më vonë Qeverisë së përkohshme të Kosovës – në mesin e tyre: anëtarë të komuniteteve serbe, rome dhe ashkali, katolikë, civilë të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe, si dhe shqiptarë që mbështetën parti të tjera ose nuk iu bashkuan UÇK-së.
Dhomat e Specializuara theksojnë se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime.

Të katër të akuzuarit e mohojnë fajësinë.
Mbrojtja thotë se aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të incidenteve.
08:38
Kush është James Rubin?
James Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.
Ai ka shërbyer si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Rubin ka qenë këshilltar diplomatik i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përveç karrierës diplomatike, Rubin ka shërbyer si profesor dhe komentator në institucione prestigjioze si Oxford, Universiteti Columbia dhe Shkolla Ekonomike e Londrës, dhe është nderuar me çmime të larta për arritjet e tij profesionale.
08:33
Kush do të dëshmojë?
Sot, i pari që do të dalë në bankën e dëshmitarëve është James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjet kyçe të luftës në Kosovë.
Javën e kaluar ai tha se ka shumë për të treguar mbi atë periudhë, ndërsa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 11 prill 2023, Rubin theksoi se “UÇK-ja luajti rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në çmilitarizimin e premtuar prej tyre”.

Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre, nisur nga 15 shtatori, është konfidenciale.
Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra – në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.
Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

